Armando Lulaj: nga “lançimi” rilindas në Bienale, në lëshimin e pordhë-bombave për shkak të paarritshmërisë së Edi Ramës. (Romeo Kodra)

Para pak muajsh po mbyllja së montuari një video të 2016, “The Gut 3. Institutional Pharmacopoeia“, një punë mbi COD-in si Center for Openness and Dialogue dhe kod-ifikimin si formë institucionale. Rastësia desh në të njëjtën kohë të lexoja në media sociale, një status (vepër arti?) të një artisti që “sfidonte haptazi” (online) Kryeministrin Artist Edi Rama. Zbulova prej një artikulli para pak ditësh që artisti ishte Armando Lulaj, për të cilin kam shkruar mjaftueshëm në këtë blog. Kam shkruar aq shumë saqë më duket sikur i kam dhënë më shumë kuptime sasa ai vetë veprës së tij, NEVER më specifikisht. Dhe kam shkruar derisa artisti mori rravgimin drejt elitës së artit prostitucional të Rilindjes, duke pranuar kockat poshtë tavolinës së pushtetit, që e përzgjodhi si përfaqësuesin shqiptar në Bienalen e Artit në Venecia, duke i “lançuar” lart-e-më-lart karrierën artistike në majat e panteonit shqiptar ku e prisnin Sala, Hila, Paci (kjo të paktën ishte ideja e Marco Scottini-t, kurator i tij dhe i “yni” bashkë). Diku pata thënë që Lulaj pasi zgjodhi këtë rrugë iu fut një tave me mut prej së cilës vështirë se do të dilte i larë. Fakti i të bërit “provokacije” kundra art-prostitucionit të pushtetit Rilindas dhe ramist 3 vjet më vonë me një Fatmira Nikolla të çfarëdoshme dhe jo në Bienalen e Artit në Venecia tregon se kacavjerrja për të dalë nga tava me mut ekziston por me shkrepje të vonuar ose e tillë me qëllim për të ngritur zërin kundër mungesës së ardhjes së racionit të kockave të rradhës.

Gjithsesi, për të rikapur fillin e çështjes, artisti Lulaj nëpërmjet mesazheve SPAM kërcënonte Kryeministrin Rama të shkarravista të famshmet doodles mbi ato që vetë artisti supozonte si dokumente kompromentues (raportet e policisë apo shërbimeve sekrete).

 

image

Më shumë sesa përmbajta, e statusit-veprës së artit, ishte formulimi që mu duk interesant. Veta e parë shumës, OUR, mu duk sikur denonconte një frikë latente, nevojë për t’u fshehur pas tufës, si një kafshë e çfarëdoshme shtëpiake, një qen ndoshta. Përveç kësaj, mu duk sikur shkrimi tregonte ca si tepër prirjen e një shkruesi që – si çdo qen-artist i shtëpiakëzuar – njihte autoritetin; dhe, duke iu referuar përmbajtjes, mbi të gjitha autoriteti ishte ai i një Kryeshërbëtori (ky është kuptimi i fjalës Kryeministër, PRIME MINISTER). Më bëri shumë çudi kjo përzgjedhje për të identifikuar si autoritet jo vetëm një shërbëtor, por shërbëtorin e shërbëtorëve, Kryeshërbëtorin-Kryeministër. Dhe është për këtë arsye që, duke menduar për këtë mendësie të artistit që dilte nga leximi i statusit-vepër arti, më erdhën ndërmend paralelisht qentë, si kafshët shtëpiake par excellance.

Nga statusi-vepër arti (SPAM) e artistit shohim se menjëherë shpirti garues, antagonist – karakteristik për çdo tufë qensh – e bën artistin të dalë në ballë të tufës, duke ndërruar vetë, njëjës këtë herë, UNË, I. Dhe pasi rendit ato që çdo pjesëtar i rëdomtë i tufës mendon se janë pushtete, të cilëve tufa përkatëse u nënshtrohet a priori, artisti i vetshpallur zëdhënës i tufës, me një dinjitet prej Dritan Zagani të vërtetë, që mendon se po dekonspiron publikisht aferat e autoritetit Kryeshërbëtor, kalon tek kërcënimet, por pa harruar ndërkohë që t’i kthehet shpejt-e-shpejt gjirit të tufës, vetës së ngrohtë e të sigurtë shumës, NE, WE. Se, në këto kohëra nuk i dihet, kushedi se ç’mund të ndodhë pas kësaj pordhë-bombe të lëshuar!

