Projekti “Artivizëm” i ArtKontakt-it dhe unë: nga “Merr PLOT si pushka e jevgut”, te performancat e heshtura artistike në hapësira publike. (Romeo Kodra)

Artivizëm – Në muajin shtator u kontaktova nga Andi Tepelena, drejtor ekzekutiv i ArtKontakt-it, për një projekt të quajtur Artivizëm. Emrin tim ia kishte sugjeruar Sead Kazanxhiu, duke qenë se Andi kishte ndërmend të bënte diçka me romët dhe egjiptianët të vendosur sëfundmi në Shkozë dhe Seadi vetë nuk mund të gjente kohë për t’u angazhuar personalisht për shkak të programeve të tij të paracaktuara.

Ideja e Andit, i cili donte të përfshinte studentë/nxënës të arteve dhe pjesëtarë të komunitetit në një workshop dhe performancë, më pëlqeu sepse kisha kohë që doja të realizoja diçka mbi situatën e pakicave etnike rome dhe egjiptiane, duke qenë se kisha ndjekur nga afër peripecitë e tyre (nga Bregu i Lumit, në kazerma të braktisura të Ushtrisë Popullore, në revolta të dhunshme e deri tek “zgjidhja përfundimtare”).

Gjëja e parë që menduam ishte të shkonim direkt në vend, në Shkozë (projekti i ArtKontakt ishte i kufizuar në njesinë nr. 2 të Tiranës dhe kishte të bënte me premtimet e pambajtura elektorale), për të parë situatën nga afër dhe për të sqaruar më shumë idenë fillestare nëpërmjet frymëzimit që mund të na ndillte konteksti.

Shkoza dhe nënstacioni elektrik – Pa hyrë ende në bllokun e banesave frymëzimi na erdhi prej nënstacionit elektrik, që furnizon me energji elektrike 1/3 e Tiranës. Afërsia e tij me banesat sociale dhe kapanonet e romëve dhe egjiptianëve është e frikshme për shkak të sigurisë së fëmijëve që luajnë aty pranë, por edhe sepse bindja ime është se prej tij ka edhe rrezatime të dëmshme për njeriun, që, mesa duket, nuk i ka bërë përshtypje Bashkisë së Tiranës kur vendosi për të ndërtuar në atë vend.

dav

Për shkak të mungesës së një aparati profesional për të bërë matjet e duhura të rrezatimeve, nxjerrjen e këtij problemi nuk mundëm ta artikulonim artistikisht dhe me këtë rast ua lëmë “gazetarëve investigativë” shqiptarë, mbrojtësve profesionalë dhe ojf-ve të mjedisit.

Shkoza si geto – Duke qenë se ideja e ndotjes mjedisore u eleminua vetvetiu për mungesë mjetesh, ideja e ndarjes dhe fragmentimit të shoqërisë ishte më e lehta për t’u vënë në jetë. Ky fragmentim ishte i dukshëm pikërisht aty, në Shkozë, te grupet e fundit, te burgjitë e shoqërisë sonë “demokratike”. Për të bërë më të kuptueshme çështjen dy imazhe të shkëputura nga një filmim i Ajet Rirës, do të ndihmonin shumë:

 

Siç shihet barakat e romëve dhe egjiptianëve, të gjithë të papunë, janë të ndara nga banesat sociale (pamja e kapanoneve është marrë nga tarraca e një prej pallateve të bllokut të banesave sociale) ku strehohen shtresat më në nevojë të shoqërisë, ato shtresa të varfëra që kanë të ardhura familjare mujore të sigurta, 25% të të cilave i paguajnë për qiranë e banesës. Ky lloj aparteidi – duke ndarë romët dhe egjiptianët nga “shkalla e parafundit” e shoqërisë – është kryer nën mbikëqyrjen ngazëlluese të ambasadorit amerikan Donald Lu, Bashkimit Europian, UNDP dhe qeverisë italiane, borxhin e falur shqiptar të së cilës, holograma e kudogjendur e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj e shfrytëzoi për “të përmbushur premtimet e tij elektorale“.

