“Arti i procesit” në Center for Openness and Dialogue dhe ndryshimi me Tirana Art Lab. (Romeo Kodra)

Në Shqipëri, si në të gjitha vendet e botës, ka nga ata që ushtrojnë veprimtari artistike apo kulturore që duken sikur  fluturojnë mbi një greminë, ku, nga njëra anë, qëndron realiteti i njohur prej të gjithëve dhe, nga tjetra, mundësitë për ta ndryshuar atë. Këtë fluturim, nëpërmjet artit dhe kulturës, zakonisht e shohin vetëm të zotët e punës. Të tjerët, duke mos u besuar syve, kujtojnë, duke imagjinuar, se shohin një urë.

Gjithsesi, greminën e Reales (si koncept filozofik dhe psikanalitik … shih për qartësim në Lacan), mbi të cilën fluturohet apo ngrihet kjo urë, e shohin të gjithë.

Në Shqipëri, si në të gjitha vendet e botës, ka edhe nga ata që ushtrojnë veprimtari artistike apo kulturore që duken sikur ngjiten në një shkallë, ku, nga njëra anë e së cilës, poshtë, qëndron Realja dhe, nga ana tjetër, lart, qëndron realiteti. Këtë ngjitje, nëpërmjet artit dhe kulturës, e shohin të gjithë, pa përjashtim. Dhe, ç’është më e bukura, e shohin pa patur nevojë t’u besojnë syve, symbyllazi.

Realja është e vështirë për t’u përballuar, sepse është një hapësirë lufte ku ballafaqohen, nga njëra anë, dëshirat e individit, e gjithsecilit prej nesh dhe, nga ana tjetër, vdekja – si fenomen natyral – apo asgjesimi, tredhja prej Tjetrit (qoftë prind, familje apo shoqëri; në pak fjalë, çfarëdolloj pushteti). Pra në hapësirën e Reales përcaktohet, nëpërmjet vullnetit, ajo ç’ka do të jetë individi. Nëse në hapësirën e Reales imponohet vullneti i Tjetrit, nëse funksionon tredhja, individi krijon egon dhe, për të mos u asgjesuar, pranon kushtëzimet e realitetit. Nëse imponohet vullneti i individit, nëse nuk funksionon tredhja, atëherë individi ose asgjesohet, ose mbijeton duke mbetur qenie e lirë, e pavarur, eksplorues i territorit të mundësive të panumërta.

Egoja është një maskë e krijuar prej individit të tredhur dhe e pranuar prej Tjetrit/pushtetit. Maska është një fasadë e dyfishtë kompromisi, që vihet njëkohësisht mbi fytyrën e individit dhe mbi Realen. Këto maska, që tregojnë fytyra të nënshtruara (subjektesh) që pranojnë tredhjen e pësuar në hapësirën e Reales, duke u shumëfishuar krijojnë një territor më vete: territorin e realitetit të gjithpranuar prej egova që përbëjnë shoqërinë e nënshtruar ndaj pushtetit. Dhe morali i kësaj shoqërie dhe i këtij territori thotë: është normale t’i nënshtrohesh, të tridhesh prej pushtetit; ky është realiteti, territori ynë i përzgjedhur! [Sa herë në ditë e dëgjojmë këtë shprehje, “ky është realteti”?] Fasadat e kompromiseve, shtresëzimet e maskave krijojnë dyfytyrësitë apo shumëfytyrësitë e egove që qarkullojnë në shoqëri dhe që pranojnë realitetin e shtresëzuar të saj, ku Realja, ky hon i tmerrshëm, është mbuluar prej maskave (të egove dhe realitetit) dhe del në pah vetëm herë pas here, si pa dashja, papritur, thjeshtë ndonjë lajm kronikash të zeza. Jemi, në pak fjalë, tek ajo që Guattari-ja dhe Deleuze-i quanin baza e makinerisë së pushtetit: fytyrësia (visageité). Pra, në këtë rend gjërash, sa më shumë maska të jesh i aftë të mbash, sa më shumë i aftë të jesh në prodhimin e fytyrësive, aq më shumë ngjitesh lart, zot në shkallën e epërme të realitetit.

