Tirana, kjo prostitutë e kapitalizmit konjitiv dhe psikologjia e formës. (Romeo Kodra)

Psikologjia e formës (gestalt) lind në ambjentin gjerman të psikologjisë dhe filozofisë së fillimshekullit të XX. Ajo bazohet përgjithësisht te perceptimi i formave në bazë të eksperiencës. Prej saj, pas largimit në SHBA të shumicës së mendimtarëve të kësaj rryme për shkak të ligjeve rracore naziste, lindi dhe u zhvillua konjitivizmi i famshëm amerikan. Konjitivizmi është baza e fjalës së fundit të zhvillimit të sistemit kapitalist, është pika kulmore dhe avangardiste e tij.

Kapitalizmi konjitiv i ka rrënjët e thella dhe të hershme në SHBA-në fordiste (shih Coca-Cola), por merr hov me neo-liberizmin thatcherian/reganian dhe shpërthen me globalizimin e post-Murit të Berlinit, vetëm në fundvitet ’80 të ‘900, kur ai formalizohet dhe ngrihet në teori të vërtetë sociale për të gjithë botën ish-Perëndimore. Baza e këtij lloj kapitalizmi janë jo vetëm disiplinimi i mjeteve të prodhimit (shih Marks), apo i luftës klasore (Lenin), por edhe disiplinimi i reagimit të bios-it (Foucault) përkundrejt produkteve të konsumit, që finalizohet i përkryer në shoqërinë e kontrollit total (Deleuze).

Në shoqërinë e kontrollit të kapitalizmit konjitiv, pushteti biopolitik di gjithçka, përtej vullnetit të dijetarëve dhe dijeprodhuesve (La volonté de savoir – Foucault), sepse edhe këta të fundit janë pjesë e sistemit dhe produkte të tij, të cilët nuk mund të prodhojnë asgjë përtej pritshmërive që vetë sistemi pranon. Kapitalizmi konjitiv, thënë ndryshe, ka kodifikuar gjithçka dhe gjithkënd, duke u përcaktuar një funksion dhe një qëllim brenda makinerisë së vet. Në pak fjalë, asgjë brenda sistemit të kapitalizmit konjitiv nuk merr jetë pa u kodifikuar paraprakisht sipas një projekti, ose le ta quajmë dizajni (sepse është më seksi si term).

Dizajni i trend-eve dhe brand-eve të kapitalizmit konjitiv kryhet në laborator, dhe me anë të tyre krijohen nevoja të reja, materiale dhe jo-materiale, që nuk ekzistonin më parë. Madje këto nevoja të reja sa më aliene të jenë prej kulturave tradicionale, aq më të kontrollueshme janë prej pushtetit aktual që i prodhon. Kjo është diçka mëse e natyrshme duke ditur që kodifikimi i nevojave aliene kryhet prej vetë pushtetit aktual, ndërsa nevojat tradicionale mediohen si të tilla prej pushteteve historike të mëparshme, me të cilët pushteti aktual mundohet të identifikohet (Ismail Qemali që ngre flamurin në të njëjtën datë me Skënderbeun, Zogu Mbret i shqiptarëve që mundohet të nxjerrë një prejardhje prej Kastriotëve, Edi Rama që vetquhet Rilindas, etj.).

Për të mos u marrë me kafshëritë e Sali Berishës dhe klanet mafioze që i rrinin dhe i rrijnë pas, dhe për të mbajtur fokusin tek aktualiteti, më duhet të përqëndrohem tek Edi Rama dhe ardhja e tij në pushtet, e cila është krejtësisht e shenjuar nga një sistem kapitalist konjitiv i mirëfilltë dhe avangardë, jo vetëm për Shqipërinë por edhe në rang global. Kjo, jo për meritë të Edi Ramës, që nuk është më shumë sesa një hologramë kompjuterike (dhe nuk e kam fjalën vetëm për monologjet e tij në facebook, por edhe për kapacitetin e tij intelektual), por për vetë pozicionin gjeopolitik të Shqipërisë, që në një perspektivë makro, është një lloj laboratori në far west-in e kapitalizmit konjitiv, ku eksperimentohen krijesa leadership-i për kontrollin e territoreve, që një të nesërme do të mund të përdoren në vende më të përparuara si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo SHBA-ja (sikur të shihej Berlusconi në optikën e eksperimenteve për leardeship të kapitalizmit konjitiv, sot në SHBA do të kishte më pak “të çuditur e të përçudnuar” për zgjedhjen e Trump-it si President).

