Bienalja e Mesdheut 18 midis fobisë së bojkotimit dhe “hapjes së njëanëshme të dialogut”. (Romeo Kodra)

Ka një marrëdhënie të çuditshme mes pushtetit dhe vetëviktimizimit. Ky i fundit është tipari i tij kryesor dhe më rrënjësor. Rrënjët më të dukshme i ka te nazizmi dhe viktimizimi i rracës ariane (mazhorancë absolute) prej hebrejve (minorancë absolute) komplotues dhe të kudondodhur. Kompleksi i inferioritetit, i zbrazëtisë thelbësore intelektuale dhe kulturore të nazizmit, shfrynte valvulën e dufit nëpërmjet tjetërsimit tërësor 360° të fakteve (arianët të shfrytëzuar prej hebrejve), që i bënte të ndiheshin të sigurtë askund tjetër veçse të mbërthyer me kthetra pas populizmit dhe fuqisë së masës, së shumicës, në gjirin e të cilës ngrohej çdo nazist i tredhur intelektualisht dhe shpirtërisht. Më tej, vetëm historia na mëson sesi rrodhën ngjarjet e nazizmit.

Duke i vënë në përpjestim të drejtë, këto mendime më erdhën teksa lexoja një artikull-intervistë të Erion Gjatollit me drejtorin artistik të Bienales së Mesdheut 18, Driant Zenelin, ku flitej edhe për të bërit punë si kundërpërgjigje alternative ndaj bojkotit (Arbeit macht frei / Puna ju bën të lirë ishte parrulla simbolike e nazizmit … mesa duket ka njerëz që duhet të rikalojnë historinë e klasës së pestë!). https://www.balcanicaucaso.org/aree/Albania/Mediterranea-18-l-arte-contemporanea-in-Albania-179701

Midis të tjerash në artikullin e balcanicaucaso.org lexohen koncepte që kanë të bëjnë direkt me artin bashkëkohor dhe me situatën akute dhe aktuale në të cilën ndodhen shoqëritë mesdhetare. Si nëntitull, por edhe gjatë gjithë artikullit, Gjatolli vendos password-e (që supozoj janë përmbledhur prej intervistës së Zenelit) të tipit: “të protestosh duke bërë, më shumë sesa të bojkotosh”; “më shumë sesa evente me drita, tym dhe argëtim, për ne ka rëndësi hapja dhe propozimi i një diskutimi”; “vënia në diskutim të strukturave politike, sociale, ekonomike”, etj., etj., etj. Të gjitha këto fjalëkalime bëjnë të sopozosh sikur në këtë Bienale nuk mungon sintonizimi me kontekstin artistik dhe social bashkëkohor. Por sa e vërtetë është kjo? Sa përmbajtje fshehin këto password-e, sa të vërteta dhe konkretësi mbartin?

Duke i parë programin (dhjetra evente+qindra artistë) dhe konceptin “SHTËPI=Histori+Konflikt+Ëndërr+Dështim” kjo Bienale, e lexuar  simptomatikisht nëpërmjet psikanalizës, duket sikur nëpërmjet sasisë kërkon të mbushë zbrazëtinë e cilësisë (konceptuale dhe përmbajtësore në këtë rast). Them duket, sepse duhen parë eventet përpara se të shprehemi dhe japim një gjykim përfundimtar të bazuar në fakte.

Por ka edhe diçka që mund të thuhet pa pritur hapjen, që parashikohet të jetë sot në orën 18.30. Me siguri të plotë mund të thuhet që në këtë Bienale ideja e protestës është tërësisht fiktive, tërësisht fasadë për tërheqjen e hipsterave që qarkullojnë në skenën artisto-kulturore shqiptare, sepse, pavarësisht deklamimeve të password-eve trendy prej drejtorit artistik, nuk thuhet askund se kundër kujt protestohet. Dhe kjo është praktikë e kolauduar prej kohësh në Shqipëri, pra, tek ne, qasja e kësaj Bienaleje nuk përbën aspak risi, sepse në Shqipëri artistët protestojnë, por janë shumë të aftë të mos i shkelin në kallo pushtetit aktual, por të merren me pozitivitetin e së ardhmes, me pushtetin e shkuar apo armiqtë e largët të pushtetit të kohës (mund të informohen të interesuarit në leximet e marrëdhënies së Ismail Kadaresë me Enver Hoxhën apo Edi Hilës me Edi Ramën). Dhe kur nuk specifikohet se kundër kujt është protesta, pra kur nuk i vihen pikat mbi “i” kuptimit të protestës së artistëve, kur nuk kontekstualizohet puna e tyre, atëherë kuptimi i lihet në dorë atij që ka më shumë zë dhe mundësi komunikimi: pushtetit, status quo-së, që më pas e përdor artistët pjesëmarrës dhe përmbajtjen politike, social dhe/apo ekonomike të protestës së shprehur në vepra arti për përfitim politik. Në pak fjalë, këtu, në këtë Bienale, më duket se po “protestohet duke bërë, dhe jo duke bojkotuar” interesat pushtetit. Dhe pushteti ka emër dhe mbiemër në Shqipëri.

