Gjurmët e bienales Mediterranea 18. (Romeo Kodra)

Në shkrimin e fundit në këtë blog shkruaja për disa ndikime të retorikës totalitare naziste të artikuluara prej drejtorit të bienales Mediterranea 18, Driant Zeneli. Kjo retorikë qarkullon, siç edhe u mundova të demonstroj, nëpërmjet fjalëkalimeve/password-eve që njerëz, të cilët nuk i supozojmë (ende?) aspak nazistë apo fashistë, përdorin si pa të keq, me një lehtësi të papërballueshme kunderiane të të qenurit fashist. Por nuk mjaftonte vetëm retorika, u desh edhe instalimi i eventeve të Bienales, në gjurmët e pashlyeshme të përshënjimit territorial të pushtetit diktatorial në hapësirën publike dhe urbane të kyeqytetit shqiptar, që kuadri të kompletohej.

Në gjurmët e pushtetit Driant Zeneli dhe kuratorët e përzgjedhur prej tij kishin menduar të hapnin Bienalen me një anije që vjen nga deti, nga jashtë, nga Perëndimi (në datën përkujtimore të përfundimit të Luftës Antifashiste mesa duket ky përkim nuk shqetëson më); të organizonin  evente në bulevard (hapësirë paradigmatike e përshënimit fashist të territorit); te Reja e Fujomoto-s (vepër e sjellë si meritë e njohëses së famshme të artit Edit Pulaj dhe kuratorit të famshëm Hans Ulrich Obrist falë shpërdorimit të taksva të Kryebashkiakut Veliaj si dhe për të zaptuar e betonizuar një nga hapësirat e pakta të gjelbërta të bulevardit); te Piramida (vepër e pushtetit enverist e ekzotizuar sipas metodës hipsteriane TULLA style); te pishina e Teatrit Kombëtar (institucioni qendror dhe qendërzues i logjikës argëtuese të pushtetit); te Qëndra Rinore në fillim të rrugës së Kavajës (rrugë qendrore e logjikës urbane fashiste) dhe në një hapësirë të inauguruar prej qeverisë; te Teatri Metropolitan (nën varësinë e Bashkisë dhe në qendër të Tiranës); tek ish-Ambasada Jugosllave (në rrugën e Durrësit (nuk kujtoj mirë nëse ish-bulevardi Mussolini, viale dell’Impero apo Vittorio Emanuele); te Libr’Aria që zapton gjelbërim në Parkun e Liqenit (sipas dëshirës betonizuese dhe hipsteriane të Erion Veliaj dhe çunave të mamave të  ndershme që i lëpihen për pesë lekë); Black Box-i i Universitetit të Arteve (institucion publik në bulevard); te Destil Hostel (vilë e një stili fashist, në rrugë kryesore, kthyer në një hapësirë e kulturës hipster ku mbizotëron logjika e konsumit mbi kulturën); te Turbina (teatri i ardhshëm kombëtar, i ashtuquajtur “fleksibël dhe multifunksional” prej arkitekëve të Atelier 4 që mbushin xhepat e Edi Ramës falë sasisë absurde të betonit hedhur në këtë hapësirë); te Teatri Eksperimental (institucion qëndror i teatrit, ku eksperimenton avangardisti Kiço Londo); te Qëndra Lincoln (ish-vila e Enver Hoxhës në “Bllok” të propozuar si hapësirë arti prej Edi Ramës dhe e shitur në mënyrë jargavitëse si ide e Ema Andreas dhe Klod Dedes, yje të skenës artistiko-kulturore dhe mendimit intelektual shqiptar); TULLA Center (qëndra par excellence e hipsterisë dhe ekzoticizmit kulturor shqiptar); te Sahati (në qendër të Tiranës); tek Insituti Italian i Kulturës (institucion qendror i qeverisë italiane në qendër të Tiranës); Bunk’Art 2 (qendër ekzoticizmi për turistë kulturorë, inauguruar prej Kryeministrit Rama, duke prostituuar me viktimat e pushtetit enverist për të mbushur xhepat e Carlo Bollino-s); tek Akademia e Filmit Marubi (institucion ngjitur me Ministrinë e Kulturës në rrugë kryesore); tek Universiteti Polis (institucion, në autostradën Tiranë-Durrës, ku promovohet hapësira për mendim sipas ideve provinciale të pronarëve të vetëdeklaruar mendjendritur të mendimit shqiptar); muri i Ministrisë së Arsimit (ku Eljan Tanini gjen hapësirë publike për të bërë prova artistike alla Edi Rama); te Galeria Kombëtare e Arteve (institucion qëndror kombëtar, në bulevard); tek oborri i ish-Vilës së Enver Hoxhës (e cila, si qendër e përshenjuar pushteti, siç u tha më sipër, nuk ka nevojë për prezantim); te Galeria ZETA (institucion privat, në rrugë kryesore); te Galeria FAB (brenda Universitetit të Arteve ku ekspozohen më shumë profesorë me komplekse inferioriteti sesa studentë në formim e sipër); te rrethrrotullimi i Zogut të Zi (në fund të rrugës së Durrësit); te Muzeu Historik Kombëtar (në një institucion e qëndror, në qendër të sheshit kryesor të Tiranës); tek Amfiteatri dhe Galeria e Artit në qendër të Durrësit.

