“Dy duar për një kokë”, ose për të qartësuar “personazhin publik” mbi “instiktin e aktorit”. (Romeo Kodra)

Nga e gjithë “çështja e Teatrit” vetëm një herë kam dëgjuar, prej aktorëve (të nënkuptuar si profesionistë të artit teatror por edhe si qenie qytetare të angazhuara me çështjen e ruajtjes së godinës së Teatrit Kombëtar), të flitet me gjuhën përkatëse dhe specifike të Teatrit, pra me një gjuhë jo të tjetërsuar apo të degjeneruar prej fushës së vet, e mbi të gjitha me një ton proporcional, apo në përpjestim të plotë e të drejtë me gjuhën e pushtetit, siç foli Neritan Liçaj pak ditë më parë.

Mbi të gjitha më tërhoqi vëmendjen distancimi i tij prej vetës së parë shumës dhe kategorizimi në vetën e parë njëjës: “S’m’ka pëlqy asnjëherë të flas n’emër të t’tjerve. Flas n’emër, timin, personal”. Ky distancim nuk e bën Liçajn apologjet apo ndjekës të ndonjë ideologjie liberale me individin në qendër, siç mund ta imagjinojë ndonjë i djathtë konservator i PD-së (nëse e kanë idenë se për çfarë po flas konservatorët e djathtë shqiptarë), por e kategorizon, sidomos për atë që thotë më tej, në rolin e tij publik, social e juridik më minoritar të mundshëm: atë të një artisti-aktor-punëtor profesionist, brenda një strukture institucionale – si godinë por edhe si staff – të rrezikuar në ekzistencën, pas një pseudo reformimi menaxherial tërësor të institucioneve të artit dhe kulturës me nismëtarë Edi Ramën dhe koalicionin e Rilindjes.

Dhe prej këtij roli minoritar, pra me pushtetin e reduktuar numerikisht në maksimum (shih tragjedinë e Sofokliut, Antigona), Liçaj, i vetëm, merr guximin dhe vë në diskutim duke sfiduar pushtetin e, për më shumë, forcën fizike të këtij të fundit, personifikuar në personin e Kryeministrit Edi Rama: “Dy duar për një kokë. Do ta vras, sepse do të më vrasi.”

Mendimi im është se Liçaj u shpreh pa filtra dhe pa u thelluar shumë mbi atë që tha, ose, më mirë të them, pa e kuptuar deri në fund rëndësinë e asaj që tha. Ky mosthellim, apo shprehje instiktive, pikësëpari vihet re në videon e mësipërme tek kalimi i pavetëdijshëm sërish në numrin shumës, menjëherë pasi kishte deklaruar kalimin në numrin njëjës, e më pas, sërish, nga numri shumës në numrin njëjës. Ky kalim vetor, për mendimin tim, tregon përsëpaku një lëkundje apo mosracionalizim të plotë te bindja e tij për deklaratën e rezistencës fizike apo ekzistenciale deri në vdekje.

Ky shkrim i imi është një përpjekje për të stabilizuar paksa logjikën e kësaj rezistence dhe për të vlerësuar instiktin e qelibartë prej aktori të Liçajt në aktualitetin e tij më real e akut, atë të një artisti që, si qenie, vritet, sakrifikohet e nënshtrohet prej dekadash në Shqipëri prej pushtetit të përfaqësimit politik, sidomos, kur, siç shihet nga operacioni i menjëhershëm masmediatik, pushteti ka reaguar duke intimiduar apo anestetizuar këtë lloj rezistence. Shkurt interesi im këtu është të nxjerr në dukje sadopak nënshtrimin e artistit në Shqipëri dhe përdhunimin e dinjitetit të tij si qenie nëpërmjet kategorizimeve apo shtresëzimeve funksionale shoqërore: “artist i madh”, “artist i merituar”, “artist i popullit”, “artist i klasës punëtore”, “artist-proletar” e deri tek degjenerimet e sotme “artisti famoz” apo “artisti-nën-proletar ose lumpenproletar“, pra pa vetëdijeni e, si rrjedhojë, pa fuqi për të ndryshuar gjendjen së tij shoqërore.

