Shoah apo monumentalizim spektakolar i holokaustit? Nga “fasadat” e Edi Ramës, Bunk’Art-et e Carlo Bollino-s dhe Street Arti i Erjon Veliajt. (Romeo Kodra)

Përpara disa ditësh u ndesha me disa fotomontazhe të satiristit Shahak Shapira. Fotomontazhet janë pjesë e projektit Yolokaust (http://yolocaust.de/), një projekt që hulumton kulturën tonë përkujtimore (zyrtare) duke kombinuar selfies, të gjetur në media sociale, Memorialin e Holokaustit në Berlin dhe foto të epokës së Luftës II Botërore.

shoah-memorial-2shoah-memorial-3shoah-memorial-1

Interesi i autorit lindi pas kontradiktës në sjelljet e ndryshme të njerëzve përkarshi këtij Memoriali, ku disa e shihnin si një vend perfekt ku të bënin “skate”, “selfie”, akrobacira, e disa të tjerë shihnin simbolin e gurëve të varrit të 6 milionë hebrejve të asgjesuar në kampet e përqëndrimit.

Gjithkush do të pranonte se gjëja e parë që provokojnë këto bashkëngjitje imazhesh është skandalizimi dhe përbuzja ndaj injorancës që i është induktuar brezit më të ri, që ka lindur në një botë dispozitivësh filtrues të realitetit. Paradigma të këtyre dispozitivëve bashkëkohorë, përveç televizorëve dhe kompjuterave, janë telefonët celularë me “Apps”, aplikimet e tyre, ku përshpejtimi i marrjes së informacionit ka arritur përmasa të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë. Këto, natyrisht, janë pjesë e dispozitivëve, të studiuar nga Michel Foucault apo Gilles Deleuze, brenda të cilëve jetojmë. Përtej tyre mund të rradhiten gjithashtu shumë dispozitivë të tjerë klasikë tashmë, siç janë institucionet, ligjet, diskuret, strukturat arkitekturore dhe të çdo lloj forme tjetër.

Por, duke iu përmbajtur dispozitivëve bashkëkohorë, mund të themi se përshpejtimi i marrjes së informacionit prej tyre nuk lejon përpunimin e përmbajtjes që informacioni përcjell. Kjo për shkak të një lloj inercie konjitive, që me vështirësi mund të kontrollohet prej përdoruesit. Në pak fjalë, nuk jemi të aftë të përqëndrohemi e thellohemi te përmbajtja e informacionit që përcjellin dispozitivët, sepse duket sikur përmbajtja na dhunon me përmasat e asaj ç’ka nën fasadë, nën faqe të parë, nën titull, nën imazhin me të cilin përfaqësohet dhe paraqitet (shihni lajmet online apo social media si na serviren dhe sa herë ne si konsumatorë shkojmë përtej titullit, fotos apo paragrafit të parë të lajmit).

Praktikisht, kjo përmbajtje, për ta përvetësuar tërësisht, na konsumon kohë, të cilën supozohet të na e kursejnë dispozitivët që përdorim. Por kjo është paradoksale nëse mendohet që në konceptin e dispozitivëve qëndron, pikërisht, kursimi i kohës. Pse ndodh kjo kontradiktë brenda një dispozitivi që nga njëra anë na thjeshtëson duke kursyer kohë dhe nga ana tjetër na vështirëson konsumimin e përmbajtjes që supozohet të ketë? Është i rastësishëm ky paradoks skizofrenik i dispozitivëve?

Përgjigjia e menjëhershme është: aspak! Dispozitivët janë produkte të një sistemi tërësor organizimi e kontrolli; janë produkte të makrosistemit në të cilin jetojmë. Këto produkte nuk përcjellin informacion më shumë sesa përcjellin mënyrën e përvetësimit të informacionit. Praktikisht janë kodifikues dhe modelues të praktikave tona të informimit. Janë formate konsumi me anë të cilave kapitali del nga ngërçi marksian i tejkalimit të kërkesës prej ofertës. Praktikisht, kapitalizmi ka shmangur vdekjen e sistemit me anë të kontrollit dhe manipulimit të kërkesës, ka nënshtruar konsumatorët drejt një kodifikimi dhe kontrolli total nëpërmjet manipulimit të dëshirave/nevojave të tyre.

