Çështja e Teatrit si tjetërsim konceptual hapësinor. (Romeo Kodra)

Për pak ditë në maj u ktheva në Tiranë. Njëra prej këtyre qëlloi e hënë dhe përkoi me takimet për mbrojtjen e Teatrit të organizuar prej disa aktivistëve dhe aktorëve që mesa duket më shumë se të tjerë, të punësuar dhe paguar me taksa publike, u dhemb shembja e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Gjendja ishte deprimuese jo vetëm për praninë e pakët të personave të interesuar, por edhe për artikulimin. Ndoshta kjo e fundit është edhe natyrshme dhe e pritshme, madje kam bindjen se qeveritarët rilindas e presin këtë shfryrje ezauruese, për të dhënë më pas zgjidhjen finale, si në rastin e këndit të lojrave te parku i Liqenit.

Në takim u ndesha me aktorin Alfred Trebicka me të cilin ndamë medimet mbi gjendjen dhe mbi historikun e aksionit të qeverisë për shembjen e Teatri. Për pak u ndalëm te çështja e trajtimit të Robert Ndrenikës në takimin e organizuar prej Kryministrit Rama me arkitektin e projektit të Teatri ku të parit, Ndrenikës, i vihej në diskutim “reputacioni dhe hija në historinë e Teatrit” (min. 1.40). [Më pëlqen që Edi Rama është i kujdesshëm ndaj hijeve të lëna në Teatër … një hije apo fantazëm si ajo që sillej nëpër Evropën e 1848!?!?!?]

Ajo që personalisht më bëri përshtypje ishte mungesa e reagimit të atypëratyshëm të Ndrenikës. Natyrisht mosha nuk është e përshtatshme për reflekse të menjëhershme, kështu që reagimi erdhi me vonesë dhe jo-proporcional, pas shfaqjes së organizuar nga Kryministri për prezantimin e asaj kopjeje të përgatitur shkel e shko nga starkitekti Bjarke Ingels. Personalisht do kisha preferuar prej Ndrenikës një lëshim këpuce në surrat të Kryministrit si ajo që iu lëshua George Bush-it 10 vite më parë prej një gazetari në një konferencë për shtyp.

Fundja çfarë do të kishte ndodhur? Thjeshtë do të kishim një aktor që nuk linte të shkelte askënd mbi dinjitetin e tij. Dhe dinjitet do të thotë mbi të gjitha dinjitet për vendin e një aktori në qytetërim. Dinjitet si ai i një Roberti tjetër, De Niro-s (thuajse moshatar i Robertit tonë), përmendur përpara disa ditësh edhe prej Alfred Trebickës, i cili edhe pse ka bërë kompromise të pafundme duke qenë pjesë e makinerisë spektakolare të Hollywood-it, ka akoma cipë për të nxjerrë dhëmbët kundrejt çdo idioti përfaqësues politik, që mund t’i duket vetja mbret: “Dua të them vetëm një gjë: Të qifsha Trump-in! Nuk është më Poshtë Trump-i, por Të qifsha Trump-in!”.

Por unë do të thoja, pa shkuar deri në Hollywood, dinjitet dhe revoltë edhe si ajo e kuksianëve, kundër të cilëve i dridhet buza çdo pushtetari, dhe jo më një të tredhuri të oligarkisë injorante shqiptare si Edi Rama.

Lëshimi i një këpuce në fytyrë të Kryministrit Edi Rama do të kishte sjellë edhe faktorizimin e Robert Ndrenikës – dhe pas tij aktorëve me dinjitet – në panoramën publike qytetare dhe anashkalimin e ushonjëzave të Partisë Demokratike dhe pseudo-shoqërisë civile, që kanë zaptuar diskurin publik real dhe virtual, masmediatik (shih për këtë rastin paradigmatik të Ilva Tares, zgjedhur në mënyrë domethënëse për meritat e saj prostituuese masmediatike si drejtuese në fondacionin e Sorosit, dhe intervistat e saj reklamizuese për Erjon Veliajn).

