Fundi i një përpjekjeje. Tirana Art Lab: 2014 – 2018. (Romeo Kodra)

Prej 8 dhjetorit 2018 nuk jam më pjesë e Tirana Art Lab. Në një farë mënyrë u mbyll një cikël dhe një përpjekje për të realizuar diçka që dukej e parealizueshme në kontekstin shqiptar: një institucion i pavarur themeluar mbi kritikën institucionale, duke filluar nga njerëzit që e përbëjnë dhe pozicioni i tyre brenda vetë institucionit e deri tek i gjithë korpusi institucional i kontekstit shqiptar dhe jo vetëm.

Fatmirësisht, për të demonstruar që ishte e mundur, sidomos nga pikëpamja menaxheriale, u mbyll me pjesëmarrjen time në mbledhjen e parë të një projekt bashkëpunimi ndërkombëtar që Tirana Art Lab do të vazhdojë për rreth një vit. Pesha e këtij projekti – edhe nga pikëpamja financiare – është pak a shumë e njëjtë me projektin “Heroes We Love” që u realizua nga Tirana Art Lab pak vite më parë dhe që ishte një nga arsyet përse u thirra të bashkëpunoja me TAL, duke qenë se asokohe institucioni kishte mangësi për staff të specializuar. Kështu që është e rëndësishme të evidentoj që Tirana Art Lab vazhdon veprimtarinë përtej pranisë sime, përsëpaku njësoj si përpara bashkëpunimit tonë (në mos më mirë, duke qenë se nuk ka falimentuar në asnjë projekt dhe ka zgjeruar kurrikulumin). Pra, jam mëse i lumtur që dëme imazhi të reflektuara në mungesë projektesh nuk kam shkaktuar, pavarësisht pozicionimit estetik, konceptual dhe politik përkarshi kontekstit dhe pushtetit mbizotërues në kontekstin shqiptar. Kjo, me një fjalë, do të thotë që ka akoma institucione të huaja të cilat kërkojnë bashkëpunimin me TAL dhe që do i mundësojnë sërish pavarësinë nga konteksti dhe pushteti politik lokal (Mjafton vullneti!).

Arsyet përse në shtator të 2014 u thirra të bashkëpunoja kishin të bënin edhe me një moment të vështirë të TAL si institucion (sapo ishte mbyllur një projekt dypalësh, dhe jo në mënyrën më të mirë të mundshme, me një institucion të huaj) ku, e thënë troç, ishte në pikëpyetje ekzistenca. Faktikisht më është propozuar edhe të drejtoja TAL si Drejtues Ekzekutiv, thirrje apo propozim që më është bërë katër a pesë herë gjatë këtyre viteve (e fundit pak muaj më parë). Nëse do të kisha ndonjë interes egoistik, vetjak direkt duhet ta kisha pranuar si propozim, aq më shumë kur Tirana Art Lab është edhe një institucion i shëndetshëm, qoftë financiarisht (nuk ka borxhe të mbartura me tatimet dhe kjo del e tepron në shkretëtirën shqiptare), qoftë si kurrikulum (sidomos për aktivitete mbi artin bashkëkohor), gjë që karshi mbështetësve apo financuesve e vendos në një pozicion për t’u patur zili prej institucioneve të tjera, publike apo private, të artit dhe kulturës së kontekstit shqiptar, por edhe rajonal.

Arsyeja përse nuk pranova të merrja përsipër drejtimin e TAL është sepse, mbi të gjitha, si institucion është nisur dhe drejtuar, nga pikëpamja ekzekutive, që në fillim (2010) prej idesë së një femre, që rastësia desh të ishte Adela Demetja. Dua ta nënvizoj mirë këtë të fundit, sepse ç’ka më intereson nuk ka të bëjë me ndonjë simpati timen personale, por as me ndonjë lloj feminizmi latent që mund të kem (feminizmi ma shpif po aq sa maskilizmi, ndoshta edhe më shumë, duke qenë maskilizëm i dorës së dytë). Kjo ka të bëjë me një botëkuptim timin, ndjeshmërisë ndaj lëmës së historisë së artit si dhe asaj ç’ka prodhoi institucioni Tirana Art Lab përpara, përgjatë e shpresoj do të prodhojë pas më shumë se katër viteve bashkëpunimi me shkruesin e këtyre rreshtave. Praktikisht, për si e shoh unë, vetëm Tirana Art Lab nën drejtimin e një femre mund të mbarte ato koncepte dhe vizione mbi artin dhe kulturën të cilat kam për zemër: artin si rezistencë; krijimin artistik dhe filozofik jo si ontologji e diferencës/të ndryshmes (NE JEMI NDRYSHE … PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI … NE JEMI ALTERNATIVË …. , E TËRCI E VËRCI ME PORDHË VETËSHPALLJESH ALLA SHQIPTARÇE), por si prodhim i dhe nëpërmjet diferencave/të ndryshmeve; polifonia si kultivim koherent i prodhimit dhe prodhueshmërisë së diferencave/të ndryshmeve dhe jo si përshumim i të kundërtave. Thënë shkurt, mendoj se nuk ishte rastësi që këto koncepte u pranuan prej një institucioni të drejtuar prej një femre. Pra është femërorja që pranoi dhe mundësoi këtë lloj krijimi (për shkak të kushteve, për oportunizëm … pak rëndësi ka). Kjo femërore, për mendimin tim, duhet hulumtuar edhe më tej, sepse si koncept ka shumë për të thënë, sidomos në kontekstin ku jetojmë.

