Një intervistë e imja për Julia Vrapin e gazetës “SOT”. (Romeo Kodra)

Gazeta SOT1 – Si po vijon aktiviteti juaj me TiranaArtLab?

TAL më 3 qershor sapo mbylli ekspozitën Double Feature 6, e cila përbëhej prej punëve të artistit shqiptar Sokol Peçi dhe artistit serb Slobodan Stošić. Ekspozita, siç është në traditën tonë vinte përballë dy qasje artistike prej kontekstesh sociale, kulturore dhe politike krejtësisht të ndryshme, por që gërshetoheshin në një dialog horizontal, midis interlokutorësh të barabartë, që nxirrnin në pah prejardhjen e tyre, identitetin e përbashkët serb dhe shqiptar. Ky pohim tingëllon i çuditshëm, madje duket kontradiktë prej propagandës idiote masmediatiko-politike që dëgjojmë në të përditshmen tonë. Por ia që arti ky është: nxjerrje në pah e kontradiktave sociale, kulturore, politike të përbashkëta, ku shihen njëlloj skena e artit serb dhe rezistenca ndaj pushtetit, romët, punëtorët që – për shkak të problemeve që kanë – janë sivëllezër të atyre shqiptarë. Por, për nxjerrjen në pah të kësi lloj kontradiktash, duhen edhe institucione të pavarura si TAL, që prodhon art në mes të një lagjeje ku ka shpërthyer bulimia ndërtimore e oligarkisë shqiptare dhe jo në Bulevard; që nxjerr art atje ku politika ka fshehur krimin pas ngjyerjes së fasadës; që bën art duke u nisur nga e përditshmja e punëtorëve, fëmijëve të cilët popullojnë hapësirën publike që fasadat mundohen të fshehin apo fshijnë. Po ashtu, prej pak ditësh, mbyllëm residencën artistike të kolektivit francez “Patriotisme”, përbërë prej dy të rinjve nën 30 vjeç, të cilëve u mundësuam njohjen me kontekstin dhe artistët shqiptarë, me disa prej të cilëve do të fillojnë një projekt artistik të përbashkët.

2 – TiranaArtLab ka qenë një hapësirë që ka promovuar dhe të rinjtë me punët e tyre. Sa rëndësi ka për ju kjo?

Promovimi i artistëve të rinj, nga njëra anë, është si “buka e përditshme” e TAL, por, nga ana tjetër, është edhe termometri më i mirë për të matur tensionet, kontradiktat dhe, njëkohësisht, shpresat për emancipim të shoqërisë shqiptare që pasurojnë laboratorin e kërkimeve tona. Vetë emri Tirana Art Lab tregon idenë e laboratorit që qëndron pas çdo lloj aktiviteti që ne prodhojmë, të cilët janë pashmangshmërisht të lidhur me artistët e rinj, sepse këta të fundit janë më të prirurit të kërkojnë ndryshim, janë më të prirurit të eksperimentojnë dhe të dalin nga klishetë e propozuara nga status-quo-ja. Pra, ne si TAL, promovojmë atë që artistët kanë si prirje! TAL nuk komisionon vepra sipas dëshirës, sepse kjo është jashtë çdo lloj etike artistike institucionale! Me status-quo-në e sipërpërmendur nënkuptoj Universitetin e Arteve, ku promovohen – duke u ekspozuar në FAB – më shumë pedagogë me komplekse inferioriteti apo dinosaurë të penelit që shiten si shtylla të “mjeshtërisë së piktorit”, sesa studentë që shprehin ndonjë lloj origjinaliteti artistik. Por me status-quo nënkuptoj edhe Bashkinë e Tiranës p.sh., që paguan me taksa publike artistë të mjerë që zbukurojnë shëmtinë e këtij qyteti për të alienuar prej problemeve reale gjithnjë e më shumë qytetarët. Kulmi arrihet kur bojatisen prej Bashkisë kazanët me personazhe filmash vizatimorë për fëmijë, dhe fshihet brenda pak orëve puna artistike e grupit ÇETA me imazhin e adoleshentit Ardit Gjoklaj që humbi jetën në landfill-in e menaxhuar prej mafies së lidhur me Bashkinë. Kjo është ajo me çka merret TAL, që falë kësaj pune përfaqëson Ballkanin në Vienna Contemporary apo në Bienalen e Konjic-it në Bosnjë Hercegovinë dhe ka krijuar, si askush tjetër në Shqipëri, lidhje me institucione kërkimore ndërkombëtare si Instituti Kombëtar i Historisë së Artit në Paris. Gjithashtu, të mendosh që në TAL jemi dy ekspertë vlerësues të programit Creative Europe, që funksionon si Ministri e Kulturës për Evropën, në çdo vend normal të Evropës do të ishim konsideruar pasuri kulturore kombëtare. Në Shqipëri paguajmë qira prej xhepave tonë dhe punojmë për 90% të aktiviteteve falas për të mbajtur gjallë TAL; madje shohim nga ana tjetër injorancën të ngritur në pushtet, të shndërruar në “institucion publik”, e cila duket se ka në dorë fatet tona artistiko-kulturore.

3 – Ju jeni një nga zërat më kritikë të problemeve me artin në vend. Sipas jush, sa ka bërë ministrja Mirela Kumbaro për artin dhe kulturën?

