Teatri që duhet shembur. (Romeo Kodra)

Provokim pas provokimi, dhunë pas dhune prej pushtetit të Edi(p) Ramës, kësaj figure të trishtë të teatrit politik shqiptar dhe tranzicionit të tij të pafundmë, ndërtesa e Teatrit Kombëtar, kjo karakatinë musoliniane e spektakolarizimit dhe mendësisë qeverisëse të pushtetit fashist italian, prej mëse një viti e gjysëm qëndron ende në këmbë. Çuditërisht për të paditurit e artit dhe kulturës, karakatina e Teatrit Kombëtar, e rrezikuar prej trashëgimtarit më të denjë të mendësisë qeverisëse fashiste që e prodhoi, Edi(pi)t tonë kombëtar, po qëndron në këmbë falë teatrit që bëhet jashtë saj, falë asaj që brenda atyre katër mureve nuk është bërë kurrë, përtej edhe patetizmave me “shpirtra të kombit” të vetë anëtarëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Ndërtesa e Teatrit Kombëtar qëndron në këmbë falë rezistencës qytetare për të patur, atë që mund ta quaj me “t” të vogël, teatër! Shkurt, teatër i një rezistence, jo rastësisht me “r” të vogël. E quaj teatër të një rezistence, sepse Rezistenca e vërtetë nuk mund të teatralizohet dhe nëse do të ishte e tillë do të ishte kontradiktë në terma. Rezistencë e vërtetë qe ajo e 1991, kur njerëzit donin të hynin në Bllok, apo ajo e 21 janarit; të dyja ngjarje të prostituuuara prej një teatri politik me të cilin jemi mësur tashmë.

Kjo nuk do të thotë që në atë që po bëjnë disa njerëz në mbrojtje të Teatrit Kombëtar nuk ka Rezistencë të vërtetë dhe Teatër të vërtetë, me shkronja të mëdha. Nuk do të kishte ofendim më të madh të mohohej përleshja fyt më fyt e vëllezërve Budina apo Neritan Liçajt, apo edhe ajo e njerëzve të thjeshtë me policinë. Kush e mohon është thjeshtë këlysh kurve, bythësqullur ose troll interneti. Por, për mendimin tim, Rezistenca ishte e përkohshme dhe përkonte vetëm me përleshjen fizike. Pra, aty kishte, në disa disa momente, edhe Teatër, sepse ai i vërteti, ai që përkon me Rezistencën, është i pandashëm nga jeta (po flas sipas Deleuze-it, “akti krijues si rezistencë”, por edhe sipas Artaud-së, “teatri dhe dyshtori i tij”).

Pra, atë ç’ka shihet prej thuajse një viti e gjysëm përpara sheshit të Teatrit Kombëtar e quaj rezistencë qytetare për teatër apo teatër i një rezistence, e cila synon qytetërimin e tiranasve dhe shqiptarëve nëpërmjet gjësë më jashtë apo jo-qytetare par exellance: teatrit. Kjo, sepse, qytetërimi i vërtetë, i denjë për t’u quajtur qytetërim, ka nevojë të pranojë dhe të tolerojë brenda vetes jo vetëm jashtë ose jo-qytetaren, por edhe të paqytetërushmen (pra me paragjykimet ndaj malokut, katunarit, jo-tironcit dembabadem është e kuptueshme që fshij bythën, sepse për të qenë qytetarë duhet pranuar edhe e paqytetrueshmja).

Absurditeti i situatës së krijuar, për mendimin tim, është thuajse përtej mundësive që na lejon gjuha shqipe për ta shprehur: Teatri, ajo gjëja e papërcaktueshme së cilës më shumë nga të gjithë i është afruar Nietzsche me konceptin e dioniziakes, që më shumë i përket kafshërores sesa njerëzores, e aq më pak qytetarisë, do të qytetëroka shqiptarët! Çfarë kërkojnë këta njerëz që kanë dalë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar? Kërkojnë të mbrojnë karakatinën spektakolare fashiste (Teatrin Kombëtar) apo dioniziaken e paqytetrueshme (Teatrin)? Kësaj pyetjeje i duhet dhënë përgjigje.

