Flaka Haliti, ne shohim të njëjtën fytyrësi. A sheh dhe ti të njëjtën fytyrësi? (Romeo Kodra)

Më 7 shtator, në Galerinë Kombëtare të Arteve, u çel ekspozita personale e artistes Flaka Haliti, titulluar “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje”. Çoroditja që cyt titulli dhe organizimi hapësinor i ekspozitës më detyroi të ulem e të shkruaj disa rreshta me qëllim që të përkufizoj, brenda mundësive, kuptimin e tyre. Fundja ky është synimi i kritikës dhe roli i saj si pasuruese e kontekstit kulturor. Por, natyrisht, pa pretenduar ezaurimin përfundimtar të kuptimeve dhe interpretimeve.

Me Flaka Halitin nuk njihem. E vetmja herë që kemi shkëmbyer dy fjalë ka qenë kur mora pjesë në konkursin për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Venecias, ku Haliti ishte pjesë e jurisë. Përshtypja prej një shkëmbimi, që konsistonte në një pyetje të saj përreth projektit që po prezantoja, ishte se nuk kuptoheshim. Gjëja nuk është e pazakontë për mua, sidomos kur kam të bëjë me njerëz të artit të formuar në Shqipëri apo pjesë e skenës shqiptare, aq më shumë kur janë të përzgjedhur prej Ministrisë së Kulturës si filtrues dhe kodifikues të artit për eksport jashtë kufirit. Asokohe, duke qenë Haliti nga Kosova, fajin ia vura anglishtes sime, gjuhë të cilën, me thënë të drejtën, disa nga pjesëtarët e tjerë të jurisë e kuptonin dhe nuk vlerësonin projektin dhe, disa të tjerë, për arsye sikletosëse (link), bënin sikur nuk e kuptonin.

Gjithsesi, këtë moskuptim të Halitit e kam edhe pasi vizitova ekspozitën e saj personale në Galerinë Kombëtare të Arteve. Dhe faji kësaj here nuk mund t’i vihet gjuhës, sepse, sado që Haliti artikulon diskurin mbi veprën e saj me një shqipe plot anglicizma, problemi nuk është te gjuha e folur (anglishtja e shqipëruar apo shqipja e anglicistizuar), por te gjuha e artit pamor të propozuar në këtë ekspozitë.

Ç’ka do të mundohem të shpjegoj në këtë shkrim është që, pavarësisht se artistja kosovare mundohet, ME FJALË, të na paraqitet si subjekt i dobët (shih Pier Aldo Rovatti-in dhe Gianni Vattimo-n mbi këtë koncept), që përpiqet të shmangë përkufizimet e ngurta, ME VEPRA, me gjuhën e artit, del krejt e kundërta; pra një artiste me një gjuhë të ngurtë, kokëfortë deri në topitje (obtuseness, për anglofilët apo shqipofobët).

Fotografia e Galeria Kombetare e Arteve

Në hyrje të ekspozitës vizituesin e pret një perde e varur në tavan, e një ngjyre të ftohtë, vjollcë e zbehtë, që mpikset gradalisht deri në blunë e shtrirë përtokë, punë të cilën artistja e ka titulluar “Rri varur kot”. Pra, që në hyrje, na shfaqet një subjekt-artiste e dobët, thuajse dekadente apo e pavullnetshme, e cila shmang makro-narrativat imponuese për të sugjeruar një alternative, të vetën. Kuptimi i kësaj perdeje – siç e përmend edhe kuratorja Lonie Radine – është një tip barriere, pengese (e lehtë, delikate, siç i ka hije një subjekti të dobët) për vizituesit e ekspozitës, por edhe – siç thotë vetë autorja – “një lloj komoditeti vetëkritik” (link).

Me të kaluar perden, thjeshtë me një shikim të parë e të përciptë, kuptojmë që ajo nuk paskësh qenë aty “kot”, por paska patur rolin e një kartëvizite për ekspozitën në tërësinë e saj, duke qenë se – nëse do të përdornim një lexim alfabetik të gjuhës pamore dhe më specifikisht kombinimit të ngjyrave – të gjitha ngjyrat janë të ftohta dhe nuk dalin jashtë tonalitetit të perdes. E tillë është grija e pseudomureve të forcave të armatosura të pranishme në Kosovë; e kaltërta dhe e bardha e serisë së reve; e gjelbërta thuajse fosforeshente e robotit, e kaltërta, e gjelbërta dhe e verdha e flatrave të tij, e argjendta e fletëve të aluminit mbi të cilat rri ulur dhe bardhësia e murit ku është mbështetur; po ashtu edhe e kaltërta dhe e bardha e flamujve/banners të katit të parë të ekspozitës.

