“Piramida: një analizë” e padëshiruar. (Romeo Kodra)

Para pak ditësh pashë online njërën prej serive të emisionit ARTES të RTSH (https://www.youtube.com/watch?v=IY5tLO8O888), drejtuar prej Elsa Demos, e të titulluar “Piramida: një analizë”. Të ftuar në studio ishin Artan Raça, arkitekt i lirë (cit. Elsa Demo); Skënder Luarasi, arkitekt-pedagog në Universitetin Polis; Edmond Manahasa, drejtues i departamentit të arkitekturës të Universitetit Epoka; dhe, lidhur via Skype, Pirro Vaso, njëri prej projektuesve të ish-muzeut “Enver Hoxha” sëbashku me Vladimir Bregun, Pranvera Hoxhën dhe Klement Kolanecin. Kureshtja prej titullit më bëri ta ndjek të gjithin, nga fillimi në fund.

Pa kaluar shumë, në minutën 8.10 drejtuesi i departamentit të arkitekturës së Universitetit Epoka, nga lartësia e njohurive të tij historiko-arkitekturore të shprehura në një studim të vogël mbi “Piramidën” që ka ndjellë Elsa Demon aq shumë sa e ftoi në studio, tha që objekti “ka qenë ndërtuar si një mauzoleum për ish-diktatorin” (këtë idiotizëm gjithashtu e ka shkruar që në rreshtat e para të studimit të tij sëbashku me Odeta Durmishi Manahasën hedhur në researchgate.net).

Më pas, të fundit në rradhë, iu dha fjala arkitektit Pirro Vaso, i cili specifikoi që mbi projektin e ri të “Piramidës”, ndryshe nga sa e prezantoi Elsa Demo, nuk dinte gjë, pavarësisht se ishte dakort që të ndërhyej e të mos lihej “si gërmadhë”. Por kishte natyrisht mendimin e tij mbi procesin e ndëryrjes dhe, përsa i përket këtij të fundit, sqaroi duke thënë që problemi qëndron tek mungesa e vënies në dukje se “Piramida” është projektuar prej “Institutit nr. 1 të Ndërtimit” dhe ai ishte njëri prej katër drejtuesve të projektit.

Si zakonisht në emisionet televizive shqiptare ku nuk flitet shqip, por bërtitet shqipja, shpeshherë e çalë, askush nuk ua vë veshin atyre që kanë njohuri mbi ç’ka thonë më shumë sesa atyre që nuk kanë asnjë ide mbi ç’ka thonë shpesh duke bërtitu për të plotësuar zbrazëtinë e njohurive. Madje kur dëgjoi që arkitekti nuk kishte kundërshti ndaj ndërhyrjes së MVRDV, Elsa, që kujton se kundërshtimi i kafshërive të Edi Ramës mjafton për të artikuluar një vizion bote e botkuptimi, i sugjeroi një “Poooooor” nga studioja që më solli ndërmend një kastravec si Blendi Fevziu kur mundohet t’i nxjerrë si me grep nga goja bashkëbiseduesve fjalët që ai pret prej tyre.