Kujtesa kolektive “komuniste” … e fshirë – Prej këtej lindin disa pyetje: si ka mundësi që në kohën e qoftëlargut (Enver Hoxhës) integrimi i pakicave dhe shtresave në nevojë, në përpjestim me shumicën, ishte më cilësor dhe më etik? Si ka mundësi që këta ndërkombëtarë të verbër dhe politikanë të pafytyrë shqiptarë të mos e kuptojnë që opinioni i përgjithshëm i popullsisë është ai të të qenurit më mirë kur ishim më keq? Si ka mundësi që modeli geto pranohet normalisht dhe duket çudi sikur p.sh. t’i kërkohet një kryebashkiaku të detyrojë oligarkët, që betonizojnë me lejet e tij sipas qejfit qytetin, të japin 20% të banesave të pallateve të tyre për shtresat në nevojë apo pakicat etnike? Nuk do të ishte ky integrim? (Dhe po flasim për shqiptarë, jo për emigrantë nga Afrika apo Azia!!!) Kjo është “komuniste”? Apo janë aq të fortë 10 oligarkët e zakonshëm dhe nuk mund t’u kërkohet kjo gjë prej një të tredhuri në Bashki të Tiranës apo një tjetri në Kryeministri?

Kjo situatë getizimi, që nuk duhet të pranohet në asnjë vend të botës – kështu që turpi i saj bie jo vetëm mbi kafshët në Bashki të Tiranës apo Qeveri, por edhe mbi përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare të përmendura më sipër – në Shqipërinë bashkëkohore është kthyer në normalitet, është normalizuar. Madje shihet edhe si një shembull i mirë për t’u kopjuar edhe gjetiu, nga ky vend i mbrapshtë i quajtur Shqipëri.

Rezultate imazhesh për sorosNormalizimi i getos – Ky lloj normalizimi është fryt i një botëkuptimi, i një ideologjie që ka rrënjë të thella në kapitalizmin e sotëm neo-liberal dhe ultra-konservator; fryt i asaj ideologjie pas së cilës justifikohet bashkëpunimi me të këqinjtë, me sistemin dhe status-quo-në dhe pranimi (jo pasiv, por aktiv, duke i përkeqësuar) i gjërave ashtu siç janë. Si shembull pradigmatik i normalizimit të getizimit dhe mungesës së rezistencës ndaj saj mund të merret eksperienca e George Soros-it si bashkëpunues i një të krishteri-nazist në sekuestrimin e pasurive të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të shpëtuar veten duke u shtirur si nip i tij. Kjo nuk është për të moralizuar mungesën e trimërisë së një 14-vjeçari, Soros-it të asokohe, siç bëjnë media ultra-konservatore tip FoxNews, të cilat, duke i shtuar fakteve reale moralizma dhe fakte të tjera të paqena, kontribuojnë në legjitimimin e ndërsjelltë përkarshi opinionit publik; pra publiku vihet në kushtet e përzgjedhjes binare: jeni me neo-liberalizmin soros-ian apo me ultra-konservatorizmin alla FoxNews, sot trump-ian?

“Rezistenca” neo-konservatore (Trump) dhe neo-liberaliste (Soros) – Kjo është për të thënë që ekziston edhe një mënyrë tjetër përveç “rezistencës” së moralshme ultra-konservatore (morali vjen nga mores, ligji, latinisht) alla FoxNews. Një “rezistencë” kjo e fundit që justifikon ngritjen e mureve prej disa elitave të privilegjuara, përkundër masave të shtyra dhe të shtypura nëpër periferitë e sistemit: të një qyteti (si Tirana p.sh), një shteti (si SHBA e Obamës apo Trump-it p.sh.) apo bote (si e ashtuquajtura “bota e tretë” ku kemi modele kampesh përqëndrimi afrikanësh apo aziatikësh në Turqi, Libi, Egjipt të financuara nga Bashkimi Europian).

