Skena e pa+varur kulturore në memoranda të keqkuptueshme. (Romeo Kodra)

Zakonisht kur flitet për memorandum mirëkuptimi merret si e mirëqenë që dy palë dialoguese, për të përparuar më tej në një marrëveshje përfundimtare, bien dakort mbi disa baza specifike që kanë shtjelluar paraprakisht. Në memorandumin nënshkruar sëfundmi midis Skenës së Pavarur Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës këto baza nuk jepen asgjëkundi, përveçse si fjalëkyçe që lënë vend për interpretime, të cilat midis palëve mund të jenë shtjelluar, por që publikut të varur e pavarur kulturkonsumues e kulturperformues nuk i janë dhënë.

Bile – duke parë faktet e shkatërrimeve të qëllimshme institucionale, që ka mbi shpinë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro – mund të thuhet se memorandumi i mirëkuptimit është mëse i dyshimtë. Besoj nuk ka nevojë ndokush që të përmend raste, por gjithsesi për rifreskim kujtese do të bënte mirë citimi i: fshirjes së Qendrës Kombëtare të Artit (e të vetmes gjë të hajrit, pavarësisht se e menaxhuar prej mejhanelëpirësish partiakë, lënë prej qeveria Berisha që e kishte futur edhe në LIGJ !!!); tentativa e fshirjes së reflektueshme të Onufrit, organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, për të nxjerrë në pah punën e shkëlqyer të COD-it (të PALIGJSHËM !!!) kryeministror; sulmi i fundmë mbi Teatrin Kombëtar; etj, etj, duke lënë pas financimet e majme dhe të dyshimta dhënë organizatave të përfshira në fushata elektorale, që nuk janë gjë tjetër veçse shlyerje indirekte detyrimesh financiare ndaj shërbimeve (shih rastin e Festivalit të Dritave – me thirrje pesëditore!!! – për Veliajn).

Dyshimet shtohen, jo vetëm prej mungesës së transparencës së informacionit të plotë mbi memorandumin dhe debatet që supozohet se e prodhuan, por edhe prej interpretimit të fjalëkyçeve. Në fakt, nuk kuptohet se çfarë do të thotë për Kumbaron dhe Andi Tepelenën shprehja “E ardhmja e skenës kulturore është decentralizimi, skena e pavarur, por për këtë duhet punë , emancipim dhe dialog”? Për axhendën e Kumbaros nuk besoj se ka njeri dyshime se çfarë do të thotë “decentralizim”, “skenë e pavarur”, “dialog”, por për axhendën e SPK informacioni është ende i munguar.

Zakonisht neoliberizmi fashistoid shqiptar përdor kode/fjalëkyçe, ku në dukje, në sipërfaqje, në fasadë demonstrohet hapja dhe dialogu me të cilin tashmë duhet të jemi mësuar, duke patur Edi Ramën si shembull në qerthullin para+politik shqiptar prej 27 vjetësh. Pra, duhet të dimë se e vërteta qëndron poshtë, te dekodifikimi, te shkyçja e fjalëkyçeve, nën sipërfaqe, nën fasadë, ku nuk duhet të ketë nevojë për de+monstrim, sepse askujt prej skenës së pavarur kulturore shqiptare i nevojitet filtrimi (de) i monstrës. Monstrat, tashmë, si shqiptarë kulturëkonsumues e kulturperformues, kemi aq këllqe  sa t’i shohim në sy dhe t’i përballim, pa filtrime nëpërmjet fytyrave/fasadave të Mirela Kumbaros dhe Andi Tepelenës, të Ministrisë së Kulturës apo Skenës së Pavarur Kulturore, të Partisë Demokratike, Socialiste, LSI-së, Ramës, Bashës, sorosistëve apo anti-sorosistëve, që nuk janë tjetër veçse emra (përfshi edhe timin) dhe etiketa bosha. Jo për gjë, por thjeshtë ngaqë jemi të lodhur me fytyra/fasada të reja që janë gjithnjë e më të vjetra.

Pra duhet të flasim mbi faktet, të cilat në këtë rast nuk na janë bërë transparente. Nëse do bëhen duhet kuptuar interesi i përbashkët, dhe jo vetëm interesi i parcelës së ashtuquajtur Skena e Pavarur Kulturore, apo Ministri e Kulturës, apo çfardolloj emri apo etikete tjetër. Duhet kuptuar sa dhe si ndikon ky memorandum midis Ministrisë së Kulturës dhe Skenës së Pavarur Kulturore tek interesi i institucioneve të Varura (TK, TKEKS, TKOBAP, Cirku, etj.): do fshihen; do të pavarësohen duke mbetur publike; duke u shndërruar në PPP?