Personalisht, do të isha pro prishjes së Teatrit Kombëtar, por vetëm nëse brenda tij do të ishin dhe do të fusnim të gjitha kufomat aktoriale, ende vegjetuese apo të vdekura, të teatrit dhe politikës shqiptare ndër vite. Vetëm kështu Teatri (pra nuk po flas vetëm për tullat dhe llaçin e enës mbajtëse brenda të cilës është gatuar çorba teatrore e derimësotme) do të kishte një mundësi për të rifilluar jetën brenda një komuniteti qytetar. Pra diskutimi do të ishte i njëjti me atë të ditës së parë kur athinasit e lashtë futën Teatrin brenda qytetit, kur Teatri nuk ishte “hapje dhe dialog” por monolog (vetëm Eskili nuk ka dialogje, pra degjenerimi i teatrit në pedagogji dhe dialektikë paskësh filluar që herët, e jo me Edi(p) Ramën) i asaj qënieje shtazarake me të cilën qytetari grek përballej deri në ekstazë (katharsis do ta quante një pedagog me emrin Aristotel).

Kjo mundësi, për fatin tim të keq, nuk duket e praktikueshme, sepse nuk është ekskluzivisht në dorën time dhe lehtësisht do të bënte lojën e pushtetit neoliberal dhe oligarkik, që na ka rënë për hise të kemi, të cilëve, nëse teatri do të shembej, do u hapej fushë e lirë për përfitime edhe më të majme.

Por, pavarësisht mospraktikueshmërisë së zgjidhjes së sipërpërmendur, kundra pushtetit oligarkiko-neoliberal duhet luftuar në të gjitha shtresat, fushat dhe dimensionet apo përmasat e jetës, qofshin hapësinore (Teatri Kombëtar, Astiri, studentët, minatorët, punëtorët), qofshin kohore (dje kundra Salës dhe Likes si me 21 janar, apo Lulit të cilit i ishte bllokuar Bulevardi prej Edi Ramës deri sa ishte në Bashki; sot kundra çdo ligji të qeverisë së Edi(p) Ramës; e nesër kundra kujtdo që abuzon me pushtetin … meqë ra fjala, me pushtetin mundet vetëm të abuzohesh, pra, duhet gjithmonë me qenë kundra, në Rezistencë të përhershme).

Pra, duke mos qenë e praktikueshme mundësia e shembjes së teatrit të politizuar (jo politik!!!) shqiptar, me gjithë kufomat e gjalla (që nga Robert Ndrenika, maksimumi i dinjitetit teatror dhe minimumi i dinjitetit qytetar, e deri te Ema Andrea, personifikimi i qytetarisë dhe teatrores së shndërruar në shurrëuthull) e të vdekura (që nga Kadri Roshi & Co., përjashtoj Kasëm Trebeshinën, sepse është i vetmi në dijeninë time të ketë Rezistuar dhe jo vetëm aktruar), sot në Tiranë, gjithsesi, ekziston, edhe një herë, një mundësi që të rivendoset marrëdhënia e teatrit me jetën, gjë që kurrë nuk kemi patur, për aq kohë sa ka egzistuar shteti shqiptar, që prej 1912. Egziston pra mundësia të artikulohen edhe një herë ato pyetja tërësisht athinase, tërësisht të mendësisë qytetare perëndimore, pjesë e të cilës jemi apo pretendojmë të jemi: ç’na duhet teatri? ç’teatër na duhet? na duhet teatri enë mbajtëse, si Teatri Kombëtar, apo një Teatër i papërmbajtshëm? na duhen aktorë që vënë në skenë e luajnë role të bukura (maksimumi që mund të kemi do të jetë gjithmonë ai i llojit Robert Ndrenika) apo aktorë të luajtur (gjenezat e të cilëve mund të shihen tek Edmond apo Robert Budina e Neritan Liçaj që kapen përfyti me policinë), që ç’aktrojnë të luajtur duke hequr nga skena çdo rol të paracaktuar prej pushtetit (qoftë i regjisorit, apo edhe i kryeministri)?

