Përfaqësuesit në përshfaqje … ose komente mbi dëgjesën teatrore të Erjon Veliajt për shembjen e Teatrit Kombëtar. (Romeo Kodra)

Ky shkrim ka për qëllim të specifikojë disa argumente që bëhen sikur u kuptuan ose të tjerë që bëhen sikur nuk u kuptuan, por, gjithsesi, mbi të cilat “u ra dakort” pas “dëgjesës” së organizuar prej Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj Erjon Veliaj rreth çështjes së shembjes së Teatrit Kombëtar dhe faljen e truallit kompanisë ndërtuese private FUSHA sh.p.k., që në këmbim, thuhet, do të na “dhurojë teatrin e ri bashkëkohor”. Dëgjesën e plotë, duke mos qenë fizikisht i pranishëm, e ndoqa pas publikimit të saj në faqen YouTube të Gazetës Shqiptare.

Pikësëpari dua të lajmëroj lexuesin e këtij shkrimi që videoja zgjat më shumë se 3 orë e gjysëm, kështu që komentet e mija do të jenë vetëm për disa pika dhe ndërhyrje të të pranishmëve. Së dyti dua gjithashtu, përpara se të filloj komentet mbi përmbajtjen, të evidentoj meritën e publikimit por edhe maskarallikun e Gazetës Shqiptare dhe titullit të zgjedhur qëllimisht për të diskretituar ata aktorë, intelektualë e qytetarë që duan ruajtjen e TK si pasuri artistiko-kulturore. Me këtë titull – ku merret si e vërtetë gënjeshtra e Erjon Veliajt se Neritan Liçaj merr urdhra nga “Partia” (PD) për të bërë sherr e për t’u larguar, duke prishur mbledhjen – GSH nuk gjen një titull mbi thelbin e dëgjesës që solli tjetërsimin e truallit të TK, tjetërsimin e kompetencës ligjore nga Ministria e Kulturës te Bashkia Tiranë, si dhe vjedhjen me ligj (tashmë) të pronës publike për të justifikuar interesin e privatit FUSHA sh.p.k., por shpall haptazi funksionin e saj si medium, megafonmbajtës, i propagandës së pushtetit politik-mafioz-qeverisës shqiptar. Së treti dua të njoftoj ata që duan të vazhdojnë leximin që ky shkrim që në titull ka për qëllim të mbajë hapur problematizimin e njëkohësishëm të kritikës së artit, teorisë së artit, angazhimit për çështje sociale, qytetare si dhe ato politike që prekin përditshmërinë dhe bashkëkohësinë tonë: p.sh. lexuesi duhet të dijë, dhe e marr si të mirëqënë, që përfaqësimi (representation në angl., rappresentazione në itl., représentation në frengj.,) dhe përshfaqja janë dy fjalë shqip të të njëjtit term, por që në shqip i pari përdoret zakonisht në politikë (por edhe gjetkë) dhe i dyti vetëm në Teatër apo arte pamore, përdorur si shpërfaqje (që për mua nuk ka asnjë lloj kuptimi) dhe, mbi të gjitha, pa u problematizuar nga ana gjuhësore, qoftë filozofikisht, poetikisht, artistikisht, etj., ku shpesh ngatërrohet me shfaqje, që për mua do të ishte e përdorshme vetëm në raste ekstreme si ato të konferencave të fundit të Antonin Artaud-së, pikturave të van Gogh-ut apo Francis Bacon-it, ndonjë pjese të Meyerhold-it apo, edhe më afër, Carmelo Bene-s.

Që në fillim, siç edhe është e pritshme prej Erjon Veliajt, një figurë paradigmatike e politikës përfaqësuese shqiptare – ku ekziston vetëm e djathta konservatore dhe neo-liberale, që i shohim në format mafioze, klanore, thuajse proto-kapitaliste, me siglën PD, LSI dhe PS -, çështja e trashëgimisë artistiko-kulturore kombëtare e Teatrit futet në kanalet e parcelizimit (tipar klasik i kapitalizmit) të ekspertizës: “kush ka ekspertizë artin dhe teatrin, t’na flasi për të; ama kush ka ekspertizë inxhenjerinë, konstruksionin, arkitekturën, mbrojtjen kundër zjarrit apo qëndrushmërinë e ndërtesave tua respektojmë secilit pikëpamjen e vet”. Pra, në pak fjalë, shkëputet çështja e trashëgimisë artistiko-kulturore kombëtare, e cila i kalon caqet e objektivitetit dhe subjektivitetit, duke përfshirë atë që quajmë pasuri materiale dhe jo-materiale apo pasuri shpirtërore të shqiptarëve (“dua që këtu të tregoheni materialist, të mendoni për veten” – u thotë Erjon Veliaj teatrantëve të pranishëm).