Ekziston gjithashtu një alternativë edhe përtej “rezistencës” së bashkëpunimit, qoftë edhe për mbijetesë, me të këqinjtë (nazistët, status-quo-në, sistemin), me të cilët bashkëjetohet dhe duket apo pretendohet sikur/të luftohen brenda të njëjtit sistem (shih modelin “Soros” si “player”, dje i nazizmit, sot i botës së mashtrimit financiar por edhe filantropist … madje, një miku im e quan Soros-in “babain e romëve”). Sepse kjo lloj “rezistence” duke luftuar sistemin nga brenda, me të njëjtat mjete, nuk bën gjë tjetër veçse riprodhon të njëjtin sistem të cilin pretendon se lufton, duke krijuar elita/klasa epiqendra shoqërore jo më në rang qyteti, shteti apo bote të pjesshme (bota e parë, e dytë apo e tretë) por në rang global; një elitë-klasë globaliste, njëherësh post-borgjeze e post-proletare, e cila bazon gjithçka te konsumi dhe përfitimi, ku gjithçka e gjithkush është funksional (“player”, siç e quan veten Soros-i) apo mall i konsumueshëm, sipas hierarkisë apo kufijve, të cilët, siç kuptohet lehtësisht, nuk janë më horizontalë, por vertikalë.

Rezistenca si etikë dhe praktikë kulturore – Ekziston pra, një lloj rezistence tjetër: rezistenca si etikë dhe praktikë jete. Ekziston rezistenca si kultivim apo kulturë, ku kjo e fundit përfshin qoftë individin, qoftë kolektivitetin si dhe tejkalon ligjin, i cili bëhet sipas vullnetit të një shumice apo një pushteti epëror të përkohshëm, që detyrimisht u imponohet pakicave apo periferive.

Për çudi këtë rezistencë na e mësojnë sërish romët, këta shqiptarë që “demokratikisht” prej 28 vjetësh po i përbuzim me ligje që na duken të moralshme dhe po i veçojmë në një lloj aparteidi autokton të stimuluar edhe nga jashtë. Dhe na e mësojnë aty ku çdo rezistencë ishte e pamundur: në Auschwitz (mbi pamundësinë e rezistencës në kampet e përqëndrimit nazistë le të shihen veprat-dëshmi të Levi-t, Wiesel-it, etj.)!

Rracizmi ynë kulturor – Kështu që, për titullin e ndërhyrjes artistike po më vërdallisej në mendje një thënie urtësisht rraciste e popullit tonë: “merr kot si pushka e jevgut”, ku “jevgu” mendohet si një i trembur, i frikësuar që shtien thjeshtë për të bërë potere, por pa konkretizuar asgjë, pa vrarë askënd prej frikës. Por kjo thënie ka edhe një version tjetër si “merr zjarr si pushka e jevgut”, ku “jevgu” del si i paduruar, si dikush që merr zjarr përnjëherë sapo i cënohet e vetja. Dhe ishte kjo e dyta që më interesonte, prandaj doja për të shmangur dykuptimësinë të vija një titull të tipit “Merr PLOT si pushka e jevgut”, ku, duke mbajtur cilësimin rracist të “jevgut”, do të hiqeshin paralelizma mes revoltës së romëve në Auschwitz – të vetmit që dokumentohet të kenë kundërshtuar një urdhër të SS-ve në mënyrë të drejtpërdrejtë, kur të gjitha “rracat e tjera superiore” ishin “të duruara” – dhe revoltës së romëve në janar të 2016, ku u dogjën barrakat dhe u thyen xhamat e pallateve që rrinin bosh për të pastrehët e bardhë shqiptarë. (Sot që po shkruaj këto rreshta shoh që banorët e “Astirit” po “protestojnë” përpara Bashkisë për prishjen e shtëpive të tyre për ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës. Pra, ne shqiptarët, apo pjesa e “bardhë” e shqiptarëve, “po protestojmë”. Vetëm kaq? Deri këtu arrijnë këllqet tona? Si ka mundësi që ironizohet me “pushkën e jevgut” atëherë, kur as për të mbrojtur shtëpitë tona nuk na e mban të detyrojmë – me fjalë apo me dhunë, duke i vënë flakën Unazës së Re siç bënë romët me banesat boshe sociale – një Kryebashkiak apo Kryministër të tredhur prej oligarkëve të dëmshpërblejë ndershmërisht për fshirjet e jetëve/banesave të rradhës [Kujtoj që të gjitha vendimet e Gjykatës së Strasburgut për shpronësimet e detyrueshme të qeverisë shqiptare i kanë dhënë të drejtë pronarëve, kështu që është mëse e qartë që mafiozët e qeverisë së sotme apo asaj të djeshme që kanë miratuar ligjin aktual të shpronësimeve e kanë bërë për interesat e oligarkisë]?.)

