“I zgjuari, budallai dhe skllavi.” – Lu Xun (Romeo Kodra)

Lu Xun, 1881 – 1936.

Skllavi nuk kërkon tjetër veçse dikë me të cilin të qahet. Ai as dëshiron e as është i aftë për gjë. Një ditë, takoi një njeri të zgjuar.

“Zotëri!”, e thirri gjithë ngashërim, me lotët që i rridhnin rrëke prej syve. “Ti e di që nuk jetoj si njeri. Një vakt në ditë, e ha a s’e ha. Edhe ai vakt i shkretë është një kothere e gurtë që squll, së cilës nuk i afrohen as qentë e as derrat; e për më tepër nuk del as sa një gjysëm racioni …”
“Më vjen keq, vërtetë”, tha i zgjuari gjithë dhimbje.
“Pse, a s’kam të drejtë?”, ia ktheu skllavi, i lehtësuar.
“Dhe punoj ditë e natë pa pushim: agimi më gjen duke mbushur ujë, kur ngryset jam duke gatuar, në mëngjes vrapoj ngado, mbrëmjeve drithrat bluaj, me kohë të mirë laj teshat, kur bie shi mbaj çadrën, gjatë dimërit ndez oxhakun, verës tund freskoren. Kur bie nata pjek kërpudha, duke pritur e shpresuar pronari në kumar të ketë fituar; por kacidhen nuk e shoh ama dhe, ndonjëherë, kërrbaçin ha pas shpine …”

“Ah!”, psherëtiu i zgjuari, dhe sytë iu skuqën, thuaj se ish gati për të qarë.

“Zotëri!” Nuk di më nga t’ja mbaj. Më duhet një rrugëdalje. Por cila?…”
“Kam besim se gjërat, në fund, do të të shkojnë më mirë …”
“Vërtetë thua? E shpresoj me gjithë shpirt. Madje tani që t’i thashë vuajtjet e hallet, zorëri, dhe më dhatë dhembshuri e zemër, ndihem vërtetë shumë më mirë. Kjo do të thotë që në këtë botë drejtësia egziston …”

Por pas disa ditësh, ende nuk kish gjetur paqe, dhe po kërkonte sërish dikë për t’u ankuar.

“Zotëri!” thirri njërin, dhe lotët iu varën faqeve. “Ti e di. Ku jetoj unë, është më keq se ku rrinë derrat. Pronari nuk më sheh si njeri: trajton një mijë herë më mirë qenushin e tij pekinez …”

“Ndyrësira!” bërtiti aq fort tjetri sa trembi skllavin. Ky tjetri ishte budalla.

“Zotëri, banoj në një haurë të rrënuar, të lagësht, të ftohtë, plot pleshta që, sapo më zë gjumi, më hanë e më grijnë si t’u dojë qejfi. Aty qelbet një erë mbytëse, pa asnjë dritare …”
“Nuk mund t’i kërkosh pronarit të të hapë një dritare?”
“E si të mundem?”
“Epo, lermë një herë ta shoh!”

Kur mbërritën në dhomën e skllavit, budallai filloi të godasë murin e qerpiçtë.

“Ç’bën? Zotëri!” thirri tjetri i tmerruar.
“Jam duke të të hapur një dritare …”
“Jo, kështu nuk bën! Pronari do të xhindoset!”
“E ç’rëndësi ka për ty!” Dhe budallai vazhdoi të godiste.

“Ndihmë, o njerëz. Një bandit po kërkon të na shembë shtëpinë! Ejani, shpejt! Nëse nuk nxitoni, do të hapë një vrimë!”… E duke qarë e bërtitur përpëlitej i tëri përtokë.

Një turmë skllevërish i erdhi në ndihmë dhe përzunë budallanë. Kur dëgjoi britmat, nga kati i fundit nxorri kokën pronari.

“Një bandit donte të na shembte shtëpinë, por unë fillova të bërtas dhe, të gjithë sëbashku, e përzumë”, tha gjithë respekt e me zë triumfues skllavi.
“Mirë bëre.” Pronari e lavdëroi.

Atë ditë erdhën shumë njerëz për vizitë dhe, midis tyre, edhe i zgjuari.

“Zotëri, kisha meritat e mia prandaj më lëvdoi edhe pronari. Edhe ty, kur më the që gjërat do të më shkonin më mirë, të doli fjala …” tha i lumturuar e plot shpresë skllavi.
“Posi jo, …” iu përgjigj duke u treguar i lumtur edhe i zgjuari.

26 dhjetor 1925
“Barishtet e erga” – Lu Xun.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s