“Éminence grise”, edhe një herë, nuk jemi dakort. Dhe një post+post scriptum in memoria: Gëzim Qëndro. (Romeo Kodra)

Me Gëzim Qëndron jam njohur në një mjedis tejet mbytës dhe helmues, për trupin dhe mendjen; mbytës dhe helmues siç dinë të jenë vetëm Shqipëria, skena artistiko-kulturore dhe institucionet e saj të formim-kultivimit të artit dhe kulturës, private apo publike qofshin. Kemi qenë kolegë për dy vite rresht – të pafundme, për mua – dhe miq për shtatë, që kaluan sa hap e mbyll sytë.

Simpatia e ndërsjelltë kam përshtypjen se na lindi kur u sintonizuam në disa aftësi të përbashkëta siç janë pasioni, këmbëngulja apo kokëfortësia për të mbrojtur konceptet dhe idetë e artit dhe botëkuptimit, si dhe doza e mjaftueshme e vetëironizimit për të mos u bërë – përveçse kur është e qëllimshme – të papërtypshmën për bashkëbiseduesit.

Që në fillim duke “luajtur” mbi këto aftësi krijuam një miqësi, që për mua ishte unike dhe që, me shumë gjasa, do të rezultojë edhe e pazëvendësueshme.

“Lojën” e zbuluam menjëherë, që në bisedën e parë, diku rreth fillimit të tetorit 2011, kur Qëndro ishte eprori im direkt. Menjëherë pasi “zbatoi detyrën” – dhe ai e dinte se ç’do të thotë detyrë institucionale – dhe kuptoi “informacionin” apo “bagazhin e kandidatit”, e çoi bisedën aty ku më shumë i pëlqente: historia e filozofisë së artit, teatrit, kinemasë, literaturës. Folëm gjatë, rreth dy orë, aq sa m’u desh të bëja bis me një “dopio kafe të shkurtër me pak shkumë qumështi”. “Domethënë, jo vetëm që je llafazan, por edhe zevzek” më tha, kur u ktheva në tavolinën ku ishim ulur, kur dihej që ishte ai që kishte folur më shumë, por jo dhe aq, sesa unë. “Lela, të lutem, më bëj një qumësht të ngrohtë, por jo të nxehtë e as të vakët, pa yndyrë dhe pa sheqer për Profesorin” i thashë kamerieres së barit. Pas batutës sime të fundit, nëse duhet ta quaja “shef” apo “koleg”, u ndamë, për meritën, mirësinë dhe mirësjelljen e tij, si miq.

Të tillë mbetëm edhe pasi nuk ishim më “kolegë”; me pasione, kokëfortësira, dhe ironizime të njëjta. Të njëjta mbetën edhe maratonat-bashkëbiseduese, debatet e shumta, mosdakortësitë e skajshme. Kemi folur shumë edhe për këtë nevrozë të dialog-monologjeve tonën. Madje kemi qeshur si “hijena” me “dhimbjen që i shkaktojmë, herë me qëllim e herë pa qëllim, bashkëbiseduesve”, me “atë ngrysjen e ballit dhe rrudhën mes vetullave që u krijohet kur nuk ia dalin më të dëgjojnë”, “kur nuk kuptojnë më për çfarë po flitet”, “kur fillojnë e lëvizin në karrike e duan të jenë gjithkund, përveçse aty”, “kur i humbasim përfundimisht si interlokutorë”. Kemi folur, pra, sesi mund ta duan shqiptarët filozofinë, kulturën apo artin kur mes kultivuesve ka hijena. Bashkëbisedime ndyrësisht elitare, por edhe disakrante, irreverente ndaj vetes dhe pseudo-statusit shoqëror.

Vjet, pak a shumë në këtë periudhë, mora vesh prej E.G., një ish-student dhe mik i përbashkët (prej Qëndros mësova se si të kem të tillë), që kishte dëgjuar se Gëzimi nuk kishte qenë mirë e ishte shtruar në spital, por që edhe ishte kthyer në shtëpi. Të nesërmen pasi e mora në telefon, pa patur përgjigje dhe duke qenë se po atë ditë duhej të nisesha për në Francë, ku do të qëndroja për një projekt rreth një muaj, mendova ta takoja kur të kthehesha. Në kthim hapja e ekspozitës së rradhës në Tirana Art Lab më mori rreth një javë kohë. Aty marr vesh prej E.D. se Gëzim Qëndro ishte sëmurë rëndë. U bëra merak dhe pata një flash-back që më turbulloi për shumë kohë.

