Shtojca mbi rëndësinë e ruajtjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe zgjidhjes së Ardian Vehbiut. (Romeo Kodra)

20171011_123729Në mish-mashin që karaterizon diskuret mbi artin dhe kulturën shqiptare është e vështirë të gjesh hapësirë për debat, diskutim apo dialog. Përsëpaku nuk është e mundur të gjendet një hapësirë ku të ballafaqohen të paktën njohuritë mbi gjërat, termat, konceptet dhe idetë; në pak fjalë, ku të shihet koherenca dhe kompetenca e folësve. Kështu që, prej sa është hapur ky blog i dedikuar (A)rtit, (K)ulturës dhe (S)pektaklit, personalisht më është krijuar bindja se mundësia e vetme – me gjithë depresionet, neurozat apo psikozat që gjeneron – është ajo e monologut. Natyrisht nuk është se nuk ka njerëz me të cilët mund të debatohet, diskutohet apo dialogohet. Por, ajo që mungon është hapësira.

Tek njerëzit me të cilët mund të dialogohet, diskutohet dhe debatohet për mendimin tim hyn edhe Ardian Vehbiu. Ky shkrim merr shkas pikërisht prej një artikulli të tij tek Peizazhe të Fjalës, ku autori jep “një zgjidhje” për Teatrin Kombëtar.

Mbi “çështjen e Teatrit”, ku prej javësh tashmë po zukasin gjinkallat e skenës para+politiko-artistike të vendit, pavarësisht se mund të them dhe shkruaj për një muaj rresht pa pushim, nuk e kam ndjerë të arsyeshme të shkruaj as edhe një fjali. Përseja shpjegohet me atë që thashë pak më sipër dhe që është nënvizuar edhe në shkrimin e Vehbiut; në Shqipëri – sidomos për rastin në fjalë – nuk bëhet debat … maksimumi, siç thotë Ardiani, mund të quhet “përplasje”. Dhe kjo e fundit vjen gjithmonë e cytur nga pushteti politik ku zëri më i zhurmshëm, dhe jehona që i bëhet nëpërmjet jargavitjes së masmedias teletrumpikëse, del më i fituari.

Gjithsesi, pavarësisht meritës së Vehbiut dhe PTF, edhe ky shkrim i imi nuk mund të thuhet ende se është pjesë e një dialogu, as debati e as diskutimi, sepse i mungon një parathënie dhe parashtrim tezash mbi personat e përfshirë dhe sidomos mbi çështjen, e cila, për shkak të ndërlikueshmërisë dhe impaktit shoqëror, nuk mund të bëhet as në AKSREVISTA, as në PTF e as në të dyja sëbashku. Për to ka nevojë për institucione përfaqësuese, dhe kur them përfaqësuese e kam fjalën për përfaqësuese politike, shoqërore, administrative dhe natyrisht artistike dhe kulturore, përpos të interesuarve direkt (artistëve dhe operatorëve kulturorë). Pra, mesa shihet, me këtë shkrim dhe shkrimin e Vehbiut nuk jemi as larg të të qenit të përshtatshëm e aq më pak të mjaftueshëm për të shtejlluar çështjen.

Por, lind pyetja, përse po shkruaj? Përgjigjia që përsëpaku i jap vetes është se një ditë dikush, diku do marrë mundimin për të kuptuar këtë periudhë historike të Shqipërisë dhe do të dijë nëpërmjet leximit që jo gjithëçka dhe gjithkush është pjesë aktive e përdhunimit dhe deformimit antropologjik artistiko-kulturor që përjetojnë shqiptarët e sotshëm. Dhe shpresoj që ky dikush të kuptojë që dje, sot e mot e mira dhe e keqja janë aq banale dhe të kuptueshme sa nuk ia vlen të merresh për të bërë dallimin, të cilin e kuptojnë edhe foshnjat në djep, por të di të dallojë në mes të kësaj zallamahie të mirët nga të këqinjtë, që shihen nga kompromiset e fëlliqta e të ulta të bëra ditën me diell.

Për t’iu rikthyer shkrimit të Vehbiut dhe zgjidhjes që jep më duhet të them se, përveç meritës së hapjes së diskutimit në një nivel më teknik (nuk kam dëgjuar asnjë njeri tjetër të hapë diskutimin në këtë nivel dhe kjo demonstron degjenerimin e ekspertëve të supozuar të fushës), nuk ma mbushin mendjen disa arsyetime, ose më mirë të them që ka diçka që më duket e pajustifikueshme për zgjidhjen e tij. E kuptoj shumë mirë diskutimin dhe paralelizmin e hequr me kontekstet e Lindjes së Largët dhe konceptet e historinë e rindërtimit të Gjermanisë post-naziste. Kuptoj gjithashtu që paralelizmi është më shumë për të hapur diskutimin sesa për ta shteruar e njëjtësuar në mënyrë shabllone atë. Pra, ç’ka mbetet e hapur është pikëpamja teorike, dhe këtu dua të futem më thellë në temë.

Nga pikëpamja teorike dhe metodologjike e ruajtjes së një objekti arkitekturor si pjesë e trashëgimisë së një kulture, në shkrimin tim, që citohet edhe nga Vehbiu, kam evidentuar rëndësinë e këtij objekti (kompleksi i TK dhe TKEKS) si një vlerë e arkeologjisë industriale dhe prej saj arkitekturës industriale. Por kam shkuar edhe më tej, ku më është dashur për shembull të fokusohem te rëndësia e Teatrit për nga pikëpamja e arkitekturës koloniale italiane. Ose më tej akoma, siç është rasti i arkitekturës së racionalizmit italian në kolonitë e gjysmës së parë të ‘900. Dhe e gjitha kjo rënditje ka të bëje me metodologjinë, të paktën atë që përdor unë në kërkimet e mia të gjithëfarëlloji ku fokusohem jo vetëm te rezultati përfundimtar, por edhe te mjetet laboratorike, që, sëbashku me konceptet, prodhuan rezulatet; në pak fjalë ato që rrinë pas fasadës (një dreq e di sesa nevojë ka qerthulli kërkimor shqiptar – sidomos ai i artit dhe kulturës – për këtë lloj metodologjie!).

