“Flaka Haliti në bashkëbisedim me Adela Demetjan”, ose ç’ka ofron sofra e varfër e Erzen Shkolollit. (Romeo Kodra)

Më 26 nëntor të 2018, në Galerinë Kombëtare të Arteve, u zhvillua një bashkëbisedim, i hapur për publikun, midis artistes Flaka Haliti dhe kuratores Adela Demetja. “Bashkëbisedimi”, siç na informonte faqja e eventit në Facebook organizuar prej Galerisë Kombëtare të Arteve, “zhvillohet krahas ekspozitës Këtu – Apo Atje Është Më Atje dhe ka si qëllim njohjen e praktikës artistike të Flaka Halitit dhe veprave të saj të shfaqura në këtë ekspozitë.”

Duke qenë se Erzen Shkololli, siç na u bë e ditur prej Ministrisë së Kulturës, u zgjodh si drejtor i GKA për të sjellë “risi” dhe për të “rinovuar institucionin nga pikëpamja menaxheriale”, kjo e fundit, në rastin në fjalë, nuk duket askund. Sepse një menaxher i mirë, sidomos kur drejton një institucion kombëtar, nuk bën një event për 20 a 30 vetë.

Fotografia e Galeria Kombetare e Arteve

Do të kishte qenë, pra, më e udhës, që drejtori i GKA të kishte përsëpaku filmuar eventin dhe ta kishte hedhur në faqen facebook të eventit. Dhe kjo nuk do t’i kushtonte asnjë qindarkë, nga pikëpamja financiare. Vetë Demetja apo drejtori Shkololli, apo Haliti, apo të tre së bashku mund të shkruanin një tekst. Në këtë mënyrë edhe impakti i veprës së Flaka Halitit do të kishte qenë më i madh në publik, sepse, në këtë mënyrë, një publik edhe më i gjerë do i “njihte praktikën”, siç pretendonte të kishte synim eventi. (Që të shkruajnë gazetaret/ët analfabete dhe kokëkrehura të kulturës nuk e pretendojmë!)

Por, nga ana tjetër, publiku do të kishte njohur edhe dijet e Adela Demetjas mbi veprën e Flaka Haliti. Publiku, nëpërmjet ekspertizës së Demetjas, që është drejtuese ekzekutive e Tirana Art Lab – pra e një laboratori artistik, ku, siç e thotë vetë emri, fokusohet tek laboratori/praktika e artistëve dhe jo vetëm tek ekspozimi i veprave të tyre -, do të kishte kuptuar praktikën e Halitit, mbi të cilën supozohet – sepse nuk kemi asnjë dokument që e vërteton këtë, përveç fotove të bukura – Demetja gjatë bashkëbisedimit është fokusuar tek kushtet, mjetet dhe konceptet e prodhimi, si dhe kontekstualizimin e punëve të Flakës në Shqipëri/GKA/Tiranë. Pra njësoj siç, teorikisht, bën apo duhet të bëjë në Tirana Art Lab. Të paktën që nga 2014 e këtej, siç më është dukur nga punët e përbashkëta në TAL.

Por për fat të keq ne nuk dimë asgjë mbi “bashkëbisedimin” e Halitit me Demetjan. As njohim punët artistike të Flakës përtej sipërfaqes së tyre e as dimë kompetencat kritiko-kuratoriale të Demetjas. Kemi vetëm fotot që institucioni GKA ka publikuar, duke institucionalizuar, qoftë artisten, qoftë eksperten e artistes.

Ndokush, si Erzen Shkololli, që mund t’i duket vetja si shumë dinak apo i zgjuar, por edhe ndonjë i tredhur prej skenës artistike shqiptare, mund ta marrë këtë “bashkëbisedim” si një përafrim të Tirana Art Lab me Galerinë Kombëtare të Arteve. Por, kjo nuk është aspak ashtu, sepse në Tirana Art Lab, të paktën qëkurse jam unë aty dhe kam parë gjërat nga afër, nuk prostituohet as me art e as me fjalët mbi art, as me artistë e as mbi fjalët mbi artistë, siç më ngjan se është ky “bashkëbisedim” (shpresoj të përgënjeshtrohem … me fakte apo dokumente … të çfarëdolloji).