Se si funksionon intimidimi dhe anestetizimi mjafton të shohim titullin e tjetërsuar në kanalin YouTube ReportTV të Carlo Bollino-s: “Neritan Liçaj: Nëse duan luftë, jemi gati, dy duar për një kokë ‘O do na vrasin, o do i vrasim’”. Në këtë mënyrë pushteti, duke e kaluar nga numri njëjës në shumës deklaratën e Liçajt (Carlo Bollino-n, meqë nuk ka nevojë për shpjegim e njihet prej gjithkujt si bythëlëpirës i Edi Ramës, po e marr si paradigmë të zëdhënësit masmediatik të pushtetit të përfaqësimit politik në përgjithësi) kërkon me çdo kusht ta turmëzojë Liçajn duke e futur si subjekt, si të nënshtruar, për të ruajtur etimologjinë e fjalës subjekt, të një turme më të madhe – “aktorët që janë kundër Teatrit Modern të arkitektit të famshëm”, “sindikatat e korruptuara dhe të afërta me opozitën”, etj., etj., si këto – kur Liçaj gjënë e parë që bën është ekzaktësisht e kundërta: pozicionimi jashtë çdo përfaqësimi përtej atij të vetvetes, përtej qenies së tij, ekzistencës së tij si njeri i angazhuar me një çështje qytetare, shoqërore, institucionale dhe që, mbi të gjitha, e prek direkt, jashtë çdo metafore.

E gjithë masmedia, e majtë apo e djathtë, për interesa të tyre, e kanë marrë dhe e kanë turmëzuar, tufëzuar e kolektivizuar deklaratën e Liçajt (dhe kam përshtypjen se Neritani nuk e ka kuptuar këtë deri në fund) si një deklaratë të aktorëve në përgjithësi, pra jo si ajo e një qenieje por si ajo e figurave të spektaklit të së përditshmes, dhe, ç’është më e keqja, duke e futur pikërisht në qerthullin e METAFORËS (!?!?!?) mirëmenduese e pseudo-politically correct.

Pse bëhet kjo? Pse, pikërisht, në momentin më të qelibartë të shfaqjes së një akti rezistence – dhe, me Deleuze-in, aktin e rezistencës e nënkuptoj si akt krijues dhe puro artistik – shoqërisë shqiptare i fshihet, i mbulohet, i censurohet a thua se do të verbohemi mbarëkombëtarisht prej saj? Ose pse shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe vetë Liçaj në veçanti fshihet prej saj, pse kthen kokën diku tjetër sikur lakuriqësia e një aktori të vetëm, që thotë instiktivisht fjalën e tij të fundit të ishte e padurueshme (kujtoj që fjala aktor etimologjikisht vjen prej ager, të vepruarit, por edhe prej oris, të folurit)? Pse shfaqjes së rezistencës së një qenieje i preferohet përshfaqja METAFORIKE e personit-aktor, artist apo çdo kategorie subjektive tjetër të mundshme që mund t’i ngjisim asaj qenieje të dalë instiktivisht prej kutisë së kufizuar të individit të njohur publikisht me emrin Neritan Liçaj? Pse nuk vihet re që ka diçka heroike e që duhet vlerësuar e inçentivuar maksimalisht prej shoqërisë sonë te kjo qenie e rrezikuar dhe rezistente, e cila merr çështjen personale (Neritan Liçaj si i rrezikuar në sigurinë e “bukës së gojës së vetes dhe fëmijëve”) dhe personalisht (pa kërkuar pas vetes ushtarë/dele/turma teletrumpiksura votuese) i shpall luftë pushtetit të personifikuar prej Edi Ramës si në traditën më të mirëfilltë teatrore që njeh bota perëndimore, ku supozohet se jemi pjesë, por edhe ajo shqiptare (Gjergj Elez Alia si shembull tipik)? Pra, si nuk vihet re thelbi heroik dhe tragjik i një qenieje që shpreh vullnetin e vet pa filtra karshi një situate rreziku ekzistencial, e në vend që të vlerësohet e mbështetet, denigrohet prej opinionit të ashtuquajtur publik sepse “çështja nuk duhet të kalohet në personale”? [Gjithsesi, personalisht jam i bindur se Liçaj për këtë deklaratë vlerësohet prej të gjithë shqiptarëve. Ajo që këtu më intereson është çështja e “opinionit publik”, ku në më të mirën e rasteve Liçaj, cinikisht, merret si i pabesueshëm apo si një, që do të duket për ç’ka nuk është.]

