Erzen Shkololli dhe Endrit Molla: dy simulakra të një shteti dhe dyshtorit të tij. (Romeo Kodra)

Sot doja të hidhja në shkrim një kronikë të zakonshme që ka të bëjë me institucionet e artit dhe kulturës shqiptare dhe mënyrën e funksionimit të tyre. Më saktësisht, ky shkrim ka të bëjë me dy figura të skenës (sintagma nuk është e rastësishme) institucionale artistiko-kulturore kryeqytetase: Erzen Shkololli, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe Endrit Molla, drejtor i Qendrës për Hapje dhe Dialog, pranë Kryeministrisë.

erzen-shkololli2
Erzen Shkololli – Drejtor i GKA

Me Erzenin, deri në tetor të këtij viti, njihesha vetëm virtualisht. Duke qenë se prej kohësh kisha ndërmend të shkruaja këtë artikull, në shtator i kërkova nëse mund të takoheshim personalisht, në mënyrë që të njiheshim dhe njëkohësisht të bisedonim për çështjet e institucionieve të artit dhe kulturës si dhe më specifikisht Galerinë Kombëtare të Arteve.

Në tetor u takuam dhe folëm për, pak a shumë, një orë, ku personi që kisha përpara, përveçse i hekurosur e parfumosur, m’u duk edhe i sjellshëm dhe, deri diku, me një farë bagazhi kulturor. Nuk folëm shumë për GKA-në. Folëm më shumë – përciptazi – për situatën e artit dhe artistëve, si dhe botëkuptimet tona mbi to, ku më bëri përshtypje interesi i Erzenit “mbi të gjitha, për cilësinë estetike të veprave të artit”.
Gjithashtu folëm edhe për strukturë dhe koncepte, mbi të cilat, fola më shumë unë, pasi, mesa kuptova prej pyetjeve që më drejtoi, Erzeni nuk ia kishte idenë e strukturës dhe koncepteve në Tirana Art Lab – ngaqë siç duket mendonte se emërtimi LAB ishte, siç ndodh shpesh, thjeshtë një emërtim – ku pata mundësinë t’i thosha se mua “mbi të gjitha, më intereson koherenca e veprave të artit dhe artistëve, pra kur përshfaqja estetike nuk është e ndarë as nga etik e as nga mjetet, kushtet dhe konceptet e prodhimit/procesit”.

Në bazë të këtyre stimujve dhe duke qenë se nuk folëm specifikisht mbi GKA-në, për të cilën kisha shfaqur edhe interesin primar që ta takoja, ramë dakort që të shkëmbenim pyetjet dhe përgjigjet me e mail. I bindur se do të kisha përgjigje, duke qenë se edhe Shkololli më kërkoi që pyetjet t’i dërgoja brenda datës 15 tetor, me 9 tetor i dërgova këtë e mail:

“Përshëndetje Erzen.
Siç ramë dakort po të shkruaj këtu pyetjet për intervistën tonë. Përpara se t’i rendis, duke qenë se gjatë takimit tonë folëm në mënyrë të frytshme për “strukturë”, “koncepte” etj., doja të të vija në dijeni se edhe ndarja e pyetjeve është pak a shumë e frymëzuar prej tyre dhe më specifikisht ka tre drejtime: menaxheriale, teoriko-konceptuale dhe tekniko-praktike. Vijojnë si më poshtë:

1. A keni prezantuar një platformë menaxheriale në konkursin për Drejtor të Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe nëse po, përse nuk është bërë ende publike, ose kur keni ndërmend ta bëni një gjë të tillë?
2. A keni nënshtetësi shqiptare?
3. Një nga detyrimet e GKA si institucion është grumbullimi dhe koleksionimi i përvitshëm i veprave. Keni ndonjë ide, për momentin, sesi do e realizoni këtë në vitin tuaj të parë si drejtor?
4. “Termometri” i vetëm për të matur temperaturën e artit bashkëkohor shqiptar të këtyre viteve të pafundme të tranzicionit, zhvilluar edhe në vitet e tmerrshme ’97-’98, është aktiviteti i GKA “ONUFRI”. Si mendoni ta zhvilloni më tutje?
5. Në mbyllje, përsa i përket menaxhimit, cilat janë elementet/asetet që keni gjetur në institucionin e GKA mbi të cilat mendoni të ndërtoni, zhvilloni dhe konsolidoni mëtej strukturën e këtij institucioni?
6. Ndryshe nga sa ishim mësuar në vitet e fundit, aktivitetet e GKA janë rralluar dhe duket sikur pas pakësimit të tyre qëndron një përpjekje për të patur më shumë cilësi sesa sasi. Në këtë sasi të pakët cila ka qenë cilësia që keni dashur të nxirrni në dukje dhe a jeni të kënaqur me çfarë keni arritur, nga kjo pikëpamje, deri më tani?
7. Si institucion publik GKA është natyrshëm përfaqësues. Linja e aktiviteteve/ekspozitave të deritanishme të artistëve të ekspozuar çfarë përfaqëson (gjithmonë përsa i përket lidhjes me përfaqësueshmërinë institucionale të GKA) dhe si mendoni do të ndikojë kjo linjë në imazhin apo profilizimin e GKA në vitet në vazhdim?
8. Edhe ju, si drejtuesit paraardhës të GKA, jeni në pozicionin e të bërit të historisë së një institucioni kombëtar. Ç’konceptim keni mbi veten si individ dhe institucionin që do të drejtoni nga kjo pikëpamje, ose si doni që t’ju kujtojnë shqiptarët/publiku pas mandatit tuaj?
9. Ç’mendoni për zhvillimin e studimit shkencor në GKA dhe cila është strategjia juaj në këtë drejtim?
10. Si kurator që jeni besoj e kuptoni rëndësinë e identitetit kuratorial, sidomos për një institucion kombëtar. Mund të rendisni pikat kyçe mbi të cilat imagjinoni krijimin e këtij identiteti për një institucion si GKA?
11. U bënë dekada që GKA ka një bibliotekë, por ende jo të digjitalizuar. Kur mendoni se do e kemi një të tillë?
12. A jeni në dijeni të revistës PamorArt dhe a ka ndonje ide për ta ringjallur?
13. Si ju duket stafi i GKA dhe a ju duket i duhuri për nga përgatitja profesionale dhe i mjaftueshëm nga numri për idenë tuaj të zhvillimit të institucionit GKA sipas konceptimit tuaj?
14. Sa i njihni dhe a keni kontakte me institucionet jo-publike të artit në Shqipëri? Si e mendoni pozicionin e GKA në lidhje me ato?
15. A ka program aktivitetesh GKA?

Këto ishin, pak a shumë, pyetjet fillestare. Nëse ke ndonjë gjë për të shtuar, përtej pyetjeve, mund të shtojmë pa problem.
Gjithë të mirat.”

Prej 9 tetorit nuk kam patur asnjë përgjigje për pyetjet e drejtuara. Drejtorit Shkololli i kam dërguar gjatë kësaj kohe edhe tre mesazhe për t’i rikujtuar premtimin. Dy të parëve u është përgjigjur “do i shoh këtë fundjavë” dhe “[t]e lajmeroj sapo te kem mbaruar me to dhe t’i nis me email”. Të tretit, dërguar më 1 nëntor, ku i sugjeroja “Nëse të ndihmon dhe nuk ke kohë të ulesh për të shkruar, mund të takohemi këto dy, tre ditë dhe e bëjmë të regjistruar intervistën. Besoj 30, 40 minuta punë do jetë. Më thuaj ti.”, Drejtori i GKA-së nuk i është përgjigjur fare.

Tani, në këtë rast, unë nuk do të merrem me çështjen e edukatës dhe mirësjelljes që mund të dalë nga mungesa e të përgjigjurit, e cila, fundja, mund të më prekë vetëm mua, por do të merrem me detyrimet institucionale të një drejtuesi të administratës publike. Pra, duke qenë se Shkololli, që kur është katapultuar në krye të GKA-së, nuk më rezulton t’u jetë përgjigjur këtyre pyetjeve (që normalisht duhet t’i kishte bërë masmedia), çështja b;het problematike, sepse ka të bëjë me detyrimet e dikujt që siguron jetën me taksat e shqiptarëve, pavarësisht se Shkolollit, siç më pohoi vetë, “rroga mujore e Shtetit” mund t’i duket si “një shpërblim ditor” që mund t’i japin tjetërkund. Dhe, nuk e di nëse Shkololli është mësuar kështu në Kosovë, por në Shqipëri, si rregull, pavarësisht se nuk zbatohet për shkak të mbrojtjes që mund të kesh nga qeveria, duhet të japësh përgjigje për institucionin kombëtar që drejton kur mbush xhepat me taksa publike të një kombi.