Duke njohur deri diku Pirro Vason e kuptova menjëherë rrjedhën që do merrte “analiza”. Dhe në fakt Elsa Demo, duke kuptuar tjetër për tjetër ngaqë është rritur në Shqipërinë e tranzicionit dhe merret përditë me shqiptarë që prej tranzicionit u kanë rrjedhur trutë, specifikoi që të gjitha prezantimet kishin qenë me përmendjen “korrekte të emrave dhe datës të projektimit” të “Piramidës”, a thua se është emri ç’ka i intereson Pirro Vasos, i cili është aq i kulturuar e me edukatë sa të mos nxjerrë ndonjë fjalë të rëndë kur sheh këtë lloj niveli. Fati i tij i keq, dhe i imi që dëgjova deri në fund emisionin, është se kujton që në emisione të cilat mbajnë në titull fjalën analizë do të flitet për analizë, ndaj mesa duket kishte specifikuar çështjen e punës së Institutit nr.1 dhe veten si njëri prej drejtuesve të projektit dhe jo si autor. Kjo do të thotë, për shqiptarët që bërtasin shqip por “nuk hajnë shqip”, që Pirro Vasos nuk i intereson të ndryshojë historinë e tij duke thënë që është autor, sepse “Piramida” është produkt i një pune grupi dhe merita siç ndahej një herë e një kohe, kur disa fjalë kishin kuptimin që thuhej se duhet të kishin, ishte e grupit, madje jo vetëm e 4 drejtuesve por edhe e Institutit nr.1 të Ndërtimit të Repulikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (dmth: produkt i arkitekturës shqiptare i viteve ’80 dhe pjesë e historisë së saj). Kjo natyrisht është jo vetëm e pakonceptueshme por mesa duket edhe literalisht e pakuptueshme në Shqipërinë dhe prej shqiptarëve të tranzicionit.

Një njeriu që kupton shqipen paksa përtej alfabetizimit duhej t’i kishte vrarë veshin probematika e mospërfilljes, e qëllimshme për mendimin tim, së drejtuesve të projektit të “Piramidës” si dhe të drejtat e tyre legjitime, madje edhe më tepër kur projekti nga pas ka vulën e një institucioni si ai i Nërtimit nr.1 që e klasifikon si produkt specifik brenda një historie arkitekturore, institucionale e kombëtare që ende mesa duket nuk dimë apo nuk duam ta shkruajmë. Por, ndoshta, ngaqë kjo analizë nuk është shumë seksi dhe rrezikon t’u bëjë trutë lesh e li bërtitësve dhe analfabetëve të formuar prej spektakleve opinionformues televizivë shmanget prej 30 e kusur vitesh.

Pirro Vaso vazhdoi duke specifikuar në terma teoriko-teknik që projekti i MVRDV është një Adaptive Reuse Project, i cili mund të debatohet prej atyre që kanë instrumenta dhe njohuri konceptuale për analizim specifik. Por, kujt i hyri në vesh? Gjithsesi pasi Vaso specifikoi mospërfilljen dhe mospraninë shurdhuese të drejtuesve ende të gjallë të projektit edhe Elsa pohoi që nuk ka pasur ekspertë të pranishëm (a thua se është problem vetëm gjithëpërfshirja) që merren me arkitekturën e trashëgiminë gjatë procesit të aprovimit, konceptimit dhe prezantimit të projektit të MVRDV. Dhe, thënë kjo, në emision e Elsës ekspertët nuk mungonin.

Kështu fjala iu dha arkitektit të lirë Artan Raça që unë e kam patur koleg në Universitetin Polis por që përtej pispillosjes me rroba me ngjyra dhe syze trendy (talentet karakterizuese për arkitektët e famshëm të tranzicionit shqiptar) nuk e njihja. Ndërsa punën ia njoha vetëm pak vite më parë kur ish-Ministrja Mirela Kumbaro fshiu një vilë monument kulture të viteve 20 pas ish-stadiumit Qemal Stafa ku ndritste në tabela emri i projektuesit të mrekullisë së ardhshme arkitektonike, Artan Raça, por jo ermit i arkitektit të monumentit të kulturës së fshirë (që unë e di cili është por që është më mirë të mbetet i fshirë ose kush ka qejf le të argëtohet ta gjurmojë vetë apo të pyes të ftuarin tjetër në studion e ARTES arkitektin Skënder Luarasi).

Raça kishte idetë e qarta për “mauzoleun e Enver Hoxhës” dhe, thjeshtë, nuk i njeh asnjë lloj kompleksiteti (“Ku është kompleksiteti këtu? Nëse ia shtojmë dhe e dramatizojmë tani është tjetër gjë, por për mua nuk ka vend. […] dhe ai nuk është një objekt i bukur”, paçka se vite më parë, siç u përmend në një artikull të tij kur ishte për fshirjen e “Piramidës” dhe ndërtimin e një parlamenti sipas urdhërit të Sali Berishës, nuk e merrte të bukurën si parametër “për të prishur një objekt”).

