“Tirana. Qyteti i Munguar”, ose si të mos fillojmë “modernen” nga “fshirja”. Pjesa III. (Romeo Kodra)

Siç u vu në dukje edhe në mbyllje të shkrimit pararendës së këtij blogu mangësia më e madhe e Tiranës. Qyteti i Munguar është përqëndrimi i vëmendjes së autorëve tek një lloj arkitekture dhe planifikimi urban, e për më shumë “modern”, të cilin e supozojnë si të importuar në Shqipëri prej arkitektëve dhe planifikuesve fashistë. Dhe këtë e kryejnë duke bërë të pamundurën për të shkarkuar përmbajtjen ideologjike prej veprave të arkitektëve dhe planifikuesve fashist e për t’i marrë, më pas, si modele vizionare për kontekstin kryeqytetas. Po a mund të merren si të tillë arkitektët e racionalizmit italian?

Sipas historianit dhe kritikut italian të arkitekturës Bruno Zevi, tek arkitektët racionalist italianë, ose më mirë të themi tek ata që me pushtetin fashist, duke u bërë palë, u shndërruan edhe në përfaqësues zyrtarë të tij ekzistonte një “dëshirë për të mediuar menjëherë postulatin modern pa referenca të qarta me traditën; ambiguitet kuptimesh për të mos irrituar kërrkënd dhe për të krijuar konfidencë me ‘klasiken’, ‘rregullin’, ‘logjikën’, ‘të qartën’; shkurt kotësi përkundrejt revolucionit arkitekturor të dëshiruar” (Storia dell’architettura moderna, Torino, Einaudi, 1975, p. 183). Për të kuptuar më mirë përmbajten e fjalëve të Zevi-t është e nevojshme të shpjegohet se në gjuhësi dhe filozofi “postulati” është një e dhënë që merret si e mirëqenë, a priori. Kështu pra, për Zevi-n arkitektët racionalist italianë e merrnin si të mirëqenë, si të dhënë, të mediuar menjëherë apo ndërmjetësuar vetëm falë dëshirës së tyre “postulatin modern” dhe këtë e bënin me një ambiguitet kuptimesh për të mos irrituar kërrkënd. Dhe në fakt, ç’mund të jenë vallë efigjet me përkrenaren e Skënderbeut apo kokën e Mbretit ilir Gent, përveçse gjetje butaforike dhe kuptime të mëdyshta për të mos irrituar ndjenjat kombëtare të shqiptarëve të viteve ’20-’30 dhe për t’i dhënë një ton klasik ndërtimeve të Di Faustos?

Natyrisht për historianin italian arkitektura moderne duhet të ketë “referenca të qarta” me traditën, por ato nuk duhet të jenë kurrsesi fryt i “dëshirës” dhe aq më pak i asaj dëshire për të “mos irrituar kërrkënd”, asaj dëshire që i ngjan aq shumë kompromisit artistik, konceptual dhe intelektual që arkitektët dhe planifikuesit urban fashist duket se bënë për t’i bërë qejfin pushtetit politik mussolinian apo edhe ndjenjave kombëtariste të shqiptarëve dhe Ahmet Zogut si përfaqësues politik kryesor i tyre.

Është pikërisht kjo “dëshirë” apo ky kompromis artistik, konceptual dhe intelektual me pushtetin politik që në Shqipëri ka karakterizuar subjektin e ashtuquajtur “modern”, qoftë politikan, arkitekt, planifikues urban, apo qytetar i thjeshtë, dhe që, siç u theksua në pjesën e parë të këtij shkrimi, përcillet deri tek autorët e Tiranës. Qyteti i Munguar. Por a ka qenë gjithmonë kështu? Nëse jo, ku mund të gjenden filizat e modernes në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban?

Për t’iu përgjigjur pyetjeve duhet të zbulojmë një fshirje dhe të gjurmojmë çka fshihet poshtë saj.

Kështu, duke filluar prej përcaktimit të Zevi-t dhe “postulatit të modernes” si “të lidhur qartë me traditën”, mund të themi se plani i parë urban, “hartuar nga inxhenierë dhe arkitektë austriakë” siç pohojnë autorët e Tiranës. Qyteti i munguar, por që unë mendoj se është i Kohler-it, ishte një model i mirë për t’u quajtur modern në kuptimin më të plotë të tij.

