Sytë e vjetër të Ornela Vorpsit. (Romeo Kodra)

Image result for marcel proust la prisonniere photoLe seul véritable voyage, le seul bain de Jouvence, ce ne serait pas d’aller vers de nouveaux paysages, mais d’avoir d’autres yeux, de voir l’univers avec les yeux d’un autre, de cent autres, de voir les cent univers que chacun d’eux voit, que chacun d’eux est; et cela, nous le pouvons avec un Elstir, avec un Vinteuil; avec leurs pareils, nous volons vraiment d’étoiles en étoilesMarcel Proust, La Prisonnière.

 

Ornela Vorpsit nuk i kam lexuar asnjë vepër. Më saktë, jo nga fillimi deri në fund. I kam lexuar pjesë, derisa, përpikmërisht, çdo herë që kam prekur një libër të saj, kam ndjerë një lloj shtirjeje që, në mënyrë indirekte, përfundonte tek egoja e theksuar, që dikujt nga “jashtetit” mund t’i tingëllojë si strategji narrative, por që mua më tingëllon si (de+)maskuese ego me kompleks bajat inferioriteti. Në pak fjalë me egon narçiziste të provincializmit alla shqiptarçe (simptomatik në mospërdorimin e gjuhës shqipe në krijimtari letrare); ose pozat debeauvoireske të rrjedhura në letërsinë e kategorizuar rëndomtë si feministe (simptomatik në ekzagjerimin e referencave seksuale, karakteristikë e maçizmit latin italo-francez, që në penën e një femre përbëjnë akoma skandal mes shtëpiakeve të dëshpëruara dhe frekuentuesve të salloneve letrare fundjavore).

Image result for kasëm trebeshina revista arsE njëjta gjë, pra pa i mbaruar qoftë edhe një libër, më ka ndodhur edhe me Kadarenë, por në rastin e tij, duke qenë mjaftueshëm i rritur për t’i mbajtur mend historinë nën regjimin e shkuar, dija paraprakisht strategjinë e “gishtit nën bisht” (Revista ARS, “Krushqit në shtëpinë publike. Historia e nuseve plaka”), siç e quante Trebeshina, të pushtetit politik që e ngrinte lart mbarëbotërisht për të ngazëllyer jo “politikanët e huaj, sepse ata dinë ta gënjejnë vetë veten, por profesorët e universiteteve” me ekzoticizëm trushplarës, valvul e përkryer për rrjedhën e përrenjve psikik të këtyre të fundit.

Edhe, Ornela Vorpsi, nën bisht ka gishtin e pushtetit politk, i cili e ka formuar, informuar e, përfundimisht, deformuar psiko+fizikisht. Me këtë të fundit, pa i përjashtuar, nuk nënkuptoj botox-in dhe ndërhyrjet kirurgjikale të tepruara (shpresoj nesër të mos na i nxjerrë si koncepte të praktikës së saj body art të frymëzuara nga ORLAN!), por edhe për lehtësinë e papërballueshme të të thënit “PO!” pushtetit, të cilën, me ndërgjegjen më të pastër, ia konfirmonte Vladimir Myrtezait (ish-Lad Groshës) në intervistën shoqëruese të katalogut të Providence.

Si shumë shqiptarë të tjerë nëpër botë edhe Ornela ka gjetur mënyrën për të gëlltitur jetën që i ka rënë për hise. Dhe të gëlltisësh jetën për pak art nuk është keq, sepse arti të jep mundësinë të tejkalosh kufizimet dhe krisjet psiko-fizike të jetës, duke të projektuar në rrugëtime, shtigje e hapësira të reja që nuk të marrin frymën gradualisht siç ndodh rëndom në jetët tona.

Problemi fillon kur përpiqesh të gëlltisësh artin për pak jetë. E çfarë jete se: vegjetative, parasitare, si një nuse plakë trebeshiniane me sy të vjetruar proustian! Por, për fatin e saj të keq, siç e thoshte edhe Trebeshina, populli shqiptar është arsimuar dhe “nuk është si në fillim të shekullit” të kaluar.

