Teatri i Kukullave dhe gogolizimi i revolucionit komunist si koncept. (Romeo Kodra)

Në Top Show, në tempullin e mjerueshëm të spektaklit shqiptar, po flitej – si zakonisht, në mënyrë inflacionuese – mbi Revolucionin. Të ftuar në studio – si përfaqësues të mish-mashit konsumerist demokratikt – ishin nga studiues së shkencave politike e deri tek matufi i barit poshtë pallatit me libër të botuar; të gjithë me lirinë e fjalës së garantuar, pavarësisht se raciste apo injorante. Fundja “the show must go on” në shoqërinë konsumeriste të spektaklit. Trashja trunore dhe dhjamore e pronarëve dhe drejtuesve të Top Channel-it është tashmë model vetëreferencial për të gjithë shqitarët teletrumpiksur përpara aparateve të televizorit.

Për ata që nuk kanë durim të shohin të gjithë mjerimin e spektaklit, këshilloj gjithsesi të shohin disa fragmente apo fotograma të disa fytyrave qesharake për të cilat ia vlen të humbasësh 1 minutë kohë.

I pari është një gjeni, një “spiun kukllash” që duket sikur ka dalë nga marionetat e Teatrit të Kukullave të viteve ’70-’80, një nga ata që mezi presin të spiunojnë në “Kuesturë” Yllin e Shamunaqes – Arlind Qorin.

2017-12-01 14.05.38

I dyti, si një djalë beu, edhe ky i dalë nga personazhet e Teatrit të Kukullave, ka “ide”, flet edhe për koncepte. Në fakt është ky që nxjerr perla shkencore të tipit “Shqipëria vuan nga socializmi dhe koncepti komunist” (min. 3’55” e videos në linkun e mësipërm).

2017-12-01 14.06.23

I treti, autori i famshëm i të famshmit “Testamenti politik i Hitlerit”, kur i jep ajër gojës kam përshtypjen se do bënte nostalgjik për burgjet enveriste edhe At Zef Pllumin. Është thuajse e pamundur në këto raste të mos të të shkojë mendja te rihapja dhe vënia në funksionim e Spaçit apo Burrelit.

2017-12-01_15.27.18[1]

Por – pavarësisht se nuk ia vlen të humbasësh kohën me 3 orë emision – ka edhe disa momente kur duket sikur neuronet fillojnë e stimulohen. Kjo është falë një arsyetimi të Ilir Kalemajt.

2017-12-01 15.47.50

Sipas Kalemajt “kapitalizmi ka aftësi vetëkorrektuese” (27’05”), ndërsa “socializmi dhe komunizmi janë utopi totalitare” që nuk pranojnë dhe “tolerojnë tjetrin”, nuk “tolerojnë një parti ndryshe nga ata”.
Pikësëpari duhet thënë që Kalemaj për mungesë kohe, duke ndjerë presionin e ndërhyrjeve “inteligjente” të bashkëfolësve, përthjeshton disi duke futur në një kallëp komunizmin dhe socializmin dhe për këtë pasaktësi nuk mund të paragjykohet. Por gjithsesi, ka disa probleme tek arsyetimi i tij, që, sipas meje, përcjell bindje të mirëqëna në kontekstin ku jetojmë, por aspak të vërteta. P.sh. sa e vërtetë është që kapitalizmi ka aftësi vetëkorrektuese kur e nënkuptojmë si një sistem nga pikëpamja e përfaqësimit të pushtetit politik? [Dhe pushtetin e nënkuptoj në terma foucaultian, ashtu siç nënkuptoj edhe politikën në terma faucaultian, pra biopolitikë].
Utopia e Marksit është eliminimi i politikës si pushtet politik përfaqësues (political representation) i bazuar në delegim vote. Dhe këtë po e marrim si të mirëqenë që na qenkërka utopi. Por, nga ana tjetër, ku na përcjell kapitalizmi nga kjo pikëpamje, nga pikëpamja e krizës së pushtetit të përfaqësimit politik? Si mund të vazhdohet një rend politik me këtë alienim politik thelbësor, pra që në hapin e parë të organizimit formal politik? (Me alienim politik nënkuptoj literalisht dhënien, delegimin e përfaqësimit politik tjetrit/politikanit)
Nuk po i futemi problemit të të akumuluarit ad libitum dhe antagonist të kapitalit (e përmend më tej edhe Arlind Qori), që sipas të dhënave faktike të një bote kapitaliste si kjo e jona po na çojnë në greminë për shkak të paqëndrueshmërisë.

