Të debutosh me përkthimin e Stanislavskijt, ose si lind një tjetër “Institucion” i Kiço Londos. (Romeo Kodra)

Ka disa ditë që Kiço Londo është i zhytur në dhimbje të thellë … sepse ka frikë se po i ikën thela. Siç duket, kësaj here, nuk paskan bërë asnjë efekt kafetë me Anetën, t’ëmë e Kryeministrit. Kushedi se ç’bluan në kokën e tij Kiçoja: “Ta ketë me gjithë mënd Ai këlysh kurve sheshimin e Teatrit! Po me hallin tim, tani, si i bëhet?” Eh, dilema të trishta prej intelektualësh që prodhojnë kulturë, duke e kaluar planin me 300%, si një herë e një kohe.

Kudo ka shkuar Kiço Londo ka vënë tulla. Askush nuk ia mohon. Ka mbledhur rreth vetes edhe biznesmenë. Edhe këtë askush nuk ia mohon. Por të gjithë i mohojnë Kiços ngritjen e pyetjeve se si i ka vënë ato tulla. Po ata biznesmenë cilët janë e sa kanë nxjerrë nga xhepi për Kiçon? Dhe mbi të gjitha, sa u ka faturuar në këmbim Kiçoja atyre? Dilema që mikrofonmbajtësve dhe mikrofonmbajtëseve në media as nuk u shkojnë në mendje të ngrenë. Por, fundja, në Shqipëri jemi. Pastrimi i parave të prostitucionit, drogës, armëve është status quo, përditshmëri, normalitet. Për to nuk ngre dilema as Prokuroria, jo më rrogëtarët barktharë të dhjamosur.

Prej ditësh pra Kiços i është prishur gjumi. Dhe po lëviz gurët, sa majtas, djathtas. Praktikisht. këto ditë, i duhej të reagonte. Por, “pa gabuar”, siç shprehej në intervistën e Report TV. Larg qoftë të merrte ndonjë pozicion! Pro shembjes së Teatrit? Kundër shembjes së Teatrit? Kiço e di mësëmirë se si lundrohet në kësisoj kohërash. Më mirë të mos i shkelë në kallo të Madhit! Më mirë të demonstrojë dinamizëm. Më mirë të tregojë që është ende i gatshëm; që di dhe do të bëjë gjëra.

Natyrisht pak rëndësi ka niveli dhe cilësia, prej të cilave edhe gomerët do të merrnin arratinë. Pak rëndësi ka edhe analfabetizmi i tij krupndjellës. Fundja kush e merr vesh Kiçon!? Po ta merrnin vesh kokëkrehurat dhe hajvanët në media të shtypura e televizive emrin e tij nuk do ia bashkangjisnin fjalës kulturë, bie fjala, apo teatër. Po ta merrnin vesh kokëkrehura në Ministri të Kulturës dhe karabushi në Kryeministri nuk do e vinin në krye të një institucioni kulturor kombëtar. Apo e marrin vesh? Apo duke e marr vesh dhe duke i kuptuar gomarlliqet që thotë u intereson sepse i bën të ndihen me kungullin plot edhe ata? Apo ndoshta është ngaqë prej sheshimit të vlerave intelektuale dhe kulturore u leverdis, sepse marrin rrogën edhe barktharë(e)t e dhjamosur(a); sepse pastrojnë paratë e mafias edhe prostituuesit e artit në Ministri të Kulturës dhe Kryeministri?

Gjithsesi fakti është që Kiçoja u hodh në sulm, si gjithmonë. Me dinamizëm apo në rravgim psikotik, kjo është për t’u parë. Gjithsesi siç na informojnë duke na deformuar mikrofonmbajtësit/et e kulturës Kiçoja e nxorri lepurin e rradhës nga cilindri: Instituti i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Kiçoja, që nuk di të lidhë brekët e veta, po themelon një institut teatror, madje edhe kombëtar! Sa pordhë duhet të kesh e sa gomarë duhet të jesh vetëm të nxjerrësh nga goja një gjë të tillë!? Po kujt i bën përshtypje? Mikrofonmbajtës(e)ve?

“Dhe ku ka më mirë sesa të debutosh me një kryevepër?”, ka menduar Kiçoja. Në fakt siç na deformojnë shkruesit e letrave higjenike shtypur përditshmërisht, Kiçoja si hap të parë të institucionit solli botimin e Stanislavski-it “SISTEMI (Puna e aktorit me veten)”, përkthyer dhe përgatitur nga Mehmet Xhelili.

Në një botë normale do të ishte për t’u përshëndetur. Në një botë normale …

Sapo e pashë lajmin thashë “Mos!”, të them të drejtën, plot cmirë, duke qenë se kam përkthyer një pjesë të mirë të librit, me ndihmën e një gjuhëtari që më ndihmon me rusishten. Gjithsesi m’u desh të pranoj: “Shyqyr, më në fund!”. Cmira i la vendin shpresës. Pas kaq kohësh siç kisha pëllitur jo vetëm në këtë blog, por edhe lart e poshtë nëpër botues, ministrira të dhjera të arsimit e kulturës, si dhe nëpër kafane, mësëfundi po botohet edhe në Shqipëri “abetarja” e teatrit.