Kështu pra, me daljen e fundit publike në Shqipëri, më saktë me ekspozitën Providence në COD, Ornela Vorpsi fillon e gëlltit artin femëror duke parasituar mbi të. Praktikisht, mbi atë që ka SHITUR apo prostituuar në Itali e Francë si pjesë e traditës së artit femëror rezistues karshi një mentaliteti të supozuar maskilist, në ish-Shqipërinë Popullore Socialiste, duke e paralelizuar paksa me atë të Europës dhe Perëndimit kapitalist zhgënjyes. Paralelizëm, ky i fundit, natyrisht, jo për interesa krijuese apo kërkimore, por sa për të ngrefur, fshikulluar dhe më pas çliruar deri në shkrehje ndjenjat e fajit të borgjezisë së përtejshme, të “jashtetshme” dhe mentalitetit të saj qeverisës, që ngren Ornelën në piedestal apo mbi gishtin nën bisht.

Dhe shumica e kritikëve të përtejshëm e kanë marrë të mirëqenë dinjitetin e krijimtarisë së Vorpsit si pjesë e asaj trashëgimie, tradite dhe galaktike më vete (dhomë për Virginia Wolf-in), që njohim si art dhe letërsi femëror/e (nuk kam kohë dhe nuk është vendi ky për të shpjeguar ndryshimin midis artit femëror dhe feminist, kështu që po e marr të mirëqenë që lexuesi mund të bëjë dallimin vetë). A thua se kritikët e artit dhe literaturës përtej Shqipërisë – dhe pas së përtejshmëve një pjesë e madhe e të kompleksuarve të këtejshëm – në vend që të kontekstualizojnë veprën e Ornelës me Shqipërinë ku u formua intelektualisht dhe artistikisht, me konceptet, kulturën, kushtet, teknikat, mjetet e prodhimit, etj., në pak fjalë me laboratorin e saj krijues, siç bëhet normalisht kur studiohet një Dante Alighieri apo një Picasso, duket pra sikur ekzegjetët, në rastin e Ornelës, janë mjaftur, për ta quajtur të denjë për traditën e literaturës femërore, me të paturit e saj një copë organi gjenital, prej të cilit janë derdhur lumenj hemorragjik fjalësh të mpiksura, që kanë formuar hagjiografinë (Providence si fjalë i përket thesaurus-it të shkrimeve të shenjtorëve) menstruacionale (të përmuajshme) të kritikës nën çarçafët e pushtetit të atyre që Trebeshina quante “Mesia dhe vunderkindët”, që zaptojnë e “pushtojnë” – për të cituar Vorpsin – duke u institucionalizuar në vendin tonë.

Ornela Vorpsi ka SHITUR artin e saj, përveçse si përkatës i traditës femërore, edhe si pjesë e asaj tradite letrare post-traumatike diktatoriale, duke uzurpuar zhurmueshëm hapësirën për çlirimin e zërave minoritarë, të papërfillur e padëgjuar. Gjithsesi, ky nuk është (jo vetëm) faji i pelivanllikut të Ornelës, por i kritikës që “çuditërisht” e ka përzgjedhur si vunderkind duke i redaktuar, ose diçka më shumë se redaktuar (për këtë jam i bindur, sepse mënyra se si artikulohet mbi veprën e saj Ornela tregon dukshëm se një pjesë e madhe e miellit nuk është i thesit të saj), veprën sipas kodeve dhe kodifikimeve të mendësisë së tredhur borgjeze, që ka pushtuar të ashtuquajturin Perëndim.

Interesant është fakti, që, edhe në këtë rast, nuk kemi parë asnjë lloj kontekstualizimi, i cili kufizohet në të dhënat autobiografike të nxjerra nga vetë autorja, kur i jepet rasti të qendisë e kopsisë atë ç’ka rri pas apo nën artin/letërsinë e saj. Në fakt, është çudi që, pa i vënë në dyshim vuajtjet dhe persekutimet, askush nuk e ka vënë re që e persekutuara dhe e vuajtura Ornela Vorpsi ka ekspozuar në Galeri Kombëtare të Arteve që në 1988? Si ka mundësi që ka ndodhur kjo në Shqipërinë diktatoriale të përrallisur nga autorja? Shih në video-intervistën me Elsa Demon (min. 4-5) ku vetë ka pranuar që jo gjithçka në librat e saj është realisht e jetuar. Pra, si ka mundësi që një e persekutuar të ekspozohej në diktaturën, ekzotikisht dhe turbo-folklorikisht të egërsuar, “komuniste” shqiptare?