Kjo ka të bëjë me alienimin (tëhuajzimin) e masave, nëse duhet të ruajmë një korrektesë terminologjike akoma marksiane. Tëhuajzimi vjen si rrjedhojë e një sistemi që ka racionalizuar dhe mekanizuar deri në atë pikë procesin e punës, sa arrin të shndërrojë punëtorin nga pjesëmarrës aktiv, në soditës pasiv (shih Gyorgy Lukács – Storia e coscienza di classe, Mondadori, Milano, 1973). Punëtori në këtë rast është përdoruesi apo konsumatori siç thotë Baudrillard, një forcë punëtore që [tashmë] është shndërruar në forcë konsumatore. Madje, në Shqipëri, nuk është më në lojë çështja e shndërrimit në konsumatorë të klasës proletare/punëtore, por asaj nën-proletare, siç dallohet në një nga fotot e para të këtij blogu, marrë diku nga “Bregu i Lumit”, ku një varfanjak që jeton në barake efemere po monton antenën e televizorit, dispozitivin e përcjelljes së kodifikimit kapitalist.

antenisti ne plehra

Është fukarai në plehra që rregullon antenën … apo është kapitali që kodifikon nëpërmjet antenës fukarain?

Dhe soditja është bazike për konsumatorin e shoqërisë së spektaklit, ku ky i fundit, spektakli, nuk është gjë tjetër veçse kapitali, i tejfryrë deri në atë pikë saqë është shndërruar në imazh të imazhit (shih Guy Debord – Shoqëria e Spektaklit, kreu I), simulakër, fasadë, sipërfaqësi pa tredimensionalitet.

Por ç’lidhje kanë imazhet e Memorialit në Berlin me sa po them. Përveç datës përkujtimore të viktimave të Shoahsë, doja të kontekstualizoja pak çështjen e perceptimit të festave përkujtimore zyrtare si dhe, mundësisht, të jepja atë që shoh si një risi të manipulimit të pushtetit/sistemit, i cili po shpaloset në mënyrë origjinale e të paprecedentë pikërisht në vendin tonë dhe që përbën një skandal edhe më të madh sesa fotot e sipërpërmendura.

Paraprakisht, përpara se të flas për sistemin në të cilin jetojmë, mendoj se për kontekstin shqiptar do të ishte mirë të sqarohet diçka me viktimat e kampeve naziste. Studiuesit dhe historianët bashkëkohor (jo ata shqiptarë, aq më pak media dhe shoqëria jonë)  dinë të shquajnë dallimin midis Holokaustit dhe Shoahsë, për të identifikuar viktimat e kampeve të përqëndrimit. Holokaust do të thotë sakrificë, dhe nëse përdoret pa u artikuluar, kontekstualizuar dhe shpjeguar për disa, sidomos prej atyre që e kanë hequr në kurriz, mund të merret, me të drejtë, si ofendim. Kështuqë duhet patur kujdes nëse përdoret ky term siç e përdorin media dhe opinioni ynë i përgjithshëm publik. Nga ana tjetër, shoah, prej hebraishtes, do të thotë katastrofë, dhe kam përshtypjen se është term më korrekt për të përcaktuar masakrat e kampeve naziste.

Tani le t’i kthehemi skandalit që provokon bashkangjitja e imazheve të Memorialit në Berlin dhe kampeve të përqëndrimit. Pikësëpari vihet re që Memoriali si monument ka humbur një lloj influencë te disa njerëz (të rinjtë që bëjnë selfies). Kjo ka ndodhur se kemi një alienim që vjen si rezultat jo vetëm i degradimit të influencës përshenjuese të monumentit, por edhe efektit të dispozitivëve. Monumenti ka degraduar semiotikisht sepse nuk është mjaftueshmërisht pjesë e një rituali, nuk ka pjesëmarrje përkujtimore, nuk ka mjaftueshmërisht vlera performative ndërvepruese dhe të bashkëndara me subjekte që nuk kanë patur eksperiencë direkte me evente përmbajtësore të monumentit. Pra të rinjtë tëhuajzohen gjithnjë e më shumë për mungesë të ndërveprimit me objetin monument. Por alienohen edhe nga pozat e induktuara të dispozitivëve. Pra, nuk dinë më sesi të ndërveprojnë me monumentin përveçse me poza të kodifikuara, të induktuara dhe të kontrolluara prej dispozitivëve.