Pse nuk vihet re që çështja është jo vetëm personale (person vjen prej latinishtes dhe ka kuptimin e personazheve në skenë), pra jo vetëm profesionale e publike (person publik) për Liçajn, por edhe më thelbësore, qenësore, e të gjitha qenieve si Liçaj që kanë luftuar (edhe fizikisht) për t’i patur e më pas populluar institucionet publike të artit dhe kulturës? Pse sëfundmi kemi kaq frikë nga heronjtë dhe nga tragjedia ne shqiptarët e trranzicionit, të cilët historinë e kemi të mbushur me heronj e me tragjedi? Pse me çdo kusht duam një shfaqje heroike (vullnetin dhe vrullin e deklaratës së dalë prej instiktit aktorial të Liçajt) ta fusim në përshfaqje teatrore (duke e përkthyer në metaforë deklaratën e personazhit publik Liçaj) dhe përfaqësim politik (duke e bërë figurë Liçajn dhe rrjedhimisht zëdhënës të të gjithë aktorëve e, pas tyre, përpikmërisht, të ndonjë partie politike opozitare/antagoniste)? Nuk është degjenerim i heroit përfaqësimi dhe përshfaqja? Deri kur duam të degjenerojmë shoqërisht duke mohuar çdo lloj rezistence heroike e duke e prostituuar cinikisht në përfitim të realizmit politik [te kjo pikë ka bërë gjëmën e vërtetë dogma marksiste-leniniste në salcë enveriste]?

Natyrisht, kjo praktikë e pushtetit për të devijuar dhe anestetizuar këtë shfaqje (të qenies në akt rezistence) në përshfaqje, është kolauduar në Shqipëri, sidomos prej devijimit të dhjetra-qindra-mijëra qenieve protestuese, të cilat donin të hynin në Bllok në 1991 për t’u kënduar festën bllokmenëve. Që atëherë shqiptarët protestues të 1991, siç ishin informalë por edhe jo formalë, të paformuar zyrtarisht nën sigla partiake por edhe të padeformuar: proletarë të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës “diktatura e proletariatit”; intelektualë të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës “intelektualizmi i marksizëm-leninizmit” enverist; studentë të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës të nxënurit e “mësimeve të Partisë”; kryeqytetas të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës kryeqytetaria kozmopolite e bllokmenëve të vetëngujuar; qytetarë të rretheve të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës të jetuarit në qytetrrethim të përhershëm; malësorë të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës propaganda e “krenarisë së malësorit” prej përbuzësve të malokut; fshatarë të cilëve u kishte ardhur në majë të hundës të jetonin fshatçe në fshatrat e tyre si qytete; pikërisht këta u turmëzuan e u subjektifikuan/nënshtruan duke zgjedhur alternativën e përfaqësuar politikisht asokohe prej PD-së e vazhdojnë të subjektifikohen nën etiketa përgjithësuese dhe, si rrjedhojë, alienuese të politikës përfaqësuese sot e kësaj dite. [Sot ka ende gomerë që lexojnë Marksin e nuk kanë kuptuar ende që ngërçi drejt KOMUNIZMIT, d.m.th. drejt një shoqërie jo pa politikë, por pa përfaqësim poltik, pra pa delegim/alienim vote, është pikërisht tek antagonizmi kundër sistemit kapitalist – luftës së klasave, për të qenë të kuptueshëm – me mjete të kapitalit, pra nëpërmjet përfaqësimit politik, subjektifikimit politik, nënshtrimit të një qenieje ndaj një etikete partiake.]

