“Tregtari i skeletëve”. Për Bienalen e Artit në Venecia 2017. (Romeo Kodra)

20161201_113208Ideja e “Tregtarit të skeletëve” vjen nga titulli parodistik i Kasëm Trebeshinës, një autor që, siç do të mund ta quante Roland Barthes, ka pranuar vdekjen për t’i “lënë vendin lindjes së lexuesit[1]“. Por pavarësisht shpresës së Roland Barthes-it, historia po tregon gjithnjë e më shumë se vdekja e autorit, e vetëngujimit të atyre të tipit trebeshinian, nuk ka sjellë lindjen e lexuesit, i cili mesa duket ka vdekur apo është vrarë që në djep, prej propagandës bombarduese dhe topitëse masmediatike.

Vendin e lënë bosh prej vdekjes së Zotit niezschean apo Autorit barthesian e ka zënë krijesa që Michel Foucault-ja quante “funksioni-autor”, që “karakterizohet prej pluralitetit të egove” dhe që “është i lidhur me sistemet legale dhe institucionale[2]“. Ky pluralitet egosh është karakteristikë e figurave gjithnjë e më dispotike të pushtetit neoliberal, që përherë e më shumë po promovohen prej sistemeve legale dhe institucionale në fuqi.

Kjo situatë, ku sistemi fabrikon gjithnjë e më shumë “funksione-autorë”, me pluralitete egosh për të katalizuar sa më shumë konsensus përreth status-quo-së, në kontekstin shqiptarë ka qenë dhe vazhdon të jetë gjithmonë në avangardë. Kështu për të ecur me hapin e kohës sonë përparimtare, koncepti i propozimit u vendos të vërtitej i gjithi mbi “Tregëtarin e skeletëve” trebeshinian, i cili do të prezantonte mësëmiri Shqipërinë bashkëkohore në Bienalen e Artit në Venecia.

Hapësira ekspozitive përbëhet prej skeletit të një gjysëm Bunkeri me një diametër prej 6m, që ka vetëm një bazë gjysëm rrethore prej betoni (50cm të lartë) prej nga dalin shufrat e harkuara prej çeliku për t’u puthitur me murin që përbën prerjen aksiale të bunkerit. Ky skelet bunkeri, pa dalje, i mbyllur në lakuriqësinë e pakomunikueshme të vetvetes, në frymën trebeshiniane të tij, do të simbolizojë folklorizimin e theksuar të së kaluarës sonë të pakalueshme, nëpërmjet artit bashkëkohor.

Brenda skeletit të bunkerit, prej shufrave të harkuara, do të varen në mënyrë të çrregullt disa kocka, që janë pjesë e punës së Arbër Elezit “Bones From The Sky” (Kocka nga qielli). Ato, duke mbajtur të njëjtën frymë groteske, do të simbolizojnë vdekjen përsëgjalli në djep të lexuesit të palexuar bashkëkohor dhe ironinë e fatit të tij të ripërsëritur midis betonit, hekurit dhe kockave të paarritshme.

Në bazë të bunkerit, përkundrejt murit, do të vendoset një projektor që do të shfaqë videon “Oktapodi” të Lori Lakos dhe një video që do të realizohet posaçërisht për në Bienale me në fokus kryeqëndrën shqiptare, Tiranën.

Metodologjia e punës sonë hulumtuese frymëzohet prej polifonisë trebeshiniane[3] dhe shqiptare, cluster-toni[4] i së cilës materializohet edhe në hapësirën ekspozitive ku nuk ka artistë, kuratorë apo drejtues dhe punët e ekspozuara nuk janë tjetër veçse fragmente, thyerje egosh të sintetizuara përkohësisht për një event ndërkombëtar që supozohet të promojë edhe një herë pozitivitetin e “rolit të artistit” në teatrin e madh bashkëkohor.

 

[1] “[T]he birth of the reader must be ransomed by the death of the Author” është mbyllja e tekstin barthesian “Vdekja e autorit” botuar anglisht në 1967 në “Aspen Magazine”.

[2] Michel Foucault, Language, in Counter-memory, Practice: Selected Essays and Interviews, What is an author?, Cornell University Press, Ithaca, New York, 1977, pg. 130.

[3] Shih Kasëm Trebeshina Një ditë në natën pa fund (Dafina e thara), Kujtime – ese, Buzuku, Prishtinë, gusht, 2016.

[4] Kështu quhet toni bazë i iso-polifonisë (shih Vaso Tole – Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare).

Një mendim mbi ““Tregtari i skeletëve”. Për Bienalen e Artit në Venecia 2017. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s