Siç mund të kuptohet, pa i rënë shumë gjatë, formulimi i fryrë e “shantazhues” (po dridhet Edi Rama nga “artistët”?) tregon një kompleks inferioriteti provincial, që kujton se mund të hedhë në erë kushedi se çfarë sekreti bombastik. Siç duket pjesëtarëve të tufës nuk u mjafton që “transgresioni” më i madh politiko-artistik i Kryeministrit Artist, me shkarravina të sipërfaqshme, d.m.th. bazuar në aspektet përshfaqëse (representational aspects), është kryer tashmë dhe në “dokumente aspak banale”: qoftë në mënyrë të indirekte artistike, si në rastin e vendimeve autoritare të prishjeve urbane (prona private a publike) dhe ndërtimeve të mëpasshme “artistike”; qoftë në mënyrë artistike direkte, si në rastin e shkarravitjes artistike të një ligji, si ky më poshtë, të cilin e shohim të të aprovuar jo vetëm në Parlament, por edhe të ekspozuar në Bienalen e Artit të Venecias së viti që sapo mbaroi.

Picture1

Duket sikur këta artistë të tufëzuar, të angazhuar me kurdisje apo thjeshtë të çakërdisur, kërkojnë një fakt për-faqësues, konkret – por edhe sipërfaqësor – më tepër. [“Le të bëjë shkarravina Edi Rama mbi dokumente kompromentues po ia mbajti, se ia tregojnë NE qentë shtëpiakë qejfin!”]. Dhe e kërkojnë të objektifikueshëm, të dukshëm, të qartë e të pastër. Lind pyetja: tufës, nuk i mjaftojnë bëmat e objektifikueshme, të dukshme, të qarta e të pastërta të deritanishme të Kryeministrit Artist, për të cilat mund të ligjërojnë papushim plakat që shesin presh nëpër cepa pallatesh, romët e nënproletarë të tjerë të cilëve u prishen barrakat përditë, “Arditët” që vdesin nëpër landfill-e e të tjerë martirë të së përditshmes shqiptare, të gjithë nën zgjedhën e ligjeve artistiko-politike?

Personalisht, kam përshtypjen, se edhe sikur të ishte dërguar në Parlament ajo copë letër, siç është, me shkarravinë sipër – e cila mbulon pjesërisht shkrimin, përmbajtjen e ligjit – përsëri ajo, falë “votës demokratike të shumicës”, do të ishte aprovuar. Tufa do të skandalizohej për 15 minutat e famshme globalisht të njohura si përcaktim dhe pronë intelektuale e Andy Warhol-it apo tre-ditëshin e famshëm kombëtarisht të njohur si pronë edhe kjo intelektuale e Inis Gjonit, por, në fund do ta pranonin, sepse provokimi do të ishte i njëjtë, nuk do të lëvizte as edhe një milimetër, në koncept. Të gjithë do të blegërinin për autoritarizëm, fashizëm-fashion, diktaturë, etj., por, në fund të skandalit, Artisti-Kryeshërbëtor atëherë do të dilte dhe do të zbulonte “trukun e paparë” karshi tufës: do i zbulonte që ata, si kafshë shtëpiake, tashmë kishin votuar edhe më keq se kaq, kështu që Kryeshërbëtori nuk kish bërë asgjë më shumë se ç’ish bërë më parë nga pushteti (i vetëshpallur artist ose jo); qoftë me dënimet e ligjshme me vdekje gjatë fashizmit musolinian, qoftë gjatë atyre të kohës së diktaturës socialiste të proletariatit, ku tufa, si në njërën kohë, ashtu edhe në tjetrën, aprovonte blegëruese dhe duartrokitëse liderin karizmatik. Madje ligj-shkarravina artistike e Kryshërbëtorit nuk do të ishte më keq se shumë nga ligjet kafshërore që ka aprovuar Paralmenti shqiptar këto 27 vite “demokraci”; qoftë në përmbajtje, qoftë në sintaksë, ku pjesshmëria e ligj-shkarravinës artistike do të shndriste përsëpaku në sytë e estetë-masturbuesve vendas dhe të huaj.