Le të fokusohemi tani te pushteti që ka prodhuar sistemi i ri politik, pra kapitalizmi, në vendin tonë. Interesant dhe iluminues do të ishte fokusi te shpenzimet si ato të Bashkisë së Tiranës që brenda një viti ka shtruar dhe shkatërruar disa sheshe (shih parkingun te ish-stadiumi “Qemal Stafa” apo Banka e Shqipërisë) apo palmat në autostradë dhe festivalet e dritave të qeverisë Rama. Por duke qenë se personalisht merrem me art dhe kulturë më mirë të fokusohemi te këto të fundit. Le të marrim për shembull aksionin e parë të lyerjes së fasadave prej Edi Ramës. Ishte vërtetë e nevojshme që, me gjithë hallet që kishte Tirana, të lyheshin fasadat e 50 pallateve? Vetëm dikush që kërkon të alienojë do të justifikonte si nevojë këtë aksion. Vetëm dikush që do të shmangë vëmendjen prej nevojave të vërteta: ekonomike, sociale, kulturore. Pra jemi përballë krijimit të një nevoje të prodhuar në laboratorin e sistemit që për motor gjenerues ka kapitalin në dukurinë e tij si imazh. Pra kapitali është vetë imazhi i fasadës dhe asgjë tjetër përtej saj.

Edi Rama fillimisht e justifikoi si nevojë jetike për rritjen e aktiviteteve tregtare – një gjetje tipike e kapitalizmit konjitiv. Ishin hapat e parë të asaj që në anglisht quhet gentrification. E megjithatë – siç na mëson Fatos Lubonja dhe siç e ka përpara syve çdo tiranas i lindur të paktën nga 1990 e tutje – të gjithë do të dëshmonim se aktivitetet tregtare që shpërthyen në katet e para të ndërtesave me fasada të bukura, ishin vetë imazhi i imazhit, simulakra, sipërfaqja e cekët që mbulonte bumin apo holokaustin arkitekturor dhe urban që shpërtheu me bekimin e “kryetarit” të atëhershëm.

Por alienimi dhe holokausti ishte i dyfishtë. Jo vetëm që fasadat mbulonin përfitimin abuziv të oligarkëve, por ato vetëshpalleshin edhe si art i mirëfilltë bashkëkohor. Por kush e përcaktoi si të tillë? Kush e shpjegoi përse dhe si mund të ishin art? Edhe këtu gjërat kanë mbetur në sipërfaqe, sepse askush nuk ka prezantuar ndonjëherë atë art në thellësinë e tij, në brendësinë e tij, në atë ç’ka rri pas sipërfaqes së imazhit përfaqësues dhe të paraqitur në fasadë. Pra, kemi të bëjmë me një art të cunguar, të gjymtuar, të tredhur qëllimisht për të qenë i tillë: pa brendësi, pa përmbajtje, pa tredimensionalitet konceptual/shpirtëror, i gatshëm për t’u përdorur sipas interesave të politikës dhe për t’u bërë pjesë e flukseve të përshenjuara prej kapitalit. Praktikisht një holokaust që vazhdon edhe sot e kësaj dite ku arti kodifikohet prej Center for Openness and Dialogue. Madje kjo kryhet duke reduktuar gjithnjë e më shumë edhe funksionalitetin e vetë institucioneve shtetërore të artit, që Kryeminstri kontrollon për të siguruar direkt në duart e tij mbajtjen në kufijtë e mbijetesës apo holokausti të artit shqiptar.

bunkart-foto2

Holokaust i hareshëm!

Duke iu rikthyer edhe një herë argumentit fillestar dhe duke ia bashkangjitur kontekstit shqiptar, mund të lindë pyetja: nëse për disa prej nesh fotomontazhet e satiristit Shapira janë skandalozë, atëherë çfarë mund të thuhet për Bunk’Art? Nëse është skandaloze injoranca e të rinjve në Memorialin e Berlinit, ç’reagim duhet patur përkundër një ndërtimi ad hoc të një hapësire, sikur të ishte Disneyland, ku shfrytëzohet imazhi i viktimave të sistemit të kaluar për përfitime të Carlo Bollino-s? A e mendon ndokush që viktimat dhe familjarët e tyre nuk kanë marrë ende edhe ato pak dëmshpërblime skandaloze që shteti vampir shqiptar u ka dedikuar? Ç’mund të mendohet për pafytyrësinë dhe vampirizmin jo vetëm të Carlo Bollino-s por edhe të vetë shtetit që kontribuon në këtë skandal? Ç’mund të mendohet për këtë shtet që është vrasësi i viktimave dhe që vazhdon të përfitojë “turistikisht” prej gjakut të tyre; këtij shteti që u mori jetën dhe që nuk i bën sapun siç bënin nazistët por i ekspozon si trofe (shih në këtë blog “Tregtari i skeletëve”)? Madje me pafytyrësinë më të madhe flitet për dedikimin e Bunk’Arteve të Carlo Bollino-s, që i përkushtohen memories, përkujtimit të viktimave dhe ripërpunimit të krimeve të së shkuarës komuniste. Në cilin vend të botës ndodh kjo? Dhe mos harroni, nëpërmjet kësaj risie origjinale shqiptare kapitali po shkon drejt legjitimimit të holokaustit. Nuk do të ketë më Shoah, asnjë katastrofë nuk do të mund të cënojë besimin e verbër te kapitali që sheh vetëm përfitimin pa kurrëfarë etike njerëzore.