Jo më kot, prej aso kohe, që prej 1991, masmediatikisht flitet për skenarë të lëvizjeve apo protestave politike dhe vënie metaforike në skenën e të ashtuquajturit realitet, por pa shpjeguar në ç’konsiston metafora dhe ku fillon apo mbaron ajo. Njësoj si në 1991, ka ndodhur edhe në 1997-’98. Njësoj ka ndodhur edhe më 21 janar të 2011. Dhe, përpikmërisht, këto skenare i shohim të populluar nga personazhe me role të caktuara, specifikisht për të degjeneruar e inflacionuar shfaqjen e qenies/eve në akt rezistence, si ato të lëvizjeve popullore apo protestave, në një përshfaqje spektakolare, si ato që shihen rëndom në teatrot shqiptare, ku i gjithë potenciali i aktit të rezistencës kanalizohet drejt përfaqësimit politik, që përgatitet, me shpresë, të ngrihet një ditë në pushtet.

Një prej këtyre personazheve është edhe Erjon Veliaj, kryebashkiaku aktual i Tiranës, të cilit duket se i janë deleguar fatet e Teatrit Kombëtar.

Dhe duke shkruar këto rreshta, si për një ironi të fatit, shoh që Erjon Veliaj paska nxjerr dje “bllof” Neritan Liçajn, duke nxjerrë një sms, që e cilëson si të një anëtari të PD-së (por që nuk është e mundur të verifikohet), gjoja drejtuar artistëve të organizuar për mbrojtjen e Teatrit, të cilëve u kërkohet të bëjnë “sherrrr” nëse nuk lejohet “vetëm Liçaj të flasë” në emër të artistëve, në mbedhjen e thirrur prej Bashkisë së Tiranës mbi çështjen e Teatrit.

Natyrisht, duke iu kyther thelbit të këtij shkrimi, nuk e kam marrë Neritan Liçajn për Gjergj Elez Alinë, e as ta shndërroj në të, e aq më pak t’i përkëdhel egon apo t’i fus xixat e rrah shpatullat. Ajo që dua me këtë shkrim është kultivimi dhe vlerësimi i logjikës dhe racionalizimi i atij instikti primordial të Liçajt, aktorial, teatror, tragjik që u shfaq në deklaratën e tij, që, siç thashë, është vënë nën shënjestër prej presionit të regjimit të pushtetit politik përfaqësues aktual, për ta anestetizuar dhe intimiduar. Dhe ndaj këtij presioni Liçaj duket se është sprapsur disi, apo thjeshtë anestetizimi ka bërë efekt, duke e riformuluar në një gjuhë politikisht korrekte deklaratën e tij e duke ia dhuruar si METAFORË FIGURATIVE spektaklit politik e masmediatik të së përditshmes shqiptare. Përsëpaku ky është konkluzioni që sipas meje del pas intervistës së gjatë në BallkanWeb.

Intervista fillon pikërisht me një pyetje paternaliste e mirëmenduese – nuk dihet se me sa vetëdijeni prej gazetarit por me siguri e cytur prej pronarit – që pret një përgjigje të kamomilizuar mbi Teatrin si “fitil që do të plasë në dorë bombën e arrogancës” qeverisë. Duke e futur në qerthullin e figuratives, metaforës Liçaj qetëson gazetarin, pronarin e gazetarit, opinionin teletrumpiksur publik, pushtetin përfaqësues politik dhe veten si personazh publik. Lind pyetja, pse e bën këtë? Pse nuk duhet ushtruar dhunë mbi Kryministrin p.sh., duke e nxjerrë zvarrë në bulevard, nëse ai të cënon “ekzistencën”, “bukën e fëmijëve”? Dhe Liçaj duket se i ka të gjitha instrumentet për ta justifikuar logjikisht dhe juridikisht një gjë të tillë, sepse ai me shumë qartësi diskutimin e hap përtej çështjes së Teatrit, duke e parashtruar analogjikisht në nivel social, me “mllefin e popullit”, punëtorët, minatorët, taksa paguesit, të cilët politikanët shqiptarë nuk rreshtin së vëni paturpësisht e papërgjegjshmërisht nën presion duke i shantazhuar e deri asgjesuar fizikisht prej dekadash. [Personalisht nuk e kuptoj si nuk është eleminuar fizikisht Sali Berisha pas çështjes së 21 janarit 2011, njësoj si nuk e kuptoj të jetë gjallë për të njëjtën çështje Ilir Meta, apo edhe Edi Rama që mori votën për të sjellë drejtësi dhe vuri Ilir Metën President … pa përmenduar Erjon Veliajn pas çështjes “Ardit Gjoklaj”. Personalisht nuk e kuptoj respektin e thellë ndaj ligjit të shqiptarëve të tranzicionit dhe kontradiktën gjithnjë e më të thellë me mitologjinë e mitopoetikën tonë të mbushur me heronj, besë, nder, gjakun që na ngre nga varri e të tjera si këto.]