Kjo ndodh sepse Tirana Art Lab është një institucion ku nëpërmjet një koncepti rizomatik, duke filluar nga iso-polifonia, problematizohet institucionalizimi, filtrimi, kodifikimi i objekteve dhe subjekteve, i artit dhe artistëve. Kjo, p.sh., përsa i takon praktikës sime, do të thotë që kuratori, kuron, apo më mirë të themi vetëkurohet, sëbashku me artistët nëpërmjet organizimit të punëve të artistëve në hapësirën ekspozitive. Kështu pra, puna e artistit është me të vërtetë në qendër dhe jo siç mund ta ketë një Driant Zeneli i çfarëdoshëm. Pra, për ta përthjeshtuar, sepse është më komplekse se kaq, nuk ka NJË KURATOR që imponon organizimin e hapësirës nëpërmjet statusit të tij institucional. Për rrjedhojë kuptimi/et e hapësirës institucionale të Tirana Art Lab, për atë muaj që ekspozita rri hapur, nuk është e institucionit Tirana Art Lab apo DREJTUESES EKZEKUTIVE, apo e KURATORIT të rastit. Kuptimi/et e organizimit të hapësirës së TAL, për atë muaj që rri hapur ekspozita, janë të subjekteve/individëve të përfshirë në organizimin e hapësirës, që në këtë mënyrë problematizojnë subjektifikimin dhe individualizmin e tyre dhe, si rrjedhojë, të shoqërisë ku ushtrojnë veprimtarinë. [Puna e Flakës dhe bashkëbisedimi me Demetjan e problematizojnë organizimin e hapësirës sipas hierarkisë së pushtetit institucional dhe statusin e GKA p.sh., apo e konfirmojnë?]

Së dyti, pjesë e konceptit të TAL është edhe marrëdhënia nga brenda-jashtë. Kjo do të thotë, p.sh., që punët e prodhuara dhe ekspozuara, nuk duhet të vijnë a priori prej një pushteti që vendos nga brenda dyerve të mbyllura të një institucioni auto-referencial. Pra duhet të kenë lidhje jo vetëm midis artistëve njëri me tjetrin apo me interesat e momentit të institucionit TAL dhe anëtarëve që në TAL punojnë, por edhe me vetë kontekstin lokal artistiko-kulturor, social, gjeo-politik, ku TAL ushtron veprimtarinë e vet (Shqipëria/Tirana/lagjja ku gjendet institucioni TAL). [Ka lidhje të tilla kontekstuale puna e Flakës dhe bashkëbisedimi me Demetjan?].

Së treti, pjesë e konceptit të Tirana Art Lab është edhe marrëdhënie nga poshtë-lart, ku artistët vijnë e hapin në mënyrë transparente laboratorin e tyre dhe nuk vijnë si superstars të një sistemi e as i nënshtrohen institucioneve të sistemit (GKA apo TAL qoftë), sidomos kur këto të fundit i përfshijnë në aktivitetet e tyre. [Haliti dhe Demetja mbajnë apo marrin ndonjë distancë nga sistemi? Thjeshtë për informim të publikut dhe atyre që mendojnë se ka ndonjë lidhje midis TAL dhe GKA: në TAL kemi transparente edhe kostot financiare të një eventi apo pune të krijuar e jo më kushtet, mjetet dhe konceptet e të prodhuarit art]. Përndryshe, nëse nuk problematizohet kjo marrëdhënie poshtë-lart, apo edhe të tjerat përmendur më sipër, siç thotë edhe një instalacion i 2016, i Jora Vasos, nuk kemi të bëjmë me art, por me …

“Qoka”, për të cituar artisten, “njësoj siç është COKE për amerikanët, është feja e kontekstit artistiko-kulturor shqiptar”. Në Tirana Art Lab jemi përpjekur, nga shtatori i 2014 deri tani të paktën, të mos kemi fe të tilla, por të besojmë në art.

P.S. Në këtë shkrim nuk po merrem me papërshtatshmëerinë – le ta quajmë kështu për të mos e quajtur troç prostitucion të artit meqë na ofendohet virgjëria auditive – e të bashkëpunuarit me Erzen Shkolollin sipas metodës së Erzen Shkolollit, në një periudhë kur prej shumë zërash të tjerë, edhe të ndryshëm midis njëri tjetrit, metoda Shkololli po kritikohet për të njëjtat arsye: autoritarizëm pro-qeveritar, shpërdorim të taksave publike, uzurpim të posteve publike, degradim i qëllimshëm i institucioneve e të tjera si këto. Përveç shkrimeve në AKSREVISTA, kemi shkrime kritike nga ish-drejtori i GKA Rubens Shima, nga përfaqësues të Skenës së Pavarur Kulturore si Andi Tepelena, nga artistë të brezave të ndryshme që shkojnë nga Gazmend Leka që kritikon për mbylljen e “Onufrit” e deri tek Armando Lulaj që dërgon plumba në zarf. Thjeshtë për të patur një ide se ç’do të thotë bashkëpunim me Shkolollin sipas metodave të Shkolollit.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s