Por, zaten, tufa është tufë, dhe këta artistë si garues të denjë brenda saj – pra ende me komplekse egoistike (egoja në fakt është ndërtimi i fasadës sonë individuale për t’u individualizuar mes tufës) – kanë nevojë akoma të afirmohen. Prandaj në vend që të ngrenë pyetje a të bëjnë kërkime (ndoshta si “ekspertë të fushës së artit” do e kishin gjetur “dokumentin jo banal” të Edi Ramës të ekspozuar në Bienalen e Venecias), kanë vetëm maninë të afirmojnë; të pohojnë për t’u afirmuar, për të dalë e për të nxjerrë kokën duke i dhënë ajër gojës në shoqërinë e spektaklit; tjetër gjë se ç’broçkulla përrallisin e nxjerrin prej goje. Këta, në pak fjalë, duhet ende të shkollohen nga anëtarët ende adoleshentë të grupit të street-artit Çeta, të cilëve, midis të tjerash, u bie edhe kjo barrë e rëndë bamirësie sociale.

Ditën që të shtëpiakëzuarit e tufës, të kurdisur dhe/apo çakërdisur, do të kuptojnë që të bërit art në mënyrë ktitike kërkon të kesh koherencë jo vetëm nëpërmjet provokimeve në fasadë/objekt/material/sipërfaqe/produkt artistik, por edhe mjete dhe mënyra prodhimi të atij produkti artistiko-kritik, atëherë, ndoshta, do bëhen pjesë e skenës së artit shqiptar [sepse deri më sot janë pjesë vetëm e teatrit profesion-prostitucional të skenës së artit shqiptar, e cila nuk është tjetër veçse për-faqësim/për-sh-faqje (representation) e një bordelloje].

Koherenca në mjete, koncepte dhe mënyra prodhimi do të thotë ta zbatosh atë në vetë të parë, duke i hapur e bërë të dukshme, duke i nxjerrë në sipërfaqe, nësoj si në fasadën e produktit final ato koncepte, mjete dhe mënyra që e prodhuan. Në pak fjalë duke hapur për çdo vepër arti edhe laboratorin e prodhimit artistik, për të nxjerrë jashtë çdo auree statusin e artistit-gjeni, e artistit të “gjetjeve” dhe të “provokimeve” bombastike. Përndryshe nuk i lihet vend vetes, por i ndillet krupa njerëzve që shohin mjaftueshëm qen të shtëpiakëzuar, nëpër kolibe institucionale apo të hedhur rrugësh, që presin kocka prej pushtetit me jargë në gojë.

Përndryshe, po të qe për të provokuar sipërfaqësisht, nëpërmjet fasadës, nëpërmjet aspekteve përshfaqëse të veprave të artit,  Edi Rama do të ishte artisti më i madh shqiptar. Si provokon Edi Rama me aspektet përshfaqëse, sipërfaqësore, me aspektet-fasadë (dhe nuk e kam fjalën vetëm për bojatisjen e pallateve), nuk di të provokojë askush. Kështu që të mendosh “të provokosh”, me statuse-vepra artistike SPAM online apo duke stampuar një t-shirt me Edi Ramën lakuriq (kur Edi Ramës, me gjasë, më shumë sesa për ngjyrën e kuqe të pullës mund t’i plasë për përmasat e vogla të saj), duke i multiplikuar efektin-fasadë, efektin-për-sh-faqje-skenike, efektin provokator-prostitucional dhe spektakolar për spektator trumpiksur, do të thotë të jesh i trashë në tru, as më pak e as më shumë, thjeshtë dru. Të mendosh “të provokosh” duke nxjerrë bibilushin për të shurruar në Sheshin Skënderbej (siç dëgjoj se ka bërë Lulaj) do të thotë, akoma më shumë, që je, jo vetëm dru në rrjedhën e flukse të multiplikimit të imazhit simulakrial shërbëtor, por edhe pre e parikuperueshme e efektit dhe në të njëjtën kohë efekt provokator-prostitucional dhe spektakolar, as më pak e as më shumë sesa një spektator teletrumpiksur, automë ripësëritëse e gjuhës pamor-provokatore të pushtetit.