Po kështu lindin edhe pyetje të tjera, që kanë të bëjnë me vetë idenë dhe konceptet e monumenteve si përshenjues të memories kolektive: si ka mundësi që nuk u përfshinë ish të persekutuarit të gjithë së bashku si komunitet? Si ka mundësi që një monument, muze, apo çfarë dreqin mund ta quajë kuratori eksperi Carlo Bollino Bunk’Artin për viktimat – i kërkuar si i domosdoshëm prej të gjithëve – të përçajë jo vetëm opinionin publik, por edhe vetë viktimat apo trashëgimtarët e tyre? Në këtë pikë më vijnë ndërmend disa shkrime të Theodor Adorno-s (shih Contro l’antisemitismo, Manifestolibri) dhe që kanë të bëjnë pikërisht me memorien e krimeve. Adorno pyeste: “Çfarë do të thotë ripërpunim i së shkuarës?” dhe përgjigjia që i jepte vetes ishte se ajo është “disponueshmëria për të harruar dhe për të falur gjithçka, e cila duhet t’i përkasë atyre që kanë pësuar krimet, [por që] propozohet prej atyre që i kanë kryer. Dhe nuk e kam fjalën te pjesëmarrjet, e vërteta apo të rreme, të Kristaq Ramës në gjyqet e diktaturës që sollën varje apo pushkatime njerëzish, por e kam te pjesëmarrja në këro makabritete përfituese e Edi Ramës, Kryeministrit si figurë institucionale e shtetit shqiptar, që ende, si shtet, nuk ka shplarë ndërgjegjien me ato viktima, qoftë financiarisht, moralisht, etikisht dhe kulturalisht.

Dhe që Carlo Bollino dhe Edi Rama mund të gjejnë veten tërësisht nën këtë lexim adornian mund të verifikohet edhe nga kjo thënie tjetër e filozofit gjerman:”antisemitizmi është një mjet komunikimi i masave në kuptimin që merr shkas nga instinkte, konflikte, rrjedhoja, prirje për të përforcuar dhe manipuluar në vend që të sqarojë dhe të ngrejë në nivel ndërgjegjieje“. Dhe çfarë bën Edi Rama kur del nga Bunk’Art 2 në rastin e inaugurimit të aktivitetit tregtar të mjeshtrit të komunikimit të masave signor Carlo Bollino? Thjeshtë përmend “qepjen e gojës” apo “spektaklin e rilindjes” duke bërë me këtë të fundit një lidhje, pa lidhje logjike apo historike, me Chales De Gaulle dhe vizitës së këtij në Auschwitz, thjeshtë për të bashkangjitur dy fjalë të gjoja një kodi të përbashkët, ku “rilindje” dhe “spektakël” bashkangjisin Bunk’Artin me Auschwitz-in dhe kryeministrin tonë me francezin e famshëm. Po ashtu Milva Ekonomi, ministre e ekonomisë, flet për augmented reality që do të mundësohet nga dispozitivi Bunk’Art, ku do t’i mëshohet si gjithnjë instikteve, konflikteve, prirjeve për të përforcuar dhe manipuluar pa kurrëfarë sqarimi dhe ndërgjegjësimi holokaustin e viktimave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. https://www.youtube.com/watch?v=-81lWa9eilk

20170128_150420

Duke sikur kjo vezë e ky zog dalin nga simboli i gjenitalit femëror pikturuar në fasadë prej Edi Ramës.

Ky alienim i qëllimshëm dhe i dyfishtë vazhdon edhe sot, po në Tiranë, i promovuar po nga Bashkia e Tiranës, me trashëgimtarin e pjellë nga veza e Edi Ramës, kryebashkiakun aktual Erjon Veliaj. Problemet janë të njëjtat me ato të 15 apo 20 viteve më parë: nuk ka ujë, nuk ka drita, ka papunësi. Por e njëjtë është edhe zgjidhja alienuese: përfitime oligarkësh të ndërtimeve, të plehrave apo të gjithfarëlloj akumulimi të kapitalit që fshihen pas imazhit simulakrial të artit spektakolar. Madje tashmë në Bashkinë e Tiranës janë punësuar edhe artistë që lyejnë fasada apo sipërfaqe të tjera publike duke përshenjuar hapësirat e kryeqytetit në të njëjtën mënyrë: me pozitivizmin sipërfaqësor apo të zbrazët të përmbajtjes së imazheve të paraqitura.

