Fshirja e ‘Sheshit’ dhe ‘Teatrit’ midis artit, kulturës dhe spektaklit. (Romeo Kodra)

Me datë 8 korrik 2018 emisioni Exclusive i kanalit televiziv Top-Channel, transmetoi  Betejat e Sheshit Skënderbej. Ç’ka më bëri më shumë përshtypje, përtej interpretimeve analfabetike dhe analfabetizuese të të intervistuarve dhe intervistuesve, ishte montazhi i shkëmbimeve të mendimeve midis Sali Berishës dhe Edi Ramës përreth qendrës së rinovuar të qytetit, vepër e 51N4E dhe Anri Salës.

 

S.B. – “Kryetari i ardhshëm i Bashkisë t’ja u ngrejë patkojtë, se këto pllaka ngjasin aty si patkojtë e Edi Ramës, dhe t’i japë sheshit një karakter njerëzor, të domosdoshëm”.
E.R. – “Nuk kanë për ta prishur dot asnjëherë, sepse ai është shesh i popullit të Tiranës. Populli i Tiranës e do atë shesh dhe askujt nuk do t’i shkojë mendja se do t’i hyjë asaj beteje me popullin e Tiranës, sepse do të ishte e humbur që në sekondën e parë”.
S.B. – “[Sheshi] do zgjasë jo më shumë se se sa të largojnë qytetarët Lal Plehun (Erjon Veliajn) nga Bashkia dhe Edi Ramën nga qeveria”. (Pyetjes nëse mendon se në të ardhmen, prapë ai shesh do të ndryshojë) Absolutisht me shpejtësinë më të madhe.
E.R. – “Sheshi nuk ka asnjë shans që të ndryshojë më, sepse siç ndodh me të gjitha këto vepra që janë të goditura në shenjë, vit pas viti i paqtojnë të gjithë shpirtrat e trazuar dhe një ditë të bukur askush nuk do ta pranojë që ka qenë kundër sheshit. Kështu që sheshi nuk ka asnjë shans që të preket më”.

Fotografia e Romeo KodraGjithçka ky dialog i montuar tregon është injoranca e folësve mbi historinë e sheshit. Atë histori që sheh ndërtimin e sheshit, nëpërmjet investimeve italiane, vetëm si apoteozë të spektaklit të pushtetit. Njësoj siç e shihte dhe konceptonte kryministri i atëhershëm Ahmet Zogu, mbret i ardhshëm i shqiptarëve. Pra është tregues i injorancës së të parit të spektaklit pa ditur të dallojnë elementin artistik, kulturor, social, e fetar – në pak fjalë kulturën materiale – që ai shesh fshiu në mënyrë të parikuperueshme. Dhe si rrjedhojë, ky dialog i montuar, tregon edhe rëndësinë që mentaliteti qeverisës i këtyre dy pushtetarëve i jep kuptimit të fshirjes së gjurmës dhe evidentimit të fshirjes së gjurmës, por pa u interesuar mbi atë ç’ka fshihet. Pra gjithçka del në pah është ekskluzivisht shpirti i antagonizmit të tyre spektakolar.

Por, Edi Rama dhe Sali Berisha, pavarësisht dilaketikës antagoniste, në thelb kanë një të përbashkët, mbi të cilën bien dakort. Gjithë sa thonë e kanë të mbështetur jo tek vullneti politik dhe artistik i tyre, tek vizioni i tyre mbi botën dhe vetvetes në këtë botë, por të mbështetur pas vullnetit të popullit (Edi Rama) apo votës së qytetarit (Sali Berisha). Sepse spektakli, e vetmja gjë që kuptojnë duke e marrë për art dhe kulturë, është çështje sasie dhe jo cilësie, sepse spektakli i flet turmave dhe jo njeriut, për të cilin të dy nuk janë të interesuar.

File:Nietzsche Olde 08.JPGNë art fshirja, si akt i dhunshëm dhe mospërfillës përkundrejt historisë së shkuar, të ardhme apo kontekstit aktual, pranohet. Pranohet filozofikisht dhe në vetvete. Që nga Friederich Nietzsche  e deri tek Vincent van Gogh. Shembujt në këtë drejtim janë të panumërt. “Unë jam të gjithë emrat e historisë” thotë çmenduria e qartë e Nietzsche-s; duke dalë pra përtej çdo diference iluzore të përfaqësimit dhe përfaqësuesve: të popullit, qytetarëve, njerëzve (Sali Berisha, Edi Rama, Enveri, Mussolini, Napoleoni, Neroni dreqi apo shejtani); duke i dhënë fund një herë e mirë përfaqësimit dhe përshfaqjes.

Vincent van Gogh, "Wheat Field with Rising Sun (Campo di grano al sorgere del sole)", 1889, Collezione privata

Vincent van Gogh
Wheat Field with Rising Sun
(Campo di grano al sorgere del sole)
Saint-Rémy, 1889

Këtë bën edhe van Gogh-u duke përtypur tubetat e ngjyrave me të cilat pikturonte, njësoj sikur të ishte duke përpirë e u përpirë në univers, nëpërmjet rrezeve të atij dielli që, pas tablove të tij, nuk do të ishte më i njëjtë edhe për ne. Në art pra, ndryshe nga fshirja – me të cilën nuk mund të mos për+fshihesh, hic et nunc, këtu dhe tani -, nuk pranohet përfaqësimi, interesi pas fshirjes, thirrja e trumave pas vetes.