Dhe të anashkalosh të sipërpërmendurit, pra PD dhe Ilva Taret e shoqërisë civile, nuk është pak, sepse do të thotë ta ngresh nivelin e diskurit nga një hapësirë banale, në kuptimin etimologjik të kësaj fjale (bànnum, lat., që i përket feudalizmit kur tellalli bërtiste në hapësirat publike duke shpallur dhe bërë të njohur vendimin/ligjin/bànnum e feudatarit, fisnikut të gjithpushtetshëm, praktikisht atë që është bërë në Shqipëri derimësot e po vazhdon të bëjë kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj duke ftuar për dëgjesë publike aktorët pasi është marrë vendimi), në hapësirë realisht publike, ku punëtori-aktor është i lidhur me mjetet dhe vendin e tij të punës dhe jo i alienuar siç e kanë bërë për 27 vjet politikat e pushtetarëve shqiptarë apo para-politikat e pseudo-shoqërisë civile. Ky është një diskutim marksian, ku Karl Marx-i duhet hapur e lexuar … edhe nga sindakalistët e Teatrit … n.q.s. kanë leje nga Partia Demokratike apo fondacionet mbështetëse … natyrisht, n.q.s. kanë leje nga selia e Pazarit të Ri.

Pra, për mendimin tim, nuk është e mundur që shpëtimi, nga politikat neoliberale të Partisë Socialiste, aktorëve dhe mbrojtësve të Teatrit t’u vijë nga PD, sepse kjo PD në bashkëpunim me PS e LSI e kanë katandisur punëtorin-aktor, në nën-punëtor, në lumpen-proletariat, pa dinjitet dhe pa vetëndërgjegje sociale e qytetare, duke u falur gjoja hapësirat e mejtet e fabrikave dhe ndërmarrjeve, nëpërmjet shpërndarjes së letrave me vlerë, e duke ua riblerë prej oligarkëve me 5% të çmimit. Kjo është praktika standart e ekonomisë së shock-ut, alienim/tjetërsim total i punëtorit prej mjeteve dhe hapësirave të punës, e cila u aplikua në Shqipëri që prej 1991 dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e atëhershëm, i cili u tjetërsua sepse parashikonte të ashtuquajturat “prona shteti” e jo prona punëtorësh, pra, pikërisht, të shtetit dhe/ose popullit, d.m.th. të të gjithë shqiptarëve.

E njëjta gjë, dhe në mënyrë akoma më të dukshme e paradigmatike, ka ndodhur dhe po ndodh me Teatrin, në kundërshtim të plotë me ligjin, madje duke i kopsitur ligje të posaçme.

Dikujt mund t’i kujtohet që fillimisht Teatri, nga Popullor u tjetërsua dhe u bë Kombëtar, ngaqë, siç duket, fjala popull ishte shumë “komuniste” për disa injorantë, tru e barktharë, që tashmë, në më të shumtën e rasteve, kanë përfunduar në copa mishi obezë. E them këtë se këta të fundit, tifozë partiakë pa kurrëfarë ideje mbi politikat e promovuara prej partive, nuk e kishin e, mesa duket, akoma nuk e kanë idenë e kapërcimit dhe tjetërsimit cilësor nga Teatër Popullor në Teatër Kombëtar, ku cilësimi “popullor” rridhte prej një koncepti hapësinor politiko-ideologjik që shihte popujt përtej kufijve të kombësive dhe u jepte atyre përparësi.

Kështu pra, Teatri Popullor u tjetërsua nga pikëpamja e konceptuale e hapësirës politiko-ideologjike në kombëtar; në teatër të atyre me kombësi shqiptare.

Por, tani, Teatri si hapësirë konceptuale politiko-ideologjike po tjetërsohet e reduktohet akoma edhe më shumë, dhe fjala Kombëtar, duke qenë se vendimi për prishjen po i lihet në dorë një të tredhuri në Kryeministri, nuk përfaqëson më Kombin, por një shumicë të supozuar të qeverisë aktuale (them të supozuar, duke qenë se në Shqipëri ekziston rëndom edhe blerja e votës). Kështu pra Teatri nga një koncept hapësinor politiko-ideologjik po tjetërsohet e reduktohet në një koncept hapësinor politiko-ekzekutiv.

