Sheshi Skënderbej dhe TID Tower të 51N4E. (Romeo Kodra)

51N4E … commissions abroad, although ‘abroad’ is Albania.[1]

Nëse puna e 51N4E në Tiranë është një shembull paradigmatik për të kuptuar marrëdhënien midis pushtetit politik dhe artit si prodhim i subjektiviteteve nëpërmjet gjenerimit të kuptimeve në hapësirë publike, Creating Space Where There Appears To Be None[2], titulli kontradiktor i një teksti dhe projekti midis artistëve Anri Sala dhe Edi Rama, mund të thuhet se është aksioma deshifruese e hapësirës së veprimit të artistëve të sipërcituar, ku injoranca apo injorimi i një hapësire paraekzistuese është parakusht i ekzistencës së punës së tyre[3].

Një nga punët e fundit i 51N4E, në bashkëpunim me artistin shqiptar Anri Sala, është ridizajnimi i Sheshit Skënderbej, që fitoi konkursin e shpallur në 2008 prej Kryebashkiakut të atëhershëm të Tiranës Edi Rama, sot Kryeministër i Shqipërisë. Duke qenë qendër e bulevardit monumental të Tiranës – konceptuar si një dispozitiv spektakolar dhe spekulativ i pushtetit politik[4] – ky shesh respekton përpikmërisht mentalitetin qeverisës të dispozitivit, duke rimarrë dhe shtyrë më tej spektakolaritetin dhe spekulimin e pushtetit politik në fuqi.

skanderbeg square

Sheshi “i ri” Skënderbej, si gjest ekspresiv “kreativ”[5], rimon ikonografikisht me vetë aksin e bulevardit dhe ikonologjikisht me ato që Kryeministri i vendit Edi Rama quan “big bold strokes”[6]. Kjo mund të shihet nga prezantimi që i bëjnë autorët gjenezës konceptuale të projektit, që konsiston në një “kind of abstract representation of Tirana”[7] (Një qese me lego gjenden në mes të një dhome. Një person, që nga jashtë vjen brenda, i merr dhe i zbraz qëllimisht në dysheme. I njëjti person, që këtë herë vepron nga lart poshtë në mes të formacionit të legove, që u hodhën qëllimisht, por që ndoshta duhet t’a supozojmë si të rastësishëm, “krijon” hapësirë me një dorë, fillimisht duke bërë gjestin e një prerjeje e më pas atë të fshirjes, duke shtyrë tutje legot prej qendrës së formacionit). Dhe natyrisht, kjo Tiranë e përshfaqur si abstrakte, por për mendimin tim not abstract enough[8], duket sikur acaron racionalitetin e çdo pushteti autoritar, i cili, me të njëjtën injorancë apo injorim të qëllimshëm të kontekstit, fshin – nëpërmjet ndërtimit të bulevardit megalomaniakal dje, apo sheshit për konsumatorë spektakli sot – një kulturë të tërë materiale dhe historike të parikuperueshme.

Kjo injorancë apo injorim dallohet edhe në faqen zyrtare online të 51N4E, në të cilën flitet për Scanderbeg Square si një vast ex-comunist space, apo opressive monumentality of Communist architecture[9], ku nuk merret vesh se çfarë nënkuptojnë autorët me këto shprehje dhe ku i bazojnë. Për dijeninë e artistëve të veprës duhet theksuar se sheshi ka shumë shtresëzime por asnjërin prej tyre komunist, jo vetëm sepse si term është i papërcaktuar dhe padokumentueshëm shkencërisht, por edhe për faktin e thjeshtë se në Shqipëri nuk ka patur asnjëherë një sistem të quajtur komunist dhe ndërtesat, që rrethojnë sheshin, janë të periudhës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (Pallati i Kulturës, Hotel Tirana International dhe Muzeu Historik Kombëtar), të periudhës gjatë pushtimit fashist (Banka e Shqipërisë e Vittorio Morpurgo-s e një stili racionalist italian), periudhës së qeverisë së Ahmet Zogut (Bashkia e Tiranës e Florestano di Fausto-s e një stili eklektik italian) apo edhe më përpara (ish-Parlamenti i parë Shqiptar, sot Teatri Kombëtar i Kukullave, i 1925 ndërtuar në një stili eklektik austriak dhe Xhamia e Et’hem Beut, shek. XVIII, e një stili osman klasik të vonë).

