Sokol Beqiri në Galerinë Kombëtare: zbukurimi që vret … artin dhe artistin. (Romeo Kodra)

Para, pak a shumë, një muaji, në Tiranë, pashë ekspozitën e Sokol Beqirit, artistit të rradhës, pjesë e paradës spektakolare të zbukurimeve që na ofron drejtoria e Galerisë Kombëtare të Arteve. Pak ditë më vonë pashë edhe intervistën e Beqirit dhënë Elsa Demos në RTSH titulluar, as më pak e as më shumë, “Bukuria që vret”. Nuk u çudita aspak, por ndjesia e përgjithshme, sintetizuar prej këtyre eksperiencave, është ajo e një çorjentimi pështjellosës, që kristalizohet në alienim. Por, ndoshta, jam unë i alienuari dhe këto eksperinca i shoh në mënyrë të alienuar; ndoshta, prej tyre, diçka më rrëshqet pa i kapur thelbin.

Ndoshta.

Në hyrje të ekspozitës teksti mikpritës dhe shoqërues ishte i kuratores me origjinë hebraike Galit Eilat. Origjina e kuratores më bëri të mendoj se mund të merrej si një përpjekje për të hequr ndonjë paralelizëm. Gjithsesi edhe në tekstin e saj, dedikuar punës së artistit Sokol Beqiri (? … mmm … po t’i hiqej tekstit emri i artistit, për mendimin tim, ai tekst mund t’i kopsitej kujtdo), nuk mungonte Adorno dhe ajo ç’ka filozofi mendonte për të krijuarit poezi pas eksperiencës së Auschwitz-it. Siç duket, paralelizmi absurd midis Shoah-së dhe çlirimit të Kosovës – absurd, si çdo paralelizëm i hequr me Shoah-në pa u artikuluar denjësisht – ishte diçka më shumë sesa një përpjekje. Dhe që përpjekja ishte e tepërt dhe e sforcuar, kjo dukej më shumë prej tekstit tejet përgjithësues dhe të vagullt, me të cilin ekspozita kishte pak ose aspak të bënte.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për paralelizmin e sforcuar midis Auschwitz-it dhe ngjarjeve traumatike të luftës së Kosovës, por edhe për “stilin e drejtpërdrejtë dhe faktik” të Beqirit si një “dëshmitar i mbijetuar”, zgjidhjeve estetike të të cilit “nuk e lejojnë shikuesin të largojë shikimin” nga punët. Kështu shkruhej në letër, por, në realitet, shikuesi ishte mëse i lejuar me një gotë verë (skadente, besoj, si zakonisht) të sodiste vërdallë spektaklin e pastërtisë së Galerisë Kombëtare të Arteve dhe dritave që çlironin të gjithë potencialin e tyre vezullues. Punët e Beqirit, në këtë mjedis, ishin të stërzmadhuara për të mbajtur një lloj barazpeshe me spektakolarizimin e sallës.

Por, ndoshta, jam unë i alienuari dhe mjedisi p.sh. i dokumentuar në fotografitë e mëposhtme dëshmon vërtetë një tragjedi shakespeare-iane (Pylli i shenjtë, titull i frymëzuar prej tragjedisë Macbeth, përzjerë si në një gjelltore me vepra të tjera, lidhja me të cilat nuk kalon nëpërmjet asgjëje tjetër përveçse nëpërmjet fillit të ekzagjerimit të përmasave).

Ndoshta.

Por, kjo ekspozitë, prej një “shikuesi” naiv, mundet edhe të keqkuptohet e të interpretohet si një pompozitet i ekzagjeruar i punëve intime – siç, me vështirësi, arrija të dalloja tek ato punë të Beqirit të ekspozuara në Galeri Kombëtare – të artistit kosovar, të cilat, në vetvete, mund të qendrojnë e të transmetojnë gjithë pathosin e vërtetë të Sokolit, një herë e një kohe, por që sot, duke u ekzagjeruar në përmasa, degjenerojnë duke çliruar, nga pathos, thjeshtë patetizëm. Ndihet, pra, një lloj prirjeje psikotike për të rendur pas dimensionit/përmasës kohë, nëpërmjet dimensioneve/përmasave fizike.

