Ç’kishte për të thënë Erzen Shkololli, ose institucionalizimi i një arti vdekjeprurës dhe vdekjendjellës. (Romeo Kodra)

Para pak ditësh, drejtori i emëruar i Galerisë Kombëtare të Artve, Erzen Shkololli, foli. Mikrofonin, për të na mundësuar t’i dëgjonim zërin, ja zgjati Elsa Demo. Kaq. Ky shkrim për të përshkruar mundin e Elsës dhe pritshmëritë ndaj Erzenit që kishte publiku, rrogëpaguesi, mund të mbyllej këtu.

Por është interesante të evidentohet se si nga intervista nuk u mësua asgjë që nuk dinim, por thjeshtë u konfirmua me fjalë ç’ka, në mënyrë autoritare, pushteti kishte bërë tashmë: pastrim, fshirje dhe filtrim. Pra, për një vit drejtori nuk ka bërë asgjë përveçse ka pastruar GKA. Për NJË VIT! Për një vit nuk ka bërë asgjë përveçse ka fshirë Onufrin. Për NJË VIT! Për një vit nuk ka bërë asgjë përveçse ka “filtruar” të përzgjedhurit, anestetizuesit publik të dhunës së pushtetit (Edi Hila, Flaka Haliti). Për NJË VIT!

Erzen Shkololli nuk u pyet se si e fitoi konkursin për të drejtuar GKA. Nuk u pyet se si u përzgjodh e çfarë përmbante platforma e tij, duke qenë se në bazë të përplotësimit të premisave të asaj platforme do të kuptonim vërtetësinë e “arritjeve” apo pordhat e lëshuara gjatë intervistës me Elsa Demon. Nuk u pyet se cili, sipas tij, është “produkti” për të cilin atij “iu ka duft kohë” për me fol publikisht dhe parametrat që e bëjnë këtë “produkt” të denjë për të qenë pjesë e aktiviteteve të GKA.

Erzen Shkololli thjeshtë, pasi iu duk sikur ishte shfryrë presioni kundër tij, doli me mikrofon në gojë për t’i vënë kapakun sarkofagut të quajtur ende Galeri Kombëtare e Arteve. Pohoi se kishte qenë momenti i duhur për t’i hapur një ekspozitë “retrospektive” post-mortem artistit Edi Hila, që natyrisht ka nja shtatë a tetë vite që ka vdekur artistikisht, por që ende del herë pas here si mumje për të shoqëruar glorifikimin e udhëheqësit Edi Rama (rastësisht u kontaktua Hila nga dOCUMENTA pas ekspozitës në COD?!?!?!). Pohoi që Galeria Kombëtare do të “filtrojë kvalitetin” dhe këtë ka ndërmend ta bëjë “duke i kthyer Galerisë Kombëtare respektin … sepse asaj i duhet besuar puna … sepse ajo e ka të drejtën me vendosë për vizionin e saj” duke lënë të kuptohet …???… një dreq e di se çfarë, e, megjithatë, pa dhënë asnjë informacion se çfarë është dhe ku konsiston “kvaliteti”, për ç'”respekt” e për ç'”besim” të punës e ka fjalën, dhe cili është dhe ku mund të iluminohemi për “vizionin” e tij mbi GKA. Nuk mungoi të pohonte edhe një lloj dëshire, që i ngjante më shumë një bythëlëpirjeje, për të vazhduar në gjurmët e Gëzim Qendros (dyqani i librave dhe biblioteka, ku kësaj të fundit i paska shtuar 300 libra … uaauuu …, por pa përmendur asgjë për digjitalizimin p.sh. … nisma që nuk ka nevojë, madje është turp “të idealizohen”, siç mendon Elsa Demo, sepse janë minimumi i mundshëm që duhet bërë në një galeri kombëtare), gjurmë që humbasin në drejtim të paditur kur bëhet fjalë për Onufrin, i cili mbyllet pa tekst e pa pretekst, ndryshe nga sa ishte investuar publikisht “i ndjeri Qëndro”, për të cilin në këtë rast të pavolitshëm Shkolollit nuk ia ndjen fare. Pra, shkurt: pasi fshiu fizikisht gjithë ç’ka i duhej pushtetit të fshinte, Erzen Shkololli artikulon me ligjëratën e tij, vulos me fjalën e tij, vullnetin e një pushteti absolut, që nuk pranon në institucione publike të artit dhe kulturës asgjë përveçse shumëfishimit të imazhit, fytyrës së vet vdekjeprurëse e vdekjendjellëse.

Ndokujt mund t’i duket se kjo përqasje karshi institucioneve publike të artit dhe kulturës që ka politika aktuale shqiptare përkon me fashizmin apo me “komunizmin” në versionin enverist që njohim aq mirë në Shqipëri. Por nuk është kaq e thjeshtë ngjashmëria. Madje në rastin e shkolollërave nën urdhërat e Edi(p) Ramës kemi një kapërcim cilësor, ku disiplina fashiste dhe enveriste shndërrohet në kontroll imanent të politikës mbi institucionet e artit dhe kulturës duke ushtruar presion në kontekst nga lart-poshtë dhe, ç’është më e rëndësishme, ka një lloj mbështetje ndërkombëtare – duke ushtruar në këtë rast presion në kontekst nga jashtë-brenda – që zakonisht injoron, ose bën sikur injoron, filtrimet e pushtetit që bëjnë Shkololli & Co. Kjo mbështetje ndërkombëtare në intervistën dhënë Elsa Demos për Shkolollin quhen Adam Szymczyk dhe Nataša Ilić, të cilët sipas Shkolollit do të kurojnë “kolekcionin” e veprave të Galerisë. Nuk e di për të parin, por e dyta derimësot nuk dinte gjë për këtë rol në GKA, i cili sipas saj, për momentin, ishte një përfshirje “për të menduar përreth projekt(eve) të mundshme” (thinking about possible project) në GKA. Pra, asgjë zyrtare. Jo publike, të paktën, siç supozohet duhet të jetë në një institucion publik nëpërmjet thirrjeve të hapura paraprake. Por, fundja, ç’interes publik mund të ketë Shkololli? Ai ndihet shumë rehat në qerthullin e menaxherëve dhe kuratorëve të klasës dominuese post-borgjeze-neoliberiste, ku fjalëkalim është konsumi dhe përfitimi, ku gjithçka e gjithkush është mall i konsumueshëm, sipas hierarkisë apo kufijve të vendosur prej klasës së pushtetit mbizotërues të cilit i duhet thënë gjithmonë “PO!”.

Dhe duke i thënë “PO!” pushtetit, i thuhet “PO!” shumëfishimit të imazhit të tij, i thuhet “PO!” veprave si ato të serisë mbi bulevardin prej Edi Hilës, ku përthyhet e shtrembërohet historia për të riprodhuar veprën artistike të Partisë …dmth pushtetit … ç’t’i bësh? … më shpëtoi … forca e zakonit. Do kemi pra, edhe me ndihmën e të huajve që nuk njohin kontekstin (këtë pohonte sinqerisht edhe Nataša Ilić, e cila gjithsesi ishte e sigurtë në një dialog të gjerë me studiuesit vendas … që do mblidhte Shkololli, natyrisht … ç’t’i bësh, kështu e njohin anglishtfolësit Shkolollin) një shumëfishim të imazhit të pushtetit që do të lexojë artin e së shkuarës e do na e paraqesë në formë bashkëkohore sipas njohurive të “thella mbi artin e realizmit socialist” të Edi Mukës, Eleni Laperit e të tjerë mendimtarë të ngjashëm me ta.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s