Gjithashtu Sheshi “i ri” Skënderbej i 51N4E dhe Anri Salës, për injorancë apo injorim, respekton tre pilastrat arketipal të racionalizimit vektorial hapësinor që mbart ‘dispozitivi bulevard’ i Tiranës: rreshtimin në linjën e bulevardit (ideologjinë e pushtetit), synimin drejt vertikalitetit (hierarkisë) dhe synimin drejt hermetizmit (ekskluzivitetit)[10]. Rreshtimi në linjën e bulevardit, duket nga dy prej brinjëve 170 metërshe të Sheshit, që e ndjekin paralelisht, dhe dy të tjera që e ndërpresin në mënyrë pingule, por që rikonfirmojnë rregullin duke formuar me dy të parat një katror perfekt. Ndërsa synimi drejt vertikalitetit dhe hermetizmit përftohet nga forma piramidale e Sheshit.

Në Tiranë, ndoshta edhe më shumë sesa në vende të tjera, forma piramidale e një sheshi, nga pikëpamja ikonografike dhe ikonologjike e kulturës së planifikimit urban, është dyfish aliene, duke qenë agora-ja, që nga Athina e Lashtë apo ndokund tjetër, nuk dihet të ketë qenë ndonjëherë e tillë, dhe në gjuhën shqipe fjala ‘shesh’, ndryshe nga anglishtja ‘square’ për shembull, nuk përcakton një katror, por një formë të sheshtë; horizontalitetin.

Gjithsesi, sikur kjo formë të ishte origjinuar nga anarkia e vërtetë[11] e artit të 51N4E dhe Anri Salës, si një puro différance derridiane, apo akt kreativ rezistence deleuziane, do të ishte mëse e pranueshme. Por, për fat të keq, kjo formë është origjinuar nga ajo që Pier Paolo Pasolini quante anarkia e pushtetit, e cila, me një strategji propedeutike mikro-politike, nga njëra anë stimulon pulsionet fashistoide të egos së qytetarëve dhe nga ana tjetër u ofron atyre, nëpërmjet spektaklit fiktiv të ngjitjes në majë të piramidës, valvulën e saj shfryrëse. Në fakt siç e pohojnë edhe në faqen e tyre online 51N4E “standing at its tip, the citizens find themselves at par with the authoritarian architecture of the past”. Pra, asgjë më shumë sesa monumentalizim i teatralizuar i egos së shqiptarit, ngritja e saj iluzore në rangun e ndërtesave arkitekturore.

Ky konformim i Sheshit Skënderbej të 51N4E dhe Anri Salës më sjell ndërmend, si një lloj ekfrasis, Përrallën e peshqve të kuq të Edi Ramës: “Raca e peshkut tё kuq ështё njё racё bastarde. Ideali i kёsaj race ёshtё shkёmbi i lartё i tё gjithpushtetshmit, por duke qenё njё racё pa kurrfarё personaliteti, tek peshku i kuq edhe njё gur i vogёl, edhe njё fare i vogёl, bile edhe njё uturak i rёnё nё fund tё detit, mjaft qё ta dallojё pak mbi bashkёnotuesit, ka njё efekt tё madh joshёs..”, KLOSI, Ardian dhe Edi RAMA, Refleksione, Corfu (Greqi): Botimet Albania, fq. 189.

