Protesta e studentëve si mohim i politikës përfaqësuese dhe artit përfaqësues. (Romeo Kodra)

Nëse ka ndonjë gjë origjinale protesta e studentëve dhe ndryshe nga ato me të cilat jemi mësuar për 28 vjet tranzicion, ajo konsiston tek mohimi i përfaqësimit (të paktën, për momentin). Nuk e di nëse studentët janë të pompuar nga mbrapa nga ndonjë forcë politike tradicionale, që nuk do të dalë haptazi (por nuk besoj, sepse nuk humbasin rast të nxjerrin surratin në momentin më të parë), apo nga ndonjë forcë parapolitike (të mos harrojmë që në Shqipëri, prej Soros & co. & similars, nga kjo pikëpamje janë bërë e bëhen eksperimente laboratorike që aplikohen në shkallë globale), apo thjeshtë studentëve u vjen natyrshëm të mos pranojnë përfaqësimin. Por kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm është fakti i mohimit të përfaqësimit.

Kështu, çoroditja, turbullimi dhe pështjellimi i pushtetit politik përfaqësues, në këtë rast, janë mëse normale. Në shumë shkrime online lexoj që Edi Rama, apo politika përfaqësuese me udhëheqësit karizmatik tradicionalë (Berisha, Meta, Luli, Lali, Mona, etj.), “nuk dinë të lexojnë më studentët”. Por, për mendimin tim, që të mos “dijnë të lexojnë”, është mëse e natyrshme për njerëz që i futen valles së politikës së përfaqësimit dhe administrimit të pushtetit të masave. Kjo për faktin se kur masa – heterogjene normalisht – njëtrajtësohet politikisht nëpërmjet përfaqësimit duke zgjedhur disa fytyra të caktuara, detyrimisht, nuk mund të mos alienojë përbërësit e tjerë të saj, individët e ndryshëm që e përbëjnë, por edhe vetë ata që i vihen në krye, që zgjidhen si fytyra përfaqësuese.

Qoftë synim i një partie, lëvizjeje apo organizate, përfaqësimi vjen si prodhim i një pushteti dhe kërkon pushtetin, ndërsa mospërfaqësimi i qëllimshëm e vë pushtetin në diskutim, e pështjellos, e turbullon, nuk i jep atij pika referimi me anë të të cilave masat protestuese prej tij janë historikisht anestetizuar, tradhëtuar e, në fund, manipuluar. Pikat e referimit, pra përfaqësuesit, janë që nga ato të cilët sot Edi Rama/Pushteti u kërkon studentëve e deri nga ato që një polic i çfarëdoshëm i rendit publik u kërkon protestuesve në rrugë: “kush është i pari këtu, kush janë drejtuesit, përfaqësuesit?”, më kujtohet që pyeste një kryepolic, që kërkonte të komunikonte me protestuesit kundër këndit të lojrave te Liqeni teksa kishin zënë derën e Komusariatit për të liruar shokët në qeli, fjalët e të cilit bashkëtingëllojnë përpikmërisht me ato të kryeministrit të sotshëm të Qeverisë. E pra, kjo mosdhënie e qëllimshme pikash referimi, fytyra përfaqësuese të një mase, lëvizjeje apo proteste pështjellos, tremb, terrorizon pushtetin politik përfaqësues.

Në këto kushte pushteti nuk di nga i vjen e keqja e nuk di nga ta presë goditjen. Rrjedhimisht masa bëhet e paparashikueshme, thuajse e papranishme, duke lënë pushtetin të ekspozuar përballë kërkesave Reale. Dhe shfaqja e Reales terrorizon, pikësëpari sepse shfaqja nuk është përshfaqje (pra, nuk është si në Teatër Kombëtar, ku bëhet sikur …) dhe, sëdyti, Realja nuk është realiteti i përshfaqur shqiptarëve, ku, nga njëra anë, prej vitesh na thuhet jemi vend i varfër për të patur standarte minimalisht të pranueshme, por, nga ana tjetër, shohim njerëz të jetojnë në “Bllok”, te Gjiri i Lalëzit apo Surrel.

Kështu pra, emergjenca/Realja e studentëve sot nuk do t’ia dijë për vështirësitë e vendit/realitetin që nuk ia mundësojnë Edi Ramës garantimin e një arsimi normal … për ta shprehur me gjuhën e Kryeministrit, studentët po i thonë këtij të fundit se atij nuk i mbetet veçse “ta qepë gojën dhe të ulë kokën”, edhe brekët madje, e të plotësojë kërkesat e tyre. Pas kësaj mund të vazhdojë me propagandë alla “hapje dhe dialog” që na janë shitur si tolerim i tij … por që, nëse është dikush që duhet të tolerojë në këtë lojë pushteti politik, ajo është masa e studentëve, nëse dëshiron, përndryshe Kryeshërbëtorit/Kryeministrit nuk i mbetet veçse të ulën kokën e brekët dhe të shërbejë.

