Planeti do të mbijetojë, tani duhet të shpëtojmë qenien njerëzore prej vetevetes. (Paolo Barcella)

Nuk njohim e nuk mund të kuptojmë, deri në fund, përsenë e asaj që po ndodh, sepse, në botën euroamerikane, po përshkojmë krizën më të rëndë, të papritur dhe shastisëse që pas Luftës së Dytë Botërore: një krizë të shëndetit publik, me pasoja të paparashikueshme mbi ekonominë, politikën, shoqërinë.

Ata që mund të nxjerrin ndonjë krahasim prej kujtesës së fëmijërisë, sot, kanë më shumë se 80 vite mbi supe. Paaftësia jonë për të kuptuar pasqyrohet edhe në paaftësinë për të përshkruar me fjalë të duhura apo gjuhë të përshtatshme. Gjithkund triumfojnë metaforat, ushtarake, thuajse të gjitha të pavendta.

I tregojmë njëri tjetrit një kohë lufte në kohë paqeje, sepse në kohë paqeje numërojmë të vdekurit si në kohë lufte dhe sepse qytetet tona po i nënshtrohen paralizës, teksa kemi ngrirë nën shtetrrethim, ku heshtja thyhet, herë pas here, prej sirenave të ambulancave në turravrap.

Në veprën e tij Occhiacci di legno. Dieci riflessioni sulla distanza, Carlo Ginzburg kujtonte sesi “për të parë gjërat duhet në fillim që ato të shihen sikur të mos kishin asnjë kuptim, sikur të ishin gjëegjëzë”.

Kemi të nevojshme të harrojmë gjërat e njohura, të dalim prej vetvetes, të tjetërsohemi për të lexuar një situatë të re, me gjatësi dhe pasoja, për momentin, të paparashikueshme. Vija e paravendosur e kujtesës sonë nuk bashkon siç duhet pikat dhe gabon skicimin e një profili.

Ja vlen të provojmë të harrojmë, për t’u përqëndruar te forma e secilës pikë. Sot vdesin dhe mund të vdesin, shpejt, mijëra persona, në spitalet më të pajisura dhe më cilësore të botës. Mjekë të formuar në qendrat më të mëdha amerikanoveriore, të mposhtur prej baticës, kontaktojnë mjekë të rajoneve periferike, aty ku dallga mbërriti më parë, për të të ditur se si filluan kurimin e pacientëve.

Shkenca nuk po mjafton më, ndenja e përgjithshme e plotfuqishmërisë që përshkon njeriun e kësaj ane të botës është e minuar prej diçkaje të padukshme, mutante, dhe në disa vende, për shkak të efekteve të papritshme, edhe e padeshifrueshme. Politika duhet të marrë vendime të denja për situatën, por në mungesë të qartësisë shkencore dhe precedentëve të krahasueshëm. Epideminë e fundit të një përmase të ngjashme e kemi përballuar përpara fillimit të shoqërisë industriale dhe konsumit të masave. Në këtë kuptim, ndryshimi midis epidemisë së sotme dhe asaj të 1918/20 nuk duhet përthjeshtuar vetëm tek shpejtësia me të cilën në shoqërinë tonë një virus është në gjendje të lëvizë nga një kontinent në tjetrin.

Bota e marrëdhënieve ekonomike dhe shoqërore, deri pas Luftës së Parë, ishte ndryshe dhe larg botës së sotme. Vitet Njëzet i dhanë shtysën një revolucioni në botën e prodhimtarisë prej të cilit shpërtheu një tjetër në botën e marrëdhënieve midis njerëzve: ne jemi rezultat i këtij të fundit. Kështu, politika në botën bashkëkohore euroamerikane nuk i ka bërë kurrë llogaritë me nevojshmërinë e bllokimit të prodhimit industrial për arsye që lidhen me qarkun ekonomik kapitalist.

Sot një event biologjik na detyron të pozicionohemi në një mënyrë të re karshi një fushe të ndarë mes dy sektorësh, të cilëve u korrespondojnë dy prioritete specifike prej të cilave çlirohet shpues parfumi i luftës së vjetër të klasave: shëndeti i atyre që punojnë, përfitimi i atyre që prodhojnë. Ku, gjithsesi, duhet kujtuar që jeta e atyre që punojnë nuk është e pavarur nga përfitimi i atyre që prodhojnë: të dyja gjërat qëndrojnë bashkë, kështu që, duhet patur kujdes, çfardolloj gjëje të bëhet.