Në Shqipëri gjithashtu, siç demonstron rasti i të sipërpërmendurve Kadare e Hila, ka tashmë një traditë të kolauduar dhe pjellore artistësh dhe operatorësh kulturorë që i vënë për qëllim vetes të promovojnë ekskluzivisht pushtetin aktual, atë të kohës, ndoshta, ngaqë del gjithmonë diçka edhe për veten e tyre pas këtij dedikimi absolut, pas sakrificave për pushtetin. Më kujtohet përsa i përket kësaj çështjeje një këshillë e Anri Salës, që dikush më pat referuar, e cila u jepej disa artisëve shqiptarë në Gjermani, të cilët duhet të përkrahnin dhe jo të bojkotonin Center for Openness and Dialogue (COD) të Kryeminsitrit Rama, sepse ishte pasuri dhe mundësi unike për vendin dhe artistët shqiptarë (të jetë rastësi mbyllja e Galerisë MIZA pas kësaj këshille?!). Siç duket Anri Salës dhe këtyre artistëve që i binden pushtetit, nuk u bën përshtypje rrënimi i Galerisë Kombëtare të Artit, e cila ka në krye një të paaftë si Artan Shabani të emëruar qëllimisht me një konkurs publik fiktiv prej Edi Ramës, ku ky i fundit qëllimisht zëvendësonte funksionet e GKA-së me hapjen glamour të COD-it. Madje këtyre artistëve dhe operatorëve kulturorë u kanë hyrë ethet dhe fobia e “bojkotit” që disa artistë dhe operatorë kulturorë të tjerë vendas duket se ushtrojnë mbi qendrën e kodifikimit autoritar të artit dhe kulturës shqiptare.

Pra, pushtetit dhe supporter-ave vullnetarë i duket bojkot sikur pesë a gjashtë vetë (se nuk janë më shumë ata që nuk janë hipsterizuar në skenën artistiko-kulturore shqiptare) të mos pranojnë humbjen e kohës me eventet panegjirike pro-qeveritare që shiten për perla kulturore në COD. Dhe fobia e bojkotit zmadhohet sikur të ishte një tragjedi, sepse e tillë i dukej psikozës së nazistëve, dhe e tillë u duket ushtarëve dhe pushtetit psikotik aktual shqiptar.

Dhe kjo fobi, siç duket, ka prekur edhe Driant Zenelin, i cili në mënyrë direkte dhe indirekte (do e shpjegoj më poshtë përse), është i përfshirë dhe përpirë në këtë retorikë me reminishenca nazistoide të cilat besoj e kanë influencuar, siç duket qartë nga password-et që përdor (gjuha na flet, thoshte Lacan-i, më shumë sesa ç’e flasim).

P.sh. përsa i përket kësaj pikëpamjeje, pyetjes cilësore të Erjon Gjatollit, mbi madhështinë kontradiktore të eventit dhe skenës së reduktuar të artit bashkëkohor në Shqipëri, Zeneli i përgjigjet simptomatikisht me sasinë e artistëve ndërkombëtarë, të cilët sjellin problematika të vendeve të tyre, ku aludohet dhe/apo nënkuptohet liria e të shprehurit në Shqipëri dhe në këtë Bienale, të cilat, mesa duket në imagjinarin e Zenelit dhe promovuesve të të bërit më shumë sesa të të bojkotuarit, mishërojnë një lloj porti, locus amoenus, që strehon të përmbyturit pas stuhisë.