Për të patur përgjigje duhet filluar nga vënia në diskutim e të qenurit tonë qytetarë. Një prejardhje etimologjike e “civiles” dhe si rrjedhojë e “qytetit” e lidh rrënjën e saj me “të qëndruarit, të banuarit në një vend të caktuar” (edhe në këtë rast, siç shihet, është absurde që Teatri, i nënkuptuar si dioniziakja nietzsche-iane, të ketë pronë, të ketë një vend. Por çështja këtu është, a do qyteti i Tiranës t’i lërë një hapësirë boshe, siç thoshte Peter Brooke-u, Teatrit, a do qytetërimi shqiptar një hapësirë specifike ku të shprehet e paqytetërueshmja?). E pra, duhet filluar të hapet diskutimi mbi llojin e qytetarisë tiranase e shqiptare, një lloj qytetarie që, siç është përpara syve të të gjithëve në rastin e Teatrit Kombëtar, nuk njeh e nuk ka, në kohë, memorie mbi vendin në të cilin gjallon e jeton më larg gjyshërve e, në hapësirë, më larg hundës së vet, sepse i shitet materialisht dhe, rrjedhimisht, shpirtërisht parasë fare lehtë (gojëdhanat tona plot besë e nder janë të mbushura me stigmatizimin e këtyre karakteristikave … kush e di pse!?!?!? ndoshta ngaqë jemi të prirur drejt tradhëtisë!?!?!?).

Dhe meqë jemi te tradhëtia, a i dhemb ndokujt ajo lutje e Edmond Budinës “Mos na tradhëtoni!”, drejtuar Lulëzim Bashës. Mua, po! Më dhemb që tani, pa u materializuar tradhëtia. Lulëzim Basha, si politikan, ontologjikisht dhe de-ontologjikisht e ka të pamundur të mos tradhëtojë. Pra nuk po them që është apo nuk është këlysh kurve sa Edi(p) Rama që u premton banorëve të Astirit legalizimet ditën para zgjedhjeve dhe ditën mbrapa u prish shtëpitë; është apo nuk është këlysh kurve sa Erjon Veliaj që shastiste me premtime edhe Andi Bushatin për ndalimin e betonizimit të Tiranës. Thjeshtë po them që politikani dhe qytetari Lulëzim Basha nuk ka mundësi të mos tradhëtojë teatrantin Edmond Budina, atë kafshë jo të shtëpiakëzuar dhe, aq më pak, të qytetëruar demokratikisht, i cili u kacafyt me policë e u ngjit në skenë. Politikani, nëpërmjet kompromisit, pra teatralizimit dhe prostituimit të politikës, do i shkojë pas fillit rehatisë së qytetarit, atij individi që në mediokritetin e vet mendon për familjen dhe fëmijët, atij që mendon sot me nesër, pa menduar për qytetarinë (për informacion më të gjerë duhet lexuar Platoni). Teatranti (pra, jo aktori, jo regjisori apo ku di unë cili profesion i nëndarë i superstrukturës piramidale që quajmë sot teatër, por teatranti, ai që gjallon Teatër) nuk ka shpresë në këtë mes, përveçse t’i bëjë thirrje politikisht qytetarisë (politika dhe qytetaria, do të thoja si koncepte platoniane, por këtu janë të nënkuptuar jo si stade të kapshme, apo arritje prej të cilave nuk lëvizet më, sepse kur janë të tilla do të thotë që janë prostituuar; por të nënkuptuara si praktika të përditshme, që duhen praktikuar për të fituar lirinë [Foucault] brenda komunitetit dhe të komunitetit).

Dhe për të mos luajtur teatër apo prostituuar me dhimbjen që ndjejmë sapo u kërkojmë mbajtje premtimesh politikanëve – dhe Edmond Budina e ndjeu teksa po e kërkonte atë premtim, duke thënë që nuk e nënshkruante kontratën pa e nënshkruar të gjithë të pranishmit në teatër atë ditë, pra praktikisht pa e nënshkruar – duhet vënë në diskutim qytetërimi ynë si tiranas dhe shqiptarë e u duhet dhënë përgjigje pyetjeve të shtruara më sipër: ç’na duhet teatri? ç’teatër na duhet? na duhet teatri enë mbajtëse apo një Teatër i papërmbajtshëm? na duhen aktorë që vënë në skenë e luajnë role të bukura apo aktorë të luajtur që ç’aktrojnë duke hequr nga skena çdo rol të paracaktuar prej pushtetit?