Natyrisht nuk është për t’u lënë pasdore interesi spekulativ që fshihet pas këtij konceptit të koklavitur që inçentivon konsumatorët e hapësirës publike me ndërtimin e një parkingu të nëndheshëm, të cilin, çuditërisht, bashkëtheleuesi i 51N4E Johan Anrys dhe Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj[12] na e paraqesin si një mënyrë për të pakësuar trafikun gjithnjë e më të ngarkuar të qendrës së Tiranës. Po ashtu edhe fakti që zbatues i projektit, i aprovuar pa tender apo thirrje të hapur, ka qenë “Fusha” sh.p.k e bën çështjen e spekulimit edhe më të errët, nëse vihen re lidhjet e dyfishta familjare të zbatuesit me një trafikant ndërkombëtar droge dhe ish-prokurorin e përgjithshëm të Tiranës[13], që mbylli pa asnjë fajtor çështjen e vrasjes së adoleshentit Ardit Gjoklaj[14] në Landfillin e menaxhuar nga Bashkia e Tiranës, ku Kryebashkiaku Erjon Veliaj ishte direkt i implikuar.

Por nuk mbaron me kaq, i gjithë Sheshi piramidal monumentalizimin e egos e masivizon duke e promovuar në identitet përgjithsues kombëtar. Në fakt, gjatë kohës së ndërtimit e deri ditën e inaugurimit, vitin e kaluar, nga bannerat e Bashkisë së Tiranës, për injorancë apo injorim, në mënyrë sa idiote aq edhe shoviniste, duke u shkelur syrin ndjenjave nacionaliste, promovohej Sheshi i rrethuar me “bimësi dhe [themeluar mbi] gurë natyror nga trevat shqiptare, përfshirë këtu edhe nga Kosova dhe zona të tjera ku jetojnë shqiptarë”. Por me një inversion[15] 180 gradë, alla Anri Sala, për spektatorët dhe konsumatorët e huaj, si në faqen online të 51N4E[16], kjo ngarkesë e theksuar nacionalizmi sa shovinist aq edhe idiot – përkthehet dhe kodifikohet si preferencë “both for logistic and symbolic reasons, which led to the reactivation of local stone quarries and turned the project also on this level into a relevator of the richness of the Albanian context and a stimulation of its production capacity”.37789553_10214855107923470_2110744222872109056_n

Edhe në rastin e TID Tower, vepra e parë e 51N4E në Shqipëri, hasim të njëjtat dukuri që konfirmojnë lidhjet e pandashme me pushtetin politik duke ndjekur ligjet e ‘dispozitivit të bulevardit’ monumental të Tiranës.IMG_4191 1

E konstruktuar mbi një hapësirë publike që i kaloi privatit, kompleksi ndërtimor TID Tower (2004-2016) ishte pjesë e masterplanit të qendrës së Tiranës projektuar nga Architecture-Studio, të cilën Bashkia e Tiranës, me në krye Edi Ramën, zgjodhën si fituese në 2003 (ende i pazbatuar plotësisht)[17]. Autorët e masteplanit siç e kuptoi menjëherë Peter Swinnen “as they are from Paris, they made a very Haussmannian kind of reading of the city”[18]. Në pak fjalë një ripërsëritje figurative që qarkon nëpërmjet dy rreshtave me nga pesë kulla 85 metërshe secila, në shkallë më të madhe sheshin qëndror të bulevardit, i cili merrr një vertikalitet edhe më të theksuar. TID Tower, për të përmbushur, pas rreshtimit në linjën e bulevardit dhe vertikalitetit, edhe ligjin e tretë të ‘dispozitivit të bulevardit’, mori edhe formën e një monoliti gjysëm të mbyllur.architecture studio _ tirana