Pra, ideja konsistonte në organizmin e një performance me studentë, nxënës dhe komunitetin që të evidentonte rezistencën si nevojë e pashmangshme për emancipim, jo vetëm e komunitetit të Shkozës, por shoqërisë mbarë.

Getizimi i “jevgut” si normalitet – Por, siç u tha më sipër, romët dhe egjiptianët “përfituan” disa baraka/kapanone – që Bashkia e Tiranës, UNDP, përfaqësues të BE, SHBA dhe Italisë i quajnë “shtëpi”, pra sipas tyre janë një model i mirë e i denjë për t’u ripërsëritur tjetërkund, të cilin Bashkia e quan si një premtim të mbajtur elektoral – të ndërtuara me para publike, dy vjet pas revoltës së tyre. Dhe, ç’është më e keqja, vetë anëtarët e komunitetit, që banojnë ato barake/kapanone, ishin të kënaqur, sepse, siç na tha njëri prej tyre mua dhe Andit gjatë “ekspeditës” sonë për të gjetur frymëzim nga konteksti, “baraket janë më mirë se kasollet e plasmasit dhe kartonit që kishim”.

Këtu ideja e projektit dhe sidomos përfshirja e romëve dhe egjiptianëve, hyri në krizë. Kompromisi që kishte gjetur pushteti i mbështetur nga përfaqësitë faqezeza ndër+kombëtare kishin shuar (përkohësisht) “zjarrin” apo “marrjen PLOT të pushkës së jevgut”. Praktikisht ideologjia neo-liberale e kompromisit alla George Soros, kishte gjetur aplikim duke pranuar një situatë ndarjeje neo-konservatore alla Donald Trump, ku fragmentimi shoqëror, veçimi, segregacioni apo aparteidi brenda shoqërisë pranohen në mënyrë sa të “natyrshme” aq edhe anti-kulturore (sepse shkon kundër kulturës së padurimit apo rezistencës rome, si në rastin e revoltës në Auschwitz apo revoltës në Shkozë).

Unmapping Auschwitz / Ç’hartografimi i Shkozës – Për të zgjidhur një problem duhet kuptuar dhe pranuar që ka një problem. Kështu që, duke qenë e pamundur për momentin që të përfshiheshin edhe anëtarë të komunitetit të getizuar në Shkozë (sepse do të kërkonte prej nesh një punë më të gjatë për ndërgjegjësimin e komunitetit), u mendua që performanca të ishte thjeshtë evidentim duke i dhënë formë – per+formare – me trup, fizikisht, një problemi dhe për të provokuar – pro+vocare – e për t’i dhënë zë një shqetësimi real të komunitetit të Shkozës dhe shoqërisë mbarë.

Në takimin e parë në Liceun Artistik të Tiranës me nxënës dhe studentë, pikënisja ishte pikërisht evidentimi i problemit.