Edi(p) Rama në Kryministri, i pangopur dhe i tredhur siç është, nga pikëpamja konceptuale e hapësirës politiko-ekzekutive po e redukton akoma më shumë çështjen e Teatrit, nga çështje të një shumice të supozuar qeveritare qëndrore, në çështje të një shumice të supozuar qeveritare lokale, në Bashki të Tiranës, në dorë të Erjon Veliajt.

Ky i fundit Teatrin, si koncept hapësinor që ka degjeneruar nga politik, ideologjik, ekzekutiv, qëndror e lokal, po e tjetërson e redukton akoma më shumë, tashmë konkretisht si një copë tokë e çfarëdoshme; pra një tokë dhuruar direkt kthetrave të një klani mafioz si Fusha sh.p.k. që do të përfitojë, me tulla, llaç e beton, në kurriz të popullit shqiptar dhe gjakut të Ardit Gjoklajt. Kështu pra kemi të kryer tjetërsimin tërësor të Teatrit, tashmë fizikisht, objektivisht, tokë e xanun për të ndërtuar kulla reduktuar në një të tretë e territorit të mëparshëm.

Kur dëgjova se ka juristë të PD, që duan ta mbrojnë juridikisht Teatrin, m’u duk shumë interesante e do të isha edhe më shumë i interesuar të shihja sesi PD e arsyeton dhe mbështet në ligj këtë mbrojtje të Teatrit. Ideja ime është se, duke qenë që Edi Rama ka kaluar edhe më djathtas se e djathta konservatore, PD, duke mos ditur ku të kapet, po kërcënon me hapjen e vazos së Pandorës – ligjet e bëra këto 20 e ca vjet për interesa, jo të popullit, por të individëve të veçantë – prej së cilës vetë PD do jetë viktima e parë, duke qenë promovuesja e parë e doktrinë së ekonomisë së shock-ut. Shkurt: për mendimin tim janë të pabesueshëm … presion i kotë prej të zbythurisht politikisht e publikisht.

Shpëtimi, nëse do të ketë,  do të vijë vetëm nga konflikti i hapur i një njeriu për të drejtën e tij legjitime: Robert Ndrenika dhe punëtorë-aktorët e Teatrit që duhet të rezistojnë karshi alienimit ndaj mjeteve dhe vendit të punës (sërish Karl Marx). Dhe po flas për një konflikt fizik, ku të merren me shqelma, dhe jo duke u shkuar në takime nëpër gradaçela të ndërtuara prej tyre, Edi Ramën, Erjon Veliajn dhe Mirela Kumbaron. Për këtë kam përshtypjen se duhen njerëz që kanë punuar apo punojnë në atë Teatër e që kanë merituar e ndjerë privilegjin e të qenurit aktor-punëtor i një Teatri Popullor, Kombëtar, Kryeqytetas (dhe jo nënpunës i një pushteti politik të përkohshëm everist, berishist, ramist … ironia më e madhe e fatit është tek dëgjon një pallua si Laert Vasili teksa, në emër të kombit, akuzon për racizëm ata pak njerëz që duan të mbrojnë Teatrin nga shembja … kujtoj që nazi-fashizmi filloi duke akuzuar pakicat si kërcënim për rracën, kombin). Kështu pra, vetëm në këtë rast ndërgjegjësimi të aktorë-punëtorëve për konflikt, mund të shpëtojë Teatri e të mbështetet dhe përvetësohet prej popullit, kombit, qytetarëve.

P.S. Do ishte fantastike sikur kjo inisiativë e rezistencës së aktorëve të kishte sukses, jo për t’i shndërruar në heronj e udhëheqës (na del e tepron Edi(p) Rama për këtë), por sepse do përbënte një hap të dytë e të mëtejshëm të fitoreve vetëndërgjegjësuese të betejave për hapësirat publike, si në rastin e mbrojtjes së Piramidës, ku natyrisht kishte njerëz si Ardin Klosi, por edhe skutha si Artan Shkreli e Artan Lame.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s