Personalisht, nuk kam dëshirë të nxjerr asnjë përfundim, sepse, siç thashë, autorja, me narçizizmin e saj të kompleksuar nga tredhja, nuk ma ngref maçistikisht/feministikisht fare intelektin. Pra, le të merren ekzegjetët e Ornelës me nxjerrjen e përfundimeve, pasi t’i kenë dhënë përgjigje pyetjeve.

“Çuditërisht” shkrimi i këtyre rreshtave mbi Ornela Vorpsin më sjell ndërmend Anri Salën. Edhe ai i ekspozuar që herët, pak a shumë 10 vjeçar, në GKA, para ’90. Jo për merita të mamit. Jooo, aspak, por për vunderkindllëkun e parakohshëm dhe për “disidencën kamaleontike(nuk është se po trebeshinianizohem, por mendoj se kritika është mirë që përveç referencës të bëjë të vetën edhe një lloj leksiku dhe sintakse metatekstuale që i mungën Shqipërisë dhe letrave shqipe)! Edhe ai, Anri, i dashuruar platonikisht me Edi Ramën. Edhe ai njëkohësisht artist e kritik përrallisës dhe kontekstualizues i vetvetes, pompuar nga isoja e megafonëve të kritikës, për të mahnitur profesorët përtacë e narçizistë të sistemit ndërkombëtarë të artit dhe frekuentuesit fundjavor të artit bashkëkohor.

Me Anrin Ornela ndan një sintoni aspak polifonike. Madje mund të thuhet se janë në një sintoni monotonike. Po jap nga një shembull me perlat pedagogjizuese të vunderkindëve mendjendritur dhe mënyrën se si SHESIN artin dhe vetëkontekstualizohen në provincën tonë këta “kozmopolitë”.

I pari është Anri teksa predikon nga katedra në një interviste për Gazetën Shekulli:

“Ajo që mungon dukshëm dhe dëshpërueshëm është një skenë artistike ku dialogojnë dëshirat dhe vizionet dhe jo ku shfryhet kundër gjasave të munguara. Në momentin që do të ketë një qasje më pozitive dhe altruiste, me shumë gjasa do të marrë formë dhe frymë një skenë që do të sjellë dhe më shumë hapësirë, dialog, energji, pozitivitet, kritikë të mirëfilltë, dëshirë pjesëmarrjeje, që së fundi do të përmirësojë cilësinë e institucioneve lokale dhe do të zgjojë interesin e institucioneve dhe kuratorëve ndërkombëtarë, çka do të ishte sa inkurajuese dhe jetike për artistet e rinj. Por për këtë duhet ndryshuar qasja: të qenurit skeptik nuk është shenje zgjuarsie apo mungese naiviteti, por simptomë dorëzimi që dëshmon fundin e dëshirave.”

Theksi i “pozitivitetit”, “hapësirës” dhe “dialogut” rimon, natyrisht, me COD-in e porsahapur (një vit) prej Edi Ramës, në katin e parë të Kryeministrisë, nëpërmjet të cilit do të përfitojnë (siç përfitoi ONURFI reflektonjës i GKA ndoshta, në vitin e hapjes së COD) edhe “institucionet lokale” që do të “zgjojnë interesin e institucioneve dhe kuratorëve ndërkombëtarë”.

E dyta është Ornela që, në një bashkëbisedim “spontan” me Lad Groshën, monotonikisht e sintonizuar vazhdon refrenin e Anrit duke na thënë të vetën mbi COD-in, duke na shpjeguar “kontekstin ku jemi” – sikur të kishte të bënte me interlokutorë francezë apo italianë – dhe na projekton tek e vërteta e saj.