Rezultate imazhesh për artan shabani
Artan Shabani – ish-Drejtor i GKA

Këto përgjigje, përveç detyrimeve institucionale, do të tregonin edhe sesa kapacitet – menaxherial, teorik dhe teknik – ka Shkololli për vendin që ka zënë falë Kryeministrit Rama. Sepse, jo për gjë, por Shkolollin nuk e njeh askush për kapacitetet që ka, qoftë në Shqipëri, por qoftë edhe në Kososvë, ku mesa shoh në media online (artikuj, intervista etj.), njihet për “stilin e tij të hijshëm të veshjes” si dhe për “pastrimin e Galerisë“, por jo për koncepte, strukturim dhe vizion. Madje, “stili i veshjes” dhe “pastërtia”, janë disi të dala boje në Shqipëri, ku për 4 vjet i kishim si kryefjalët e një drejtori-kukull shumëngjyrëshe si Artan Shabani, i cili pas ardhjes së pompuar në GKA u zbyth me bisht ndër shalë pa ndërtuar asgjë nga pikëpamja institucionale. Madje ndodhi e kundërta. Duhet kujtuar se ishte nën drejtimin e Shabanit që kontratat e të punësuarve brenda institucionit u shndërruan nga të përhershme, në të përkohshme, gjë që mundësoi shantazhimin e të punësuarve prej pushtetit, i cili falë Shabanit nuk do të gjejë më asnjë rezistencë nga brenda në parashtrimin e modelit të vet sundues. [Pushteti ka dorë të lirë tashmë të bëjë ç’të dojë me institucioni dhe ndërtesën e quajtur GKA. Për më shumë shih rastin e Teatrit Kombëtar] Duhet kujtuar gjithashtu se vetë Shabani ka filluar të bëjë ekspozita falë materialeve që gjeti në fond dhe kontakteve që krijoi gjatë qëndrimit të tij si drejtor i GKA. Kështu që del qartazi që, edhe pse rroga e shtetit mund të duket e ulët, siç i duket Shkolollit, benefitet një institucion publik i shkretë e i varfër si GKA i ka goxha të mëdha për drejtorët dhe ish-drejtorët që kanë, ndryshe nga taksapaguesit e vdekshëm, akses preferencial dhe të privilegjuar në të.

Gjithashtu, bindja ime është se, sado dëshirë të ketë Shkololli, ai nuk ka përgatitjen e duhur për të mbajtur një pozicion aq të rëndësishëm sa GKA. Ai ka, si të gjitha figurat drejtuese të përzgjedhura prej Rilindjes/Edi Ramës në institucionet publike të artit dhe kulturës (institucione të cilave u ka ardhur data e skadencës, siç thoshte Gilles Deleuze, sepse “të tjera institucione po trokasin tek dera”) një profil mediokër menaxherial, teorik e teknik, i aftë mjaftueshëm sa për të mbajtur “pastër” dhe “hapur” GKA-në dhe injorant apo i nënshtruar mjaftueshëm ndaj pushtetit sa për të mos vënë në diskutim vendimet e eprorëve të tij. Po të ishte ndryshe, pra po të kishim të bënim me njerëz me pasion, dhe pasion do të thotë dhimbje, pra po t’u dhimbsej arti dhe kultura që supozohet se kultivojnë këtyre personave, nuk do të arrinin aq lehtësisht të përuleshin apo shtriheshin si tapete në këmbët e pushtetit për t’i plotësuar çdo dëshirë. Madje, mendoj se ky profil mediokër drejtuesish apo zbatuesish do të jetë tipik për institucionet e së ardhmes së shpejtë, jo vetëm në institucionet artistiko-kulturore, por edhe më gjerë.