Askush nuk e lidh ardhjen e Ramës në pushtet me gjeopolitikën e diktaturës së shkuar; askush nuk e lidh me “bllokadën” dhe vetëizolimin 50-vjeçar; askush nuk e lidh me ekonominë e shock-ut të Naomi Klein (2007) apo me terpinë e shokut siç na e mësonte akoma më herët Gramoz Pashko në 1991. Pra askush nuk e lidh në një sekuencë të natyrshme të një shoku të njëpasnjëshëm, dhe ’97-’98 janë pika kulmore të tij, ku pushteti i kapitalizmit konjitiv gjeti dhe/apo përgatiti një tabula rasa ideale, mbi të cilën eksperimenton produktet e veta në mënyrë kirurgjikale.

Edi Rama na vjen në pushtet më 1998, i katapultuar prej kapitalizmit konjitiv, si një artist me gjithë anarkinë që “paketa artist” apo “brand-i artist” mbart në imagjinarin tonë kolektiv, i cili na është formuar sipas dijes dhe eksperiencës sonë. Por imagjinarit tonë kolektiv, dijes dhe eksperiencës sonë si shqiptarë, i mungon informacioni i plotë i anarkisë, sidomos i anarkisë së pushtetit (shih Pasolinin) dhe sot e kësaj ditë nuk arrijmë të deshifrojmë këtë hologramë laboratorike me emrin Edi Rama, e cila, ne shqiptarëve, na prezantohet si origjinale nga pikëpamja e pushtetit, sepse e shohim si të shkëputur nga pushtete që kemi pasur, dhe të huajve si origjinale nga pikëpamja e artit, sepse injorojnë krejtësisht artin shqiptar të cilin e shohin rëndom me një dozë të madhe ekzoticizmi dhe vizioni eurocentrik perëndimor.

Brand-i Rama na erdhi në pushtet me premtimin e anarkisë së artit, të cilin shqiptarët, por edhe të huajt e turizmit artistik nuk e deshifrojnë për atë që është: anarki e pastër e pushtetit, që prodhon e riprodhon shembëlltyra të urryera të vetevetes, të cilat na shiten për risi të nevojshme, por që s’janë tjetër veçse ripërsëritje e së njëjtës çorbë me bazë përfitimin prej shtrydhjes e mjeljes së vazhdueshme të popullit-dele.

Brand-i Rama, siç e quajti para pak kohësh Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, mike e Ramës që prej eksperiencës në Fondacionin e George Sorosit, ku rastësisht kemi patur edhe Valdete Salën të ëmën e Anrit që me Edin do krijojnë binomin perfekt për shitjen e artit në funksion të kapitalizmit konjitiv, po riprodhohet dhe po prodhon vazhdimisht “risi të nevojshme”. Në këtë pikë e kam fjalën për “nevojën” e shqiptarëve për pak art, pas “grisë së kompromisit të realizmit socialist” (kështu reciton përralla e laboratorike), dhe përmbushjen e kësaj nevoje prej ngjyerjes së fasadave të Edit dhe Anrit: një “aksion politik me ngjyra”, që u rriti vlerën apartamenteve dhe dyqaneve/aktiviteteve tregtare të kateve të para, të cilat u shndërruan nga apartamente në boutique/bar/farmaci/parrukeri etj.

Por, siç e kemi të dëshmuar përpara syve, kapitalizmi konjitiv nuk ndalet këtu: pas boom-it të aktiviteteve tregtare plasi dhe boom-i arkitekturor informal, më i madhi në historinë e kryeqytetit, i gjithi duke zaptuar hapësira publike, zaptime të cilat pushteti i lejoi dhe legalizoi, duke siguruar një klientelë oligarkike që vazhdon sot e kësaj dite, por në një rang paksa më të gjerë, në rang kombëtar.

20161221_125606Një nga këto “risi të nevojshme”, që fshehin mjeljen e popullit-dele, është edhe ura e re që po ndërtohet përpara ish-ekspozitës Shqipëria Sot. Mu duk interesante si ndërhyrje, pikërisht mbi Lanë, tek emblema e “pastrimit të Tiranës” prej Edi Ramës (siç e quajnë akoma disa “dele” apo “dhelpra”), për ta përdorur në argumentimin tim mbi kapitalizmin konjitiv. Kjo urë këmbësorësh ngrihet vetëm dy metra larg urës së vjetër, të cilën, supozoj, punëtorët e Bashkisë së administratës Veliaj, hologramë e hologramës Rama (dhe nuk e kam fjalën për monologjet e “dëgjesave publike”, por për kapacitetin intelektual me mungësën e çdo lloj shembëlltyre përmbajtësore dhe mbi të gjitha etike), do e çmontojnë sapo të ketë mbaruar e reja.

Por, nga doli kjo urë?