Kryebashkiaku bën edhe një analogji, në formë pyetjeje retorike, midis Stadiumit dhe Teatrit – “sikur të kishte një UEFA”, e cila i paska kërkuar Shqipërisë një stadium të ri (pra, vetëkuptohet që ka kërkuar prishjen e të vjetrit apo jo?) “do e çertifikonte Teatrin Kombëtar për ndeshje ndërkombëtare, ku të luanin Teatri i Londrës apo Moskës?” – duke injoruar faktin që teatri bëhet kudo: në amfiteatër, në teatër italian, në rrugë, në pyllë, në burg, në manastire apo fabrika të braktisura … madje edhe online. Ndoshta megalomania e Erjon Veliajt, si ajo e Edi Ramës, ka parasysh Broadway-in, “ku nuk ka asgjë të keqe sikur teatrot të ishin”, siç janë, “nën kullë”.

1.Përveç këtij parcelizimi Erjon Veliaj ka për qëllim edhe një tjetër, të mëtejshëm, “ndarjen e ndërtesës nga institucioni” si “ndarja më e rëndësishme”. Në terma marksian, një hap më pranë alienimit të punëtorit/aktorit prej vendit të punës, Teatrit si ndërtesë, i cili paraprin alienimin e punëtorit/aktorit prej mejtit/medium-it, teatrit si art i institucionalizuar. Por kjo ndarje është edhe për një interes tjetër, atë të coptimit të kompleksit teatror (TK veç, kapanoni i butaforisë veç, TKEKS veç, sheshi veç, parkingu veç, pishina veç, etj.), menduar si i tillë që në gjenezë, pra si Circolo Italo-Albanese “Scanderbeg”, siç shihet në kontratën e shoqërisë ndërtimore milaneze PATER, firmosur nga ministri i jashtëm italian i asokohe Galeazzo Ciano në 1938. Për t’i dhënë idenë lexuesit se ç’tjetërsim i është bërë këtij kompleksi teatror, mjafton të kujtoj që, në të njëjtën kontratë, përveç teatrit dhe butaforisë, parkingut dhe pishinës, flitet për një bibliotekë, për një bar-restorant, për një palestër, për dy fusha tenisi të hapura dhe një tjetër të mbyllur. Mund të imagjinoni sesa inteligjent i duket vetja Erjon Veliajt përpara audiencës injorante, që nuk pipëtin në sallë, kur thotë që Teatri i ri i Bjarke Ingels-it, si multifunksional, do të mund të përdoret edhe për dhënie ambjentesh me qira, p.sh. Ambasadës Amerikane apo ku di unë kujt tjetër, a thua se po shpik ujin e ngrohtë duke përmendur gjëra që dihen prej 80 vjetësh e madje me cilësi edhe më të lartë.

Për të përgatitur edhe më mirë terrenin Kryebashkiaku nuk lë bosh fushën e populizmit dhe, për t’u dukur politikisht korrekt për trutharët e pranishëm në dëgjesë, deklaron se “çështja e Teatrit Kombëtar u përket edhe artistëve nga Kosova e maqedonia”, por që, natyrisht, do të parcelizohen sipas kodifikimit të gjuhës së pushtetit politik përfaqësues, pra, sipas dëshirës së tij: nëse janë pro shembjes, do të merren si turmë, shumicë që, duke i bërë jehonë zërit të pushtetit, do të ushtojë derisa të trullosë të madh e të vogël; ose, nëse janë kundër, do të skadojnë në të pakualifikuar për të qëndruar në shkallët më të larta të të parcelizuarve.

Pas propagandës së moderatorit që kujtoi sukseset e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” (përfundimisht i tjetërsuar prej bllokut të arkitekturës racionaliste italiane të Sheshit “nënë Tereza”, me të cilin formonte “il fascio littorio”) dhe “këndit të lojrave” te “Parku i Liqenit” (pas të cilit Tiranës i është zgjeruar gjurma e betonit dhe asfaltit dhe jo ajo e gjelbërimit, që përbënte edhe shkakun e protestave, që ishin për më shumë kënde lojrash, por nëpër lagje), fjalën e mori Artan Imami, i cili lexoi një deklaratë pro shembjes së Teatrit dhe ftoi të pranishmit apo këdo tjetër për ta firmosur (bëhet fjalë për deklaratën e firmosur prej 65 artistëve të famshëm, të cilëve u përulej Mirela Kumbaro, por që menjëherë doli e falsifikuar, duke qenë se prej fjalëve të Pavlina Manit, bashkëshortja e Pirro Manit, u mor vesh se regjisori i moshuar nuk ishte eksituar edhe aq e nuk i kishte bërë ndonjë efekt përulja e Ministres së Kulturës).

