Teatër: një e ardhme e mundshme. (Romeo Kodra)

Këto ditë, kur në Tiranë po i vihet ruspa Teatrit Kombëtar, në Bergamo, ku aktualisht po jetoj, Teatro Tascabile di Bergamo, njohur ndryshe si TTB, me të cilin kam të lidhur një pjesë të mirë të jetës sime dhe formimit tim intelektual, nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar me Bashkinë e qytetit dhe me mbështetjen e institucioneve dhe sponsorave publikë e privatë, do të vlerësojë kulturalisht kompleksin e ish-manastirit të karmelitanëve, il Carmine.

Fotografia e TTB Teatro tascabile di Bergamo

Është interesante kjo histori për lexuesin dhe publikun shqiptar, sepse pak herë, dhe asnjëherë mjaftueshëm, evidentohet dyshtësia e Teatrit, si ndërtesë arkitekturore dhe si art performativ. Kjo dyshtësi vjen që prej zanafillës së tij institucionale, e cila përkon edhe me institucionalizimin e demokracisë përfaqësuese, bazë e formësimit politik qeverisës të Athinës së Lashtë. Vetë dëshira e pushtetit të sotëm politik shqiptar, pra ai i Rilindjes së Edi Ramës, Erjon Veliajt dhe Mirela Kumbaros, duke reduktuar dhe sakrifikuar territorin e TK për përfitimin nëpërmjet abuzivizmit ndërtimor të privatit (FUSHA sh.p.k.), me ligje të përshpjetuara antikushtetuese ad hoc, është tregues i rrjedhës autoritare që ka marrë demokracia përfaqësuese shqiptare.

Po le të kthehemi te TTB dhe il Carmine. Historia e tyre e përbashkët fillon në 1996, kur TTB kishte, pak a shumë, 23 vite jetë dhe il Carmine, prej pak a shumë 20 vitesh, ishte i braktisur në mëshirë të fatit. Që prej 20 e ca vitesh Bashkia (administratat e ndryshme bashkiake të majta, të djathta e të qendrës) i kanë akorduar TTB-së lënien në përdorim (banim) të një pjese të kompleksit të ish-manastirit. Sot TTB po shndërron përfundimisht në hapësirë teatrore dhe kulturore ish-manastirin e braktisur. Praktikisht, nëpërmjet një patrneriteti special publik-privat, i parë i këtij lloji në historinë e shtetit italian, një hapësirë e braktisur po merr identitetin e një grupi teatror dhe, nëpërmjet tij, po rivlerëson identitetin dhe kujtesën e saj historike. Kjo eksperiencë u mor para pak kohësh si shembull i mirë për t’u ndjekur nga Shoqata e Bashkive Italiane (ANCI), në kuadër të formimit të administratorëve të rinj.

Fotografia e TTB Teatro tascabile di Bergamo

Për ‘publik’, në këtë partneritet special publik-privat, nënkuptohet Bashkia e Bergamos, që ka dhjetra salla teatrosh dhe kinemashë në territorin e vet, dhe për ‘privat’ TTB, një grup teatri kërkimor që në bagazhin e vet mbi 40-vjeçar ka teatrin e rrugës (trampoli, akrobacitë), teatrin e sallës (komedinë e artit, mjeshtrinë e aktorit klasik), teatrin indian (Orissi, Bharata Natyam dhe Katakhali), gjinitë e ndryshme të kërcimeve folklorike (flamenko, tango), etj.

Të shtunën e kaluar në spektaklin itinerant I fuochi d’artificio (nënkuptuar si spektakolaritet i fishekzjarreve dhe zjarrit artificial që çliron pasioni i aktorit), brenda ish-manastirit, spektatorët shijuan hapësirën e rigjallëruar prej artit të grupit teatror.

Sa më sipër, është për të thënë që trashëgimia kulturore nuk është e llogaritshme vetëm me gurë, tulla e llaç, por edhe me diçka më pak të prekshme, por po aq të efektshme: me pasurinë jo-materiale, për ata që pëlqejnë burokratikishten, apo shpirtërore, për ata që ndihen romantikë-idealistë. Dhe, si njëra dhe tjetra, janë vlera që duhen tejçuar në kohë për brezat e ardhshëm.

Ndodh, siç ndodhi në rastin e TTB dhe il Carmine, që tullave, gurëve dhe llaçit t’u bjerë vlera deri në zbrazje tërësore dhe, ndodh, që vlerën tua nxjerrë sërish investimi shpirtëror i njerëzve që i banojnë. Kjo histori fatlume nuk ndodh gjithmonë, por ndodh. Çka nuk ndodh asnjëherë është e kundërta; pra, nuk ndodh që tullat, gurët dhe llaçi të shndërrojnë në vlerë shpirtërore zbrazëtinë e tyre njerëzore.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s