Ekziston një botim shqip i shtëpisë botuese Rilindja të Prishtinës, i vitit 1984, por jo në Shqipëri. Pra, do të kemi mundësi të shpëtojmë Universitetin e Arteve dhe më saktësisht Fakultetin e Artit Skenik, sepse librat masin vlerat dhe njohuritë e profesorëve që e popullojnë (me profesorë nënkuproj ata që kanë grada shkencore të mbrojtura me punë shkencore natyrisht, jo ata që e quajnë veten si të tillë). Por pikërisht për këtë paragjykim timin mbi “profesorët” dhe “zyshat” vendin e cmirës dhe shpresës e zuri habia duke parë që Mehmet Xhelili është edhe profesor në Universitetin e Arteve. Nuk u besoja syve, duke ditur nivelin e studentëve, që paska në Universistetin e Arteve njerëz që jo vetëm kanë lexuar Stanislavskij-n, por edhe e paskan përkthyer, d.m.th. edhe studiuar në detaj.

Por kur bëhet fjalë për punët e Kiço Londos nuk mund të jesh kurrë i sigurtë. Në fakt, lajmin e pashë në internet dhe librin në dorë nuk e mora. Por pashë një imazh të kopertinës.

Stanislavskij në shqip Aty vura re edhe një herë titullin: Sistemi. Puna e aktorit me veten. Një profani mund të mos i bëjë përshtypje, por një lëvruesi të teatrit nuk mund të mos i bjerë në sy nëntitulli i gabuar: Puna e aktorit me veten duket të ishte Puna e aktorit mbi veten (Работа актёра над собой). Iu ktheva edhe një herë leximit të artikujve info-deformues të letrave higjenike të shtypit dhe mora konfirmimin: ishte pikërisht ashtu siç shihej në kopertinë, i shkruar gabim dhe nën sytë e të gjithëve.

Ndonjë profan siç thashë mund ta kalojë si pa të keq këtë gabim. Ndonjë mendjelehtë madje do të rrudhte buzët për “polemikën e rradhës”. Por çështja është më e thellë, sepse tregon kompetencën e ndërmarrësve të këtyre inisiativave në dukje kulturore dhe shkencore.

Dhe nuk është hera e parë që e shoh një gjë të tillë, domethënë përkthimin “noterial” të një teksti shkencor teatror. Çuditërisht edhe herën e parë kishte të bënte me Kiço London, asokohe (2010) drejtor themelues i Teatrit të Metropolit, nëpërmjet të cilit kishte botuar Peter Brook-un (“Hapësira boshe”) sjellë në shqip nga Sesila Plasari dhe mbështetur nga Universiteti UFO. Përveç të drejtave të autorit të padeklaruara, përthimi ishte shumë i përciptë dhe dukej, siç thoshin në klasë të tretë fillore, i bërë shkel e shko.

Kjo mendjelehtësi e të përkthyerit sa për të vënë emrin mbi kopertinë dhe për të shtuar një rresht në kurrikulum natyrisht dëmton edhe botëkuptimin dhe konceptimin e të bërit teatër. Duke qenë pa filtra kritikë – sepse në Shqipërinë e sotme nuk mund të kritikohen “profesorët” apo “drejtorët”, që predikojnë nga katedrat e tyre të gjithëpushtetshme (d.m.th. katedra të faluar nga pushteti) – u trashëgohet studentëve dhe, mbi të gjitha, spektatorëve nga profesionistët e fushës.

Dallimi midis përkthimeve të nëntitullit si “Puna e aktorit me veten” dhe “Puna e aktorit mbi veten” është i rëndësishëm sepse tek ajo “MBI”, në dukje e parëndësishme, mori hov puna e pasuesit të Stanislavskij-t, një revolucionari tjetër teatror të quajtur Mejerhold, punën e të cilit duket se përkthyesi dhe “drejtori” institucionngritës a institucionthemelues as që ia kanë idenë. Tek ajo “MBI” Mejerhold-i gjeti trampolinën për një tjetër hedhje-lidhje-zgjidhje midis aktorit dhe personazhit dhe, mbi të gjitha, midis fizikut dhe pasioneve të brendshme të aktorit. Në fakt prej Mejerhold-it lindi biomekanika e aktorit, aktori atlet, aktori marionetë në duart e regjisorit: regjisori “MBI” aktorin. Tek ajo “MBI” do të ekstremizohej vertikalizmi i pushtetit të regjisorit, do të provokohej tëhuajzimi i njeriut të nënshtruar ndaj një pushteti të çfarëdoshëm, pra edhe politik. Dhe duke ditur që jemi në Bashkimin Sovjetik e gjysmës së parë të ‘900, tek ajo “MBI” pushteti stalinist nuk duroi provokime të mëtejshme.

Por këtu po flas për shkencë teatrore, natyrisht. Pra po e kaloj cakun e dallavereve dhe batakçilliqeve alla Kiço Londo & Co.

P.S. Nuk e di nëse kjo është kritikë. Më mirë të bëjmë një emision duke u nisur nga “spuntot” e “profesor/regjisor Kiço Londos” mbi këtë çështje.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s