Skandali me firmat, a duhet të kërkojë ndjesë Mirela Kumbaro?

Pas Artan Imamit, fjalën e mori Neritan Liçaj, i cili lexoi deklaratën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, ku kërkohej që “të tërhiqej projekt-ligji, të mos cënohej as trualli e as ndërtesa e Teatrit” e të bëhej “një godinë e re për teatër bashkëkohor, në një vend tjetër publik dhe me para publike“. Pasi lexoi deklaratën, siç ishte rënë dakort me protestuesit që janë kundër shembjes së Teatrit, Liçaj braktisin sallën. Përtej propagandës dhe agjenturës së Kryebashkiakut, shkaku i braktisjes së sallës, “pa bërë sherr e pa prishur qetësinë e të pranishmëve“, ishte pikësëpari rrjedhojë e paligjshmërisë së thirrjes së dëgjesës prej Bashkisë dhe jo Ministrisë së Kulturës, e cila ka nën kompetencë institucionin e Teatrit. Kjo bënte të merrej si e mirëqenë kalimi i kompetencave dhe tjetërsimin e truallit nga një institucion në tjetrin, dhe më pas t’i falej privatit, pa pyetur të interesuarit e drejtpërdrejtë (aktorët dhe punëtorët e Teatrit, grupet e interesit dhe publikun e gjerë). Së dyti ishte edhe organizimi i kësaj dëgjese në formë përshfaqjeje teatrore – sa për sy e faqe, me figurina dhe personazhe të paracaktuara nga AUTORI – ku ishte propozuar paraprakisht projekt-ligji/kontratë e më pas ishte thirrur, pas protestave, dëgjesa gjoja për negociuar me privatin FUSHA sh.p.k. dhe për të diskutuar më tej me arkitektin.

Pas gjithë këtyre shkeljeve të Qeverisë dhe Bashkisë dhe kësaj talljeje teatrore në formë dëgjese aktori Artan Imami u ndje “i fyer” nga dalja e Neritan Liçajt, që nuk pranoi të ishte pjesë e përshfaqjes së përfaqësuesve të Teatrit dhe pushtetit politik.

Image result for agron hysenlliuMë pas fjalën e merr Agron Hysenlliu, drejtori i Institutit të Ndërtimit, që, si inxhenjer, flet, çuditërisht, sikur të ishte ekspert për arkitekturë (?) – a thua se ia ka idenë apo ka parë ndonjëherë në jetën e tij sesi ndërtohet një teatër i çfarëdolloj tipologjie – , duke i bërë jehonë propagandës të pushtetit për parikuperueshmërinë e Teatrit. Ky person që për injorancë apo dashakeqësi është shndërruar në fytyrën perfekte të strategjisë së terrorit qeveritar, thotë se sipas kontrollit të bërë pesë muaj më parë “ai Teatër nuk duhet të ekzistojë”, sepse “aktorët aty rrezikojnë jetën”. Hysenlliu nuk jep asnjë parametër mbi të cilët bazohet e më pas është llogaritur ekspertiza dhe kontrolli i tij për të cilësuar Teatrin si të parikuperueshëm nga pikëpamja inxhenjerike. Sikur të kishim një Prokurori në Shqipëri do të ishin në gjykim për vepër penale Agron Hysenlliu për përhapje të pajustifikuar paniku në publiku, ose Hervin Çuli për vënie në rrezik të jetës së publikut (gjithsesi, për këto raste hapet padi edhe a posteriori, kështu që nëse nuk e gjen kohën ndokush, do ta kem parasysh vetë këtë çështje).

Pas kësaj ndërhyrjeje terrorizuese Erjon Veliaj nxjerr nga goja si pa dashje që “Bashkia do të kontribuojë duke falur 30%-shin e pjesës (së tokës) së saj” për një teatër të ri bashkëkohor (d.m.th. tjetërsimi është i kryer) dhe nëse aktorët duan, “për ideal të Partisë, një teatër spartan”, atëherë le ta thonë hapur. Më kujtohet, pas këtij termi “spartan” që nuk i përket thesit të Veliajt, një citim i ditarit të Edi Ramës, kthyer në një libër prej Anri Salës, me titull “Edi Rama”, ku shihej “Për një teatër të varfër” të Jerzy Grotowski-t.