Ky lloj hulumtimi nuk bie ndesh me praninë time në TAL, kështu që nuk është kjo arsyeja përse nuk jam më pjesë. Por për hir të këtij hulumtimi të mundshëm nuk pranova të merrja drejtimin e TAL, sepse nëse do të vazhdoja aty historia do merrte rrjedhë tjetër. Dhe këtu vijmë tek arsyeja përse nuk jam më pjesë e TAL, e cila ka të bëjë me pamundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të atyre koncepteve të përmendura më sipër. Për t’i renditur më mirë duhet edhe një herë t’i kthehem arsyeve të bashkëpunimit tim me TAL.

Siç mund të imagjinohet lehtë nuk u thirra nga drejtuesja e TAL prej hiçit dhe dëshira për të bashkëpunuar nuk u materializua vetëm prej propozimit të Adelës dhe nevojës së saj për të patur dikë të mbante derën hapur në TAL. Me të njiheshim që prej 2013, kur u prodhua The Gut, (prej shumë më poshtë e prej shumë më brenda apo më thellë për të rimarrë e rilidhur konceptet që u bënë të TAL pas shtatorit të 2014). Pra, pranimi nuk ishte i njëanshëm; edhe nga ana ime kishte një lloj pranimi të bashkëpunimit. Arsyet që më bënë të pranoj (përtej koncepteve që mund të zhvillohen kudo), e kam thënë edhe më parë, ishin: pohimi i Adelës në qershor të 2014 për të firmosur Manifestin e transparencës në dhe si kulturë publikuar në këtë blog (dua të ritheksoj se ishte e vetmja prej drejtuesve të institucioneve të artit dhe kulturës në Shqipëri që pranoi të ekspozohej); ideja ekzistuese në TAL për të bërë aktivitete duke propozuar dy ose më shumë pozicionime artistik, mundësisht një nga Shqipëria e një nga jashtë (ideja e Double Feature); dhe vendndodhja e TAL, pas fasadave të ngjyera me bojë, në lagje, aty ku pushteti në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë nxirrte dhe nxjerr fytyrën bazike të tij, mbi të cilën u përpunuan dhe u përforcuan koncepte për mendimin tim produktive edhe për të ardhmen.

Por, siç thashë, me TAL nuk mund të bashkëpunoj më, sepse kushtet që më bindën për bashkëpunim nuk janë më të njëjtat. Dhe, mbi të gjitha, sepse drejtuesja ekzekutive (nuk është i rastësishëm përdorimi i etiketës institucionale) ka si një lloj mohimi apo kundërshtie, që nuk di ta artikulojë as ajo vetë me fjalë (të paktën deri më sot nuk e kam kuptuar), përkarshi aktiviteve të fundit në TAL. Madje e sheh veten rehat dhe më pranë institucioneve të tjera si në rastin e Galerisë Kombëtare të Arteve, drejtuar nga Erzen Shkololli, ku mori pjesë në prezantimin e veprës së Flaka Halitit, për të cilat personalisht nuk provoj asnjë lloj mohimi, por prej të cilave mundohem sa më shumë të jetë e mundur të diferencohem, të ndryshoj, duke mos u homologuar me ta.

