“Tirana. Qyteti i Munguar”, ose aksi i bulevardit si përshenjim i tredhjes. Pjesa II. (Romeo Kodra)

Sipas autorëve të tekstit Tirana. Qyteti i Munguar – po e marr si të mirëqen që “reflektimi” i Sotir Dhamos mbi aksin e bulevardit të Tiranës (fqt. 19-24) është edhe i Besnik Aliajt e Gjergj Tomait si bashkëautorë – skena aksiale e bulevardit “mund të interpretohet edhe si manifestim i fuqisë [pushtetit] politike”. Me këtë “mund” Dhamo, si teoricien-historian subjekt i tredhur  ndaj pushtetit autoritar të arkitektit dhe urbanistit fashist Brasini, zbut ngarkesën ideologjiko-politike që dispozitivi “bulevard” kishte në mendësinë kolonizuese të italianëve në vitet ’20-’30 e që do i përshtatej si një skenografi ideale mendësisë qeverisëse (governmentality) të pushtuesve të ’39.

Për t’i dhënë vazhdimësi rravgimit të induktuar psikotik për shkak të kompleksit të inferioritetit, apo thjeshtë për të treguar se ka lexuar libra, autori na heq një paralel të bulevardit fashist të Tiranës me, as më pak e as më shumë, bulevardet monumentale të kolonëve anglezë në New Dehli, ku ai sheh ngjashmëri me “atë pjesë të Tiranës që u ndërtua gjatë periudhës së Mbretit Zog, pothuajse në të njëjtat vite, si dhe mbi bazën e të njëjtave parime formale dhe politike” (fq. 22). Pa ia bërë syri tërr Dhamo na katapulton në Indi; aty ku “rangu dhe statusi shoqëror-ekonomik” përcaktonte “koordinatat e banesave (rëndësia vinte në rënie sa më shumë rritej distanca nga aksi)”, madhësinë e parcelës, afërsinë me pallatin qeverisës, madhësinë e ndërtesës, gjerësinë e rrugës, etj., e gjitha kjo “në mënyrë të ngjashme” dhe e “vërtetë edhe për atë pjesë të Tiranës (fig. 6, 7) që u ndërtua si diagramë politike”. Natyrisht në fotografitë dokumentuese nuk shihet asgjë tjetër veçse një ngjashmëri në linjën drejtvizore të bulevardeve, atij të Tiranës e atij të New Dehlit.

20171214_172746[1]

Duket sikur teoricieni-historian Dhamo injoron totalisht, përveç objekteve arkitekturore që nuk ngjajnë kërrkund në përmasa e vendosje sipas distanca me bulevardin, edhe faktin që shoqëria indiane është e influencuar rreptësisht dhe imtësisht sot e kësaj dite nga sistemi mijëravjeçar i kastave (të ndaluara me ligj rreth mesit të shek. XX), ndërse “kastat” shqiptare të viteve ’20-’30 ishin thuajse në gjenezat e tyre ku përveç pronarëve të tokave – që kishin një historik si kastë – sapo kishin filluar të lindnin një borgjezi e vogël dhe një klasë proletare. Vetëm ky fakt do të mjaftonte për të kuptuar mospërputhjen e një arsyetimit njëjtësues që kryen autori duke hequr paralele midis dy bulevardeve, kështu që injoron tërësisht edhe impaktin e ndryshëm që mund të kenë pasur ato në psiken dhe botëkuptimin e shqiptarëve dhe indianëve.

Pas këtij katapultimi e për t’i mbushur mendjen top lexuesit, Dhamos i vjen në mendje një gjetje gjeniale, e paparë dhe palexuar më parë askund. Por përpara tekstit të Dhamos po jap pak rreshta nga sa ishte shkruar në këtë blog në 2013:

Shtëpitë private të ministrave të mbretit dhe më pas – pas pushtimit – të nomenklaturës fashiste u transformuan lehtësisht në shtëpitë e funksionarëve të Partisë së regjimit enverist. Gërmë për gërmë, regjimi i Enver Hoxhës përdori të njёjtёn hapёsirё nё tё njёjtёn mёnyrё. Interpretimi i kёsaj hapёsire, nё dukje i rastёsishёm, u bё me tё njёjtin kod gjuhёsor: pushteti mundi – duke fshirё dhe ndarё me njё prerje radikale paraekzistuesen – tu akordonte hapёsirё private bijёve tё vet model. Duket paradoksale por nёn kёtё aspekt edhe regjimi i Hoxhёs, ku Realizmi Socialist promovonte ad libitum gjithё ç’ka ishte publike, hapёsira, Blloku – e kufizuar funksionarёve tё Komitetit – , ju mbyll qytetarёve. Garda e Republikёs lejonte hyrjen vetёm me autorizim nga lart.
(https://aksrevista.wordpress.com/2013/05/25/praktika-skizogjene-dhe-proksemika-e-hap%D1%91sir%D1%91s-blloku-i-tiran%D1%91s-romeo-kodra/#_ftnref3)

Kurse teksti i Dhamos i 2016, që – autorët na thonë – përmbledh tekste të 2012-2014, tingëllon kështu:

Nuk ishte i rastit edhe fakti që gjatë viteve të diktaturës, përgjatë po këtij aksi, qeveria komuniste vendosi strukturën e vet hierarkike. Në fakt ajo lexoi instiktivisht atë çka aty ishte gati e materializuar në hapësirë. Zyrat e Komitetit Qëndror të PPSH u ndërtuan përgjatë tij dhe i ashtuquajturi “bllok” ku banonin personazhet e rangjeve më të larta të hierarkisë së partisë (Byrosë Politike) u vendos po në të njëjtin vend që Mbreti Zog e kishte përcaktuar për zyrtarët të tij, madje banuan në të njëjtat banesa që ju morën (shtetëzuan) zyrtarëve të monarkisë. Kjo ishte paradoksale për një regjim i cili propagandonte barazinë shoqërore (ibidem).

Nuk është e qartë nëse Dhamo injoron tërësisht faktin e përdorimit të bulevardit si dispozitiv kontrolli të pushteti apo bën sikur nuk e kupton për shkak të pozicionimit të tij si subjekt i tredhur ndaj autoritetit epëror të një arkitekti fashist, të famshëm e të huaj si Brasini. Në fakt nga vetë fjalët e Dhamos del qartë që kemi të bëjmë me ngjashmërinë e subjekteve qeverisës të pushtetit fashist dhe pushtetit të diktaturës së proletariatit; pra kemi falë influencës së induktimit të ndjenjës së inferioritetit nëpërmjet ndërtimeve spektakolare “moderne” përcjelljen e modelit dhe mendësisë qeverisëse të subjektit autoritar nga një pushtet politik te tejtri.

Në fjalinë e mëpasshme duket sikur  Dhamos i qartësohen idetë dhe ndjen se pa pritur e papandehur, në shkrim e sipër, po thotë diçka më shumë sesa një “paradoks” që, duke u lexuar në optikën e pushtetit politik, bën të mundur një lexim interpretativ ku evidentohet se si një regjim kishte të njëjtat aspirata banimi në një hapësirë elitiste falë influencës së “modernitetit” të një regjim tërësisht antagonist nga pikëpamja ideologjiko-politike. Kështu që duke na lënë paradoksin pezull, të pashpjeguar (ndoshta ngaqë hapësira trunore për mendim teorik është e bllokuar nga kompleksi i inferioritetit dhe tredhja intelektuale) autori shpejton të pohojë:

Megjithatë është e rëndësishme të kuptojmë se ky bulevard shkon përtej të qenurit vetëm diagramë politik dhe ceremoniale (si në fillesat e tij). (ibidem)

Pra Dhamo duket sikur, pavarësisht evidencës dhe qartësisë së interesave të pushtetit politik, thotë “mos e kini mendjen te përmbajtja politike e bulevardit. Bulevardi është përtej pushtetit politik. Madje është krijues dhe rithemelues (fq.24) i Tiranës”.