Përveç shtëpisë së Helidon Gjergjit, i vetmi location disi origjinal, të gjitha hapësirat e mësipërme siç dihet janë hapësira të përshenjuara dhe shpesh herë të kontrolluara nga pushteti dhe institucionet qeveritare. Dhe duke qenë kjo Bienale kryekëput pjesë e kontributeve institucionale, nuk kish si të qe ndryshe. Përtej fjalëve të bukura dhe alternative të ministres, drejtoreshës së Bienales, drejtorit artistik Driant Zenelit dhe kuratorëve të përgjedhur, kjo Bienale nuk i tregoi shqiptarëve, mesdhetarëve, europianëve apo botës (vetëpërmbajtja e organizatorëve nuk ishte pjesë e Bienales), asgjë tjetër veçse hapësirat e propaganduara prej pushtetit politik aktuale.

Në shkrimin e mëparshëm pata përmendur edhe vullnetin e Driant Zenelit për t’u fokusuar “jo tek artistët, por te puna, te veprat e artit”. E pra, edhe në këtë rast, duhet thënë se shpesh herë punët ishin trajtuar në mënyrë kafshërore. Në ish-Ambasadën Jugosllave hapja u bë në mungesë të energjisë elektrike, ndërsa ditën e dytë u zbulua që punët ishin akoma duke u instaluar. Pyetjes sime sesi i shkonin punët, ditën e dytë pas hapjes, kuratorja Maja Ćirić i përgjigjej me një “mirë” e cila dukej sikur dilte prej një personi në trans, e alienuar nga realiteti që dukej katastrofik (punët ishin akoma në tokë). Çudia më e madhe ishte të shihje intervistat e kuratores serbe në Top-Channel ku lëvdonte prurjen e Bienales për kontekstin shqiptar. Çfarë kurajoje!

Për të mos folur për prezantimet kuratoriale të Rubin Beqos dhe Alban Nimanit, mjeshtrave muzikorë të TULLA Center, ku, pavarësisht sponsorizimit nga Telecom Mobile, nuk kishin patur mundësi të nxirrnin asnjë fletë prezantimi për artistët (isha i pranishëm në prezantimin e instalacionit muzikor të Bledi Borakut ku nuk kishte asnjë shpjegim mbi punën që ka me kaq merak Zeneli). Natyrish duke njohur personazhet kuratorë nuk u çudita aspak. Të njëjtën kurim kafshëror përkundrejt punës së artistëve pata vënë re me rastin e prezantimit të një eventi të TICA-s, drejtuesja e së cilës (bashkëfajtore për kurimin skandaloz) kishte patur idenë gjeniale të menderoste punët e artistëve në një event një ditor në bashkëpunim me shitësit e birrave të TULLËS (https://aksrevista.wordpress.com/2014/11/02/cm%d1%91-tregoi-storytelling-fall-session-2014-e-tica-s-romeo-kodra/). Edhe në Bienale cilësia e kurimit të punëve alla TULLA style u duk: u shitën shumë birra pa kupon tatimor (se kemi fat të njohim njerëz në Bashki) dhe u ekspozuan rrobat e reja të hipsterave të të gjitha gjinive.