Homologimi me Shkolollërat, Halitërat & co. do të thotë mungesë transparence që nuk ka lidhje me atë që në TAL është bërë gjatë periudhës që kam bashkëpunuar unë. Homologimi me Shkolollërat, Halitërat & co. do të thotë koncepte në mos të paqena apo heshtura, të përcipta, sipërfaqësore, të pabaza e pa lidhje me kontekstin, me të cilat mund të abuzohet vetëm duke kalëruar status quo-në dhe fshehjen pas fasadës së një institucioni të supozuar përfaqësues, sepse po u bënë haptazi, publike, rrezikohet diskreditimi (është simptomatik mos publikimi i një shkrimi apo videoje të prezantimit të veprës së Halitit prej Adela Demetjas në GKA. Gjithsesi ka kohë … presim botimin e katalogut). Homologimi me Shkolollërat, Halitërat & co. është të bësh art në bulevard, në fasadë, duke fshehur abuzimet e sistemit/pushtetit në “lagje”, pra duke fshirë atë që në TAL është bërë përsëpaku gjatë këtyre viteve që kam bashkëpunuar unë.

Kështu pra bashkëpunimi im me TAL nuk mund të përfshinte drejtuesen ekzekutive, sepse – o njëri, o tjetri – përfshirja e të dyve qoftë edhe në projekte të ndara, por brenda të njëjtit institucion, përveçse do të pengonte vënien në diskutim të status quo-së, pozicionit hierarkik brenda institucionit, siç u bë gjatë këtyre viteve, do të influenconte për keq edhe në estetikën time personale, që është e pandashme nga etika e të prodhuarit art dhe kulturë. Në pak fjalë Adela Demetjan nuk e kam perceptuar ndonjëherë si drejtuese ekzekutive, përveçse në rastet e pashmangshme të inkuadrimit ligjor institucional të domosdoshëm si rrjedhojë e nevojave burokratike. Por nga ana tjetër nuk kam perceptuar as veten time si kurator ekspozitash të TAL, ku për organizimin e hapësirës dhe gjenerimit të kuptimeve prej saj përfshiheshin edhe artistët apo edhe publiku, por edhe drejtuesja ekzekutive Adela Demetja, qoftë edhe kur nuk ishte e pranishme në TAL (e kundërta nuk ka ndodhur ndonjëherë, pra nuk kam kuruar ekspozita virtualisht, nga larg, pa qenë i pranishëm në kontekst, sepse është jashtë botëkuptimit që kultivoj). Pra, duke qenë se njëri prej të dyve do të ndjente ndonjë lloj kundërshtie apo do të ishte mohues përkundrejt artit që është bërë në TAL deri dje, apo do të ishte inkoherent me konceptet dhe est+etikën personale, preferova, për arsyen e parashtruar më sipër (çështja e historisë së femërores dhe institucioneve artistiko-kulturore në Shqipërinë bashkëkohore), të mos vazhdoj më bashkëpunimin me TAL dhe për t’i lënë udhë të pakontaminuar prodhimit të artit dhe kulturës sipas estetikës së drejtueses ekzekutive të institucionit.

Gjithsesi, ajo ç’ka mbetet prej këtij bashkëpunimi, përveç zbrazëtisë së momentit, është shumë, madje aq shumë sa qe e paimagjinueshme për mua në 2014. Ndoshta do të më duhen vite të hedh të zezë në të bardhë gjithçka është prodhuar artistikisht e konceptualisht në TAL gjatë këtyre viteve. Dhe pavarësisht se qerthulli i dashamirësve dhe mbështetësve është i pakët në numër dhe përgjumja, cmira apo injoranca e kontekstit artistiko-kulturor, ku u ushtrua veprimtaria e bashkëpunimit tim me TAL që prej shtatorit 2014, nuk kanë ndihmuar aspak, kam përshtypjen se kjo përpjekje për të prodhuar art do prekë e stimulojë të tjera mendje pluskuese në realitete e përmasa hapësino-kohore të ndryshme.

Por ç’ishte Tirana Art Lab nga 2014 në 2018? Duhet shkruar shumë, qoftë edhe për të dhënë një ide të përafërt. Por, për momentin kësaj pyetje i duhet dhënë një përgjigje e shkurtër, për ata që nuk e dinë, ngaqë e injorojnë, sepse kanë qenë jashtë TAL, dhe për ata që kanë qenë brenda dhe e injorojnë apo mohojnë prej injorancës, mungesës së vizionit apo thjeshtë tredhjes së brendësuar si mentalitet me probleme inferioriteti provincial.

Duke qenë një institucion dhe si çdo institucion i themeluar për të kultivuar instiktet e lirisë së njerëzve ndaj çdo kodifikimi që u është mbivendosur paraprakisht (nuk po flas vetëm për COD-in e Kryeministrisë, por edhe për kodifikime që i marrim natyrshëm, që nga gjuha e deri tek ADN-ja, të cilat janë kode), Tirana Art Lab, pas shtatorit të 2014, ndryshe nga ç’bënte pa vetëdije më parë, vuri theksin ekskluzivisht te “Lab”, te laboratori, punëtoria më shqip; pra te puna: prodhimi dhe prodhueshmëria (ekspozimi ishte vetëm një pjesë procesi).