Një tjetër moment për t’u vlerësuar si stimulues neuronal është edhe një citim i Walter Benjamin prej Arlind Qorit.

2017-12-01 14.06.59

Më saktësisht bëhet fjalë për krahasimin benjaminian dhe citimin e tij marksian “të revolucioneve si lokomotivë”. Më saktësisht Benjamin shkruan:
Marksi thotë që revolucionet janë lokomotiva e historisë universale. Por, ndoshta, gjërat qëndrojnë tërësisht ndryshe. Ndoshta revolucionet janë përdorimi i frenës së emergjencës prej njerëzimit që udhëton në këtë tren.
Marrë nga Walter Benjamin, Sul concetto di storia, Einaudi, Torino, 2014, fq. 101.
Pavarësisht se Qori e përdor këtë citim për të justifikuar dhe purifikuar moralisht Revolucionin e Tetorit prej gogolizimeve trashanike feudale apo neoliberale të disa të pranishmëve në studio, duket sikur ka një keqkuptim në thelb të mendimit të Walter Benjamin-it, i cili këtë afirmim e kishte në optikën e një kritike të materializmit historik dhe thelbit të tij pozitivist. Në pak fjalë për Benjamin-in ishin të qarta koordinatat marksiane të nevojshmërisë së pashmangshme të revolucionit. Revolucioni duhet bërë. Nuk e kuptoj se pse Qori “nuk është për Revolucionin” duke dhënë si justifikim nevojshmërinë e organizimit të një derivati të papërcaktuar të revolucionit nëpërmjet bashkimit të klasës punëtore që nuk prek fare krizën e Walter Benjamin-it, e cila fillon pikërisht tek projektimi i “lokomotivës”, si projektim drejt një vendmbërritjeje dhe si projektim konstruktimi i mjetit lokomotivë. Për mendimin tim Benjamin flet për ndërrim shinash apo binarësh (pra, revolucion!) dhe dekonstruktim inxhenieristik të vetë lokomotivës/revolucioneve (pra, prej frenës apo kontropedales së revolucioneve, drejt një regjimi tjetër!).
Gjithsesi, nga njëra anë, Arlind Qori ka një meritë: është nga të vetmit, në mos i vetmi, që ka evidentuar rolin e klasës punëtore në ndërrimin e sistemit të shkuar. Dhe falë këtij evidentimi mund të kuptojmë sesa proletare ishte diktatura jonë e proletariatit (diktatura që teorikisht përfaqësonte klasën punëtore), sepse e tillë quhej diktatura e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
Por, nga an tjetër, duket sikur edhe te Qori ka një paragjykim moral të trupëzuar prej një refleksi të kushtëzuar propagandistik shqiptar që na është futur si fryt i 27 viteve shock economy (apo terapi shoku, për të përdorur shqipen e Gramoz Pashkos). Pse duhet mohuar revolucioni? Kur Qori thotë, “Unë nuk jam për revolucionin!”, kjo nuk tingëllon si shprehje reaksionare? Mos vallë janë moralisht të pajustifikueshme viktimat dhe dëmet, tragjikja e revolucionit? Një rilexim i Nietzsche-s – “Përtej së mirës dhe të keqes” apo “Gjenealogjia e moralit” – do të ishin shpjegues më shumë sesa 1000 fjalë. Nëse sërish do të perceptoheshin si të pajustifikueshme moralisht, si mendohet të jenë viktimat dhe dëmet, tragjedia e përditshme e kapitalizmit (Le t’i përmbahemi numrave të 27 viteve kapitalizëm demokratik në Shqipëri p.sh.)? Mos vallë modeli revolucionar (me mjete dhe metoda të ndryshme siç thotë Qori) është ai i Mahatma Gandhit? Mos vallë kapitalizmi bashkëkohor global është ai anglez i shekullit të shkuar? Mos vallë klasa e ardhshme punëtore do përmbysë rendin kapitalist duke kënduar mantran e “hare krishna-s”?

Natyrisht këto janë vetëm disa nga pyetjet që lindin mbi mohimin e revolucionit. Të tjera mund të lindnin pas vënies në diskutim mbi ngritjen në piedestal apo parajsë të klasës punëtore, që për mendimin tim është klasa ideale e një sistemi të bazuar mbi nënshtrimin, por ky do të ishte një diskutim/spekulim i tepërt për mjerimin spektakolar të Top Show.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s