Gjithsesi nuk duhen ushqyer iluzione të tepërta, sepse mospërfaqësimi i qëllimshëm has në disa probleme. Kjo, absolutisht, nuk ve në diskutim që mospërfaqësimi i qëllimshëm është gjëja e duhur për të bërë një ndryshim nga poshtë. Sidoqoftë, një prej problemeve, sa për të bërë një shembull, është ai i të shiturve të brendshëm që i lëshohen pushtetit në krah për të përfituar ndonjë favor personal. Rastet si ai i treshes së teatërmbrojtësve të këtij viti Derhemi/Trebicka/Basha është mëse i njohur; i njohur është edhe ai i 2016, i Eljan Taninit, transformuar në artist të suksesshëm të pushtetit falë protestave kundër ndërtimit të këndit të lojrave te Liqeni; ose ai më pak i njohur i artistes Yllka Gjollesha, e transformuar në drejtoreshë në TVSH, falë protestave kundër mbylljes së ONUFRIT të Galerisë Kombëtare të Arteve në 2015 (po jap shembuj ku kam dijeni direkte, sepse shembujt, për fat të keq, i kemi të panumërt në historikun e revoltave dhe protestave në Shqipëri).

Por edhe kur masa nuk nxjerr përfaqësues, siç duket se po ndodh kësaj here, ata përpiqet t’i përzgjedhë në mënyrë fiktive, sikur të ishim në Teatër Kombëtar, pushteti. Por, pushteti, sëfundmi, duket sikur nuk ka kohë të reagojë, nuk ka instrumentat e duhur për kundërpërgjigje, sepse masa ka një farë lloj ndërgjegjësimi dhe mjete (social media) për ta parashikuar. Shembulli më i mirë është diskreditimi i palaçollëkut të Alban Dudushit në Top-Channel me personazh kryesor karabushin e Kryeministrisë. Kjo përpjekje e Ramës është tipike e logjikës së fundit të historisë, ideologjive dhe politikës, ku medemek studentët/populli/elektorati do të ndërgjegjësohen dhe kuptojnë që Rama është politikani i duhur, sepse po të ishte Saliu, burri i Monës apo Luli, gjërat do të ishin shumë më ndryshe. Me këtë pretekst Edi Rama shndërroi Partinë Socialiste dhe po shndërron institucionet e shtetit shqiptar në një sipërmarrje suksesi të PPP-ve, drogës, dhe shtetit autoritar e mafioz. Por ç’e do që ai po propozon të njëjtën gjë: fytyrën e tij të rivigjëruar, përfaqësuesin ideal, më të mirin prej këlyshëve të kurvave.

Kështu pra “Larg qoftë përfaqësimi! Larg qofshin përfaqësuesit!”.

Por, problemi më i madh mospërfaqësimit të qëllimishëm qëndron te kultura, apo kultivimi i besimit të masës në rezistencë dhe protestë të vazhdueshme, deri në përmbushje të kërkesave për të cilat protestohet. Kjo nuk është e lehtë, sepse për të nuk ka formula. Ka vetëm një mundësi: mospërfaqësimi i revoltës/protestës si kulturë dhe kultivim i saj.

Mbi këtë çështje është menduar shumë, sidomos, pas gjysmës së dytë të Nëntëqindës dhe përgjatë lëvizjeve studentore të 1968. Por, siç dihet kapitali dhe pushteti gjetën mënyra për të anestetizuar revoltën studentore dhe protestat e tyre. Pra, studentëve shqiptarë, sot, përveçse se të lexojnë e studiojnë për historikun e anestetizimit të ’68, nuk u mbetet veçse të improvizojnë dhe të ecin në terr me duar përpara. Gjithçka do të arrijnë do të jetë përparim, në mos për gjë tjetër, do të lëvizin ujërat e kënetës ku gjenden.

Në botën e artit, për të bërë një shembull mbi çështjen e mospërfaqësimit të qëllimshëm apo krizës së përfaqësimit, rreth gjysmës së dytë të ‘900, disa rryma artistike karakterizoheshin për radikalitetin e tyre, sidomos për mohimin e formave tradicionale të përfaqësimit/përshfaqjes, për impulsin etiko-politik dhe tensionin utopiko-komunitar të shumë aspekteve të veprimtarisë së tyre.