“Institucionet e tjera që po trokasin tek dera” – për të përmendur dy që kanë të bëjnë me artin dhe kulturën dhe për të cilat kam folur edhe herë të tjera në këtë blog – janë ato të tipit Atelier Albania dhe Center for Openess and Dialogue. Këto institucione tashmë janë tërësisht dyshtorë të institucioneve shtetërore publike (I kërkoj ndjesë Antonin Artaud-së për paralelizmin e hequr midis Le Théâtre et son double dhe kufomës së një institucioni të shtetit shqiptar si Galeria Kombëtare e Arteve dhe dyshtorit të saj prostitucional Qendrës për Hapje dhe Dialog). Ato janë dispozitivët kodifikues të fytyrësisë (Visagéité) së pushtetit apo përthithësit e gjithçkaje dhe gjithkujt për të “pastruar” dhe mbajtur “hapur” ekskluzivisht fytyrën e udhëheqësit karizmatik. Drejtuesit e këtyre institucioneve janë individë pa ndërgjegje, bindje apo çfarëdolloj aspekti karakteristik të qenies njerëzore që kalon fasadën e dukshme të pozicionit që kanë zënë brenda panoramës së re institucionale. Pra, si subjekte, janë thjeshtë funksionarë të protokollit të pushtetit, noterë të përcaktimit të gjërave dhe personave mbi të cilat pushteti ushtron sundimin e vet.

Shembullin më të mirë, për të kuptuar format e reja institucionale dhe drejtuesit tipik, e pata vizitova ekspozitën “Graviteti magjik” të Mark Chagall-it, hapur sëfundmi në COD. Aty takova Genti Gjikolën, i cili më foli për ekspozitën nga pikëpamja konceptuale dhe 160 a 170 gravurat e Chagall-it për të ilustruar “Shpirtrat e vdekur” të Gogol-it, “Stuhinë” e Shakespeare-it dhe “Fabulat” e La Fontaine-it.  Pas shkëmbimeve të opinioneve në fund i thashë se përshtypja ime personale mbi ekspozitën ishte se dukej “tepër luksoze dhe klasike, por që duke qenë Chagall”, kjo ishte edhe “e pranueshme”. Dhe, këtu mund të shtoj, se përveçse e pranueshme, kjo është pas së gjithash edhe e pritshme, duke ditur maninë e udhëheqësit tonë karizmatik – Edi(p) Rama – për të bërë përshtypje. Kot nuk jetojmë në epokën e perceptimit apo kapitalizmit konjitiv!

Por kur e pyeta nga vinin veprat dhe sa kushtoi ekspozita Genti nuk kishte informacion të saktë dhe, duke qenë se ishte marrë vetëm me instalimin, më tha se duhet të shkruaja një e mail apo të flisja direkt me drejtorin.

endrit-molla1

Kështu, një ditë tjetër, vendosa të rivizitoja ekspozitën dhe të flisja me drejtorin Endrit Molla. Si gjithmonë, në hyrje të Qendrës për Hapje dhe Dialog, Zefi (halldupi në hyrje pranë metaldetektorit) me të ngjashmin e tij, më kontrolluan imtësisht (imtësisht do të thotë, përfshirë edhe ndonjë prekje të lehtë romantike pranë aparateve analo-gjenitalë). Pasi lashë në duart e sigurta të halldupëve një regjistrues pa bateri (por kisha me vete celularin … e dinë halldupët që regjistrohet edhe me celular?), hyra brenda dhe menjëherë takova në korridor drejtorin. Ndryshe nga ç’e prisja Endriti, një djalë i pastër dhe parfumosur po aq sa Shkololli, ishte i sjellshëm dhe deri diku elokuent përsa i përket informacioneve. Pasi e përgëzova, duke i thënë që ishte i vetmi prej drejtuesve të Qendrës për Hapje dhe Dialog që kishte pranuar të fliste me mua gjatë këtyre tre viteve jetë të institucionit, e pyeta për kostot e ekspozitës së Mark Chagall-it, formën institucionale të COD, varësinë dhe financat.

Pasi nënvizoi faktin që nën drejtimin e tij institucioni, ndryshe prej kohës së Falma Fshazit, kishte filluar t’u përgjigjej rregullisht të interesuarve, Endriti çiltërsisht më informoi që “Qendra për Hapje dhe Dialog është një agjensi nën varësinë e Ministrisë së Financave përsa i përket buxhetit, prej së cilës merr fonde të papërcaktuara paraprakisht (sipas nevojave), thjeshtë duke prezantuar projektet që ka programuar; ka si statut dhe rregullore një VKM”; dhe ekspozita “Graviteti magjik” i Mark Chagall-it ishte “fryt i një sponsorizimi” për të cilin “sipas kontratës me sponsorin nuk mund të jepet informacion” (ndoshta Arlinda Dudaj, di ndonjë gjë më shumë!).

