“Marka” Ismail Kadare dhe “Brand-i” Edi Rama, ose arti dhe letërsia në kohën e “shoqërisë së kontrollit”. (Romeo Kodra)

Prej kohësh po flitet dhe diskutohet për çmimin letrar “Kadare” të organizuar prej pronarit të gazetës “MAPO” Henri Çili. Ajo çka më bën më shumë përshtypje është mungesa thuajse tërësore e parashtrimeve teoriko-kritike të cilësisë së veprave apo argumentimit të vlerësimit të tyre për dhënien e çmimeve. Diçka të përciptë fola mbi këtë para pak kohësh me Bashkim Shehun, kryetarin e jurisë së këtij viti për “Kadarenë”, por që nuk patëm mundësi të thellonim për shkak të mungesës së kohës.

Edhe unë si shumica e lexuesve të të përditshmeve shqiptare jam në kërkim të informacionit që do të më mundësonte një njohuri paksa më specifike mbi argumentin në fjalë dhe veprave të vlerësuara me çmime.

Duke njohur kontekstin e ndrojtur të letrave shqiptare (po përdor korrektësinë e politikishtes) po hedh vetë disa rreshta që shpresoj të gjejnë jehonë tjetërkund, ideale do ishte midis njerëzve të letrave shqipe, mundësisht me referenca teoriko-kritike të deklaruara siç do përpiqem të bëj edhe vetë më poshtë.

Por këto rreshta po i shkruaj edhe për shkak se dje, në versionin online të gazetës MAPO, hasa një shkrim të Mimoza Ahmetit që më bëri përshtypje për revoltën dhe pasionin që dilnin prej rreshtave të shkruara (http://www.mapo.al/2017/06/debati-per-cmimin-kadare-shperthen-mimoza-ahmeti-ka-ardhur-koha-qe-shkrimtari-perendi-tiu-hape-udhen-te-rinjve/1).

Pavarësisht revoltës dhe pasionit, shkrimit i mungonte problematizimi i mediumit (gazetës MAPO), prej të cilit riprodhohej publikisht, divulgohej në domain-in publik. Pra, i mungonte autores një evidentim i faktit që pronari i gazetës, i cili po i mundësonte “shprehjen e lirë”, është Henri Çili, pjesë e pushtetit të sotëm që kontrollon sistemin masmediatiko-financiar nën regjimin e të cilit gjallon shoqëria shqiptare dhe që ka në dorë – përveç financave që (shpër)blejnë autorët me çmime – pikërisht mediumin, fasadën, platformën që riprodhon dhe kodifikon fjalën e filtruar të poetes Mimoza Ahmeti. Ajo që dua të them është se poetja nuk kishte evidentuar legjitimimin e pashprehur dhe të nënkuptuar që shkrimi i saj i jepte gazetës MAPO si filtrues ekspert i letrave shqipe. Pra legjitimonte, në mënyrë indirekte, mediumin. Dhe nëse do të biem dakort me McLuhan që “Mediumi është (vetë) mesazhi”, atëherë i bie gjithashtu që Mimoza Ahmeti e ka lënë veten në dorë që të shndërrohet në instrument të pushtetit masmediatiko-financiar dhe të kontribuojë në afirmimin dhe legjitimimin e mediumit MAPO, pronarit Çili dhe gjithçka këta sëbashku përfaqësojnë.

Ky sistem, brenda të cilit jetojmë sot edhe ne si shqiptarë, që është kolauduar në botën  e ashtuquajtur perëndimore, duke filluar pas Luftës së II Botërore e sidomos prej rënies së Murit të Berlinit e këtej, Gilles Deleuze e quan “shoqëria e kontrollit”. Kjo shoqëri nuk është më shoqëria e disiplinës, siç ishte Shqipëria e Enver Hoxhës p.sh., një shoqëri e rrethimeve dhe përkufizimeve strikte dhe mbylljes, që Deleuze, duke ndjekur veprën e Faucault-së, thoshte fillonin nga familja, te shkolla (“nuk je më në shtëpinë tënde këtu” – thoshte mësuesja – “prandaj rri urtë e mos bëj zhurmë”), më pas kazerma e ushtrisë (“mos kujto se je në shkollë këtu” – thoshte rreshteri i repartit), në fabrikë, ndonjëherë në spital dhe eventualisht në burg, që është dhe ambjenti i mbylljes par excellence. Kjo shoqëri, në të cilën jetojmë sot, është disi më ndryshe; ajo është shoqëria e kontrollit, ku janë të ingranuar dispozitivët e pushtetit (masmedia, arsim, shëndetësi … kudo ku shihni “reforma” të Rilindjes) që filtrojnë ushqimin e duhur për makinerinë e sistemit në çdo fragment të jetës.

