Triple Feature: Heroes We Love. (Romeo Kodra)

Mbrëmë u inaugurua një edicion i veçantë i serisë “Double Feature #5” të Tirana Art Lab në kuadër të projektit “Heroes We Love”, një projekt në bashkëpunim me 8 partnerë europianë, i cili financohet nga programi i Bashkimit Europian për kulturën kontinentale Creative Europe, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Projekti ka në fokus trashëgiminë e artit të periudhës socialiste në vendet e ish-Lindjes, ku Tirana Art Lab po zhvillon tematikën e saj mbi “ripërpunimin e këtij arti prej artistëve bashkëkohorë”. Në kuadër të po këtij projekti TAL realizoi në muajin maj një konferencë “Arti i periudhës socialiste midis përbuzjes, fetishizmit dhe tranzicionit” si dhe një workshop, disa ndërhyrje artistike dhe një ekspozitë mbi të njëjtën tematikë.

Eventi i djeshëm, i quajtur “Triple Feature #5” për të evidentuar veçantinë e tre pozicionimeve artistike të paraqitura, ndryshe nga “Double Features” e mëparshëm në TAL, ishte i përbërë nga Çeta (Kolektiv street artistësh shqiptarë), Georgia Kotretsos (artiste dhe kërkuese greke) dhe Pleurad Xhafa (artist shqiptar). Përzgjedhja e këtyre tre pozicionimeve artistike përputhej mësëmiri me trajtën që TAL propozonte me anë të projektit “Heroes We Love”, ku theksi vendosej mbi “artistët e tranzicionit”, mbi artistët  bashkëkohor që shkonin përtej fetishizmit apo përbuzjes, mbi ata që kultivojnë artin e së shkuarës pa dashur të tranzitojnë sipërfaqësisht mbi tranzicioni e patranzitueshëm shqiptar apo ish-lindor. Në pak fjalë u bashkëvendosën këto tre pozicionime artistike për të nxjerrë në pah ripërpunimin e periudhës së socializmit që ende sot mund të thotë diçka në kontekstin bashkëkohor, jo vetëm shqiptar, jo vetëm ish-lindor, por – pikërisht falë krizave gjithnjë e më të shpeshta, gjithnjë e më të patranzitueshme – edhe atë europian, ish-perëndimor, global.

img_6058

Triple Feature #5 – Tirana Art Lab – Çeta/Georgia Kotretsos/Pleurad Xhafa

Dhe është pikërisht problematizimi i heterotopive dhe heterokronive të patranzitueshme bashkëkohore që natyrshëm na bëri të përfshinim Çetën, një kolektiv street artistësh që ka mohuar çdo lloj vetpëlqimi egoistik, i cili si gjithmonë, qoftë në Shqipëri por edhe në sistemin e startistëve  global, degjeneron në “statusin e artistit”, apo më troç statusin e artistit me “emër”. Çeta është përtej jetës dhe vdekjes së emrit, përtej së mirës dhe së keqes (shih F. Nietzsche). Çeta është përmbledhja nietzschiane e të gjithë emrave të historisë së artit shqiptar, por njëkohësisht është edhe askushi që vetvetiu dhe fatmirësisht ka pranuar vdekjen dhe vdekshmërinë e autorit/autorsisë/emrit të përveçëm (shih The Death of the Author – R. Barthes), ka mohuar çdo funksioni-autor (shih Qu’est – ce qu’un auteur? – M. Foucault).  Çeta nuk është funksionale për pushtetin sepse nuk i plas për autorin, autorsinë apo autoritetin. Ajo i përbuz ato. Ajo është një ngërç pa autorësi, një kokrizë rëre mes dhëmbëve dhe ingranazheve të makinerisë neoliberale të kapitalizmit kafshëror shqiptar. Çeta është aksion anti-pushtet dhe jo re-aksion sipas pushteteve partiake në fuqi (shih në Enciklopedinë e Tragjedive Shqiptare zërin 21 Janari dhe Rilindja). Çeta është derimëtani nga të paktat realitetet artistike shqiptare që flet për një pushtet trashendental ku sintetizohet aksioni anti-pushtet i Vojo Kushit hero historik, Vojo Kushit hero i arteve pamore (si në veprën e S. Shijakut), dhe hero i sotëm mbi Jaguarët e pacipë të shpërdorimit ministror. E njëjta gjë mund të thuhet për Mic Sokolin apo shenjues të tjerë të historisë dhe arteve pamore shqiptare.

