Vivere o niente. Çmagjepsje dhe materializëm në shkrimin e Vasco Rossi-t. (Michele Dal Lago)

Që prej fillimeve, fansat më të mëdhenj të Vasco Rossi-t kanë qenë kantautorët. «Është një gjeni, çliron vërtetësi prej të gjitha poreve» shkruante për të Enzo Jannacci. De Gregori, Fossati, De Andrè, Dalla, Daniele, Conte nuk kanë fshehur kurrë adhurimin e tyre të thellë për kantautorin emilian (Reggio Emilia). Një adhurim që – pas periudhës së trishtë të viteve ’90, shenjuar prej lirikave të pashije, naive dhe regresive të Giovanni Lindo Ferretti-it, Manuel Agnelli-it, Ligabue-s dhe Piero Pelù-së – u rinovua gjerësisht prej gjeneratave të kantautorëve të rinj. Dente, The Giornalisti, Bugo, Brunori Sas, Le Luci della Centrale Elettrica, Tiziano Ferro janë vetëm disa prej emrave bashkëkohorë që i kanë studiuar me rrënjë veprën, madje duke regjistruar edhe disa prej këngëve të tij. Por, përtej gjeneratave, ata që i futen zanatit të kantautorit, mbeten gjithmonë të mahnitur prej ndërlikimit të jashtëzakonshëm dhe pasurisë së shkrimit të Vasco Rossi-t.

Arsyet janë nga më të shumëllojshmet, disa prej të cilave krejtësisht “teknike”: kurimi i imtësishëm i vargut, qoftë nga pikëpamja e gjuhës, qoftë nga ajo e tingullit; kombinimi i gjuhëve dhe regjistrave të ndryshëm gjuhësor; lidhja e thellë emotive dhe ekspresive midis muzikës dhe fjalëve; konceptimi i aranzhimit si element i brendshëm i shkrimit, si pjesë esenciale e këngës dhe jo si “veshje” e saj («there’s a thin line between songwriting and arranging» thoshte i madhi Warren Zevon); aftësia e habitshme e përshtatjes së gjuhës italiane me metrikën dhe stilemat muzikore me origjinë anglofone, duke i ruajtur në të njëjtën kohë natyrshmërinë dhe tingullin (ekzaktësisht e kundërta e Piero Pelù-së dhe Ligabue-s); përdorimi muzikor i të folmes, si në Colpa di Alfredo o Siamo solo noi.

Përsa i përket këtij aspekti të fundit teknik, Vasco pohon ta ketë përvetësuar prej disqeve të Enzo Jannacci-it të viteve ’70: «Kam mësuar të këndoj prej Jannacci-t», thotë gjatë një leksioni të fundit mbi gjenezën e Siamo Solo Noi. E megjithatë, vetë Jannacci do të mbetet edhe ai i habitur prej aftësisë së zhvilluar prej “nxënësit” të tij: «Vasco është stratosferik» do të thoshte në një intervistë të viteve ’90 «merr notat thelbësore dhe flet aty ku është ky tingull».

Por, në rastin e Vasco Rossi-t, dimensioni teknik dhe formal është gjithmonë i lidhur ngushtë me atë të përmbajtjes. Dhe anasjelltas. Aq sa pjesa më e madhe e teksteve të tij është e pamundur të kuptohen thjeshtë duke u lexuar.

Një shembull mbi të gjithë është shkrimi “dialektik” që karakterizon shumë prej teksteve të tij, nga Vita Spericolata tek Vivere non è facile, duke kaluar prej Liberi Liberi, Vivere, Un senso, il Mondo che vorrei e shumë të tjerë.

Këto këngë kanë një formulë të ripërsëritur që krijon një kontrast ekzakt midis strofave dhe refreneve: të parat japin idenë e hapësirës së mundësisë, trasgresionit, lirisë dhe pafundësisë; të dytat mbivendosen si mohim, si vetëndërgjegjësim i hidhur i karakterit iluzor të kësaj lirie, si vetëdijeni e kufijve të pakalueshëm të kushteve tona.