Për mendimin tim – dhe kam kohë që e mendoj, duke mos humbur më kohë dhe energji mendore – Mirela Kumbaro ishte personi më i shumëpritur i kulturës shqiptare, sepse vinte nga rradhët e shoqërisë civile, por edhe më zhgënjyes, sepse jo vetëm nuk përfaqësoi kontekstin prej nga erdhi në politikë, por shkatërroi dhe mjeroi më tej cilësinë e të bërit art e kulturë në këtë vend. Po ju pyes unë juve: sa herë e keni parë Kumbaron të përballet me përfaqësues të pavarur të artit dhe kulturës në masmedia? Zero, apo jo? Dhe normalisht shoqëria civile duhej të ishte interlokutori i saj primar. Por jo, Mirela Kumbaro pa të arsyeshme të merrte edhe një teserë të bukur partie dhe të rreshtohej me korrupsionin që deri dje gjoja luftonte. Domethënë kemi të bëjmë, jo vetëm me një person me kapacitet intelektual që lë për të dëshiruar, por edhe me një karakter të mjerë dhe mjerues që nuk e lë të shohë përtej përfitimit personal dhe mbijetesës së tromaksur ditore.

4 – Si e shihni sot gjendjen në institucionet e artit?

Edhe institucionet publike u mjeruan. Madje u përkeqësua situata duke centralizuar edhe më shumë vendimarrjen. Shih mbylljen e Qendrës Kombëtare të Artit ku në vend që të shkarkoheshin batakçinjtë partiakë që shpërndanin bakshishe mes miqsh, u mbyll e gjithë Qendra duke marrë përsipër ekskluzivisht vendimarrjen ministrja me komisionet e saj fiktive, domethënë u bë një hap mbrapa drejt autoritarizmit vendimarrës. Po ashtu u shkarkua Ilir Kerni, sepse nuk dinte të bënte pazare dhe të mbushte xhepat duke mbyllur praktikisht intitucionin e TKOB, siç po ndodh tani, por askush nuk ndihet. Janë shndërruar dhe detyruar trupa e baletit dhe operas, sëbashku me orkestrën, në arixhinj dhe arixhofka pa shtëpi e katandi. U shkarkua drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Melsi Labi sepse pati guximin të kritikonte mbushjen e xhepave që ministrja po i bënte privatit me atë palaçollëkun e paturpshëm që quajnë Bunk’Art, në një moment kur në MHK rridhte ujë nga terraca. Por edhe për këtë askush nuk ndihet. Natyrisht kjo praktikë injorante dhe barbare ka një qëllim politik të caktuar që është ai i përfitimit politik të figurës së Kryeministrit. Nuk do e harroj kurrë që COD në Kryeministri u hap kur Kumbaro po “reflektonte” për Onufrin e Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila në atë moment kishte një buxhet vjetor prej 25 milionë lekësh të vjetra, praktikisht më pak se shpenzimet e instalacionit vezullues të Philipe Parreno-së në ballë të Kryeministrisë.

5 – Artistët flasin për probleme por Ministria e Kulturës vijon dhe flet për investime, projekte në ndihmë të artistëve…

Për të kuptuar se si ndihmon Ministria e Kulturës artistët dhe operatorët kulturorë po jap një shembull personal. Aplikova në ministri për një projekt që gjeti mbështetjen e LabExMed, Qendra Kërkimore e Studimeve Mesdhetare të Universitetit të Marsejës, dhe Fondacionit amerikan Camargo, që operon në jug të Francës prej 50 vjetësh. Doja të prezantoja në një seri prej 5 konferencash me projektin tim atë që më kishin mundësuar të prodhoja dhe të prezantoja në dy konferenca në Francë. Por, natyrisht për MK dhe ekspertët vlerësues të projekteve ky projekt siç duket nuk përbënte prioritet apo paraqiste ndonjë cilësi. Injorancë apo dashakeqësi e Ministrisë së Kulturës? Emrin vijani ju!

6 – Edhe këtë vit vijoi mungesa e transparencës te projektet që financon Ministria e Kulturës. Shpallen projektet, por nuk kemi as buxhet dhe as emrat e bordit që përzgjodhi projektet. Në gjykimin tuaj, si ndikon kjo mungesë transparence?

Mirela Kumbaro, për sa i përket transparencës së saj apo bordeve që cakton, bën atë që ka bërë që nga dita e parë që iu qep karriges së pushtetit: prostitucion të artit dhe kulturës për përfitime financiare dhe politike. Unë bashkëpunoj me TAL mbi të gjitha, sepse Adela Demetja, drejtuese ekzekutive e TAL, ishte e vetmja që donte të firmoste një Manifest për transparencën në kulturë, që kisha publikuar në 2014 në blogun AKSREVISTA. Kjo do të thotë që transparenca për mua, por edhe për TAL, ka qenë dhe është abetarja. Gjithçka fillon prej saj. Shumë artistë që sot ankohen, ndoshta, në 2014 nuk e kuptonin këtë dhe nuk angazhoheshin, të tjerë bënin sikur nuk e kuptonin dhe lavdëronin Mirela Kumbaron për pallavrat retorike dhe për të kapur ndonjë fond ministror. Kishte edhe nga ata që u angazhuan për të pranuar ndonjë ofertë nga MK apo qeveria. Gjithsesi nuk ka asnjë problem: Manifesti për transparencë në kulturë është ende online dhe në pritje për firmëtarë të tjerë. Një artisti apo operatori kulturor që proteston, por që nuk firmos atë Manifest, personalisht prirem të mos i zë besë. Jo për gjë por tanimë nuk kemi as kohë për të humbur.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s