Ajo ç’ka ishte më skandaloze, ndoshta varet nga interesat e mia mbi temën, ishte cilësia skadente e diskutimeve (artist talk, curatorial lectures) me ekspertë të fushave të artit dhe kulturës. Maria Rosa Sossai, kritike dhe kuratore arti, kishte si fillim idenë gjeniale të bënte të fliste vetë artistët, madje-madje, ajo shkoi përtej: “më mirë t’i japim fjalën publikut”. Kjo ide e përfshirjes së publikut që i shkon shumë pushtetit aktual, ku kërkohet me çdo kusht sheshimi i vlerave për të mos cënuar status quo-në, është shumë në modë, sidomos në eventet masmediatike (Sossai më kujtoi Mari De Filippi-n) ku, nga njëra anë, shpaloset demokracia e lirisë së fjalës së injorantëve, të cilët kanë për qëllim të zaptojnë hapësirën për mos lënien e shprehjes së një mendimi alternativ, përtej atij pohues dhe pozitivist karshi pushtetit në fuqi, dhe, nga tjetra, fshehja e njohurive mediokre të ekspertëve të supozuar. Dita e parë, ku për temë qe “historia”, ishte një lloj teatri padashje, të cilin nuk ka Portokalli ta konkurrojë. Dhënia e mikrofonit të Sossai-t, lënë i lirë në duart e dëlira të publikut, përfundoi tek një djalë adoleshent, që filloi të fliste sesi ai, nëpërmjet marrjes së mikrofonit, dhe ne që ishim të pranishëm në këtë ngjarje të paparë, po bënim pikërisht në atë moment historinë. Dhe, paçka idiotësisë së situatës, ky ishte maksimumi i përshkrimit të këtij lloj eventi të propozuar nga Bienalja, ku njerëzit mësohen sesi, pa patur kurrgjë për të thënë mbi argumenta të caktuar, ndihen të lirë të ndosin akustikisht me përrenjtë e tyre psikik një hapësirë publike … ops!!! … ishin te Reja … aty ku zaptim dhe ndotja (pamore dhe hapësinore në këtë rast) është si në shtëpinë e vet.

Edhe më shumë skandaloz ishte një event tjetër që i përkiste të ashtuquajturve curatorial lectures: A Natural Oasis? A Transnational Research Program. Ky program, mesa kuptova nga prezantimi (ku, në fillim, nuk u dhanë as emrat e 7 pjesëmarrësve) ishte mbështetur prej qeverisë së San Marino-s (?) dhe vetë Bienales. Programi kishte prodhuar edhe një publikim eseshë. Çudia ishte, sipas pohimit të vetë pjesëmarrësve, që publikimi nuk kishte një skemë apo strukturë, nuk kishte metodologji, nuk kishte një tematikë të përbashkët … thjeshtë ishte një grumbull eseshë dhe njerëzish të mbledhur bashkë që vite bashkëpunim nuk kishin qullosur asgjë. Përse-ja ishte e thjeshtë. Programi ishte iniciativë e Bienales, ishte iniciativë e institucioneve dhe jo interesit të kërkuesve. U çova dhe ika kur një nga folëset kërkoi që dikush t’i hiqte mikrofonin nga dora për ta shpëtuar nga sikleti dhe situata e menderosur në të cilën ndodhej.

I kujt është faji për këtë situatë të menderosur për ata që bëjnë punë dhe ia lënë në dorë pushtetit dhe zbatuesve të politikave të tij si Driant Zenelit apo kuratorët e zellshëm të status quo-së? Është edhe i vetë artistëve dhe kërkuesve të artit dhe kulturës që mjaftohen për shtimin e një rreshti në kurrikulumet e tyre që pasurohen me fekalet e pjesëmarrjes nëpër kësi bienalesh. Është faji i tyre, shqiptarë apo të huaj, që nuk dinë si ta kontekstualizojnë punën e tyre (temë që preka edhe në shkrimin e mëparshëm mbi këtë Bienale).

Për ta mbyllur po jap dy shembuj prej të cilëve mund të mësojnë apo alfabetizohen tutkunët artistë, kuratorë apo kërkues pjesëmarrës në këtë Bienale. I pari, me një kartografi alfabetizuese të mendësisë së pushtetit aktual shqiptar dedikuar turistëve artistiko-kulturor, është Slobodan Stošić-i, aktualisht ekspozuar sëbashku me Sokol Peçin në kuadër të Doble Feature #6 në Tirana Art Lab,  dhe i dyti Fabrizio Bellomo me një punë të prodhuar në Tirana Art Lab, me një dedikim plagës së papunësisë mbizotëruese në Shqipëri dhe makinerisë fashiste të spektaklit masmediatik që ushqen motorrin e kapitalizmit konjitiv neoliberal. Thjeshtë shembuj arti dhe artistësh që nuk e lënë veten dhe punën të shiten për një rresht në kurrikulum.

Slobodal Stošić _ Muzeu Historik Kombëtar _ Bienalja e Mesdheut 18

Slobodal Stošić _ Muzeu Historik Kombëtar _ Bienalja e Mesdheut 18

Fabrizio Bellomo _ Vegla bën ustain _ Bienalja e Mesdheut 18

Fabrizio Bellomo _ Vegla bën ustain _ Bienalja e Mesdheut 18

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s