Duke qenë se puna si prodhim dhe prodhueshmëri mund të keqkuptohet deri në atë pikë sa të shndërrohet si në nazi-parrullën “Puna të bën të lirë” (Arbeit macht frei), u desh që theksi të vihej tek diferencat/të ndryshmet që punojnë, pra te prodhueshmëria e diferencave/të ndryshmeve. Koncepti ishte që, nëse institucionet, si hapësira kultivimi të instikteve të lirisë dhe çlirimit të njeriut, mundësohen nëpërmjet ligjit dhe ligji prej pushtetit të Maliqit, apo shumicës, dhe shumica prej ligjit të xhunglës, prej natyrës së plotfuqishme dhe të pakuptimtë, prodhimi i të ndryshmeve të pakodifikuara/diferencave (qoftë në trajtë veprash arti, organizimesh të përkohshme hapësinore me gjithë kuptimet e mbartura prej tyre, shkrimesh apo konferencash) të evidentohej si çlirues i prodhuesit (artistët, anëtarët e TAL apo publikun, kur ky i fundit ishte pjesëmarrës i prodhimit) prej subjektifikimi/nënshtrimit ndaj pushtetit të ligjit të Maliqit, shumicës, natyrës së pakuptimtë, por edhe prej vetë institucionit TAL.

Por, si mund të çlirohesh prej subjektifikimit të vetë institucionit që të mundëson prodhimin e këtyre të ndryshmeve (qoftë si vepra arti apo përmbajtje kulturore, qoftë edhe si prodhues arti/artistë dhe kulture/operatorë kulturorë)? Për këtë ndihmonte iso-polifonia, pjesë e konceptit (kuratorial, për mua; për të tjerë, nuk e di si është përkthyer), e cila – nëse do i referohemi vetëm praktikës kuratoriale të institucionit TAL – evidentonte, nëpërmjet ndërprerjeve të kuptimit në organizimin hapësinor, praninë e të gjithë subjekteve pjesëmarrës në gjenerimin e kuptimit të përgjithshëm. Kjo në një praktikë të thjeshtë është e dukshme që nga spostimi i instalacionit të Nemanja Cvijanović-it – që sipas drejtores ekzekutive të TAL duhet të ishte qëndërzuar në hapësirë qëndrore të TAL, duke i dhënë peshë monolitike pranisë së tij – drejt korridorit, ku unë mendoja i duhej dhënë vazhdimësi prirjes drejt zhvillimit zaptues dhe transformativ që instalacioni kishte (jemi në fund të 2014); e deri tek imponimi i Theo Napolonit për të mos aplikuar, sipas vizionit tim (të supozuarit kurator), një çarje në sfondin e zi prej nga do të dilnin punët artistike (jemi në 2018).

Pra, duke vepruar kështu, pavarësisht se subjekti i kuptimit ndërpritej, kuptimi i përgjithshëm artikulohej më tej prej një subjekti tjetër bashkëpjesëmarrës në organizimin e hapësirës. Në përfundim të mbylljes së ekspozitës, kuptimi i përgjithshëm çliruar në hapësirë ishte pjesë e gjithësecilit dhe gjithësecili ishte subjekt i kuptimit të vet dhe jo i institucionit, i ligjit që mundësoi institucionin, Maliqit që na jep ligjin dhe shumicës që voton Maliqin apo natyrës së pakuptimtë që i ka falë këtë pushtet shumicës.

Në Tirana Art Lab gjatë periudhës 2014-2018 nuk ka ekzistuar përcaktimi nëpërmjet mohimit (ky është art, ky tjetri jo; ky është artist, ky tjetri jo). Por ka ekzistuar përcaktimi nëpërmjet prodhueshmërisë (ky është art sepse prodhon, ky është artist sepse prodhon artin dhe rrjedhimisht nuk është subjekt/i nënshtruar i askujt përveçse i vetes dhe artit të tij). Nuk është bërë ajo që bëhet në Galerinë Kombëtare të Arteve të Shkolollërave dhe Halitërave, ku, siç i pohonte drejtori i zgjedhur prej Kryministrit-Maliq Elsa Demos, institucioni bëhet “filtrues, jo në kuptimin e keq të fjalës, por të kvalitetit” (min.: 18.00), paçka se këtë “kvalitet” askush në institucionin e pushtetit nuk ka bythë ta shprehë se në çfarë konsiston, por gjithsesi u imponohet shqiptarëve nga maja e plehut prej nga predikohet.