TID Tower zuri hapësirën e një ish-parku publik dhe Tyrbes së Kapllan Pashës, të lënë në degradim kriminal prej Bashkisë së kryeqytetit drejtuar nga Edi Rama. Gjatë fundit të viteve ’90 territori i parkut dhe Tyrbes së Kapllan Pashës i kaloi në pronësi Komunitetit Musliman Shqiptar , të cilit i ishte konfiskuar në 1967, si të gjitha pronat private në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ku ishte në funksion socializmi shtetëror. Për më tepër mbi privatizimin dhe lejen e ndërtimit të dhënë nga Kryetari i Bashkisë Edi Rama shih linkun.Tyrbje e Kapllan Pashes
Peter Swinnen, zëri i 51N4E në këtë rast, na informon, me dozën e zakonshme të injorancës dhe injorimit, se kulla u ndërtua në një “undefined site, but where actually is one thing on the site, which is the monument, the tumb, of Sulejman Pasha, the guy who started the city of Tirana”[19]. Edhe në këtë rast, për dijeninë e artistëve duhet specifikuar se monumenti është i Kapllan Pashës dhe jo i Sulejmanit. Për më tepër as Kapllani e as Sulejmani nuk janë asnjëri “the guy who started the city of Tirana”. Por kjo mund edhe t’i falet autorëve të 51N4E, sepse që nga koha e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës, në faqen online të kësaj të fundit lexohet që “Tirana filloi të formëzohet në 1614 nga Sulejman Pasha, i cili ndërtoi një xhami, një furrë dhe një hamam. Këto tre ndërtesa qenë fillesat e qytetit”[20], paçka se Tirana ka, sot e kësaj dite, të dukshme rrënoja të një kështjelle mesjetare (100 metra nga TID Tower) e apo vila të periudhës së vonë romake (brenda unazës së vogël të qytetit).

Pas kësaj aftësie për t’u sintonizuar me regjimin e dispozitivit të pushtetit, 51N4E, në 2014, iu komisionua vila e Kryeministrit Edi Rama në Surrel, afër Tiranës (link). Në të njëjtin vit 51N4E filloi konceptimin i një qendre të re arti, hapur në 2015 prej Kryeministrit Edi Rama në katin e parë të pallatit kryministror në bulevard, e cila sot e kësaj dite ende nuk ka një inkuadrim ligjor. Përtej titullit frymëzues, Center for Openness and Dialogue, akronimi COD nuk mund të mos cysë dyshimin e kontrollit nëpërmjet KODifikimit dhe filtrimit të artit prej pushtetit politik. Po në 2014, 51N4E u gjend në rolin e bashkëmenaxhueses sëbashku me IABR të Atelier Albania, një program konceptimi e menaxhimi konkursesh, thirrjesh të hapura, dhe vlerësimi projektesh mbi çdo zhvillim urban në Shqipëri, që, vetëm falë vullnetit tëKryeministrit Edi Rama, pra, pa asnjë konkurs apo thirrje të hapur, u mbështet nga qeveria shqiptare. Më pak se një vit më vonë “[t] he Flemish government has voted to dismiss official architect Peter Swinnen with immediate effect. […T]he audit made serious allegations against Swinnen. One of them is thought to be conflict of interest in commissioning a study into whether the working practices of the official architect’s office could be applied in Albania. Swinnen’s own practice, 51N4E, has strong ties to the Albanian government”[21].

[1] Shih prezantimin e bashkëthemeluesit të 51N4E Peter Swinnen, 6 shkurt 2006, In Comes the Space Producer (The architect dissected and declared dead), në YouTube Channel të Architectural Association School of Architecture min.: 48.50. https://www.youtube.com/watch?v=ddyhS-giX1M Link accessed on 27/07/2018.

[2] Link accessed on 30/07/2018. http://www.artnet.com/galleries/galerie-rudiger-schottle/anri-sala-edi-rama-creating-space/

[3] “Në fakt, duhen nënvizuar tre pika: gjurma, fshirja e gjurmës dhe përshenjimi i fshirjes. Është në këtë nivel që lind shenjuesi dhe shfaqet subjekti.” PETTIGREW, David and François RAFFOUL. 1996. Disseminating Lacan. Albany, NY.: State University of New York Press, fq.39.