Këto informacione janë shumë të vlefshme për të kuptuar funksionimin e institucioneve të shteti shqiptar. Pikësëpari, përcaktimi si “agjensi” i COD-it e vendos atë në çka e Drejta Publike quan “new public management” të administratës së një shteti, pjellë e ideologjisë reganiane-thatcheriane të viteve ’80, atëherë kur mendohesh se institucionet publike, për t’u rinovuar, duheshin domosdoshmërisht transformuar në ndërmarrje tregtare (në fakt agjensitë njihen si entitete shtetërore me autonomi më “fleksibël” prej shtetit). Së dyti, COD-i ka një buxhet të papërcaktuar paraprakisht dhe është në varësi të qeverisë (Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave) të hapë e mbyllë sipas dëshirës fondet për të. Së treti, përthjeshtimi i COD si entitet ligjor ku një VKM është njëherësh rregullore dhe statut, tregon sesa i përciptë është kontrolli i shtetit shqiptar. Së fundmi, shteti shqiptar është pre e dëshirave të sponsorave, të cilët vendosin mbylljen karshi publikut të informacionit mbi të dhënat e tyre (këtu dyshimet për pastrim të fondeve të kriminalitetit është mëse i legjitimuar, besoj). Për këtë të fundit me datë 10 nëntor i dërgova një e mail Qendrës për Hapje dhe Dialog:

Përshëndetje, quhem Romeo Kodra dhe po bëj një studim mbi institucionet e artit dhe kulturës në Shqipëri. Po ju kontaktoj sepse doja të kisha disa info mbi ekspozitën e Chagall-it. Dini të më thoni nga vijnë (cili koleksion institucioni apo personi privat) këto vepra? Sa është kostoja e kësaj ekspozite dhe me çfarë fondesh është realizuar?
Faleminderit dhe punë të mbarë.
P.S. Përpara disa ditësh fola me Drejtorin Endrit Molla dhe më tha që, ndrzshe nga vitet e kaluara, tani, nëpërmjet e mail-it tuaj, mund të merrja çdo informacion. E shpresoj sinqerisht.

Përgjigjia që mora ishte:

Përshëndetje z. Kodra,
Gjatë vizitës suaj në COD ju keni marrë informacionin e nevojshme mbi ekspozitën e Chagall.
Ju urojmë punë të mbarë!
Ekipi COD

Duke qenë se më dukej se versioni Falma Fshazi po ripërsëritej shkruajta sërish:

Përshëndetje, faleminderit për përgjigjen e menjëhershme. Po, gjatë vizitës sime mora informacionin e nevojshëm, por doja ta kisha të shkruar zyrtarisht me e mail. Kështu që, nëse nuk ju mundoj shumë, dini të më thoni nga (cili koleksion institucioni apo personi privat) vijnë këto vepra? Sa është kostoja e kësaj ekspozite dhe me çfarë fondesh është realizuarPunë të mbarë edhe juve.P.S. Kam përshtypjen se mjaftojnë qoftë edhe dy rreshta si përgjigjia e mësipërme.

Njësoj si në rastin e Shkolollit dhe GKA-së edhe nga zyra efiçente e informacionit të COD-it nën drejtimin e Mollës “ra linja”. Praktikisht drejtorëve – këtyre subjekteve pa ndërgjegje, bindje apo çfarëdolloj aspekti karakteristik të qenies njerëzore, këtyre funksionarëve të protokollit të pushtetit, noterë të përcaktimit të gjërave dhe personave mbi të cilat pushteti ushtron sundimin e vet – nuk u është dhënë i formatuar opsioni i dhënies së informacionit mbi transparencën. Njësoj si në rastin e simulakrave virtuale, informacioni i tyre është i kufizuar. Ç’është më e keqja, çka brenda tyre ka mbetur si njerëzore është frika apo pasiguria; frika e të folurit tepër apo pasiguria e të paturit leje prej pushtetit për të folur. Kjo është të paktën eksperienca ime me ta, Shkolollin dhe Mollën, dy simulakra të një shteti dhe dyshtorit të tij.

Një mendim mbi “Erzen Shkololli dhe Endrit Molla: dy simulakra të një shteti dhe dyshtorit të tij. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s