Por, Liçaj, pavarësisht se e kupton se si qëndron në thelb kjo punë, sërish duket sikur nuk do ta besojë, sikur nuk do që të dëgjojë deri në fund zërin e instiktit që ka brenda vetes.

Intervista për BallkanWeb është shumë interesante, sepse paraqitet si një lloj termometri që mat qartësisht lëkundjet e Liçajt dhe të gjithë artistëve shqiptarë, të cilëve u ka mbetur një pikë gjak në trup e cipë në faqe. Në këtë intervistë Liçaj dhe intervistuesi, nëpërmjet pyetjeve të tij, prekin shumë tema që kanë të bëjnë me konceptimin teorik të aktorit/artistit, me vizionin e këtij të fundit mbi botën dhe vetes në këtë botë, me përgatitjen teknike dhe vlerësimin apo meritat e aktorëve, me menaxhimin dhe politikat e artit dhe kulturës: “Pse [qeveritarët] i bëjnë punët mbrapsh?”; “Pse kontratat një-vjeçare, që ata [aktorët] të kenë frikë, të mos hapin gojën”; “Për mendimin tim Kryeministri shqiptar do të varrosi artin dhe kulturën shqiptare”; “A ka një platformë për zhvillimin e artit dhe kulturës kjo qeveri?”; “Çdo gjë fillon nga ligji. Le të bëjmë një ligj të mirë”; “Ç’lidhje ka Erjon Veliaj si kryetar i bashkisë së Tiranës? Pse [Edi Rama] nuk ia jep [vendimarrjen për Teatrin Kombëtar] kryetarit të bashkisë së Durrësit, atëherë?”; “Gazetari – Keni patur kërcënime [për vendin e punës]? Liçaj – Përderisa punon me kontratë një-vjeçare … Por, nuk besoj të arrijnë deri aty, sepse unë punoj dhe unë punoj mirë”; “Nuk vlerësohet një artist me rrogë […] Nuk mund t’i tregosh rrogën [Mirush Kabashit]”; “Gazetari – A është kthyer çështja në një çështje politike?”.

Unë do të doja ta filloja nga fundi i çështjeve dhe pyetjeve të paraqitura më sipër. A e dëmton ndërhyrja politike çështjen për mbrojtjen e Teatrit? Mendimi im është, dhe habitem sa dhe në ç’pikë duhet të jesh idiot që të mos të të vijë e natyrshme ta mendosh, që është politika apo, më troç, përfaqësuesit politik që, teorikisht, duhet të dëmtohen në sytë e votuesve nëse nuk angazhohet me mbrojtjen e Teatrit, me mbrojtjen e një institucioni publik kombëtar [Natyrisht, them teorikisht, sepse në realitet votuesi shqiptar është një teletrumpiksur idiot dhe injorant që formon opinionin sipas Top Channel-it, Klan-it, VizionPlus-it, etj. dhe shkon e voton si dele duke legjitimuar prostitumin e të mirës publike, pra vetes, për interesa oligarkësh … a ka shembull më të qartë sesa çështja e Teatrit, ku pasi na kanë vjelë taksat na thonë që duhet shitur edhe prona publike për të patur një Teatër që e kemi]. Kështu që një gazetar, nëse nuk është idiot ose nuk është këlysh kurve që e bën qëllimisht, duhet që pyetjen tua drejtojë përfaqësuesve politik dhe jo aktorëve: a e dëmton politikën partiake mosangazhimi me çështjen e Teatrit? Është politika përfaqësuese (parti, lëvizja, etj.) që duhet të japë përgjigje për këtë pyetje duke shpalosur vizionin e saj alternativ ndaj idesë së qeverisë së sotme për Teatrin.