Edhe në këtë rast Edmond Budina, për mendimin tim tërësisht pa dashje, por plot sinqeritet, na dha një shembull flagrant: në momentin që u ul e puthi skenën u tha të pranishmëve “ju kërkoj ndjesë, sepse mund të duket patetike”. Pra e ndjeu se, duke mos qenë i mësuar të ruaj atë kafshën e paqytetrueshme brenda vetes, e cila kacafytej me policinë me gjithë ankthet, frikërat por edhe vullnetin e çlirimin, mori një sjellje që kultura patetike shqiptare na ka ngulitur të gjithëve: një sjellje apo gjest teatral, banal si gjithë gjestet e teatrit tonë, të cilat nuk kanë asnjë shans të propozojnë vërtetësinë e asaj kacafytjeje me rrjedhojat e saj emocionale që Budina dhe fatlumë të tjerë në lëkurën e tyre provuan.

I gjithë ky shkrim është për të hedhur të zezë në të bardhë nevojën e kontekstit shqiptar për këtë lloj vërtetësie, për këtë lloj Teatri dhe për ndërprerjen një herë e përgjithmonë e atij teatrit që mbllaçisim prej sa kemi teatër e që siç mund të kuptohet nuk paskemi patur kurrë.

Këtij Teatri dhe vërtetësisë së tij i duhet gjetur një hapësirë brenda qytetrimit tonë. Por kjo nuk është e mundur duke i thurur apologjinë Teatrit Kombëtar, dhe pa kuptuar mendësinë fashistoide dhe fashistogjene që e prodhoi e që sot e kësaj dite strukturalisht/arkitektonikisht prodhon (duhet lexuar hapësira e tij për ta kuptuar këtë të fundit); pa kuptuar “dopolavoro-n”, që siç thoshte në një shkrim Aurel Plasari nuk ka qenë asnjëherë, por që duke qenë një teatër i konceptuar, i prodhuar e i drejtuar prej atyre nga lart drejt atyre poshtë, gjithsesi përcjell trumpiksjen e spektakolarizimit të pushtetit.

Ajo që për mendimin tim duhet bërë është ruajtja e hapësirës së Teatrit Kombëtar ashtu siç është, pa e fshirë, për të mos rënë pre e sugjestionit të fshirjes që ajo godinë dhe mendësia që e prodhoi gjenerojnë. Ajo duhet të vazhdojë të jetë, por e zaptuar prej atyre që e merituan, qytetarëve të Tiranës që u a hoqën kthetrave të mafias së bërë shtet.

Për mendimin tim duhet fshirë bytha me kontratat e Bashës apo kujtdo tjetër (il Contratto con gli italiani që firmoste Berlusconi më ngjeth akoma mishtë). Aty, meqë qeveria e braktisi, duhet themeluar një insitutucion de-institucionalizues, një institucion non-profit që ruan e konservon hapësirën e jashtme e të brendshme të Teatrit Kombëtar, që kritikon në çdo aspekt të veprimtarisë veten dhe institucionet bashkëvepruese (artistikisht, financiarisht, teknikisht), pa lëmoshë nga institucionet shtetërore e qeveritare. Gjëja është e mundur dhe njerëzit vullnetarë për t’u përfshirë janë (vullnetarë nuk do të thotë të punosh falas, por të paguhesh me projekte … fjalori shqip dhe ai bythëlëpirësve të ojf-ve apo institucioneve private nuk e përmban këtë shpjegim). Nëse do të mbetet institucion i qeverisë, i atyre lart për ata poshtë, atëherë Teatri Kombëtar do të vazhdojë të riprodhojë teatrin e mbllaçitjes së përhershme. Do të shohim të tjera kontrata që do të lidhjen e të tjera figura prostitutash që do të garantojnë prostitucionin, si ato që po nxjerr Rama që prej ditës së zbythjes.

Këtë shoh si alternativë të vetme kundër institucioneve të vdekura si Teatri Kombëtar apo kurvlliqeve sorosian-neoliberale si Qendra për Hapje dhe Dialog që na shiten si alternativa, ku nën emrin agjensi qarkullojnë agjentura para-politike për trumpiksjen e popujve (nuk e kemi vetëm ne si problem dhe për fat të keq modele të gatshme nuk kemi në botë … duhet ta sajojmë një vetë, në kontekst … diskutimi duhet hapur publikisht, besoj, s’ka nevojë njeri për eminencat gri si Plasari, sepse po të kishte idera gjeniale do kishim Bibliotekën Kombëtare si model).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s