Po këtu, kur përmend artistët e huaj dhe rezistencën karshi pushtetit me të cilin kanë të bëjnë në përditshmërinë e tyre, Zeneli merr hov e flet për “aksion politik”, për “protestë”, “për një urragan energjie”. Por, nga ana tjetër, (bën sikur?) harron që pushteti – të cilit i reziston aksioni politik, protesta, urragani që shprehin artistët dhe punët e tyre – është gjetkë, larg, shumë larg për të prekur në kallo dhe në mënyrë direkte pushtetin.

Shpresoj, edhe pse, duke njohur traditën e sipërpërmendur të artistëve dhe operatorëve kulturorë shqiptarë, nuk kam aspak besim, që të shohim në këtë Bienale sa dhe si i rezistojnë pushtetit shqiptar artistët shqiptarë; shpresoj që të mos përsëritet tradita dhe fati i shqiptarit, të cilit alternativën qoftë politike, qoftë artistiko-kulturore institucionale ia jap gjithmonë po ai pushtet që ka zaptuar dhe tjetërsuar institucionet publike (shih sa alternativ duket paradigma politiko-artistike Edi Rama dhe elokuenca e tij premtuese kur nga njëra anë vjen në pushtet pas bëmave të Gërdecit/21 Janarit apo kur kritikon zgjedhjen e mundëshme të Trump-it në USA dhe kur, nga ana tjetër, paturpësisht vë në karriken më të lartë të shtetit Ilir Metën e 21 Janarit, amniston me ligj Gërdecin e Sali Berishës, apo kur është Trump e kaluar Trump-it përsa i përket mënyrës autoritare të ushtrimit të pushtetit … media e kazanit = fake news).

Pra, për shkak të dekontekstualizimit, artit dhe punës së artistëve me karakter politik, social dhe ekonomik, që Zeneli ka kaq merak (Për mua nuk është artisti në vend të parë, por vepra – thotë ai), u humbet efekti, bëhen thjeshtë “tym” që merr era dhe sintonizohen me jehonën dhe udhën e tymit të fishekzjarre që hedh Bashkia apo Kryeministria në rast festash alla panem et circenses. Për shkak të dekontekstualizimit arti dhe punët e artistëve kthehen në “argëtim” për hipstera borgjezë pseudo të sensibilizuar me problemet mesdhetare/globale, por që nuk kanë guximin të hapin gojë për problemet në Shqipëri, siç është rasti i përzgjedhjes së Rubin Beqos dhe Alban Nimanit të Tulla Center, që kurojnë seksionin e muzikës dhe njihen në Tiranë si emblema e artit për argëtim (nuk e kuptoj se çfarë tjetër përveçse Tulla Style mund të ketë parasysh Zeneli për argëtim në kontekstin shqiptar … nuk do të ishte më e sinqertë të flitej për tallava, me gjithë respektin për gjenuinitetin e tallavasë?). Për shkak të dekontekstualizimit këtij arti dhe punëve të artistëve që propozon drejtori i Bienales Mesdhetare 18 nuk i mbetet tjetër vetçse efekti “dritë”, fasadë sipërfaqësore dhe vezulluese (si Festivali i Dritave të Kryeministrit që ka kushtuar aq sa Zenelit s’ia pret mendja). Pra, pikërisht ajo ç’ka çuditërisht Zeneli thotë se kërkon të shmangë, pikërisht atë kjo Bienale duket se po propozon.

Për të qartësuar më mirë lexuesit, më duhet të them se bojkotimi, si koncept, pavarësisht simpatisë që më sjell ndërmend etimologjia e fjalës (https://en.wikipedia.org/wiki/Charles_Boycott), është me të drejtë jo-produktiv. Por edhe produktivitieti, të prodhuarit, për si e kuptoj unë, është diçka tjetër, disi më ndryshe, prej të bërit të papërcaktuar siç mund ta nënkuptojë Driant Zeneli. Të prodhuarit një produkt (pro+ducere=me qit përpara+me/nëpërmjet kokës/trurit) nënkupton një marrëdhënie të artikuluar dhe intelektuale midis prodhimit dhe prodhuesit, ndërsa të bërit nënkupton automën e pavetëdijshme dhe të alienuar që bën diçka automatikisht, si qeni i Pavllovit, si ushtarët e bindur, apo si kamikazet vetëvrasëse, të cilët nuk kanë lidhje me ç’ka bëjnë, por me autoritetin dhe shtysën që i nxit të bëjnë një gjë apo diçka të caktuar.