Plani i parë urban i Tiranës _ Kohler

Në fakt, esenca e modernes te Kohler-i (apo inxhenierët dhe arkitektët austriakë, kjo nuk ka shumë rëndësi në këtë kontekst) duket te frymëzimi që ai ka marrë nga gjurma ekzistuese e thurimës urbane të Tiranës (për hir të së vërtetës, edhe pse kontradiktorë me veten e tyre, këtë e thonë edhe Aliaj, Dhamo e Thomai: plani i 1923 “duhej të gjente një përputhje sa më të madhe me rrjetin ekzistues”). Pra, në një farë mënyre, duket sikur planifikuesi urban merr gjurmën e Tiranës së Vjetër si referencë të qartë për ta zhvilluar më pas në një hapësirë më të gjerë, aty ku mendohej se do të ndërtohej dhe popullohej kryeqyteti shqiptar. Natyrisht thurima paraekzistuese, siç duket nga imazhet e mësipërme, nuk është trajtuar prej Kohler-it si një zhvillim identik ripërsëritës i asaj çka Tirana e Vjetër ishte, për të mos e bërë të mërzitshëm karakterin origjinal dhe për të mos i humbur “efikasitetin e saj poetik” (shih çdo të thotë ky koncept në veprën e një austriaku tjetër të famshëm për idetë e tij arkitekturore e urbanistike, Camillo Sitte, Der Städtebau nach seinen Künstlerischen Grundsätzen).

Por Kohler nuk ishte italian. Për këtë arsye edhe projekti i tij kishte pak shanse të zbatohej. Mussolini dhe Italia fashiste që – siç lexohet në disa nga tekstet e Architetti e ingegneri italiani in Albania – po investonin për të futur Shqipërinë në orbitën e tyre koloniale, bënë ç’ishte e mundur dhe e pamundur që të realizohej gjurma italiane e përshenjimit të hapësirës urbane në Tiranë, që kishte në aksin e dispozitivit të bulevardit elementin më karakterizues. Për mendimin tim që prej kësaj kohe, pra që prej viteve ’25-’30, theksohet e propagandohet me forcë që Kohler-i ishte vetëm një inxhenier – dhe jo arkitekt apo planifikues urban (etiketa apo statusi si kodifikim hierarkik thebësor i pushtetit që i jep të drejtën një subjekti t’i mbivendoset apo nënshtrohet një tjetri) – dhe plani i tij nuk ishte më tepër se një “rregullim” rugësh. Dhe që propaganda mund të tjetërsojë realitetin e subjekteve deri në psikozë, pra derisa një subjekt të mos arrijë të dallojë edhe shenjat më të qarta të atyre gjërave që quajmë reale ose jo reale, kjo vërtetohet duke parë planin e parë urban të Tiranës, planin e Kohler-it që vetë Aliaj, Dhamo dhe Thomai na japin. Psikoza apo parja e tjetërsuar e realitetit duket teksa vrojtohet imazhi i mësipërm, tek i cili nuk shihen vetëm rregullime rrugësh, por edhe një shtrirje e qytetit në hapësirë, kështu që nuk kuptohet se çfarë shohin sytë dhe mendja e autorëve në fjalë.

Siç duket – të paktën në dijeninë time, mbi këtë çështje nuk janë marrë studiues të tjerë – robër të psikozës së induktuar prej propagandës kanë mbetur shumë nga studiuesit e planifikimit urban dhe arkitekturës së Tiranës, për të cilët plani i 1923 nuk merret plotësisht si një plan i vërtetë e aq më pak modern. Paradigma të këtyre studiuesve janë pikërisht autorët e librit që në këtë shkrim është marrë në shqyrtim. Madje në rastin e autorëve të Tiranës. Qyteti i Munguar psikoza merr trajta qesharake.

P.sh. prej Aliajt, Dhamos dhe Thomait thuhet se në planin e parë të Tiranës “synohej që struktura rrugore të korrigjohej dhe rregullohej sipas një trajte më drejtëkëndore” (fq. 16). Paçka se afirmimi në vetvete është mëse qesharak (nuk jepen detaje dhe të dhëna se si e deduktojnë autorët që autori/ët e planit mendonin se struktura e tij duhej “të korrigjohej” apo “të rregullohej”, a thua se kishte ndonjë gjë gabim), teksti bëhet humoristik kur vërejmë në të një përhumbje tërësore të kuptimit të fjalëve, thuajse një Newspeak orwellian. Në fakt si mund të thuhet “sipas një trajte më drejtkëdore”? Këndi i drejtë ose është 90°, ose nuk është. Apo jo? Po ashtu, kur autorët afirmojnë se “në zonat që në atë kohë ishin të lira nga ndërtimet plani synonte të krijonte një rrjet kuadratik të pastër”, lind pyetja, a e shohin Aliaj, Dhamo dhe Thomai që në imazhin e mësipërm nuk ka pothuajse asnjë “kuadrat”? “Kuadrat” në shqip quajmë katrorin, atë që ka 4 kënde me nga 90° (thjeshtë për njohuri të lexuesve të këtij blogu që nuk kanë mbaruar ende klasën e parë fillore) dhe të tillë, “të pastër”, unë personalisht, me sy të lirë, nuk dalloj – mes qindrave formave të ndryshme – më shumë se 3, 4.