Lag Grosha Ornela Vorpsi 1Lag Grosha Ornela Vorpsi 2

Lag Grosha Ornela Vorpsi 3

Duke e mbajtur gjuhën, që e çliruar nga shtrëngimi për të qenë i kuptueshëm prej lexuesit të këtij blogu do bënte të skuqeshin edhe prostitutat e semaforëve francezë e italianë që mund të njohë dhe do të kishte merituar Ornela Vorpsi, po evidentoj faktin e promovimit që i bën artistja shkrimtare mendjendritësisë së pushtetit që na ka hapur dyert e artit dhe kulturës për të na hapur mendjen e trutë. Praktikisht e njëjta ligjëratë – plot “edukim e kulturë” bashkëtingëllues me edukimin nëpërmjet kulturës rilindase – e dogmatizmit të realizmit socialist, që artistes shkrimtare i është filtruar që në vegjëli. Dhe, të më falin prostituuesit/et e artit dhe kulturës që krihen nëpër masmedia shqiptare (krupndjellëset Godole e Xhunga mbi të gjithë), por sytë që na sjellë Ornela Vorpsi nuk janë sytë e ri, për të cilët fliste Proust-i tek E burgosura, por janë sytë që duhet t’ju pëlcasin – për të mbajtur regjistrin e komunikimit të Kryeministrit Edi Rama me aktorët e Teatrit Kombëtar – duke lexuar dhe studiuar historinë e gjuhës së totalitarizmit shqiptar.

Image result for shqipja totalitareDhe duke qenë te shqipja totalitare, është e vështrirë të mos kesh në kësisoj rastesh nostalgji për famëkeqet gjyqe popullore të epokës së Enver Hoxhës, që stigmatizon Ardian Vehbiu. Por kur prostituimi artistiko-kulturor i palo-artist-shkrimtareve të tilla arrin këto nivele dhe pretendon se zapton duke “pushtuar” hapësira të pushtetit, kur është vetë pushtetari Edi Rama që ka hapur COD-in pa asnjë bazë ligjore dhe statut institucional, duke ia vjedhur praktikisht prej xhepava taksapaguesve – dhe taskapagues për COD-in janë edhe kuksianët që dergjen burgjeve – atëherë them se durimi duhet të soset. Njësoj siç thoshte Platoni aktorët/et që luajnë rolin e artistëve e shkrimtarëve që kanë bërë bujë me prostituim artistiko-kulturor “jashtetit”, janë për t’u nxjerrë me shqelma prej polisit. Me ceremoni!

“Në kontekstin ku jemi” thoshte Ornela Vorpsi dhe “në rastin në fjalë (Edi RAMA)”, sikur të ishim “në fillim të shekullit të shkuar”, për t’iu përgjigjur sërish me Trebeshinën. Lindin pyetjet, thua flasin për kontekste të veçanta veprat e Antonin Artaud-së, të cilin duket se homazhon artistja shkrimtare në Ci-Gît l’amour fou? Të Bataille-it? Të Thomas Bernhard-it? Të atyre prej nga nxjerr frymëzim Ornela Vorpsi? Apo i flasin dhunës së gjithëkundshme e gjithëkohshme të pushtetit, duke e nxjerrë nga konteksti dhe universalizuar dhimbjen atyre që e provojnë në dhe/apo nën lëkurë? Mos vallë janë edhe këta “artistë jo të lirë dhe njerëz të kompleksuar nga përrallat e zanatçinjëve të kundravendosjes shabllone mes artit dhe pushtetit”? Apo Ornela i përdor thjeshtë për të parfumosur kurvlliqet e veta që quan art dhe literaturë? Pastaj, ç’mendon Ornela për një zanatçi, për të marrë një nga gjuha frënge që ta kuptojë Vorpsi, si Gilles Deleuze, që thotë “[n]ë terma të përgjithshëm, themi se dy janë rrugët për t’u apeluar tek ‘shkatërrimet e nevojshme’: ajo e poetit […] dhe ajo e politikanit. Këto të dyja mund të përkojnë në momente veçanërisht të turbullta, por nuk janë kurrë e njëjta gjë”?

Natyrisht, të mësipërmet janë pyetje retorike, përgjigjet e të cilave përftohen duke udhëtuar në realitete dhe kontekste shumë të ndryshme nga ato shqiptare, nga universe të tjerë, të cilët sytë e vjetër të Ornela Vorpsit, të mbushur me rërën e shkretëtirës së pushtetit, nuk mund të na ndihmojnë t’i shohim.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s