Më duhet të them se, personalsiht, duke qenë pjesë e Tirana Art Lab as më shkon ndërmend të imagjinoj veten si i pavarur, apo të prodhoj art dhe kulturë duke thënë që artistët apo operatorët kulturorë me të cilët bashkëpunoj jemi të pavarur. Nuk kam aq pordhë dhe nuk jam aq i pacipë sa të mohoj që kushtet ku punoj më imponohen duke më vartësuar, duke më detyruar institucionalizimin, duke më kufizuar në ç’ka prodhoj, mua dhe ata me të cilët bashkëpunoj. Natyrisht ushtroj dhe ushtrojmë rezistencë ndaj institucionit TAL, financuesve të TAL, poltikëbërësve të financuesve të TAL e kështu me rradhë, për t’u çliruar nga hierarkizimi vertikal dhe mbi të gjitha e bëj dhe e bëjmë në mënyrë transparente.

Gjithashtu, parimisht bëj shumë kujdes për të mos bashkëpunuar me institucione që nuk problematizojnë parcelizimin e vet. Në pak fjalë nuk më pëlqen të përzihem me njerëz të institucionalizuar që nuk e shohin të keqen së pari tek institucionalizmi i vet (emri dhe mbiemri janë forma institucionalizimi, përcaktimi, dhe caqet janë kufij), duke injoruar atë që ndodh përreth dhe atyre që kanë përreth. Më konkretisht, nuk e shoh të arsyeshëm bashkëpunimin me SPK kur SPK nuk sheh interesin e përbashkët me të “pavarurit” e tjerë si TAL apo artistë të lirë, me të varurit e TK, TKEKS, TKOBAP, Cirkut, etj., duke i bërë pjesë paraprakisht përpara nënshkrimit të çfarëdolloj memorandash përgjithësuese ku mirëkuptimi është i mirëkuptuar vetëm prej fytyrave/fasada të foto-imazheve. Kjo vlen edhe anasjelltas, si për hallet e TK kur TK nuk sheh interesin e përbashkët duke hapur diskutimin më gjerë me operatorët e tjerë kulturorë dhe jo vetëm për statuset e artistit (sepse parimisht mund të ketë artistë, të cilëve nuk u plas bytha për “status”).

Madje do të shkoja edhe më tej. Nuk do të bashkëpunoja me operatorë kulturorë, të varur, të pavarur, të lirë apo vetëvarur, të cilët diskriminojnë LGBT. Nuk do të bashkëpunoja me LGBT të pispillosur që nuk thonë një fjalë për shfarosjen e institucioneve artistiko-kulturore dhe organizojnë evente në COD dhe jo në institucione me halle të ngjashme. Nuk do të bashkëpunoja me askënd që nuk thotë një fjalë dhe jo më të prodhojë art e kulturë për të nxjerrë në pah fashizmin e burgosjes së kuksjanëve.

Në pak fjalë, personalisht, për kësisoj bashkëpunimmesh nuk më plas fare. Më mirë asgjë, sesa kurvërime kompromentuese me fashistë, përtacë, pordhacë, spurdhjakë e injorantë. Cinikisht mund të thuhej: po kështu nuk bashkëpunohet me askënd, sepse i thonë të mbash në një kotec shumë gjela. Por, kam përshtypjen, duke eksperimentuar personalisht për së paku prej pesë vitesh, se mund të mbijetohet edhe duke bërë ndryshe. Dhe nuk është çështje mbijetese midis shumë gjelash në një kotec, por çështje kaposhësh të tredhur apo pulash që bien squkë për fonde të fëlliqta apo thërrime të rëna “rastësisht” poshtë tavolinës ku banketon pushteti.

SPK-MK_MARREVESHJAPersonalisht, shpresoj të mos jetë ky rast i përdorshëm thjeshtë si një foto-imazh dokumentues, që do të na përplaset një të nesërme në fytyrë për të na demonstruar dialogun midis skenës së pavarur kulturore shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës, sepse SPK me nismëtarë Andi Tepelenën dhe disa operatorë kulturorë të tjerë nuk ka mandat të atillë sa të jetë përfaqësues i skenës së pavarur kulturore shqiptare; aq më shumë kur nuk ka derimëtani kurrëfarë transparence mbi “mirëkuptimet”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s