Fjalën e mori edhe Josif Papagjoni që nga lartësia e njohurisë së tij si “punonjës, Profesor, Doktor dhe Drejtor në Institutin për Studime Albanologjike” tha që duhej ndarë “godina nga memoria”, sepse nuk krahasohet me Globus-in e Shakespeare-it, pavarësisht se të tjerët i paskëshin thënë Papagjonit, se “kjo është memoria jonë, ç’t’i bëjmë tani neve”, të cilëve Josifi u përgjigjet me një pyetje “vërtetë përfaqëson kjo arkitekturë qytetin e sotëm modern që duam të ndërtojmë?”. Pyetja që i duhet bërë Papagjonit është: a është arkitektura, pra godina e TK, një dokument historik që ka kushtëzuar, pra u ka dhënë formë punonjësve shqiptarë të aktrimit, regjisë, skenografisë, teknikës së ndriçimit dhe zërit; shkurt, nëse prishet kjo godinë dhe zhduket kjo memorie dokumentare, a do të mund të lexojnë brezat e ardhshëm, për formimin e të cilit Papagjoni paguhet me para publike sot e kësaj dite, historinë tonë të aktrimit, regjisë, skenografisë, teknikës së ndriçimit dhe zërit? Shpresoj që kur t’i japë përgjigje vetes të shihet në pasqyrë dhe të kuptojë nëse i ka mbetur cipë në fytyrë.

“Aty vjen era myk” dhe “bëji 1000 rikonstruksione, ajo nuk bëhet, është e kalbur” tha Papagjoni, duke nxjerrë në pah ekspertin e mykut brenda vetes. Dhe për ta mbyllur me nder pjesëmarrjen në përshfaqjen e përfaqësuesve, kritiku i teatrit Josif Papagjoni, që në halenë ku jetojmë ka gjetur parajsën, duke qenë Profesor, Doktor e Drejtor në Institutin e Studimeve të Albanologjisë, hedh perlën e fundit: “[u]në kam qenë për një godinë neoklasike të stilit barok, që të shkonte me ministritë”. Pas kësaj perle, duke u kërkuar ndjesë përfaqësuesve, u çua e tha “ika se më presin studentët” … për t’u bërë gjëmën me trutë e gomarit.

Altin Basha ishte i vetmi që çmontoi paksa tymnajën masmediatike (ekspertiza njohjes së mekanizmave të Top-Channel-it doli qartazi), duke vënë në dukje anëshmërinë e qëllimshme të prezantimit me fotografitë skandaloze të gjendjes së TK, të cilat janë mëse të vërteta, por që nuk justifikojnë a priori shembjen. Më pas Basha kërkoi nëse në sallë ndodhej ndonjë arkitekt, sepse inxhenjeri drejtues i Institutit të Ndërtimit nuk mund të quhej si ekspert i vlerave arkitekturore. Në përgjigje të apelit fjalën e mori një farë Matilda (Pando?) që iu lëpi turpshëm pushtetit nëpërmjet sukseseve me ngjyerjen e pallateve të Edi Ramës që paskëshin sjellë Tiranën moderne. Gjithsesi nuk tha asnjë fjalë që të kishte të bënte me kontekstin përveç cilësimit të Bjarke Ingels-it si nobelist të arkitekturës bashkëkohore.

Ema Andrea përveç përçartjeve me lirinë e saj, me projektet e “komunizmit” e tërci e vërci, preku një temë të vështirë, “kush mban përgjegjësitë për degradimin e deritanishëm të TK?”,që në përshfaqjen e përfaqësuesve nuk gjeti përgjigje. Gjithsesi Ema është për një Teatër të ri, pa e thënë se ku, që të ndihet e përfaqësuar edhe ajo në 2220, kur njerëzit do të shohin kush ka punuar sot (Emën?).

Në një shkëmbim me Bujar Kapexhiun më bëri përshtypje sesi Erjon Veliaj tha troç, me numra, vjedhjen që do të kryhej dhe askush nuk i bëri pyetje, por u duk sikur u kënaqën apo u shastisën nga rrumpalla me numrat e shtuar të teatrit të ri bashkëkohor të Bjarke Ingels-it, me trefish apo nëntëfish të sipërfaqes së përfituar. Veliaj insistoi te 1200 metrat që ka sot ndërtim Teatri Kombëtar. Por kjo shifër llogarit vetëm sallën dhe krahun verior, pa shesh, parkim, pishinë, butafori, TKEKS. Praktikisht, për të patur një ide të qartë, pjesa e mëposhtëme do të zhduket për t’i lënë vendin kullave të privatit.

14.

P.S. Si ka mundësi që asnjëri prej përfaqësuesve të ajkës intelektuale teatrore, arkitekturore dhe urbanistike të kombit nuk i bëri një pyetje Erjon Veliaj: a ka kryebashkiaku konflikt interesi me FUSHA sh.p.k sidomos përsa i përket familjarit të tyre dhe mbylljes së çështjes së Ardit Gjoklajt? Dhe këta janë kultivuesit e shpirtit të kombit … !!!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s