Përsa i përket kësaj çështjeje, dje, në emisionin “Mirmëngjes Shqipëri” të televizionit publik kombëtar TVSH, rastësia e deshi në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të Shoah-së, një nënpunës i administratës bashkiake prezantoi ato që ai tekstualisht quajti “blerjet e reja të ekipit të Bashkisë”: bëhej fjalë për artistë të rinj që Bashkia paguan me taksa publike, pa konkurs, thirrje publike apo tender, pra në kundërshtim të plotë me ligjin, për të ngjyrosur fasada dhe hapësira të tjera publike.

Në emision u fol për ndërhyrjet e disa vandalëve që kishin prishur artin shumëngjyrësh të Bashkisë. Këta vandalë, që quhen Organizata Politike dhe që kanë deklaruar publikisht autorësinë duke marrë përsipër aktet e dhunshme vandale, kishin guxuar të shkruanin mbi një “të zezë të shëmtuar numrin e kuq 21”. As drejtuesit, as nënpunësi i Bashkisë dhe as artistët e ndjeshëm ndaj çështjeve publike nuk e pamë të arsyeshme të shpjegonin që ky vandalizëm ishte për të përkujtuar holokaustin shtetëror të 21 janarit 2011, komponentë të të cilit vazhdojnë e qeverisin edhe sot e kësaj dite. Madje nuk thanë as që Bashkia nuk i kishte lënë as 24 orë këto akte vandalësh, duke e fshirë mësëmiri dhe me sukses këtë përpjekje përkujtimore si dhe duke shpalosur edhe një herë figurat shumëdomethënëse e shumëngjyrëshe të pushtetit neo-fashist në fuqi.

dude     dudu-i-ri

[Me Dudeizmin po promovohet ç’angazhimi shoqëror apo hipsterizimi i qoftexhinjve 2.0?]

Drejtuesi i emisionit, paçka se nënpunësi i Bashkisë dhe artistët e ftuar përpiqeshin të shmangnin në mënyrë të përgjithshme dhe të përafërt çështjet e street art-it, i pyeti, siç duket i detyruar nga impakti që ka publikisht grupi i street art-it ÇETA, nëse ishte e mundur që në Tiranë të kishte vend edhe për një grup ilegal “që më duket se quhet Çeta” i cili është shumë aktiv dhe me “goxha mesazhe politike”. Përgjigjia prej nënpunësit ishte po aq e përgjithshme dhe e përafërt: jemi të hapur për dialog. Praktikisht isoja në gojën e Bashkisë rimon dhe ripërsërit password-in e dispozitivit kryeministror COD (Qendra për Hapje dhe Dialog). Por a do të mund të ishte e vërtetë kjo hapje e pushtetit? Personalisht nuk e besoj, sepse nuk e di nëse Bashkia për shembull do të financonte vënien e një pune të ÇETËS që ka në qendër figurën e Arditit dhe vrasjen e tij prej institucionit të kryesuar nga Erjon Veliaj. Kush mund ta besojë se Bashkia do të ishte e hapur për dialog në një rast të tillë? Natyrisht këto pyetje televizioni publik kombëtar nuk mund t’ia lejojë vetes.

20161203_093055

Më tej, gjatë emisionit, nënpunësi i iluminuar i Bashkisë tha edhe që “Çeta nuk bën art politik”. Nga ana tjetër njëri prej artistëve, akoma më i iluminuar, nxorri nga goja perla si “Banksi bashkëpunon me institucionet dhe se dihet kush JANË”. Edhe një herë pra holokausti i artit dhe monumentalizimi i mediokritetit (shih Bollino-t, artistët e djeshëm të Edit apo të sotëm të Erit), deri sa arrin e bëhet spektakël mediatik dhe publik, mbizotëron në Shqipërinë tonë skandaloze. Në Shqipëri holokaust ka përditë! Nga kjo pikëpamje, e përsëris, pavarësisht prapambetjes sonë politike, jemi avangardë, jemi Far West i trendeve të kapitalizmit të vonë, ku si në një laborator kapitali eksperimenton të ardhmen e vet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s