Ndërsa Skënder Luarasi ishte disi më i përmbajtur dhe mundohej të hapte një diskutim për të analizuar nga pikëpamja e prurjes së modernitetit dhe monumentalizmin e tij (thyerja dhe rimarrja e historisë), por pa thënë asgjë konkrete mbi lidhjen e tyre me “Piramidën”. Ai foli pak për një lloj ndjenje sublimiteti që sheh se përcjell objekti në fjalë, por që për mendimin tim nuk ka lidhje me asgjë trashendentale (pjesë e së cilës është sublimja), përveçse me sfondin e Dajtit si rimë pamore me kontekstin natyror të Tiranës (pra, jo qiellore, jo sublime).

Fjala i kaloi, pas më shumë se gjysëm ore, Pirro Vasos që përsëriti, me aq sa mundte pa iu ndërprerë fjala prej ndërhyrjeve inteligjente të Elsës nga studioja, që “Piramida” është projektuar si multi-funksionale, me një hapësirë racionale por jo të ngurtë, me një performativitet në kohë dhe hapësirë (ndryshe perceptohet, lexohet e ndërveprohet me “Piramidën” nga njëra anë në tjetrën të saj, qoftë edhe nga fasada e pestë/parë nga sipër), që nuk ka qenë ndonjëherë mauzole, por muze (Pirro Vaso tha gabimisht “muze për Enver Hoxhën”, por ndoshta ngaqë nuk kishte kohë për të folur dhe trajtimi skandaloz që iu bë, sepse “Piramida” u bë muze për të “shënuar arritjet e Repulikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe vetëm emrin kishte “Enver Hoxha” … kjo është mirë të specifikohet sepse ndoshta analfabetët do kujtojnë se edhe Kombinati i Autotraktorëve apo “Uzina Enver” ishin apo punonin për Enver Hoxhën personalisht).

Por, pasi Pirro Vaso vuri në dukje që ai kishte pranuar ftesën e emisionit për të folur për projektin dhe jo për të hedhur poshtë të vjetrën, ajo që dëgjon një vesh i shurdhuar prej pëllamave të tranzicionit, që nuk njeh jo vetëm kulturë, por as edukatë e mirësjellje, është “Më fal ne po diskutojmë për jetën e objektit dhe jeta e objektit nuk mund të kuptohet pa jetën që ai ka pasur. Nëse kjo pjesë e diskutimit duket e pavendt, më vjen keq, por nuk mund të jetë kështu” (cit. Elsa Demo). Pirro Vaso, pasi ka dëgjuar idiotësitë me mauzole (që ai i quan “interpretime dhe opinione” ngaqë është njeri me edukatë edhe kur ka të bëjë me hajvanë), flet sërisht qetësisht për marrëdhënie hapësinore të objektit me bulevardin, me Kryeministrinë, me Hotel Dajtin, me kontekstin natyror/malin e Dajtit; për marrëdhënie të objektit me njeriun (ato që u përmendën pak më sipër); dhe ajo që dëgjon, kur thotë se janë këto gjërat që mendonte për të cilat ishte ftuar, është se “ne po diskutojmë për jetën e objektit”.

Me kafshëri të tilla është e kotë, nuk dilet askund përtej rrethrrotullimit pështjellosës tranzicional 30-vjeçar. Është më mirë të mos lexojmë “Piramidën” që është i vetmi objekt që njëkohësisht del nga rreshti i ndërtimeve të bulevardit fashist/fascio littorio, i vetmi që thyen vertikalitetin e fasadave dhe mbylljen hermetike të tyre … është më mirë të dëgjojmë Artan Raçën që si papagall predikon zhvillimin urban drejt periferive sepse nuk i pëlqen që qyteti të ndërtohet në bulevard, të cilin ai nuk ia ka idenë sesi lexohet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s