Pra, ndryshe nga ç’mund të pritej nga një subjekt i dobët, ripërsëritja e ngjyrave dhe tonaliteti i njëjtë, i japin hapësirës një koherencë rigoroze ku çdo detaj është i kontrolluar rrepësisht nga një dorë e vetme. Dhe kjo nuk është “kot”, sado që me fjalë mundohen të na e thonë artistja dhe kuratorja: kjo është të përshenjosh hapësirën me një lloj estetike – ta estetizosh – pas së cilës, në botën e artit, qëndron apo duhet të qendrojë një etikë po aq rigoroze dhe rreptësisht e kontrolluar.

Dhe kjo etikë, përshfaqur në mënyrë estetizuese në sipërfaqe, ka të bëjë me përmbajtjen, kuptimet apo konceptet, të cilat, në rastin e veprave të ekspozuara prej Flaka Halitit në GKA, pothuajse kanë avulluar tërësisht prej tyre e duken sikur rrëshqasin në një cektësi mekëse. Në këtë mënyrë e gjithë ekspozita nga ana etike dhe përmbajtësore merr një tonalitet mediokër e një nuancë të përgjithshme abuzivizmi me termat ku “vetëkritika” e artistes, shpallur që në hyrje, është gjëja e fundit që një vizitori normal të ekspozitës i vjen në mend.

Në fakt bie era abuzivizëm përdorimi i termave si:
Këtu – apo atje, është më atje: ky titull i pavendosur i ekspozitës së Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë sugjeron një skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Destabilizimi i tipareve të territorit, e sidomos i dikotomisë mes Lindjes dhe Perëndimit, është karakteristikë e punës së artistes.”
Por një gjë është ta thuash me fjalë e një gjë tjetër është ta bësh konkretisht ç’ngurtësimin e hapësirës, e cila siç u tha më sipër është tejet e ngurtë e monotone. Një gjë është të flasësh për demilitarizim dhe destabilizim të tiparave të territorit e një gjë tjetër është të bësh “konkretisht” me pseudobeton muret e forcave të armatosura në Kososvë duke i vendosur në një hapësirë ekspozitive, ku, siç më ra rasti të shihja, një kokëkrehur e çfarëdoshme e Ministrisë së Kulturës mund të mbështesë smartphone-in apo gotën e verës vetëm për pak, sa të bëjë një selfie. Jo për gjë, por diçka analoge bëri edhe Edi Rama me Carlo Bollino-n në rastin e Bunk’Art 2, madje e quajtën edhe art, por më vonë u “erdhi turp” dhe u mjaftuan me përdorimin e objektit për konsumizëm turistik (të jetë në këtë rravgim edhe Flaka!?).

Edi Rama Visageite Flaka HalitiDuke qenë se erdhëm tek Edi Rama, edhe “Unë shoh një fytyrë. A sheh ti një fytyrë.” është, nga pikëpamja konceptuale, disi e stërholluar, pa shije e topitëse. Pikësëpari, sepse që nga Magritte me Ceci n’est pas une pipe, përtej sipërfaqes së veprës ky koncept është ezauruar dhe pas Fontaine të Duchamp-it, përkëtej sipërfaqes së veprës, roli i artistit ka evoluuar mjaftueshëm, madje në Shqipëri më shumë se tjetërkund duke qenë se është bërë tashmë, kokë e këmbë, pa kurrëfarë rezistence apo kontradikte të brendshme apo të jashtme, pjesë përbërëse e fytyrësisë (Visagéité – Guattari/Deleuze) së pushtetit.
Bile, kam dyshime që kjo foto e Kryeministrit pikërisht duke këqyrur këtë vepër më duket si një gudulisje/provokacija me të cilën mund të kënaqen artistët e tredhur të oborrit Kryeministror shqiptar e jo një artiste që ka një etikë pune apo edhe dinjitet minimal, qoftë edhe si subjekt i dobët (vetë Edi Rama ka një koleksion provokacija-sh të tilla me leaders të famshëm mbarëbotërorë … do i shohim kur të dalë në pension prej politikës, ndoshta të lidhura në një katalog me titullin Edi Rama II, edited by Anri Sala).
Për më shumë puna bëhet çoroditëse kur lexohen në përshkrimin shoqërues gabime trashanike fëminore si “meteorologët ende nuk kanë arritur t’i kapin retë në mënyrë shkencore [… e tërci e vërci …] e pamundur të fiksohen në kohë dhe hapësirë”. Unë kam dëgjuar diku apo lexuar në Wikipedia diçka për cloud seeding … ndoshta do ndihmonte!? Përndryshe një kërkim në Google mbi “Cognitive Cloude Seeding” të artistes Georgia Kotretsos dhe Tirana Art Lab mbi Renë e Fujimoto-s mund të hapë horizonte të pafundmë …
Akoma më çoroditës është analfabetizmi sintaksor: “Pjesa e dytë e titullit [Unë shoh një fytyrë. A sheh ti një fytyrë.] në fund ka një pikë dhe jo një pikëpyetje, prandaj është një pohim.”