Pra, e gjithë ekspozita mund të keqkuptohet prej një “shikuesi” naiv dhe të interpretohet nëpërmjet versionit të gjelltores, ku suxhukët e Kosovës na shiten si nouvelle cuisine franceze. Dhe mund të zgjerohet ky diskutim i ekzagjerimit të teatralizuar jo vetëm për përmasat e veprave, por edhe për ekzagjerimin e pritjes, në një heshtje televizive “mallëngjyese” (min. 26.02, plot 10 sekonda), të lotëve të artistit, kur kujtonte ndjenjat e frikshme të tij gjatë luftës dhe rrezikut për sigurinë e vajzave (Aman, qaj, se përndryshe nuk e bëjmë për vete publikun e telenovelave turke!!!).

Por, siç thashë, ndoshta jam unë i alienuari dhe punët e Sokol Beqirit mund të mos jenë aq pa lidhje me kontekstin hapësino-kohor (qoftë shqiptar, qoftë kosovar) sa ç’më duken mua. Ndoshta artisti nuk është i lidhur ekskluzivisht me një gjuhë, qasje konceptuale dhe ide që mund të bënin sens në fillimvitet Nëntëdhjetë, me të cilin pushteti i fituesit të sotëm (ne shqiptarët/kosovarët karshi serbëve) kërkon të qahet e vetëmallëngjehet mbi lotët e dikurshme kur ende nuk ishte pushtet dhe në pushtet.

Ndoshta!

Por, gjithashtu, mund të duket edhe si një pompim i sforcuar edhe cytja që i bëhet një artisti, i cili duket person përsëmbari, por që ka “10 vjet pa kriju e pa u marrë me art” (min. 43.45 e videos me Elsa Demon), përveçse në rastin kur e ftojnë në dOCUMENTA dhe të krijojë “posaçërisht për ekspozitën e Tiranës Pyllin e shenjtë“. Ndoshta kjo gjë mund të interpretohet prej “shikuesit” si një përpjekje e pushtetit të sotëm për të ringjallur Llazarin/artistin, e vdekur prej 10 vjetësh, dhe për të treguar që është gjallë printohen gjigandografi të punëve pa kurrëfarë lidhjeje tjetër përveçse asaj të të qenurit me gjithë mend gjallë; madje jo vetëm gjallë, por gjigand, më i gjallë se kurrë (qasje klasike psiko-konjitive, ku ç’ka mungon del në pah, si simptomë kundrapulsionale, në formën e një përpjekjeje për të mbuluar me çdo kusht mungesën nëpërmjet ekzagjerimit).

Dhe, nëpërmjet këtij interpretimi të mundshëm, rezultati për “shikuesin”, që ka aq merak kuratorja Eliat, është ai i vizitës së një morgu të tipit Rue Morgue. Falsifikim i një kasaphane të vërtetë. Teatër i inskenuar ku na paraqitet një artist i vdekur dhe vepra të vdekura, që nuk përcjellin aspak atë ç’ka përpiqen të përcjellin: traumën individuale të artistit dhe kolektive të Kosovës, që deri diku, pavarësisht spektakolarizimit turkoshak, del më shumë nga intervista me Elsa Demon sesa nga kurimi i ekspozitës.

Madje, te ky i fundit, te kurimi shoh dorën e kuratores Galit Eliat (e cila me shumë mundësi injoron totalisht kontekstin historik, social, politik dhe kulturor shqiptar) të shndërrohet në dorën e ngjashme të një kurimi idiotesk e kafshëror, me të cilin na ka mësuar pushteti i Rilindjes së Edi(p) Ramës. Në pak fjalë, shoh apoteozën e rafinuar të stilit Shkololli, ku krahas suxhukëve të Kosovës të shitur për nouvelle cuisine, ndihet edhe era ndikuese e modelit alla Bunk’Art.
Dhe efektet tek “shikuesi” janë të njëjtat, mbajnë një lloj koherence, e cila, mesa duket, është kthyer në kulturë tashmë, me efekte katastrofike, sidomos te brezat e Shqipërisë së re e bashkëkohore, ku përballë çdo Auschwitz-i kemi të gatshëm një spektakël.

Por, ndoshta, jam unë që jam i alienuar.

Ndoshta?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s