vojo-kushi-_-ceta

Çeta_Vojo Kushi … kundër Jaguarëve ministror.

Çeta_Mic Sokoli ... u vë gjoksin fadromave për prishjen e barakave të romëve.

Çeta_Mic Sokoli … u vë gjoksin fadromave të Bashkisë Tiranë për prishjen e barakave të romëve.

Aktive vetëm prej shkurtit të këtij viti, Çeta na bën gjithashtu të ndihemi krenarë, si Tirana Art Lab, për leximin kritik të artit bashkëkohor shqiptar, që demonstrohet me intuitën e fokusimit të vëmendjes sonë në këtë projekt europian, që në 2014, mbi ripërpunimin e historisë së artit të së shkuarës diktatoriale socialiste si një mjet shprehës me potencial alternativ për qasje artistike bashkëkohore, aspak alienuese, mëse të efektshme dhe, mbi të gjitha, me shumë akoma për të thënë mbi Shqipërinë dhe artin e saj. Për këtë TAL ndihet e privilegjuar në alokimin e një pjese të fondeve të Creative Europe në mbështetjen e prodhimit të ndërhyrjes së radhës së kolektivit Çeta: “Buongiorno, vi parla l’Albania” (Motra Tone), e cila shënën ndërhyrjen e nëntë të kolektivit.

Çeta_Buongiorno, vi parla l'Albania_Motra Tone

Çeta_Buongiorno, vi parla l’Albania_Motra Tone

Natyrisht, përsa i përket ekspozimit, duke praktikuar Çeta një lloj arti kundra çdo institucioni dhe institucionalizimi, nuk mund të vendosnim punë, por vetëm t’i shpërndanim ato, të vazhdonim me anë të vizitorëve dhe mundësive tona aksionin e shpërndarjes së punës së tyre. [Gjej rastin për një sqarim: punët e street artit nuk ekspozohen brenda institucioneve, qoftë edhe TAL si institucion i pavarur dhe jo-publik. Them këtë sepse në injorancën artistike që mbizotëron në institucionet shqiptare mund të shihet edhe një institucion si Bashkia e Tiranës të bëj street art. Madje përveçse duke u komisionuar artistëve-rrogëtarë punët, edhe duke u “sugjeruar” atyre “ngjyrat e këndshme dhe pozitivitetin që duhet të shprehin”, për të përhapur sa më shumë teletrumpiksjen gallataxhije, që karakterizon televizionet, si dhe për të pushtuar hapësirat publike, për të mos i lënë asnjë moment dhe shans neuroneve për gjykim kritik.]

Po ashtu zgjodhëm punët e Pleurad Xhafës, të cilat janë shembulli më i mirë për të demonstruar që arti dhe artistët shqiptarë dinë të shohin përtej përkohshmërisë dhe mbivendosjes së pushtetarëve të rastit, dinë të lexojnë një histori të cilën propaganda e përditshme e pushtetit institucional dhe masmediatik përpiqet të tjetërsojë. Madje dikush personalisht më foli dje gjatë hapjes për një mungesë të përqëndrimit tonë tek punët e artistëve, sepse dilkërka shumë në pah kritika që ne si TAL apo unë personalisht i bëjmë institucioneve të sotme. Por, pikërisht për këtë [siç duket ekspozita është parë pa shumë vëmendje], qëndrojnë punët e Pleurad Xhafës Mind Goes Blank, Eye is Gazing into the Future, 2009, Video – e bërë 1 vit përpara të formimit të TAL – dhe Breaking News 2012, lightbox, 35 mm slide, 2012 – praktikisht 2 vjet përpara se unë personalisht të bëhesha pjesë e TAL.