Një prej këtyre dispozitivëve është edhe çmimi “Kadare” i pronarit Henri Çili. Ky dispozitiv, filantropist në dukje, nuk është gjë tjetër veçse një dispozitiv kontrolli i cilësisë letrare të shkrimtarëve shqiptarë. Pra ky dispozitiv – i ushqyer prej jurisë së ekspertëve dhe shkrimtarëve pjesëmarrës, të cilët, për një shumë të caktuar apo mundësi fitimi të çmimit, kur nuk dinë të distancohen publikisht, e lënë veten të përdoren në mënyrë instrumentale prej mediumit që transmeton dhe legjitimon në këtë rast vetëm pushtetin që e zotëron – legjitimon Henri Çilin, vetëvetiu, si ekspert vlerësues i letrave shqipe.

Pra, falë mungesës së vënies në krizë të mediumit, Mimoza Ahmeti, pjesëmarrësit e tjerë dhe juria e ekspertëve, legjitimojnë Henri Çilin si ekspert vlerësues kur ky i fundit nuk ka dhënë asnjë dëshmi kompetence për njohuri të letrave shqipe.

Të artikuluar në mënyrë më sintetike këtë e pata shkruar në një status në Facebook dje. 20170613_202102Dhe më vinte keq sepse e dija që fjala, revolta dhe pasioni i Mimoza Ahmetit do të degjeneroheshin prej mediumit, pikërisht për fajin e saj, që nuk e kishte vënë atë medium (MAPO) në diskutim përsa i përket ekspertizës cilësore letrare. E dija, dhe e di prej kohësh tashmë, që sistemi krijon dispozitivë të tillë për të skadur dhe inflacionuar vlerat e personave të cilët nuk i përshtaten retorikës dhe lustrimit të imazhit të përzgjedhur të pushtetit që manovron këto dispozitivë.

Gabimi i poetes Ahmeti është përqëndrimi i kritikës së saj në një Kadare të çfardoshëm, i cili mund të jetë manipulues dhe censurues i letrave shqiptare, brenda apo jashtë vendit, por ai, si individ, nuk është tjetër veçse pjesë përmbajtësore dhe kontribuuese e mbajtjes së sistemit. E tillë, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, është edhe Ahmeti kur kufizon kritikën e saj tek përmbajtja dhe e shkëput atë prej strukturës, mediumit, MAPO-s dhe pushtetit që e manovron. Ajo bëhet, as më pak e as më shumë, përmbajtje ushqyese e strukturës MAPO që, siç thashë, del vetvetiu si strukturë filtruese e cilësisë së letrave shqipe.

Dhe përgjigjia e strukturës nuk vonoi: vetë Henri Çili, menaxheri i mediumit “të gjithëdijshëm” letrar, iu përgjigj “Mozës”. Dhe iu përgjigj duke e përballur me fasadën, me imazhin vetvetiu të vezullueshëm të shkrimtarit Kadare, me “të vetmen [?] markë publicitare [të] letërsisë shqipe e kulturës shqiptare që ne kemi në qarkullim dhe që mund të potencojmë në botën e qytetëruar ku lufta, konkurrenca e veprave cilësore është absolutisht e ashpër, e pamëshirshme“.

Tani është e lehtë ta kundërshtosh Çilin përsa i përket idiotësisë së perceptimit të Kadaresë si i vetmi i letrave dhe kulturës shqipe që ne kemi dhe që mund të potenciojmë në botën e qytetëruar. Madje fokusimi në këtë pikë kaq qëllimisht idiote do të ushqente zhurmnajën e tifozerisë pro/contra kadareiste që nuk bën tjetër veçse ripërtërin imazhin vetëvezullues së përzgjedhur prej pushtetit. Pra nuk më intereson ky argument. Çka më intereson është cilësimi dhe evidentimi i “markës Kadare” që del prej retorikës, kodit gjuhësor të Henri Çilit. Më intereson sepse tregon ekzaktësisht dispozitivin e kontrollit masmediatiko-financiar, që shpjegova më sipër, edhe nëpërmjet përmbajtjes terminologjike gjuhësore.