Përsa i përket Kryeministrit Artist Edi Rama, për të kuptuar nëse aktet dhe veprimet e tij politike janë në të njëjtën kohë edhe art, pra vepra politiko-artistike imanente, siç trumpetojnë Salat, Obristët apo Bonito Olivat e botës anembanë, mjafton të citohet Gilles Deleuze:

Në terma të përgjithshëm, themi se dy janë rrugët për t’u apeluar tek ‘shkatërrimet e nevojshme’: ajo e poetit […] dhe ajo e politikanit. Këto të dyja mund të përkojnë në momente veçanërisht të turbullta, por nuk janë kurrë e njëjta gjë.

Gilles Deleuze, Difference and Repetition.

Kështu që janë lehtësisht të katalogueshme si prostituime kritiko-artistike filozofirat e mbështetësve të planifikuesit tonë të realitetit, siç e quan miku Anri Sala Kryeshërbëtorin Artist, si dhe justifikimet e autoritarizmave të tij tek shkatërron në emër të “Artit” dhe “modernizimeve bashkëkohore” trashëgiminë kulturore dhe sociale (Stadiumin “Qemal Stafa”, gjetjet arkeologjike në Durrës-Veliera, banesat tek ish-stacioni i trenit në Tiranë, etj.).

Por, Edi Rama – ndryshe nga versioni i fundit rravgues provincial i Lulajt – i mbështetur nga i ashtuquajturi sistem global i artit (Tate Modern, Biennale di Venezia, Marian Goodman Gallery, etj.), nuk mund të injorohet. Mund të injorohet cilësia e akteve,  veprimeve dhe produkteve të tij “politiko-artistike”, të cilat mbeten ato të një provinciali të alfabetizuar relativisht, por nuk mund të injorohet koncepti i papërputhshmërisë së artistit dhe politikanit, të cilin mendësia qeverisëse (governmentality) e pushtetit neoliberal bashkëkohor – i cili qeveris edhe sistemin global të artit – kërkon gradualisht ta anestetizojë, trupëzojë e më pas përdorë si vegël për optimizimin e kontrollit të vet neuro-psikotik territorial mbarëglobal (Shih intervistën reklamizuese të Achille Bonito Oliva-s në La Repubblica dhe theksin tek automatizmi psikik i surrealistit tonë të vonuar).

Nga pikëpamja territoriale dhe hapësinore e ushtrimit dhe kontrollit të pushtetit institucional, vepra e mësipërme – shkarravinat mbi ligjin e emergjencave civile dhe katastrofave natyrore – është mjaft domethënëse. Në të shihet se si pushteti kërkon të përthithë e përthajë, literalisht (vepra është bërë me bojra uji), artin prej një hapësire të papërcaktuar – në nivel civil/qytetar apo natyror – për të cilën ligji ose ligjet e shtetit, siç shihen të renditura në fletën e përdorur prej Edi Ramës, janë shprehja përcaktuese, dmth., janë kufijtë e veprimit dhe racionalizimit të pushtetit institucional. Dhe kur anarkia e supozuar e artit i bashkangjitet pushtetit institucional-shtetëror, për-faqësues dhe për-sh-faqës i vullnetit të tufës (shih prirjen e masave drejt fashizmit në Wilhel Reich, Psikologjia e masave të fashizmit, 1933), atëherë kemi të bëjmë me apoteozën e “fashistëve të vërtetë”, siç thoshte Pasolini.