Por, natyrisht, këto nuk janë pyetje për t’iu bërë partive përfaqësuese politike, sidomos atyre të djathta, të cilat kanë interes vetëm zhurmën dhe antagonizmin për shfrytëzim dhe prostituim territori publik. Në fakt, ku është parë që një e djathtë të mos jetë pro privatizimit dhe dobësimit institucional shtetëror?! Ky është problemi i PD-së: Edi Rama i ka parakaluar djathtas, duke u hequr çdo territor të realizmit dhe realitetit të tyre politik. Dhe kjo është fatkeqësia e Shqipërisë dhe përseja e “punëve të bëra mbrapsh” që nuk kupton Liçaj, apo nuk kupton deri në fund kur thotë që “Kryeministri shqiptar do të varrosi artin dhe kulturën shqiptare” (shih këtu: min. 32.30-35.30). Në Shqipëri nuk ka parti të majta, progresiste, por vetëm të djathta që shohin te zhvillim aktual kafshëror, gjithë trashje trush e barqesh, modelin e merituar prej popullit shqiptar.

Kështu që nuk është aspak çudi, që, sa herë hapen debate për mbrojtjen e publikes, nga njëra po tjetra palë e përfaqësuesve politik, inflacionohet diskuri duke i qepur gojën kundërshtarit me komunistllëkun e pronës publike. Dhe rezultati është asgjesimi, fshirja e çdo arritje dhe sakrifice për ndërtimin e institucioneve artistike apo kulturore, të cilat nuk na i ka dhënë as Enver Hoxha e as mund të na i japë në të ardhmen ndonjë këlysh kurve në shkallë më të reduktuar se ai.

Për këtë arsye edhe ligjet nuk duhet absolutisht të vijnë si propozim i PD-së, PS-së apo LSI-së, sepse të gjithë këta, në më të mirën e rasteve, do të propozojnë një paçavure jo-funksionale si ligji aktual që do të qepet, shpepet e arnohet sipas interesave të pushtetit politik përfaqësues në fuqi (shih fshirjen me ligj të Qendrës Kombëtare të Artit prej Mirela Kumbaros). Pra, janë vetë aktorët, artistët dhe operatorët kulturorë, që duhet ta hartojnë dhe propozojnë për aprovim në parlament. Natyrisht kjo do mund, do kohë dhe dedikim, por është edhe e vetmja rrugë për një ligj për artin dhe kulturën. [Liçaj e mbyll intervistën duke “iu qarë” gazetarit për shkak se ai nuk do të duhej të merrej me mbrojtjen e Teatrit, por me art … personalisht nuk e kuptoj këtë ndarje të të bërit art dhe angazhim direkt për mbrojtjen e Teatrit, si mjet dhe vend pune, dhe bërjen e ligjeve për artin dhe kulturën, të cilat përkufizojnë mjetet dhe vendin e punës së një aktori, pjesë e një institucioni publik.]

Pas ligjit duhen parë edhe platformat e propozuara prej përfaqësuesve politik, përpara dhe jo pas zgjedhjeve [Liçaj në DYMIJË E TETËMBËDHJETËN !?!?!? pyet “cila është platforma për artin dhe kulturën” … po ashtu nuk kuptoj edhe atë “shpresën” që paska patur, si “shumë shqiptarë të tjerë”, tek Edi Rama]. Pas platformave të ekzekutivit duhen parë përputhshmëritë e tyre me ligjin, e bërë prej të interesuarve direkt, dhe platformat e drejtuesve të institucioneve. Dhe nga kjo pikëpamje, nuk më rezulton të jetë ndjerë as Liçaj e askush tjetër prej të interesuarve direkt për platformën e ndonjë drejtori institucioni publik të artit dhe kulturës.