 

Ky evidentim nuk ishte vetëm me fjalë, me koncepte, apo histori të së sotshmes dhe djeshmes (që janë pak a shumë të njëjtat me këto që po shkruhen edhe këtu), me të cilat donim të pedagogjizomin me “profesorllikun tonë në katedër” brezat e rinj. Ky evidentim – për të mbajtur një koherencë me projektin e Andit/ArtKontaktit Artivizëm, që ishte i përcaktuar në hapësirë/territor dhe në hartë administrative – ishte edhe me imazhe, ku pushtetin, e djeshëm dhe të sotshëm, e tradhëton gjurma e mënyrës së racionalizimit të hapësirës, gjurma e organizmit të saj, e cila shpalos ideologjinë dhe mentalitetin qeverisës. Në fakt, falë imazhit – në këtë rast satelitor, pra imazh i parë nga lart, vertikalisht; një vështrim apo mënyrë e të parit të territorit që simbolikisht karakterizon pozicionin e pushtetit – është e frikshme ngjashmëria e lagerave nazistë me geton e Shkozës.

 

Shënime nga workshop-i me nxënës dhe studentë – Duhet thënë se, ideja e natyrshme e nxënësve dhe studentëve ishte ajo e performancës së përbashkët me komunitetin e getos së Shkozës. Gjë mëse e lavdueshme, sepse tregon që puna me mësuesit dhe profesorët e tyre mbart ende një lloj ndjeshmërie përkundrejt kohesionit dhe integritetit shoqëror. Por, problemi i ngritur më sipër, që përbënte edhe momentin kritik të idesë fillestare të ndërhyrjes artistike në hapësirë publike (performancës), pra mungesa e parjes së getos (momentalisht) si problem prej vetë komunitetit, edhe për nxënësit dhe studentët dukej e pakapërcyeshme. Pra, pyetja nëse “do të ishte e drejtë ndërhyrja performative dhe provokuese përkarshi një komuniteti që injoron, jo për faj të tij, por për shkak të konditave shoqërore, një gjendje të caktuar?” mbetej ende pa përgjigje. Por a ka detyrimisht qëllim arti të shkojë përtej artistit? A nuk është arti dhe artisti detyrimisht pararojë/avangardë, pra, një termometër i shoqërisë? Kur arti apo artisti sheh një problem, duhet të presë ndërgjegjësimin e shoqërisë për t’i dhënë formë (per+formare) me trup, fizikisht, në vetë të parë problemit që sheh/ndjen?

Kështu, këto pyetje, paksa retorike, bënë të mundur dakortësimin midis nesh që të krijohej një performacë vetëm me pjesëmarrësit në workshop. Por nxënësve dhe studentëve, për të mos i nxjerrë kaq lehtë nga kriza, iu parashtrua përveç çështjes së etikës edhe një problem praktik: po sikur komuniteti të ishte agresiv me artistët që performonin dhe ta merrnin provokimin si diçka që u rrezikonte/ofendonte dinjitetit? Edhe në këtë rast kriza dukej e pakalueshme. Por, a nuk kërkon guxim arti? A nuk na mësojnë shkollat apo universitetet e artit të jemi të guximshëm? Natyrisht, që të jesh i guximshëm, duhet mbi të gjitha të kesh bindje mbi artin që bën dhe vërtetësinë e problemit. Po ashtu, duhet ditur se si të mbrohet ky art. Te arti i performancës ky guxim përkarshi rrezikut, edhe fizik, është më i prekshëm. Pyetja që lind është, po në arte të tjera, si piktura p.sh. nuk duhet patur guxim? Mos vallë piktura është më pak e rrezikshme? Në këtë pikë, nxënësve dhe studentëve, iu bëra të ditur se ekzistojnë disa pikëpamje që ndryshojnë nga artisti në artist, apo nga një filozofi jete në një tjetër. Personalisht mendoj që nëse piktura nëpërmjet formës (per+formës) dhe provokimit (pro+vokimit) nuk i përcjell artistit, dhe pas tij edhe spektatorit, rrezikun atëherë piktura nuk është art, por dekor.