Por, përveç egove të të nënshtruarve, që pranojnë dhe gjallojnë në realitetin e pushtetit, dhe mundohen të dalin në krye të llumit të realitetit si ego që kanë bërë karrierë, si Ego mbi egot e tjera, ka edhe artistë dhe operatorë kulturor, qenie të patredhura, që hedhin hapat mbi atë urë që lidh territorin e mundësive të panumërta dhe majat akute të realitetit të shtresëzuar, të tredhjeve të maskuara, për t’i dekonstruktuar këto të fundit  dhe për të bërë lidhje jo të realitetit, por të Reales me njërën prej mundësive të kahut tjetër të urës. Sipas meje, kjo mundësi që sjell një artist apo operator kulturor në realitetin e të tredhurve nuk është një mundësi për larjen e mëkateve të egove që popullojnë shoqërinë. Artisti apo operatori kulturor nuk tregojnë një rrugë për të ndjekur, një shembull për të vobektit. Nuk kërkojnë as dishepuj. Kjo, sepse mundësia që tregojnë nuk është as promovim i imazhit, as i fytyrës e as egos së të patredhurve; sepse egoja dhe të patredhurit janë kontradiktë në terma: egoisti dhe artisti janë dy krijesa të kundërta. [Ka artistë në Shqipëri që ende flasin për egon e tyre artistike? E dinë se për çfarë po flasin?]

Ajo ç’ka dua të them është që artisti apo operatori kulturor i patredhur – në Shqipëri më shumë se kudo – tregojnë një dëshmi të gjallë. Dhe e tregojnë nëpërmjet vetes si qenie individuale (kujdes: jo individualiste!), nëpërmjet fjalës, veprës dhe mënyrës së kryerjes së veprës. Mënyra e kryerjes së veprës ka të bëjë me procesin dhe mjetet e prodhimit. Etika e artit dhe kulturës këto të dyja i do të hapura, transparente (kujdes: jo detyrimisht të kuptueshme; jo detyrimisht pedagogjizuese të masave të “vobekta”; pedagogjia çon gjithnjë në marrdhënie familjarizuese dhe predikuese pushteti!). Prej këtej qartësohet edhe keqkuptimi i artistit apo operatorit kulturor të nënkuptuar si ndonjë Krisht i ditëve tona; prej procesit apo mjeteve të prodhimit, që janë gjithmonë të qarta, pa asgjë të fshehur, asgjë metafizike apo qiellore; thjeshtë përkushtim tërësor në përballjen e Reales dhe rezistencë ndaj çdo pushteti që imponon tredhje dëshirash, mundësish të reja.

Prej dy tre ditësh po lexoj në shtypin online artikuj/komunikata mbi një aktivitet prej realitetit shqiptar, të organizuar nga Valentina Bonizzi-t, të punësuarës së Center for Openness and Dialogue në Kryeministri, së shkallës më të lartë të realitetit artistik dhe kulturor shqiptar.

http://www.gsh.al/2017/10/08/arti-procesit-dialog-brenda-e-jashte-mureve/

Arti i procesit _ COD

Nuk është ky rasti për t’u marrë me gazetaren e kulturës dhe për karrierizmin egoistik të saj dhe ngjitjen e dëshiruar drejt majës së realitetit të të tredhurve, që në rastin në fjalë është – mesa kuptoj nga shkrime gjithnjë e më degjeneruese drejt aprovimit përgëzues të çdo aktiviteti afër pushtetit – i induktuar nga një lloj kompleksi provincial inferioriteti që do e afirmojë (?) në një kontekst të supozuar kryeqytetas(?). [Gjithsesi, suksese !!!]