Dhe e ndejtura squkë apo të punuarit në gjumë pavarësisht mos transparencës së platformave, si ajo e Rilindjes apo ajo e drejtorit të emëruar të Teatrit Hervin Çuli, ku citoheshin “reforma bashkëkohore”, solli, nëpërmjet kësaj METAFORE apo SHPREHJE FIGURATIVE të pa specifikuar, tjetërsimin e kontratave të të punësuarve brendave institucioneve publike. Shkurt Rilindja i lejoi vetes të alienonte/shkëpuste aktorin/punëtorin/proletarin prej mjeteve dhe vendit të punës, Teatrit si mjet dhe vend pune. Rilindja përgatiti terrenin e shkatërrimit të institucioneve, duke shantazhuar aktorin-punëtor, “atë teatër jo të bërë me tulla dhe gurë” siç e quante Gordon Craig.

Natyrisht aktorëve të përgjumur iu shtua doza e anestezisë prej pushtetit politik përfaqësues (Mirela Kumbaro dhe Hervin Çuli si të deleguar të tyre) duke u përkëdhelur egon. “Unë punoj mirë” thotë Liçaj sot e kësaj dite, dhe kjo është e vërtetë, madje këtë e pranojnë edhe ministrja dhe drejtori aktual. Por a është ky diskutimi? Natyrisht, të gjithë bashkë, aktorët si Liçaj që punojnë në TK me ministren dhe drejtorin, bien gjithashtu dakort që brenda TK kanë qenë punësuar (por edhe vazhdojnë të jenë) aktorë që nuk punonin, parazitë e qoftexhinj. Por a është kjo arsye për të tjetërsuar kontratat dhe bashkë me to aktorët prej mjeteve dhe vendit të tyre të punës? Nuk duhet gjetur një mënyrë menaxheriale pa tjetërsime dhe alienime të pasurisë publike, dhe me këto të fundit nënkuptoj jo vetëm ndërtesën me “tulla dhe gurë” të Teatrit, por edhe ndërtesën Mirush Kabashi, vlera monetare, rroga e të cilit doli në diskutim? Dhe këtu çështja, ka të drejtë Liçaj, nuk është më vetëm ajo e Teatrit, por e gjithë Shqipërisë së gllabëruar me të njëjtin pretekst gjatë gjithë viteve të tranzicionit të patranzitueshëm, ku është tjetërsuar prona publike dhe njerëzit e alienuar janë bërë e me këtë ritëm do të vazhdojnë të bëhen edhe më shumë skllevër të privatit. Por për ta kuptuar këtë duhet dalë nga METAFORA dhe SHPREHJET FIGURATIVE. Nuk mbrohet Teatri e as Mirush Kabashi duke i thurrur lavde, që në më të shumtën e rasteve tingëllojnë si qurravitje. Duhet të mbrohet Teatri si mjet dhe vend i punës, sepse DY DUAR PËR NJË KOKË JANË … por për këtë shpresoj të mos jetë tepër vonë, sepse kjo duhej deklaruar përtej çdo METAFORE dhe SHPREHJEJE FIGURATIVE kur kontratat u tjetërsuan në “bashkëkohore”, pas të cilave aktori-punëtor nuk është më i mbrojtur me të drejtën e ligjit. Kështu që nuk ka mbetur veçse të artikulohet mbrojtja e Teatrit në nivel simbolik, në nivel përfaqësimi, ku natyrisht fuqia e pushtetit është mbizotëruese dhe thyerja e tij e vetme bëhet me një akt radikal rezistence që nënkupton vënien në diskutim apo thyerjen e nivelit simbolik, pra përfaqësues, të aktorëve. Shkurt ngujimi i aktorëve simbol-përfaqësues si Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Mirush Kabashi, Yllka Mujo, Neritan Liçaj, e të gjithë të tjerët me rradhë.

P.S. Për rrogën kot apo plot të Mirush Kabashit do zgjatem në një shkrim të ardhshëm.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s