Në fakt, dyshimi dhe mosbesimi im karshi kësaj Bienaleje lidhet edhe me një dëshirë që erdhi prej Driant Zenelit (të cilit i njoh meritën e hapjes) për të bashkëpunuar me Tirana Art Lab (ku unë punoj), së cilës iu propozua kontribuimi nëpërmjet një aktiviteti brenda kuadrit të Bienales së Mesdheut 18. Për bashkëpunim TAL kundër-propozoi organizimin e një eventi që lidhej me një dëshirë të Valentina Bonizzi-t, shoqja e Driant Zenelit, e cila punon në COD të Kryeministrisë, për të bashkëpunuar nga pikëpamja institucionale me TAL. Nuk e di pse Valentinës kur patëm folur, diku andej nga dhjetori i kaluar, i ishte krijuar përshtypja që unë dhe TAL ishim të mbyllur karshi bashkëpunimeve, gjë që absolutisht ia mohova, madje i thashë që kisha dërguar edhe e mail-e për të kuptuar funksionimin institucional (menaxhimi, programimi artistik, etj) të COD, por pa patur përgjigje prej këtij institucioni misterioz që drejtohej nga Falma Fshazi, që zbuloj është jo vetëm kolege e Valentinës, por edhe kushërirë e Driant Zenelit. Shkurt, kundër-propozimi im dhe i TAL ishte që, meqë ra rasti fatlum i dëshirës së përbashkët, të ftoheshin dy studiues të huaj (Alessandro Gallichio & Pierre Sintes) që njohin mirë artin dhe shoqërinë shqiptare dhe mesdhetare, të cilët do të diskutonin në një tryezë me Falma Fshazin dhe Ministren Kumbaro mbi marrëdhënien e artit dhe institucionet përkatëse në një hapësirë qytetare.

Për fat të keq, pavarësisht sforcimit tonë si TAL (që mbijetojmë me paratë e xhepit për të mbajtur hapur një qendër të pavarur arti në Shqipërinë e hapjes dhe dialogut), Bienalja, pavarësisht kërkesës së drejtorit artistik, nuk arriti të paguante udhëtimin e dy miqve (shpenzimet e qëndrimit të të cilëve dhe hapësirën e eventit do e paguante TAL). Si kundërpërgjigje Drianti ftoi TAL (mua dhe Adela Demetjan) në pjesëmarrje, por kjo do të ndikonte për keq në reputacionin tonë, sepse nuk do të thoshim asgjë të re përveçse asaj që kemi thënë dhe që të gjithë dinë: jemi kundër artit nga lart-poshtë dhe nga jashtë brenda; pra jemi për një marrëdhënie horizontale me çfardolloj pushteti artistik, politik, institucional, privat apo publik. Kështu që të përsërisnim pa intelokutorët e kërkuar ato që tashmë kemi dhe jemi ezauruar së thëni, do të degradonte fuqinë modeste që kemi për të thënë mendimin tonë. Do të kishte qenë më me interes për publikun shqiptarë të dëgjonte dialogun midis Falma Fshazit dhe Mirela Kumbaros dhe dy studiuesve të huaj që kanë vite që merren me çështjet shqiptare dhe mesdhetare dhe që nuk kanë lidhje interesash me pushtetarët lokalë; do të ishte më me interes për shqiptarët të dëgjonin se se ç’mendonin palët dialoguese për marrëdhënien art-politikë në atë që si qytetarë quajmë shtëpi: në hapësirën qytetare. Kështu dialogu nuk do të ishte vetëm me hapje të njëanshme me artistë të huaj, të supozuar ekspertë të artit por jo të Shqipërisë (shih një mbi të gjithë Hans Ulrich Obrist), të filtruar paraprakisht prej pushtetit dhe të reklamuar si interlokutorë apritarë me pushtetin tonë politiko-artistik.

Gjithsesi, pavarësisht skepticizmit dhe dyshimeve të mia, këto ditë shpresoj sinqerisht që Bienalja të më prgënjeshtrojë.

Advertisements

Një mendim mbi “Bienalja e Mesdheut 18 midis fobisë së bojkotimit dhe “hapjes së njëanëshme të dialogut”. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s