Fshirja, përveçse në art, pranohet edhe në kulturë. Në fund të fundit kultura nuk do të quhej kulturë nëse nuk do të bënte këtë. Athinasit e lashtë, për të mbetur brenda kufijve dhe kufizimeve tona si “perëndimorë”, nëpërmjet teatrit ditën të kultivonin këtë lloj fshirjeje artistike. Por këtu duhet patur kujdes: kultivimi i fshirjes nuk do të thotë të fshishë, por të tolerosh çmendurinë e fshirjes së painteresuar artistike dhe prej saj të marrësh forcë, duke e trupëzuar pa e tjetërsuar; pra duke e integruar (intangere, pa e prekur, paprekshmëria reciproke është etimologjia e integrimit), duke e bërë pjesë të shoqërisë, duke e/u për+fshirë.

Do të kishte qenë shumë e lehtë për Eskilin, ushtarë dhe fitimtarë në luftën e athinasve kundër persianëve, të bënte një vepër ku të monumentalizohej fitorja e grekëve si popull superiorë siç mund të bënte Edi Rama, Anri Sala dhe 51N4E. Por, jo! Persianet e Eskilit, mallëngjyen publikun athinas, duke fituar Dioniziet e Mëdha, duke hyrë në historinë “tonë perëndimore” e duke na treguar rrjedhën e saj. [Persianet, si tragjedia e parë e dokumentuar, merr shkas nga historia dhe jo nga mitologjia]. E njëjta gjë mund të thuhet për Antigonën e Sofokliut, ku, ndryshe nga sa ç’mund të mendojë Sali Berisha, ligjet, themelet e shenjta të demokracisë greke, viheshin në diskutim, duke qenë se nuk mund të ishin të shenjta kur dhunonin një grua dhe të drejtën e saj për të varrosur të vëllanë, qoftë ky edhe një tradhëtarë që duke thyer ligjin më të shenjtë kishte zhveshur shpatën për të luftuar qytetin e tij, Tebën.

Por le të futemi më thellë në të tashmen, mes halleve tona bashkëkohore.

aurel_plasariNjë nga shkrimet më të përshtatshëm që kam lexuar, për mbrojtjen e Teatrit prej ruspave të “Rilindjes” së Edi Ramës, është ai i Aurel Plasarit i 2 korrikut 2018 (link), ku renditeshin evenimente të ndryshme, me shumë informacion të mirëartikuluar, të lidhura direkt me ndërtesën e ish-Circolo Italo-Albanese. Por, si për t’më përplasur në fytyrë, edhe një herë më shumë, faktin që në Shqipëri nuk ka njerëz që të duan artin dhe kulturën, duke e perceptuar dhe konceptuar si në sensin e parashtruar më sipër, Plasari nxjerr një tjetër shkrim (në Facebook) të titulluar “Kontratë Proteatër të Forcave Opozitare” (link).

Për mendimin tim, Aurel Plasari, një intelektual dhe njeri i kulturës, në këtë shkrim nuk ka asnjë ndryshim prej Edi Ramës apo Sali Berishës. Dhe kam përshtypjen se, me ose pa vetëdije, prej antagonizmit politik të këtij të fundit, në lidhje me prishjen e sheshit, duket se është frymëzuar për asgjesimin e ndërtesave që rrezikojnë të ndërtohen mbi rrënojat e Teatrit.

Thelbi i shkrimit të tij është – edhe një herë – fshirja, asgjesimi, në gjuhën e Plasarit: “çdo ndërtim i kryer mbi të [Teatrin Kombëtar], në përfitim prej ligjit të dëftuar si antikushtetues, do të ndëshkohet duke u asgjesuar”. Edhe një herë retorika është ajo e mbështetjes në ligj, ligjin e demokracisë, ligjin e shumicës, e shumicës së popullit të Edi Ramës apo shumicës së qytetarëve të Sali Berishës.

Dhe shkrimi nga fejsbuku i Plasarit mori dhenë, duke u bërë lajm kombëtar. Arriti deri në atë pikë sa frymëzoi edhe Lulëzim Bashën që të kërcënonte pronarin e “Fusha” sh.p.k. dhe çdo sipërmarrësi tjetër apo banke që do të përfshej në aferën e Teatri Kombëtar: “nëse guxoni t’i vini minat Teatrit Kombëtar, të jeni të sigurtë që minat do ia vëmë edhe kullave tuaja. Me ligj.” Pas Bashës ndërhyri edhe Fatos Lubonja: “Propozimi i Bashës duhet të institucionalizohet”. Maks Velo nga ana tjetër: “Po u hodh ky [Teatri] në erë, do të hidhen edhe kullat e Fushës, me ligjin antimafia”.

Pyetja është, Antigona e Sofokliut ka nevojë për ligjin? Persianet e Eskilit kanë nevojë për popullin? Pastaj mund të pyetet intelektuali shqiptar, artisti, njeriu i kulturës në përgjithësi: kur do të fillojmë të kuptojmë që arti nuk kultivohet vetëm kur është një bythëlëpirje për popullin apo për ligjin (Lubonja dhe Velo duhet ta dinë më mirë se kushdo se për çfarë po flas), kur do i jepet fund idealizimit dhe pozitivitetit në të konceptuarit, bërit dhe parit art?

Greek_TheaterVetëm përgjigjia e këtyre pyetjeve i jep mbrojtjes së Teatrit themelet/θυμέλη, atë pjesë ku i sakrifikohej gjëkafsha Dionizit, qendër e ndërtesës dhe artit teatror grek, pika ku bashkohej publiku dhe e përtejshmja, e pakuptueshmja, e paligjshmja, çmenduria e pastër dhe vërtetë. Në pak fjalë skizofrenia pa phrḗn, domethënë pa “mend” ose pa frena, për të mbajtur lojën e fjalëve në shqip; një skizo/ndarje/prerje apo fshirje e pastër dhe radikale e mendjes dhe logjikës e ligjeve të saj të supozuara normale.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s