Dy performanca të heshtura në hapësira publike – Pasi u dakortësuam mbi këtë qasje performative/provokative të ndërhyrjeve artistike në hapësirat publike, së bashku me nxënësit dhe studentët, u konceptuan dy ndërhyrje.

Tek e para do të mbaheshin në duar foto krahasuese të getos së Shkozës dhe përkueses së përmbysur të saj, getos së “Rolling Hills”, aty ku oligarkia, mafia dhe përfaqësitë kombëtare dhe ndërkombëtare (nuk mund të imagjinoni sesa makina të targuara CD hyjnë e dalin prej Rolling Hills!!!) kanë izoluar veten prej shoqërisë shqiptare. Ndërhyrja kuratoriale u kufizua te përzgjedhja e një fotoje (bardhë e zi) për secilën prej getove të krahasuara, të cilat do të fragmentoheshin – duke ruajtur koherencën me fragmentimin e shoqërisë shqiptare – në katër pjesë për një total prej tetë pjesësh (që do të mbaheshin nga tetë studentë), të lidhura nga një tel i kuq me gjemba (marrë nga një foto e Auschwitz-it). Fotoja bardhë e zi dhe teli i kuq me gjemba ishin një homazh veprës kinematografike Schindler’s List të Steven Spilberg-ut, ku me të kuqe nuk është më një vajzë e vogël, që jepte një fill të brishtë shpresë, por teli me gjemba pas të cilit ajo shpresë u këput.

 

Te performanca e dytë ideja ishte të mbaheshin në duar banner-a, ku e kornizuar do të ishte, për bllokun e banesave të romëve, shprehja e famshme e Auschwitz-it “Arbeit Macht Frei” (Puna të çliron), për bllokun e banesave sociale korniza do të ishte ajo e Auschwitz-it por me të shkruar “Theresienstadt” (kështjella e famëkeqe e shndërruar prej nazistëve në një kamp përqëndrimi dhe zhdukjeje, të cilën propaganda naziste, në sytë e botës e shiste si qytetin ideal ku vlonte kultura dhe mirëqenia), ndërsa për bllokun e banesave të Rollin Hills, në të njëjtën kornizë të Auschwit-it, do të ishte shkruar “Rolling Bills”, si simbol i pastrimit të parave falë abuzimeve ndërtimore. Ndërhyrja kuratoriale edhe në këtë rast ishte e kufizuar te ngjyra bardhë e zi e fotove, për të ruajtur koherencën me performancën e parë, dhe maskimi i studentëve me një emoji të qeshur të verdhë, për të simbolizuar fytyrën e qeshur të pushtetit në propagandimin e këtyre getove si premtime të mbajtura elektorale.

 

Credits – Fotografia: Ajet Rira; Editing: Paul Voggenreiter, Dritan Hyska, Romeo Kodra; Koncepti/Ideja: Olsi Bogdani, Arens Dobi, Anxhela Shehi, Claudia Imami, Angjelo Sevo, Suela Biba, Emanuela Gjonaj, Marinela Sufa, Frensi Duka, Emanuela Kullaj, Romeo Kodra.

P.S. Meraku ynë për mospranimin e performancës provokative nga komuniteti i Shkozës ishte i kotë. Madje ata kontribuan duke ndihmuar nxënësit dhe studentët përgjatë parapërgatitjes së performancave. “Çuditërisht” nxënësve dhe studentëve ju kërkuan informacione mbi aktivitetin si dhe të dhënat personale prej rojeve të “Rolling Hills”. Por duke qenë se studentët dhe nxënësit ishin shumica minorenë, rojeve iu dhashë vetëm të dhënat e mia si dhe i informova që aktiviteti mbështetej nga “Soros-i” dhe ambasada zvicerane. Pas kësaj nuk u lejuam më të filmonim në rrugën publike përpara hyrjes së “Rolling Bills” … “Hills”.

Një mendim mbi “Projekti “Artivizëm” i ArtKontakt-it dhe unë: nga “Merr PLOT si pushka e jevgut”, te performancat e heshtura artistike në hapësira publike. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s