Por, edhe nëse marrim tangenten për drejtimin e paditur tek e cila na përcjell përroi psikik i autorit, sërish lindin disa pyetje: ç’është ky “rithemelim”, kur vetë autorët e librit na thonë që bulevardi u hoq si një vizë e drejtë në një vend të zbrazët, madje, aty ku prek autoktonen, ai fshin një pjesë të vjetër të qytetit? Është për t’u lexuar ky “rithemelim” si metaforë “stilistiko-letrare” pa lidhje? Është analfabetizëm gjuhësor i autorit? Është analfabetizëm teoriko-historik? Simptomë e psikozës së një subjekti në rravgim të pulsionit të dëshirës? Mua – ndoshta nga mish-mashi i përgjithshëm – më duken si mistere të akademizmit shqiptar.

Po të ishte i informuar akademiku Dhamo e bashkëautorët Aliaj e Thomai, do të kishin zbuluar që fjala “bulevard” vjen prej “mureve rrethuese të kështjellave” (baluardo ka mbetur në italisht, bulwark në holandisht) dhe përcjell transformimin e një dispozitivi qeverisës të pushtetit, nga një formë disiplinuese, ku rregullohen hyrjet e daljet nëpërmjet mureve të qytetit, në një formë kontrolluese, ku mbikqyren flukset tranzituese përmes e përreth tij. Në këtë mënyrë do të ishte zbuluar që dispozitivi bulevard deshifron aq mirë funksionimin e mendësisë qeverisëse të pushtetit politik saqë mund të bëhen teza krahasuese e shpjeguese, të zbulohen analogji e kontradikta midis bulevardeve haussmann-iane të Parisit të Perandorisë së Dytë, Vjenës së Ferdinandit të Parë, Perandorisë Fashiste e deri tek ato të Lulëzim Bashës e Edi Ramës (Natyrisht, këta dy të fundit, duke qenë më injorantë se pushtetarët e Parisit, Vjenës e Romës, kanë mbledhur rreth vetes arkitektë e planifikues urbanë me kapacite intelektuale të të njëjtit rang, kështu që edhe shkalla e rafinimit estetiko-konceptual të dispozitivit bulevard në këto raste është skadente, kitsch, e dhunshme deri në kafshëri dhe për këtë arsye e pakrahasueshme me shembujt e sipërcituar).

Siç e kam përmendur edhe herë të tjera ekziston një tekst themelor për të kuptuar marrëdhëniet midis politikave të fashizmit dhe kolonializimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste, midis pushtetit politik dhe mënyrës instrumentale të investimeve arkitektoniko-urbanistike dhe ekonomiko-financiare për të përmbushur qëllimet e pushtetit. Ky tekst titullohet Architetti e ingegneri italiani in Albania, kuruar nga Milva Giacomelli e Armand Vokshi, Edifir, Firenze 2012, përkthyer në shqip si Arkitektë e inxhenierë italianë në Shqipëri, prej të cilit nuk duhen lënë pa u lexuar sidomos tekstet e studiuesve italianë, të cilët sjellin të dhëna konkrete, si letërkëmbime midis Mussolinit dhe të dërguarve të tij në Tiranë, që tregojnë qartësisht lidhjet politiko-koloniale të investimeve, arkitekturës dhe planifikimit urban në fjalë. Prej këtij teksti dhe duke lexuar efektet e bulevardit në mendësinë qeverisëse të subjekteve të pushtetit politik në kontekstin shqiptar do të ishte mjaft i qartë funksioni përshenjues tredhës, kastrues, induktues apo cytës i sensit të inferioritetit nëpërmjet “modernitetit” urbanistiko-arkitekturor fashist të përfaqësuar historikisht prej racionalizmit arkitekturor italian. Dhe kjo tredhje, ky kastrim është bazik në konceptimin e arkitekturës së racionalizmit italian, ose më mirë të themi atyre arkitektëve racionalist që u bënë palë dhe përfaqësues së pushtetit fashist gjatë 20 vjeçarit mussolini-an dhe që në Shqipëri i kemi marrë si prurës së modernitetit (për të parë sa lidhje kanë me modernen këta arkitektë shih Zevi Bruno, Storia dell’architettura moderna, Torino, Einaudi, 1975, p. 183).

Dhe kjo mungesë e gjetjes së fillesave të arkitekturës dhe planifikimit urban modern në Shqipëri është mangësia më e madhe e Tiranës. Qytetit të Munguar. [Vazhdon me pjesën e III dhe të fundit]

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s