Por këtu lindin edhe disa pyetje: sa vetë janë interesuar për këto tema në Shqipëri? Nëse janë interesuar, ku janë sot? A kanë një mendim? Apo mendojnë të marrin rrogat në shtet apo diplomore private dhe të sulen vetëm kur u jep urdhër pronari? Pastaj, mendimi i tyre është i besueshëm dhe koherent, sidomos kur bëhet fjalë për prononcime në periudha me qeveri të ndryshme (nuk e kam fjalën vetëm për Artan Shkrelërat e Lamërat e diskretituar prej vitesh tashmë, por edhe “shoqata arkitektësh të rinj”)? Dhe në fund, kur nuk dalin në skenë, qoftë edhe duke bërë “monolog” me veten, të interesuarit e profesionit, si mund të artikulojë ndonjë gjë me vend publiku, gjithnjë e më i tëhuajzuar prej realitetit për shkak të teletrumpiksjes masmediatike?

Pra, në pak fjalë, kompleksi i Teatrit, që synohet të shembet, është një thesar ende i pa zbuluar tërësisht për kulturën tonë, i cili nëse zhduket, nuk mund të rikuperohet kurrë. Nuk rikuperohet as duke e bërë si ka qenë nëpërmjet “teknologjisë moderne”, siç thotë Vehbiu, sepse në këtë rast do të humbisnim pikërisht materialin e ndërtimit dhe do anashkalohej rëndësia e Teatrit për nga pikëpamja e arkeologjisë industriale dhe si rrjedhojë do humbasim edhe zinxhirin e lidhjeve që përmenda më sipër, për të cilat nuk mjafton një “pllakëz informuese në hyrje”.

Dhe nuk është aspak një kapërcim logjik nga dega në degë ky arsyetim, sepse materiali bazë i Teatrit është populiti. Populiti është një material i lirë që ofron një mënyrë ekonomike për të ndërtuar shpejt dhe lirë, i përdorur nga arkitektët e Musolinit për të shpërndarë idenë e këtij të fundit të Perandorisë Romake të Rilindur, jo vetëm në Itali, por edhe nëpër kolonitë italiane.

Dhe që përveç çështjeve material-ekonomike e arkeologjiko-industriale, përpos atyre koloniale dhe arkitektoniko-racionaliste, nëpërmjet zhdukjes së gjurmëve të populitit do të humbej edhe njohuria e akustikës, atëherë mund të imagjinohej disi më shumë gjëma për të cilën po flitet dhe vrima e zezë që do të linte pas. Ah, meqë ra fjala, e dinë specialistët e tullës dhe llaçit që po ndërtojnë TKOBAP se çfarë është akustika e populitit? Ia kanë bërë pyetjen vetes – edhe specialistët e tjerë shqiptarë – pse akustika e Teatrit është shumë herë më e mirë se çdo gjë tjetër që ata mund të kenë pjellë nga pikëpamja akustike për çfardolloj institucioni (kishë, teatër, auditorium)?

Por, duke i lexuar artikullin, kam përshtypjen se Vehbiu ka anashkaluar pa e vënë re marrjen si të mirëqenë prej tij të “rrëgjimit dhe amortizimit” të ndërtesës të Teatrit dhe pamundësinë e rikuperimit tërësor të kësaj ndërtese nëpërmjet restaurimit. E pra, ky informacion-deformacion besoj i ka kaluar si pasojë e propagandës së Kokëkrehurës së Minsitrisë së Kulturës dhe Karabushit të Kryeministrisë, që prostituojnë artin dhe kulturën shqiptare ditëpërditë [Nga kjo pikëpamje në shkresat e mia drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit kërkoja të më viheshin në dispozicion edhe emrat e “eskpertëve” që pohojnë gomarlliqe të tilla, të cilat më duken si ato gomarlliqet e Sali Berishës dhe më pas Rilindjes mbi pamundësinë e rikuperueshmërisë së mozaikut të Muzeut Kombëtar. Por pa rezultat derimësot. Nuk di nëse nuk ekzistojnë apo kanë turp të thonë idiotësi të tilla.].

Kështu pra, për të cituar Edi Ramën e paradokohëve, sipas meje “nuk ka bir kurve” të ma mbushë mendjen se restaurimi i populitit, një material i përbërë nga tallashi i plepit (prej nga vjen dhe emri), cimentoja dhe gëlqerja, që midis të tjerash është i lehtë sa më s’bëhet, të cilin mund ta ngjisësh, presësh, “arrnosh” e modifikosh sipas dëshirës, nuk u restauroka. Madje ka kosto jashtëzakonisht të ulta, për të cilat oligarkët e Rilindjes as nuk do të ndynin duart, sepse nuk do të mund të shtoheshin shifra të ekzagjeruara në faturime dhe nuk do pastroheshin mjaftueshëm para (gjithsesi, të interesuarit për dallavere të tilla le të informohen te Kiço Londo).

Në fund, do kisha shumë për të thënë edhe përsa i përket diskutimit që donte të hapte Vehbiu mbi rindërtimin që “ruan format, funksionet dhe hijen e ndërtesës origjinale”, por, siç thashë në hapje, nuk mendoj se është i mundur as në AKSREVISTA, as në PTF e as në të dyja sëbashku.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s