Përgjigjia, fatkeqësisht, nuk del në mënyrë logjike. Atë duhet ta supozojmë, sepse asnjë shenjë nuk tregon publikisht qoftë edhe informacionin më minimal për të, pavarësisht ligjit që detyrimisht e kërkon diçka të tillë, sidomos përsa i përket zbatuesit, kostove dhe datave të zbatimit. Është edhe një herë anarkia e pushtetit të gjithëditur, që vepron gjoja për të na zbukuruar/modernizuar qytetin, por që, në thelb, nuk bën tjetër veçse mbush xhepat e mafias me shpërdorimin e taksave publike.

20161222_153957Gjithashtu, “nevoja” që krijohet në laborator prej pushtetit politik neoliberal, për të cilën po argumentoja më sipër, është ajo e lënies në degradim të urës paraekzistuese, gropave të saj që sa vinin e zmadhoheshin në injorimin dhe menefregizmin e plotë të syve të Bashkisë dhe administruesit të saj. Pra, nevoja, për një urë të re, u krijua, paçkase mund të ishte restauruar, lehtësisht dhe pa shumë shpenzime, e vjetra.

Por nuk është vetëm çështje shpërdorimi taksash për mbushjen e xhepave të oligarkisë. Është edhe çështje kafshërie të dyfishtë arkitekturore.

20161222_154053Pikësëpari ura e re, siç shihet me sy të lirë, është e harkuar. Lind pyetja: ç’nevojë ka për një kapriço të tillë kjo urë? Pse i duhet harku? Ç’ne kjo kafshëri funksionale? Për t’u bërë jetën më të vështirë pensionistëve apo, më keq akoma, atyre që janë të detyruar të lëvizin me karroca invalidësh? Sa kafshë duhet të jetë projektuesi/ja i/e kësaj ure? Nuk mund ta bënte të sheshtë? Nuk mund ta bënte njësoj si paraekzistuesja? Nuk ia kishin shpjeguar se si bëhej një e tillë në diplomoren ku i kanë çertifikuar “aftësitë” arkitekturore? Nuk i kishte paguar familja eurot për një “aftësi” të tillë?

Së dyti, dhe për ta mbyllur aty ku e nisa, është edhe çështja e perceptimit formal (gestalt) i këtij objekti, i kësaj ure. Tirana, me kaosin e saj – me “dhuratën” pas fasadave që na prunë ngjyrat e kapitalizmit konjitiv, me injorimin total të çdo lloj forme të rregullt, të pranueshme për syrin, pra për perceptimin pamor – nuk rresht së dhunuari shqisën tonë të shikimit. Rrallë herë tensioni psikologjik i kaosit të ndërtimeve abuzive dhe kafshërore, na lë të lirë. Gjatë gjithë kohës, rrugëve të Tiranës, jemi të bombarduar nga shëmtia e formave pamore. Kjo dhunë pamore, për t’iu rikthyer psikologjisë së formës, është dhunë psikologjike, është një atentat fillimisht ndaj psikes dhe më pas ndaj së bukurës.

Rrugëve të Tiranës, vetëm kur ecim në bulevard kemi një fushëpamje të çliruar, një linjë të drejtë që syri na e pranon (nuk po i llogaris trafikun dhe smogun, sepse po i përmbahem vetëm formës). Në kryeqendrën shqiptare nuk e kemi shansin të na shohë syri gjelbërim, për shkak të kafshërisë së përfitimeve nëpërmjet ndërtimeve pa leje, të cilat u përmendën më sipër. Kemi vetë disa linja të drejta që shenjojnë disa perspektiva të rregullta. Njëra prej këtyre është edhe Lana: një përrua natyror, i pranueshëm konjitivisht si çdo gjë tjetër që ka të bëjë apo është pjesë e natyrës; dhe në një shtrat artificialisht të drejtë, por që pranohet konjitivisht prej syrit si çdo linjë e rregullt, e drejtë apo e lakuar qoftë. Dhe ç’bën arkitekti/ja në këtë rast? Nuk gjen gjë tjetër më të mirë për të bërë përveç se ta ndërpresë këtë perspektivë pamore që çliron tensionin psikologjik prej kafshërisë urbanistiko-arkitekturore. Dhe jam i sigurt që nga një ditë në tjetrën do dalë Erion Veliaj, holograma e hologramës, e cila, njësoj si holograma Edi Rama, që i vendoste “buzkuqin kryeqytetit” për ta prostituuar tek oligarkët që përmend Lubonja, do ta përurojë këtë urë si një bizhuteri të shtuar të prostitutës Tiranë. Oligarkët, të ftuar nga kodoshët, do vijnë sëshpejti për prostituimin e rradhës … ndoshta diku aty përballë urës!

20161221_142127

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s