[4] Bulevardi, siç na sugjeron etimologjia e tij, përveçse element i planifikimit urban, është gjithashtu një dispozitiv kontrolli i pushtetit politik. Historikisht ka kaluar në disa faza zhvillimesh estetike dhe antagonizmi politik, prej të cilave mund të kuptohet modeli governmental (mentalitet qeverisës) i kontekstit që i prodhoi. Nëse Ringstrasse në Vjenë është produkt i hapjes karshi borgjezisë së Absolutizmit të Iluminuar të Perandorit Franz Joseph (shih Renate Wagner-Rieger’s Die Wiener Ringstraße – Bild einer Epoche. Die Erweiterung der Inneren Stadt Wien unter Kaiser Franz Joseph), apo bulevardet parizienë produkt i racionalitetit të ri imperialist borgjez (shih David Harvey’s Paris, Capital of Modernity), bulevardi i Tiranës, rezultat i dëshirave imperialiste e koloniale të masave Mussoliniane, është një dispozitiv i impjantuar që nuk sjell me vete asnjë histori zhvillimi artistik apo antagonizmi politik, por vetëm përshfaqjen/representation ekskluzive të teatralitetin të tij monumental dhe spektakolar (shih Architectural monumentalism in transitional AlbaniaStudia ethnologica Croatica vol.29, No. 1, 2017). Kjo përshfaqje spektakolare, duke u impjantuar si arritje e modernitit dhe bërë levë në sensin e inferioriteti të “indigjenëve”, fshehu interesat spekulative të fashizmit italian, i cili arriti deri në pushtimin e Shqipërisë në 1939.

[5] Thonjëzat janë të detyrueshme, duke qenë se akti kreativ, siç e ka përcaktuar Gilles Deleuze, është një akt rezistence, i cili nuk duket gjëkundi në punët e 51N4E realizuar në Tiranë.

[6] Shih min. 10.15 në video prezantimin në Creative Time në Stockholm. Link accessed on 30/07/2018. https://www.youtube.com/watch?v=2sbs0pf0OXs

[7] Shih prezantimin e Freek Persyn, bashkëthemelues i 51N4E, në Architectural Association School of Architecture, min. 20.50, link accessed on 29/07/2018 https://www.youtube.com/watch?v=_YYZ5sQTCIA&t=1288s

[8] DELEUZE, Gilles dhe Félix GUATTARI. 1987. A Thousand Plateaus. Capitalism and Schizophrenia. Minneapolis, Minn.: University of Minnesota Press, fq. 156.

[9] Link accessed on 29/07/2018, https://www.51n4e.com/project/skanderbeg-square-0#

[10] KODRA, Romeo. 2017. Architectural monumentalism in transitional Albania in Studia ethnologica Croatica vol.29, No. 1, 2017.

[11] AGAMBEN, Giorgio. 2017. Creazione e anarchia. L’opera nell’età della religione capitalistica, Neri Pozza, fq.132.

[12] Link accessed on 30/07/2018. https://vimeo.com/277443424

[13] Link accessed on 30/07/2018. http://www.panorama.com.al/salianji-nxjerr-te-dhenat-pronari-i-fusha-shpk-kusheri-i-trafikantit-te-droges-lidhjet-me-ish-kryeprokurorin-e-tiranes/

[14] Link accessed on 30/07/2018. https://exit.al/en/2018/05/21/investigation-into-ardit-gjoklajs-death-not-sufficient/

[15] Inversion është teksti hyrës që Anri Sala paraqet për Creating Space Where There Appears To Be None, ku artisti Sala na jep interpretimin e duhur për artistin Edi Rama. Teksti ka qenë i aksesueeshëm, deri në nëntor 2016, në http://www.edirama.al/files/books/Creating_Space_Where_There_Appears_To_Be_ Por, prej asaj data, lundruesit e internetit që kërkojnë akses në këtë faqe devijohen drejt faqes zyrtare të facebook-ut të Kryeministrit shqiptar.

[16] Link accessed on 30/07/2018. https://www.51n4e.com/project/skanderbeg-square-0#

[17] Link accessed on 30/07/2018. http://www.architecture-studio.fr/en/projects/tir2/urban_design_of_tirana_city_centre.html

[18] Shih prezantimin e Peter Swinnen, In Comes the Space Producer (The architect dissected and declared dead), në YouTube Channel të Architectural Association School of Architecture min.: 52.30. https://www.youtube.com/watch?v=ddyhS-giX1M Link accessed on 27/07/2018.

[19] Idem. min.: 55.00.

[20] Link accessed on 30/07/2018. http://www.tirana.al/tirana-info/historiku-i-tiranes/

[21] Link accessed on 30/07/2018. http://www.flanderstoday.eu/current-affairs/official-architect-peter-swinnen-dismissed-immediate-effect

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s