Fuqia emotive e këtij tensioni nuk është thjeshtë e lidhur me tekstin. Sensi i hapjes dhe i pezullimit të strofave zgjidhet nëpërmjet muzikës në refren, zhgënjimi është i perceptueshëm në akorde po aq sa në fjalë. Dhe kalimi midis momenteve është gjithmonë i shoqëruar dhe nënvizuar nga një ndyshim harmonik dhe aranzhimi. Kuptimi i teksteve të sipërcituar, karakteri i tyre vetërefleksiv (që nuk është instiktiv dhe vital, siç mendojnë gabimisht disa), buron pikërisht nga ndërveprimi dialektik midis strofave dhe refreneve, nga një krah, dhe muzikës dhe fjalëve nga tjetri.

Ky është vetëm njëri prej shumë elementëve karakteristik të shkrimit të Vasco Rossi-t, të pranishëm që prej prodhimeve të para diskografike. Në fakt, Vasco i përket asaj kategorie autorësh me një poetikë dhe mendim specifik, i cili zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme përgjatë të gjithë karrierës së tij: në një farë mënyrë është një shkrim që ngre pyetje, gjithnjë, mbi të njëjtat çështje.

Njërën e cituam pak më sipër, kur theksuam ndjenjën e fundësisë. Vasco është me të vërtetë ateist dhe materialist, në kuptimin filozofik dhe politik, më shumë se çdo kantautor tjetër italian. Sa në shkrim, po aq edhe në jetën e përditshme: «Për mua jeta nuk është dhuratë, siç mendon kush beson në Zot. Është rastësi» ka thënë më shumë se një herë. Që në 1982 këndonte:

«Ora sai che vivere
non è vero che c’è sempre da scoprire e che l’infinito
è strano ma per noi, sai
tutto l’infinito
finisce qui»

(La noia)

Por çmagjepsja, ndërgjegjësimi ndaj pasigurisë rrënjësore të ekzistencës, nuk përfundojnë kurrë në vetëpëlqim nikilist e as në ndonjë çlirim të rremë dioniziak. Përkundrazi, dëshpërimi i qartë i Vasco-s është në të njëjtën kohë kuptimplotë dhe pështjellues. Nuk është kurrë i zgjidhur në mënyrë subjektive dhe as i normalizuar: «Niente dura, niente dura, e questo lo sai / Però, non ti ci abitui mai / Chissà perché» këndon në Dannate Nuvole.

Po ashtu nuk i nënshtrohet faktit që, pavarësisht mësimeve të marra nga eksperienca, rastësia, ajo ç’ka i rrëshqet kontrolit tonë, vazhdon të determinojë rrjedhën e eventeve: «Quante volte sono arrivati i guai / anche se ero già migliore ormai» (Quante Volte).

Nuk ekziston morali e as fundi i lumtur në këngët e Vasco-s. Por ekziston fuqia ngushëlluese e muzikës. Edhe në këtë rast marrëdhënia muzikë-fjalë dhe aranzhimi luajnë një rol kryesor. Në këngën Vivere ka një varg të famshëm, të dëshpëruar në vetvete, i cili gjithsesi përcjell një efekt emotiv të veçantë, një miks prekës, mëshirues, empatik dhe çlirues. Aq sa edhe mohuesit e Vasco-s mbeten të shtangur. Bëhet fjalë për vargun e katërt të strofës së dytë: «Vivere, anche se sei morto dentro».

Pak para këtij vargu, shoqëruar vetëm me kitarë akustike, Vasco këndon thuajse shpengueshëm: «Vivere, è come stare sempre al vento / Vivere, è come ridere…». Në këtë pikë toni emotiv i tekstit ndryshon rrëmbyeshëm. Dhe janë pikërisht hyrja e baterisë dhe kapërcimi i oktavës së zërit që i japin vargut të mëpasshëm («Vivere, anche se sei morto dentro», pra) atë fuqi empatike kaq të vështirë për t’u shpejguar. Aq sa, në çdo koncert, reagimi i publikut është tronditës. Këndohet në korr, i bërtitur, mes lotëve dhe përqafimeve. Fuqia ngushëlluese e atij vargu të vetëm të dëshpëruar dhe të dorëzuar është më efikas se të gjitha thirrjet për pozitivitet të Jovanotti-t dhe Ligabue-s të marrë sëbashku (për më tepër, kur njeriu nuk është mirë, gjëja më e keqe që mund t’i bëhet është t’i thuash “mendo pozitivisht”).