Herën e fundit që kisha komunikuar me të ishte falë telefonatës së tij – diku rreth dhjetorit 2016, d.m.th. pak para se të sëmurej – me anë të së cilës kishte patur mirësinë të më komunikonte personalisht që projekti “Tregtari i skeletëve”, i prezantuar prej grupit ku bëja pjesë, për Bienalen e Artit në Venecia, pavarësisht se i kishte pëlqyer, nuk ishte përzgjedhur prej komisionit. Ndoshta prej gjithëpërfshirjes në projekt dhe pasionit me të cilin kisha punuar, përveçse për bindjen e nevojshmërisë së tij në një kohë dhe situatë artistiko-kulturore dhe politike, jo vetëm shqiptare, por edhe “veneciane”, i isha përgjigjur jo si herë të tjera. Pavarësisht se i nënvizova faktin se projekti ishte më shumë për të dokumentuar dhe protokolluar – që në Shqipëri ka alternativë përveç estetizimit të zakonshëm të politikës – sesa për të fituar konkursin e përfaqësimit në Bienale, mungesa e vetëironizimit tim në atë rast më sillte në kokë, sidomos për shkak të sëmundjes së tij, një preokupim që thuajse më pështjelloste; më dukej sikur ajo telefonatë e fundit po mbyllte një miqësi në mënyrën, për mua, më të shëmtuar të mundshme. Në pak fjalë më dukej sikur më kishte marrë në telefon si mik e i isha përgjigjur sikur të më kishte telefonuar institucioni, armiku.

Gjithsesi, kur u takuam gjeta po “të njëjtin” mik, edhe një herë falë meritës, mirësisë dhe mirësjelljes së tij. “Qenke dobësuar dhe dukesh që paske hequr shumë”, i thashë. “Jo” më tha, duke parë që, ndryshe nga herë të tjera, kisha filluar bisedën në mënyrë serioze, “jam po i njëjti. Madje edhe më mirë, sepse tani kur filloj e shpalos përroin psikik, kam justifikimin e çertifikuar prej mjekëve që më ka marrë koka erë”. Me këtë të fundit aludonte ndërhyrjen kirugjikale që i ishte dashur të bënte. “OK”, thashë me vete, “është akoma Gëzimi” dhe me zë të lartë, duke aluduar pjesëmarrjen në jurinë e Bienales dhe flokët e tij, “… domethënë do vazhdosh të jesh éminence grise e artit dhe kulturës shqiptare?”. Qeshëm pa pushim mbi Richelieu-të e Louis-të shqiptarë dhe oborret, kopshtet, kopshtijet apo baçet e tyre të djerra në pëgjithësi.

Nuk di sa herë thumbonim njëri-tjetrin mbi pasionet, manitë, sakrificat, patetizmat, egocentrizmat tona dhe eksperiencat e përditshme “heterotopike e heterokronike” shqiptare. Në një sms të marsit të kaluar, të cilin ia dërgove sepse më kujtoi bisedën e pak ditëve më parë me të mbi dilemën e “të qenit vetvetishëm të Shqipërisë post-moderniste apo të qenit të post-modernizmit vetvetishëm shqiptar” dhe që mendoja se do ta bënte të qeshte, i shkruaja: “Sot po kaloja nga Parku Rinia, kur papritur më erdhi një urgjencë nga ato që të plasin veshkat: m’u desh të futesha te banjot e Taiwan-it, që të lirohesha. Hapa derën e banjos së burrave, kur ç’të shoh? Sapo kisha kapur mat pastrueset duke bërë selfie … një nga ato momentet që të ndryshojnë jo vetëm humorin e ditës, por edhe vizionin e botës”. Përgjigjia e Gëzim Qëndros, me të njëjtën gjatësi teksti, përmbante citime nga Baudrillard, Merleau-Ponty, Kanoa prej letre, evidentonte degradimin tim moral e psikologjik-social, intelektualizmin e tepruar dhe gjendjen e popullsisë, televizionit e shtypit. Kaq pak na mjaftonte për këtë lojë tonën, të cilën kam përshtypjen se, në mos përgjithmonë, të paktën për shumë kohë, do më duhet ta vazhdoj vetë. Shpresoj përroi psikik të mos më degjenerojë derisa të më marrë koka erë.

Post Scriptum. Gëzim Qëndro ka qenë një prej personave që më shumë ka dashur Shqipërinë. Madje mund të them se personalisht nuk kam njohur ndonjë që ta donte më shumë. Bija dakort me të për mundësitë dhe pjellorinë e kërkimeve origjinale që në Shqipëri, ndryshe nga çdo vend tjetër i Europës, mund të bëhen dhe është i vetmi motiv që mua ma bën atë të përtypshme. Për Qëndron, rilindasin e fundit (shpresoj të mos marrë askush ngjyrimet e para-politikës prostitucionale të sotshme), Shqipëria ishte një komb; për mua është një territor. Prej këtej ndaheshim në botkuptimet tona të papërputhshme. Qëndro ishte kthyer në Shqipëri pas studimeve në Vendet e Ulëta në 1996, viti kur unë, si shumë shqiptarë të tjerë, për më shumë se 15 vjet e lashë, sepse po më mbyste dhe helmonte me shkretimin e saj, mbi të gjitha institucional.