Është rasti për t’u marrë me mënyrën e transmetimit të jehonës së aktivitetit: megafonike! Thjeshtë, ripërsëritje dhe shumëfishim i komunikatës për shtyp [Për fat të keq nuk është rasti i vetëm ky artikull i gsh.al; transmetimi megafonik i aktiviteteve të pushtetit, për injorancë profesionale apo thjeshtë për bythëlëpirje të pastër, i përket edhe shumë portaleve të tjera]. Tek-tuk siç thotë gazetarja ndonjë “reflektim” interesant i Bonizzi-t, që evidenton faktin e ngritjes së Çadrës së protestës së PD-së dhe “vizatimin e një gjeografie të re, që të vendoste dhe t’i vendoste në lidhje me kundërshtinë e krijuar mes institucionit ndaj të cilit protesta bëhej dhe vendit publik në të cilin manifestoheshin të dyja. Për Bonizzin, manifestimi i protestës përpara Kryeministrisë krijonte kufij të rinj brenda të cilëve humbiste perceptimi i sigurisë, një zonë manifestimi publik, që i merrej publikut.” Sa e paanshme, eh! Dhe sa akute, madje! “Kërkuesja e asociuar” e COD-it na paska hallin e zënies së hapësirës publike prej protestuesve! Uauuu, kushedi sa protesta ka parë në hapësira jo-publike! Në fakt, të gjithë ne e dimë që protestat bëhen në hapësira private; madje më mirë do ishte në shtëpitë tona, gjithsecili veç e veç. Flet “kërkuesja e asociuar” edhe për gjeografi, term mëse i përdhosur, sidomos kur trajtohet prej ekspertësh të tillë, prej diletantëve të artit bashkëkohor. Flet edhe për institucione. Ka edhe përshtypje të tjera akute dhe të paanshme si këto. Gjithsesi “projekti nxiti reflektim” pohon megafonmbajtësja.

Por projekti trajtoi gjithashtu edhe monumentet, siç shihet në hapje të shkrimit: “Statujat monumentale ndërfuten si shenja në hapësirë, kësisoj përcaktojnë kohën dhe përcaktohen në kohë. Hija monumentale ka fuqinë të lërë në hije ata që i afrohen. Vetëm turma nuk ka frikë nga përplasjet. Mund ta përmbysë pushtetin. Kur ajo mblidhet në masë, përcakton shenjën që ripërcakton një qendër të re, kështu që hijet e statujave dhe ato të njerëzve shkrihen: marrin pjesë në një qenie të re monumentale – Baubas, Arti i Procesit, Center For Opennes and Dialogue, Tiranë.” Shumë interesant! Edhe më interesant bëhet sidomos për koinçidencën me interesin, për të njëjtin argument, të Anri Salës, siç na bëjnë me dije nga fundi i Australisë, ku artisti shqiptar gjendet për komisionimin e punës së rradhës (sa bukur të punohet nën komisionim, eh … si një herë e një kohë, pak a shumë si në rininë e së ëmës, Valdete Salës, me “Intervistën” e së cilës shpërtheu në botën e artit bashkëkohor). http://www.theaustralian.com.au/arts/its-mozart-but-not-as-we-know-him/news-story/752561b8fcbbc41d00156819ae1b607c

Gjithsesi, duhet thënë se gazetarja e kulturës, e impenjuar të lehtësojë tredhjen nëpërmjet restaurimit të egos dhe karrierizmit në llumin e pseudo-kulturës kryeqytetase, e impenjuar siç është për shkak të “profesionit dhe takimeve të herëpashershme në ekspozita e festivale” mundet edhe të injorojë faktin që “brenda dhe jashtë”, “monumentalizimi i pushtetit”, “kritika institucionale” janë koncepte me të cilat unë personalisht, por nëpërmjet meje edhe Tirana Art Lab si institucion artistiko-kulturor, po merremi prej vitesh. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për artisten/operatoren e kulturës Valentina Bonizzi-n dhe vetë institucioni Center for Openness and Dialogue. E para nuk mund ta injorojë sepse ishte përsëpaku e pranishme në Triple Feature 5 me artistët e Çetës, Georgia Kotretsos-in dhe Pleurad Xhafën. Madje pasi u informua gjerë e gjatë mbi konceptet e sipërpërmendura kërkoi edhe një bashkëpunim midis TAL dhe COD. Po ashtu edhe Center for Openness and Dialogue nuk mund të injorojë që në Tirana Art Lab punohet mbi konceptet e sipërpërmendura sepse Cristine Macel, këshilltare bordi e COD, përsëpaku i njih këto koncepte që nga pjesëmarrja e TAL në thirrjen e hapur të Albanian Contemporary Artist Salon – ACAS, ku kuratorja e famshme kryesonte jurinë, dhe ku ne, nëpërmjet konceptit të prezantuar, vinim gishtin mbi qasjen Lart-Poshtë dhe Jashtë-Brenda të prodhimit të artit dhe kulturës në Shqipëri dhe se si kjo mënyrë ushqente dhe stabilizonte pushtetin.