Flaka 4Edhe në katin e sipërm ekspozita është, nga pikëpamja konceptuale, sipërfaqësore, madje më e dobët përsa i përket estetizimit të hapësirës. Ato që autorja quan krijesa antropomorfe, seria “A je ti Joe”, maksimumi mund të quhen zoomorfe. Megjithëse, tani që po shkruaj, kolazhet e Flakës me mermerët katërkëndësh më sjellin në mendje kokat e atyre shtatë a tetë shoqëruesve alla G. I. Joe të Kryeministrit Rama në ditën e hapjes së ekspozitës, të cilët si antropoidë që janë ngjajnë me krijesat e Flakës … apo G. I. Joe-të e Kryeministrit kategorizohen si specie të zoologjisë? Nejse mirë është të pyeten Burimet Njerëzore pranë Kryministrisë për këtë.

Në fund, sipas kuratores Leonie Radine, “[e] gjithë hapësira e ekspozitës ngjan si një shfaqje e inskenuar, ku potenciali i fshehur performativ i veprave vihet në jetë nga vetë imagjinata që nxit tek publiku”. Fjalia ka të bëjë shumë me teatrin, duke qenë se nënvizohet performativiteti dhe imagjinata. Por teatri ka edhe simboliken dhe realen, të cilat duan apo nuk duan regjisorët apo aktorët, kuratorja dhe artistja në këtë rast, publiku i percepton duke i bashkangjitur me performativitetin dhe imagjinaren e sugjeruar.
Përsa i përket Reales, duhet thënë se nga vetë fjalët e Flaka Halitit, ajo nuk ka dhe nuk dëshiron të ketë lidhje me Kosovën, qoftë kjo si qerthull territorial i Reales (A është simptomë?), qoftë si qerthull territorial i realitetit. Gjë kjo për t’u lëvduar për mendimin tim, sepse eleminon kufijtë shabllonë të nacionalizmit idiot që jemi mësur mes shqiptarësh të hershëm e të sotshëm. Por Flaka lë pa prekur e pa artikuluar (ose bën sikur nuk e di) edhe efektet e simbolikes, e statusit simbol, ku pushteti politik (dhe për politikë flet edhe kuratorja me gjithë Flakën, por pa u bërë pis me Realen dhe realitetin e shqiptarëve) ngre Flakën në statusin simbol të një artisteje me merita për të qenë e denjë t’i p;rshfaqet publikut me një ekspozitë personale në GKA. Në pak fjalë artistja e lë bosh hapësirën e simbolikes ku pushteti politik ka zërin vendimtar të dhënies së kuptimeve të veprave të Flakës.

Flaka dhe Mirela.jpgDhe duke qenë se, siç na mësojnë abetaret e psikes, në fillim hyn në funksion Realja, më pas Simbolikja e në fund Imagjinarja, mund të themi që performativiteti ynë si publik, duke ndjekur sugjerimet e Flakës, është ai i një publiku të shtëpiakëzuar … ADOMESTICATED për anglofilët apo shqipofobët. Por, për Flakën, kufijtë janë më pak kufij dhe ajo mund të lëvizë sa në Kosovë, Gjermani apo Austri. Për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës është paksa më ndryshe sepse nuk janë artistë të parë me sy të mirë nga klasa e re dominuese. Një klasë kjo globaliste, apolide, post-borgjeze që bazon gjithçka tek konsumi dhe përfitimi (edhe prej artit në këtë rast), ku gjithçka e gjithkush është mall i konsumueshëm, sipas hierarkisë apo kufijve, që siç kuptohet lehtësisht nuk janë më horizontalë, por vertikalë. Ja pra, këtë na sugjeron Flaka, performativitet dhe imagjinatë, perceptim të bukur dhe estetizant ngjyrash të kombinuara. Mos shihni simbolet; ka kush i krijon për ne ato. Mos shihni Realen, ajo është thjeshtë perceptim imagjinar. Diçka e re në Tiranën bashkëkohore, apo jo? Visagéité!

Një mendim mbi “Flaka Haliti, ne shohim të njëjtën fytyrësi. A sheh dhe ti të njëjtën fytyrësi? (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s