Ndërkohë Gëzim Qëndro ndërtoi institucione, publike dhe private. Dhe i ndërtoi në një territor dhe kohë ku “shefi” – politikan apo pronar qoftë – mbizotëron dhe zapton. Pa pyetur. Duke shpërfillur. Debatet me Qëndron shpesh herë i çoja qëllimisht tek uzurpimi që i ishte bërë punës së tij në dekada tashmë dhe mungesa e dukshme sipërfaqësisht e revoltimit që e karakterizonte. Për këtë nuk u kuptuam e pajtuam asnjëherë. Natyrisht kuptoja pasionin e tij parësor, familjen. Dhe ia pata thënë. Tani e kuptoj edhe më shumë. Por nuk ishte vetëm kjo.

Nuk do e harroj kurrë sesi më nxiste për të shkruar në shtypin e përditshëm. Shkrimet e para, në 2012, i kam bërë prej tij. Por gjithmonë e pyesja se ku mendonte se unë do të dilja me këto shkrime, ku do më çonin ato. E ngacmoja me humbjen e shkrimeve të pafundme të tij në shtyp që kushedi në ç’cep të “mendjes sklerotike të kombit” kanë përfunduar. I thosha se natyrisht atij i kishin bërë mirë për promovimin e cilësisë drejtshkrimore, por gjithçka mbaronte aty. Madje ai kishte humbur jo vetëm shkrimet, por edhe institucionet që mbi ato shkrime ishin ndërtuar. “Shefat” ia kishin fshirë ose ia kishin falur sërës së pafundme të injorantëve që popullojnë trevat kombëtare (A e ka vënë re njeri p.sh. që Gëzim Qëndro ka bërë më shumë shkrime për artin sesa gjithë profesorët e Universitetit të Artit apo “drejtorët” që kanë kaluar në GKA të marrë sëbashku? Nuk po flas për cilësinë e shkrimeve të tyre akademike dhe meritën e gradave).

Kështu pra, unë i dashur Éminence Grise nuk kisha dhe as kam të njëjtën ambicje. Thjeshtë ndoshta ngaqë nuk më pëlqen të falë atje ku vidhet me bollëk. Por Éminence-a dinte të ma mbyllte gojën; i mjaftonte një “a di dhe a do të merresh me gjë tjetër?”.

Në fund shpresoj që ata të cilët i kanë nën kontroll dhe bëjnë pazare politike apo financiare me institucionet publike apo private që ka ndërtuar Gëzim Qëndro të kenë kuptuar që kritikë arti në Shqipëri në mos nuk ka, të paktën sa ishte ai gjallë, ka patur. (Shih p.sh. opinionet që qarkullojnë media dhe politikën e sotme: min. 34.15 sek. të linkut të mëposhtëm.) Kështu, besoj, duke qenë se u japim emra rrugësh afaristëve sikur të ishin Skënderbeu, për merita në mos të dyshimta kriminale aspak publike; apo emra institucionesh si TKEKS pa shkruar asnjë rresht për artistë si Kujtim Spahivogli; besoj pra se nuk do u kushtojë shumë “shefave” nëse do i linin diçka emrit dhe kujtimit të punës së Gëzim Qëndros. Për shembull nuk do të ishte keq nëse bibliotekës së GKA krijuar nga Qëndro do i vihet emri i tij; nëse pas fshirjes së konkursit “Onufri”, maskuar me shndërrimin e pakuptimtë të GKA-së në muze, të cilët Qëndro i mbajti në këmbë edhe në 1997-98, do të krijohej një konkurs prej muzeut të ardhshëm dedikuar kujtimit të tij; apo revista “PAMORART” të zhvillohej nga abetarja e artit bashkëkohor që filloi Qëndro,  të bëhej serioze, shkencore e përtremuajshme. Jam i bindur se me këto do të mjaftohej e nuk do të skuqej, sepse i kishte vaditur e kultivuar me duart e veta dhe do t’i pëlqenin më shumë sesa pompoziteti i emërimit të ndonjë rruge apo institucioni kombëtar, të cilët i shihte përtej emrave të përveçëm.

Thjeshtë idera, përtej “panegjirizmave me fisnikë” dhe “lirizmave prekës të ditëve me dëborë”.

Post Post Scriptum. Mirupafshim Éminence grise, jam i bindur se do të përplasemi duke u gjetur sërish në përhumbjet tona.

IN MEMORIA.
Locvizza il 30 settembre 1916.

Si chiamava
Moammed Sceab

Discendente
di emiri di nomadi
suicida
perché non aveva più
Patria
Amò la Francia
e mutò nome

Fu Marcel
ma non era Francese
e non sapeva più
vivere
nella tenda dei suoi
dove si ascolta la cantilena
del Corano
gustando un caffè

E non sapeva
sciogliere
il canto
del suo abbandono

L’ho accompagnato
insieme alla padrona dell’albergo
dove abitavamo
a Parigi
dal numero 5 della rue des Carmes
appassito vicolo in discesa.

Riposa
nel camposanto d’Ivry
sobborgo che pare
sempre
in una giornata
di una
decomposta fiera

E forse io solo
so ancora
che visse

Giuseppe Ungaretti

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s