Natyrisht mbi koncepte nuk vihet veto, nuk funksionon vettingu. Konceptet janë bërë për t’u marrë me to e për të deshifruar një realitet si ky i yni p.sh. Dhe pikërisht te mungesa e deshifrimit qëndron irritimi i imi dhe shpresoj atyre që lexojnë këto rreshta. Sepse mbi këto koncepte (shto këtu atë të polifonisë), të cilat janë prodhuar duke patur në mendje kontekstin shqiptar dhe nëpërmjet tij atë global, personalisht kam 5 dhe si TAL kemi 3 vite që merremi sistematikisht. Atëherë, si ka mundësi që askush nuk merret me lidhjen që kanë këto koncepte – brenda/jashtë, monumentalizim, kritikë institucionale – me kontekstin shqiptar dhe se si e deshifrojnë ato këtë të fundit? Si pretendon Bonizzi të flasë për ligjin 65 mbi sipërmarrjen sociale pa problematizuar katedrën prej nga predikon? A e di Valentina që pushteti në Shqipëri ka kohë që po uzurpon hapësirën jo vetëm institucionale, por edhe atë të shoqërisë së ashtuquajtur civile që merret me çështjet sociale, e cila sa vjen e po bëhet gjithnjë e më shumë një sipërmarrëse? A e di Valentina çfarë është Mjafti? Çfarë është Sorosi? Çfarë janë Edi Rama dhe Mirela Kumbaro, prejardhja e tyre prej “shoqërisë civile”, prostituimi i artit dhe kulturës për interesa ekskluzive dhe estetizuese të pushtetit politik? Pastaj, kush është Bonizzi, “kërkuesja e asociuar” e COD? Si e fitoi postin? Çfarë konkursi kaloi për të punuar në një institucion publik shqiptar? Pa përgjigje ka mbetur edhe pyetja që personalisht i kam bërë Bonizzi-t kur kërkoi bashkëpunim midis COD dhe TAL: cili është statuti ligjor i COD? Si u shpik ky institucion brenda korpusit administrativ të shtetit shqiptar? Me çfarë buxhetesh ushtron veprimtarinë e tij?

Natyrisht këto janë pyetje që do mbeten pa përgjigje, pavarësisht se përgjigjen mund ta imagjinojë çdo shqiptar. Gjithashtu do mbeten pa përgjigje sepse, mbi të gjitha, konceptet brenda/jashtë, monumentalizim i pushtetit, kritikë institucionale nuk janë miell i thesit të Valentinës (shpresoj të mos bëj ndonjë miks të këtyre koncepteve me artin relacional wikipedian, se kushedi ç’do na pjellë mushka!?). Valentinat e shumta që vijnë në Shqipëri dhe operojnë nga jashtë-brenda, janë thjeshtë krijesa të prodhuara në një rend çakejsh të sistemit të artit global ku përputhem interesa kolonizimi global dhe pushteti fashistoid lokal; krijesa që operojnë nëpërmjet reaksionit dhe inflacionimit të termave, të cilat në këtë mënyrë kodifikohen e përvetësohen prej pushtetit GLOKAL. Do mbeten pa përgjigje sepse këto koncepte nuk janë të huazuara prej librave, por prej praktikës në kontekst dhe që t’iu japësh përgjigje nuk mjaftojnë majmunëritë Bonizziane, etiketat, fasadat.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s