Natyrisht Mussolini-t dhe fashistëve nuk u interesonte vetëm efekti simbolik, tredhës i aksit të bulevardit, me anë të të cilit do induktohej ndjenja e inferioritetit dhe psikoza, tek shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik (Ahmet Zogu in primis), por edhe ai i zhytjes së tyre në borxhe financiare, nëpërmjet spekulimeve arkitekturore që karakterizon dispozitivin bulevard që nga Parisi, Vjena, Roma, New Yorku e Tirana, e djeshme dhe e sotshme. Duket sikur edhe sot e kësaj dite shumë prej studiuesve shqiptarë të arkitekturës dhe planifikimit urban (përfshi Aliajn, Dhamon dhe Thomain) nuk u bën përshtypje ajo që një nga artistët pararojë të arkitekturës dhe planifikimit urban modern, austriaku Otto Wagner, që në 1912 quante “vampiri «spekullim» që sot shndërron në thuajse iluzore autonominë e qyteteve” (shih në Die Qualität des Baukünstlers).

Dhe ky spekulim fillon ekzaktësisht dhe përpikmërisht me planin dhe bulevardin e Brasini-t, një dispozitiv kontrolli urban, pa lidhje funksionale urbanistiko-arkitekturore, infrastrukturore, sociale apo kulturore me kontekstin. Dhe një nga të parët që e kishte kuptuar këtë qe Qemal Butka, një prej arkitektëve shqiptarë më aktivë të kohës, edhe ky i shkolluar dhe diplomuar në Austri, larg pompozitetit kulturor të Italisë fashiste, musoliniane. Në fakt në 1938, në revistën “Përpjekja”, ai vë në dukje pikërisht kotësinë dhe ekzagjerimin e përmasave të rrugëve të qendrës së qytetit të Tiranës që kalonin edhe përmasat e atyre “nasionale”.

Duke qenë se imazhet e planeve urbanistike na japin më shumë siguri në vërtetësinë konceptuale të autorëve të tyre sesa përroi psikik i autorëve të Tiranës. Qyteti i Munguar, është mirë, për të parë sesi vepron influenca e pushtetit në praktikë tek subjektet-autorë-arkitektë/planifikues urbanë, të shohim një tjetër imazh; atë të planit Kohler-Frashëri, të 1928.

frashëri kohler

Në këtë plan të 1928 (të cilin Aliaj, Dhamo e Thomai e quajnë të parin, njësoj siç quajnë të parin edhe atë të 1923 … psikozë me simptoma gjuhësore!!!) shihet qartë sesi ndryshon qasja e planifikuesit, nga ajo e frymëzuar prej kontekstit, si në imazhin e parë, atë të planit të 1923; në një tjetër tërësisht aliene, për shkak të racionalitetit ekzakt që zë vend mbizotërues në plan dhe shndërrohet në gjurmë kryesore të tij. Siç duket Kohler-i dhe Frashëri kishin kuptuar tendencat drejt monumentalitetit dhe racionalizmit të pushtetit të Ahmet Zogut dhe propozojnë një plan që integrohet dhe zhvillon më tej bulevardin e Brasini-t. Me shumë mundësi me këtë ndryshim stilistik, me këtë kompromis apo tredhje kemi të bëjmë me një përpjekje të subjekteve krijues (planifikuesve Kohler-Frashëri) për të mbajtur emrin në historinë e planifikimit urban të qytetit të Tiranës. Por, siç dihet, historinë e bëjnë më të fortët. Dhe më të fortët në historinë e arkitekturës dhe planifikimit urban të Tiranës në 100 vitet e fundit, janë subjektet e tredhura pre e dëshirës së tyre për absolutizëm.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s