Në këtë situatë, gratë dhe burrat e vendeve më të pasura janë vënë në karantinë dhe jetojnë si të ishin të dënuar me arrest shtëpie, në përpjekje të zvogëlimit të dimensioneve të zisë masive që, si fantazëm, po vjen rrotull botës euroamrikane.

DISTANCA.

Të shmangësh kontaktet për të shmangur kontaminimet, të rrish në distancë për të shpëtuar veten dhe komunitetin. Por, cilat janë efektet e distancës? Ato që influencojnë trupat janë të shumëllojta. Izolimi i trupit mbyll dyert e mjetit tonë të parë lëvizës, mbyt vendin e manifestimit të emocioneve tona, atrofizon instrumentin që përdorim për t’u takuar, për t’u përkujdesur, për të dashuruar, për të bërë paqe me ata që kemi përreth. Një ide më të qartë për këto e kanë ata që janë të izoluar në vetmi.

Distanca mund të na mbyllë në trupa, që kthehen në qeli të ngushta ku emocionet zhurmojnë e gjëmojnë, ku frika mund të transformohet në panik, ku ankthi lehtësisht ndrydhet përreth vetes, derisa shndërrohet në terror paralizues. Dhe ndodh sidomos nëse distancës i shtohet kontrolli policor i pësuar, që na pasqyron imazhin e pafuqishmërisë sonë. Gjithsecili kërkon e gjen strategjitë e veta për të mbushur zbrazëtitë personale. Lidhjet informatike janë shndërruar në kanale të privilegjuara lidhjesh shoqërore dhe lidhjesh emotive.

E gjitha kjo sjell ndërmend një efekt indirekt të Luftës së Parë Botërore: ai konflikt qe një prej agjentëve më të fuqishëm të alfabetizimit të masës, sepse çdo fshatari ushtar analfabet iu desh t’i shkruante dashurive të veta për të shkrirë në penë përmasën e vet emotive; distancimi i trupave në të cilin lundrojmë tani, përkundrazi, u ka mësuar gjeneratave të tëra docentësh e studentësh programe për të bërë pseudoleksione në distancë, ka riaktivuar llogari rrjetesh sociale të fjetura, ka shtuar orët e kaluara në botën e rrjetit, që mundësojnë një kontakt real me miqtë apo të dashurit, edhe në mungesë kontakti dhe kontaminimi. Por sa mund të durojnë trupat në këto kushte? Në shumicën e rasteve, duke vuajtur, shumë gjatë. Shpresojmë të zgjasë pak.

KAFSHËT.

Paraliza ka boshatisur qytetet prej qenieve njerëzore. Rrugët, që përshkojmë duke tejmbushur zakonisht, janë shkretuar sa hap e mbyll sytë dhe, mbi të gjitha, në zonat periferike, po marrin një karakter kanalesh normale biologjike që përshkohen prej kafshëve, edhe brenda qendrave të banuara. Dhe kafshët po i përvetësojnë, edhe ato të çorjentuara prej mungesës së ushtrisë së dykëmbësorëve të zhurmshëm të cilët me teknologjinë e tyre gllabërojnë vit pas viti planetin, pa mbajtur përgjegjësi mbi dëmin e shkaktuar.

Shkurt: në momentin që, prej shtatëdhjetë vitesh e këtej, jemi më të pambrojtur dhe në tërheqje e sipër prej botës, natyra zgjerohet, duke dërguar delfinët në porte, skifterët dhe lepujt nëpër qytete, dhelprat dhe baldosat të sundojnë pistat e biçikletave të kodrinave që na rrethojnë.

Dy janë mesazhet brenda shishes, kushtuar marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës, që kjo histori duket sikur ka hedhur në det të hapur. I parë është që njeriu nuk është i gjithëpushtetshëm: nuk mundet të bëjë gjithçka mbi natyrën dhe mjedisin që e rrethon, sepse natyre pjesë e së cilës është di ta gjunjëzojë. I dyti është që, ndoshta, duhet të braktisim retorikat mbi planetin që duhet shpëtuar: sfida e vërtetë nuk është të shpëtojmë planetin, por të shpëtojmë ne prej vetes sonë, brenda planetit.

Planeti duket se mund t’ia dalë – dhe do ia dalë – shkëlqyeshëm pa ne. Duhet shpresuar që këto dy mesazhe, pasi të jetë mbyllur tragjedia e tanishme, të merren dhe të kuptohen.

  • Ky shkrim i marrë nga che-fare.com u përkthye e postua me lejen e autorit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s