Por, në këtë shkarravinë-politiko-artistike shihet jo vetëm se si renditen e klasifikohen “gjendjet e jashtëzakonshme”, “emergjencat civile”, “fatkeqësitë natyrore”, pra përmbajtja e ligjeve, por edhe vlerat e “shpenzimeve financiare”, përfitimeve mbi to, të gjitha të koaguluara e të përthara falë akuarelit të dalë prej penelit të Artistit Kryeministër. Deri në këtë pikë, kur vërehet vetëm akti i sipërfaqshëm, nuk ka asgjë të re: që prej Walter Benjamin-it na është bërë e ditur se çfarë është estetizimi i politikës, bojatisja sipërfaqësore e ligjeve dhe ligjvënësve, aktorëve-shërbëtor dhe akteve të tyre autoritare, që pushtetet totalitare historikisht kanë kryer për të bërë më të përtypshëm ligjet që u përkufizojnë realitetin tufës. Risia, pra, e Kryeministrit Artist qëndron jo tek akti, por tek aktori: vetë statusi i një hibridi të ri, prodhuar në laboratoret e neoliberizmit, statusi i Artistit Kryeministër, një dhe i pandashëm.

Është te ky i fundit, tek statusi i aktorit të teatrit të së përditshmes, tek aktori i aktorëve, tek aktori mbi aktorët, tek aktori-shërbëtor i parë i ritualit tufëzues, që kemi kapërcimin cilësor të pushtetit, i cili nuk është më ai karismatik hitleriano-musolinian që influencon në mënyrë direkte (Albert Speer-in) apo indirekte (Filippo Tommaso Marinetti-n apo arkitektët e racionalizmit italian) artistët; nuk është as ai karismatik stalinisto-enverist, që disiplinon artistët (nëpërmjet realizmit socialist si e vetmja formë arti e lejuar); por është ai karizmatik imanent, ku artisti dhe politikani janë i njëjti entitet institucionalo-individual.

Zakonisht, në filozofi e kritikë të artit janë të pranuara vepra të artit që përbëjnë paradigma artistike dhe filozofike imanente, që informojnë dhe shpjegojnë vetveten. Një shembull është koncepti i trupit pa organe të Antonin Artaud-së, në pak fjalë një trup i padepërtueshëm e pakomunikueshëm që nuk pranon as komunikimin ndërorganor të sistemit organik apo trashendentalizmin, qoftë konceptual-intelektual apo genetik-prindëror : je suis mon fils, mon / père, ma mère, / et moi thonë vargjet e poetit francez.

antonin_artaud_gallery_25

Pra ky lloj poeti dhe ky lloj arti nuk pranojnë asnjë lloj kodifikimi dhe për-faqësimi/për-sh-faqjeje (representation në shqip përkthehet edhe përfaqësim, si ai i tipit politik, të cilin nuk e preferoj duke qenë se filozofikisht, në shqip, nuk ka përputhjen e duhur konceptuale dhe nuancën e teatralitetit) prej asnjë lloj pushteti relacional, por që, përkundrazi, marrin dhe ekstremizojnë të gjitha kodet, komunikimet, racionalizimet, organizimet e gjuhës së pushtetit dhe i çojnë jo vetëm në ekstrem, por përtej kufijve të tyre kodifikues, komunikues, racionalizues, organizues: aty ku evidentohet – nëpërmjet dekonstruktimit të të gjitha hierarkive – lakuriqësia, nënshtrimi, tredhja universale e njerëzores si qenie.

Kështu pra, ajo që ka bërë Edi Rama, me shkarravinën e mësipërme kalçifikuar në ligj, është diçka tjetër, është një bojatisje a posteriori, falë autoritarizmit të statusit të tij individual-institucional si Artist Kryeministër, të një ligji që ai vetë (me të tjerë ushtarë-politikanë nën vete) bën e/a zhbën si Kryetar Qeverie me shumicë të tufëzuar parlamentare; pra me tufë nga mbrapa, njësoj si çdo artist-qenush shtëpiak i skenës së artit përshfaqës shqiptar. Në pak fjalë kemi të bëjmë edhe një herë me një për-sh-faqje (për-faqësimi politiko-artistik); kemi të bëjmë me një lloj komunikimi për-faqësues të faqes/fytyrës së Edi Ramës me tufën e të sunduarve prej pushtetit partiak (ushtarët e Partisë Socialiste) dhe tufës më të gjerë të të sunduarve prej ligjit (shqiptarët që atij ligji i binden e nënshtrohen/subjektifikohen).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s