Në Tirana Art Lab, deri dje, ishte praktikë afirmimi ontologjik i qenies si prodhim imanent (je artist ngaqë prodhon dhe jo ngaqë ke një status të mirëqenë) dhe, rrjedhimisht, shkatërrim i alienimit prej themeleve të vetvetes (je artist ngaqë prodhon dhe jo sepse ta thotë dikush i supozuar sipër apo jashtë teje). Të qenurit artist, operator kulturor, institucion nënkuptonte detyrimisht të qenurit qenie e hapur dhe rezulta(N)t i takim-përplasjeve të diferencave/të ndryshmeve. Janë këto diferenca që prekin, mua tani, dikë tjetër, shpresoj, nesër. Është prodhimi dhe prodhueshmëria e këtyre diferencave si est+etikë si prodhim i subjektiviteteve që nuk mund të përzihet me kodifikimin dhe filtrimin e artit alla GKA. Sepse në GKA arti dhe artistët përcaktohen nëpërmjet një filtri dikotomik (kalon/s’kalon, pa dhënë arsye, sepse mjafton statusi që e thotë këtë sikur të ishte ligj universal). Ky filtër/kodifikues është korrespondues përpikmërisht me rendin dhe urdhërin e pushtetit politik, i cili u imponohet nga jashtë dhe nga lart të ndryshmeve/diferencave (artit/artistëve), që lexohen si të kishin mangësi, sikur t’u nevojiteshin priftërinjtë/barinjtë (nuk e di pse më sintetizohet figura e Shkolollit midis një bariu paksa të vrazhdë për jetën në qytet dhe një prifti të squllët gjysmë pervers, të dalë prej ndonjë filmi të realizmit socialist … gjithsesi diskursi këtu nuk është vetëm për të). Dhe janë këta priftërinj adeptët kirugjikal që ndajnë potencialin e të ndryshmeve/diferencave (artin/artistin) prej shkaqeve, mënyrave dhe kontekteve që i prodhojnë (alienimi prej themeleve nga merret frymëzimi, kontekstit), duke i parcelizuar dhe inkuadruar në kutizat e strukturave vertikale/hierarkike, të gatshme dhe të përdorshme, sipas rrjedhës së flukseve së nevojave të pushtetit neoliberal në fuqi.

Për aq sa funksionoi Tirana Art Lab u bazua te materializmi i prodhimit dhe prodhueshmërisë, por duke i hequr pushtetit mbizotërues mundësinë e njohjes së gjuhës së pronësisë dhe vlerës tek ato prodhime dhe ajo prodhueshmëri, të cilat mbetën gjithmonë plurale, polifonike, në transformim e sipër, pa emra dhe mbiemra të përveçëm, pa statuse, pa etiketa. Unë nuk e di p.sh. nëse ishte Tirana Art Lab që polli Çeta-n, apo ishte Çeta që polli Tirana Art Lab-in, apo ishte thjeshtë një lexim i frymës së kohës dhe kontekstit si dhe koncepteve të prodhuara gjatë projektit “Heroes We Love” ku po mundohesha të refuzoja një lloj qasjeje reaktive dhe nostalgjike të përhapura mbarëbotërisht si lexime të njëtrajtshme dhe njëtrajtësuese të konteksteve Lindore pas ndryshimit të sistemeve politike (Çeta, madje, pa e folur fare midis nesh prodhoi në kuadër të projektit “Heroes We Love” një pllakatë “Buongiorno, vi parla l’Albania”, frymëzuar prej “Tones” së Idromenos, pa lidhje me artin e realizmit socialist). Po ashtu nuk e di edhe sot e kësaj dite tek i këqyr ku fillon e ku mbaron “dora” e Georgia Kotretsos dhe ku fillon e ku mbaron “dora” e institucionit TAL në veprat “Partisan Social Theatre”, “Parasitic Art Policy”, “Cognitive Cloud Seeding” të serisë “The Master of a State” (vepra këto me “autorësi” artisten dhe institucionin TAL … thjeshtë për të deklaruar “pronësinë” dhe për të mos e lënë vend për përfitime si ato të tipit kryeministror).

U mbyll pra, pas më shumë se katër vjetësh, një përpjekje personale dhe institucionale për të vënë në dukje potencialin afirmues dhe transformues të artit dhe artistëve, pa patur nevojë për bythëlëpirje të asnjë lloj tipi prej status quo-së.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s