Fillimisht pararojat historike në art njiheshin për një lloj tensioni antikonformist, kundër modave dhe pompozitetit zyrtar, kundër ekspozitave ministrore, nxitëse të rinovimeve të vazhdueshme, kundërshtues të çmimeve, të opinionit të përgjithshëm dhe çdo manifestimi të konservatorizmit kulturor e mediokritetit artistik (nëse ju vijnë në mendje shembuj karikaturash nga Shqipëria, nuk është faji im … unë kam ndërmend emra të tjerë, më “kozmopolitë”). Por, më vonë, pararojat, nga pop-arti e tutje, u shndërrua në pararoja të suvenirëve, të risisë së domosdoshme, të gjetjes teknologjike eksperimentale, pa asnjë tension, pa asnjë angazhim përkundrejt përfaqësimit të një bote më të mirë dhe më kreative.

Pra një pararojë e përmbajtjes u zëvendësua nga një pararojë e sipërfaqes, vetëm e këndshme dhe formale. Asnjë kuptim, asnjë përmbajtje njerëzore, asnjë dëshirë përveç asaj të një suksesi global (nuk e kam fjalën për ekspozitat që bëhen sot në GKA). Shpesh muzeumet kanë legjitimuar këtë pseudo-antikonformizëm zyrtar. Si rrjedhojë pararoja, në vend që, si më parë, të gjendej nga krahu i të margjinalizuarve, u gjend nga krahu i pushtetit. Kjo bëri që pararoja në pushtet të mos jetë gjë tjetër veçse një formë e re akademizmi.

Institucionet kulturore publike duke legjitimuar ekspozita dhe monumente të jashtëzakonshme, duket sikur shtyjnë më tej kufijtë mendorë dhe muzeorë të transgresionit të artistëve, duke reintegruar këto transgresione në fushën e pranimit publik. Publiku falë artistëve bëhet transgresivë, publiku bëhet artist. “I gjithë populli/publiku artist”, thotë miku im DH. Në këtë mënyrë pararoja është shndërruar në art popullor (nuk duket sikur tingëllon e dëgjuar?), art regjimi.

Arti i regjimit është ai art që i ofron mbështetje estetike modelit politik mbizotërues. Arti i regjimit aktual, propaganduar dhe ekzaltuar me të njëjtët emra në katedralet kryesore artistiko-kulturore, është njësoj si arti i regjimit nazist, fashist, enverist. Ndryshimi i vetëm qëndron tek abstragimi i ekzaltimit oligarkiko-industrial dhe gjuha kriptike e kritikës që e shoqëron.

Artistët e suksesshëm të këtij sistemi, në përgjithësi abstraktë, në këtë mënyrë kompozojnë atë që mund të quhet një pararojë fiktive, plot e për plot me fjalë të veçanta, hermetike, të kodifikuara (por që në shumicën e rasteve nuk ua dinë as kuptimin), me ceremoni hapjesh (të mbyllura sa më s’bëhet) dhe marrëdhënie ndërpersonale trendy&fashion. Protagonistët e këtij karnevali, njëherësh bythëspërdredhur dhe revolucionarë, propagandojnë shkëputjen totale nga shoqëria si elitistë të vërtetë superiorë, shkëputjen prej rregullave të saj, traditës, madje edhe edukatës, duke dalë jashtë çdo lidhjeje kulturore, historike, sociale me kontekstin ku ushtrojnë veprimtarinë e përfitojnë.

Duhet risia me çdo kusht. Le të hedhim poshtë gjithçka na duket e vjetër. Le të blejmë objekte të reja, piktura të reja, mobilje të reja. Le të prishim arkitekturën e vjetër. E reja na ka lezet, na shkon. Arti dhe gjithçka rreth tij është kthyer në përfitim. Pararoja e djeshme e Partisë ka ndërruar aleat: oligarkinë. Artistëve (atyre “më me fat”) u komisionohen punë antisistem, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë sistemin. Llafollogjia e papërmbajtshme dhe revoltimi i shtirur kanë vetëm një kanal psikologjik që derdhet duke u çliruar në flukset neoliberale të sistemit.

P.S. Sfida e studentëve protestues është arritja e një cilësie arsimore të pranushme, duke zhdukur kërmat e së shkuarës dhe duke shmangur kafshërinë pordhace të risisë së domosdoshme. Për sa më takon, çelësi është mospërfaqësimi i qëllimshëm: çdo përfaqësues politik, akademik duhet të ulë menderen në shesh me studentët dhe të hapë laboratorin e tij (nëse ka ndonjë diplomë, ç’vlerë përmbajtësore ka me pozicionin që ka zënë si përfaqësues dhe për të parë nëse shtë apo jo plagjaturë) në mënyrë që të shihet realisht se çfarë, si dhe me sa dinjitet përfaqëson.

P.P.S. Për më shumë mbi argumentin e krizës së përfaqësimit/përshfaqjes në art prej të cilit “u frymëzova”: https://www.amazon.co.uk/Vanished-Paths-Crisis-Representation-Destruction/dp/8881582783

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s