E kuptoi shumë mirë Enzo Jannacci i cili, në 2000, i thurri një homazh Vasco Rossi-t duke i dedikuar një varg të baladës pikëlluese autobiografike Lettera da lontano. Jannacci citon, jo mëkot, pikërisht këngën Vivere dhe fuqinë e saj ngushëlluese:

«Lettera per il tempo
Che a vent’anni nessuno ti dice che vola via
Come un tipo particolare di vento
Lettera a Vasco Rossi
Mi piace sentirgli dire che oggi è spento»

Mëshira, për veten dhe për të tjerët, që këngët e tij përcjellin është me siguri një prej arsyeve të suksesit të Vasco-s. Marrëdhënia personale dhe përplotësuese që krijohet mes tij dhe fansave të vet, çliron një ndjenjë afrimiteti njerëzor që perceptohet qartësisht edhe në një stadium 80.000 vendësh. Por, paçkase kësaj, ai nuk hyjnëzohet, përkundrazi.

Mungesa e vetpëlqimit dhe pamundësia për t’i gjetur zgjidhje tensioneve konflikuese që përshkojnë jetën e gjithkujt, ndjenjë që na shoqëron deri në varr, janë vazhdimësi e  gjithë veprës dhe jo vetëm e këngëve më “filozofike” të Vasco-s. Tekstet me tematikë dashurinë, ashtu si ato në të cilat përballet me pulsionin e vdekjes dhe iluzionin e krijimit të një marrëdhënieje të paqtë, përfundimtare, të kënaqshme, shprehin të njëjtën ndjenjë. Në këtë ai është përcjellës i një urtësie psikanalitike të veçantë, siç demonstron mënyra unikale e përballjes së marrëdhënies dashurore, parë nga kategoria e diferencës dhe jo e shkrirjes apo dystimit të asimetrisë.

Tematika e dashurisë merr te Vasco konture të pazakonta për këngën italiane. Mbi të gjitha, tek ai, gratë ekzistojnë me të vërtetë, ndryshe nga ç’dalin prej teksteve të shumë kolegëve të tij kantautorë, ku nuk janë tjetër veçse pasqyra reflektimi të imazhit dhe vuajtjes letrare të vetë poetit.  Ose, siç ndodh ndonjëherë në tekstet e Guccini-t, ku janë naive dhe pak të nxëna, deri në atë pikë sa zëri rrëfyes merr një pozicion pedagogjizues dhe vetëshfajsues (le të shihen Eskimo, Vedi Cara o Quattro Stracci).

Ndërsa në këngët e Vasco-s prania femërore shprehet në të gjithë diferencën e vet, e turbullt dhe traumatike. Një aspekt që e përafron, pjesërisht, me Tenco-n dhe Conte-n. Edhe pse ndjeshmëria psikanalitike e Vasco-s është edhe më e thellë.

Në fakt, psikanaliza tregon se si marrëdhënia dashurore kultivohet gjithmonë duke filluar nga një diferencë e kurrë nga një shkëmbim reciprok pozicionesh të barazvlefshme. Në këngët e Vasco Rossi-t ka gjithmonë një vetëndërgjegjie ku një marrëdhënie dashurie nuk është kurrë një simbiozë idilike, por një punë e vështirë në përshkimin e një diference të patjetërsueshme, që ndan mbi të gjitha vetveten e gjithsecilit.

Historitë e dashurisë të treguara prej Vasco-s udhëtojnë gjithmonë në fillin e një ekuilibri të brishtë, e një keqkuptimi, e një distance. Jo për t’u vetëpëlqyer për një pamundësi, por për të menduar që në lojë, në marrëdhënien autentike me tjetrin/ën, qëndron gjithnjë diçka që thyen njëtrajtshmërinë vetpëlqyese dhe narçiziste të individit.

 

Teksti origjinal gjendet në revistën online Dinamo Press nën titullin Vivere o niente. Disincanto e materialismo nella scrittura di Vasco Rossi.
https://www.dinamopress.it/news/vivere-niente-disincanto-materialismo-nella-scrittura-vasco-rossi/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s