Marka është, sipas terminologjisë së tregut financiar, një mjet identifikues i produktit të një kompanie prodhimi, që në këtë rast është Kadareja, pas të cilit rreshtohet prodhimi i brendshëm letrar shqiptar që vetëm në këtë mënyrë – sipas Çilit – duhet të përballojë vështirësitë e tregut botëror. Pra kemi një megaskermë (“visagéité” = “fytyrësi” apo “faqësi” e quajnë Deleuze dhe Guattari në “Mille Plateaux”), një fasadë për-faq-ësuese, siç është imazhi/marka identifikuese Kadare, e cila sintetizon, duke përthjeshtuar dhe filtruar sipas kërkesës së tregut homogjenizues, homologues, kolonizues global, të gjithë ata shkrimtarë shqipfolës që i përshtaten kodit dhe kodifikimit filtrues.

Dhe nuk është hera e parë që në dispozitivët e Çilit qarkullon kjo lloj terminologjie, ku marka për-fshin duke për-faq-ësuar të gjithë prodhimin shqiptar. Më kujtohet gjithashtu një prezantim i ministres Ekonomi në Universitetin Europian të Tiranës UET – tjetër dispozitiv, kësaj rradhe filtrues i kompetencave arsimore – ku e sipërpërmendura fliste për brand-in Rama (“marka Rama”, përkthyer në shqip prej anglishtes), botuar në MAPO (http://www.mapo.al/2016/11/milva-ekonomi-debat-me-pedagoget-per-paktin-e-reformizmit/1/2) por edhe media të tjera.

20170613_211610

Pra mund të thuhet se nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një aparat kontrolli që funksionon në mënyrë sistematike: kemi një dispozitiv që ka një markë, një fasadë, një fytyrë, një faqe për-faq-ësuese që për-fshin duke u limuar karakteristikat e diferencave specifike të gjithë individëve që brenda tij kalojnë, duke i njehsuar dhe sheshuar nën vete. Pra, mund të thuhet gjithashtu se edhe Mimoza Ahmeti, sado që kritikon Kadarenë si person dhe atë çka ai, sipas saj, përfaqëson, duke marrë pjesë në konkurim pa u distancuar paraprakisht prej dispozitivit “çmimi Kadare” dhe duke “shfryrë” pa vënë në krizë mediumin MAPO, shndërrohet vetë dhe rrjedhimisht shndërron edhe kritikën e saj në material konsolidimi të faqes, megaskermës “Kadare”; tashmë jo person, por dispozitiv kontrolli i “faqësisë” apo “fytyrësisë” së dëlirë të letrave shqipe.

Është kjo e mësipërmja një kritikë teorike letrare? Mbase. Çka mund të thuhet me siguri është se ajo përbën përsëpaku një qasje semiotike mbi realitetin politiko-institucional të letrave shqipe, që bazohet mbi filozofinë e shenjave të Gilles Deleuze-it dhe Felix Guatarri-së, për të nxjerrë në pah dhe për t’u ballafaquar me abstragimet interpretative të atyre që quajmë kritikë letrarë në Shqipëri. Natyrisht në këtë diskutim, nga njëra anë, nuk mund të futen vetë Ismail Kadare apo Edi Rama dhe dispozitivët përkatës, siç mund të jenë çmimi “Kadare”, COD-i në Kryeministri apo çfarëdo të ketë patur në mendje Milva Ekonomi me brand-in Rama, sepse këta, pikësëpari, kanë gjithçka për të humbur dhe, së dyti, nuk kanë tjetër përmbajtje përveç ripërsëritjes ad libitum të së njëjtës markë, brand, fasadë, sipër-faq-ësi përmbajtësore të krijuar ndër vite. Por ky diskutim i ngritur nëpërmjet këtij shkrimi, nga ana tjetër, nuk mund të anashkalohet prej atyre që besojnë se për të folur për letërsi, apo edhe për art, nuk mund të anashkalohet gjuha, filozofia e shenjave, semiotika dhe politika institucionale e letrave dhe kulturës shqiptare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s