Pleurad Xhafa_Breaking News 2012, lightbox, 35 mm slide, 2012_Mind Goes Blank, Eye is Gazing into the Future, 2009, Video

Pleurad Xhafa_Breaking News 2012, lightbox, 35 mm slide, 2012_Mind Goes Blank, Eye is Gazing into the Future, 2009, Video

Pra ne si TAL nuk bëjmë tjetër veçse i vëmë bashkë këto punë dhe u japim një interpretim të mundshëm pa pretenduar ezaurimin e të gjitha interpretimeve, që veprat mund të çlirojnë. Dhe besojmë se duke lexuar videon e artistit ku veprat e Enver Hoxhës mbi polisterol, lëshohen në det të hapur për t’u shpërndarë në ujëra ndërkombëtare dhe për të iluminuar botën, artisti Xhafa ironizon një pushtet megaloman që do të reklamojë veten botërisht prej një shkretëtire që vetë ka shkaktuar. Nëse kjo ironi e Xhafës e bërë në 2009 i ngjan shumë edhe pushtetit të sotëm, të ardhur në 2013, atëherë nuk është faji i Xhafës apo i TAL, është faji i kritikëve, medias, insitucioneve shqiptare, publike apo private që merren me artin, që nuk kanë ditur të lexojnë këtë pjesë të veprës së Xhafës më parë. Nuk kanë kuptuar që pas këtij promovimi idiotesk dhe të forcuar të pushtetit si në rastin e Mind Goes Blank …, përfundimi është gjithmonë i ditur: librat kthehen mbrapsh, madje të përmbysur, dhe na mbetet ne t’i ri-interpretojmë bashkë me historitë tyre dhe tonën bashkë. Ndoshta kështu mund të na thonë ndonjë gjë të re edhe për të sotmen. Ndoshta na thonë që artisti si status, si emër i bujshëm, si pushtet, ka kohë që ka vdekur (edhe një herë Barthes/Foucault), sado mikrofona t’u vendosë sipër media, sado pompoze luksoze të jetë makineria e pompimit, sado të ulëritet VivaArteViva, nga varri i Breaking News nuk do të dalë kurrgjë. Por, siç thashë kjo na mbetet ne si qytetarë të dimë ta lexojmë, artisti punën e vet e ka bërë, artisti nuk merret me pushtetin banal të së përditshmes, ai merret me pushtetin si fenomen të shtrirë në kohën e artit, kohën pa kohë.

Pleurad Xhafa - Breaking News

Pleurad Xhafa – Breaking News

Për të bërë edhe një lidhje me artin përtej Perdes së Hekurt, por edhe përtej së shkuarës shqiptare, apo ish-lindore, ftuam gjithashtu Georgia Kotresos, një artiste dhe kërkuese greke që solli me vete një nga problemet që na lidhin gjeografikisht dhe historikisht si mesdhetarë: emigrimin, jo vetëm fizik, jo vetëm të personave, por edhe të materialeve, kujtesës si peshë efektive, e ndjeshme, substanciale që lë gjurmë, por edhe gërryen shpirtra. Domethënëse është në këtë drejtim puna e saj Hollowgraphs, filluar në 2012 (në vazhdim), ku artistja luan me poliseminë dhe lojën e fjalëve anglisht për të na vënë përpara zbrazëtinë, lënë pas prej memories së shpërngulur të emigrantëve, fotove familjare të marra me vete, të hequra prej mureve, për të mos lënë rrënjët plotësisht pas.

img_6080

Georgia Kotretsos_Hollowgraphs

Po ashtu me Georgian TAL bashkëpunoi dhe prodhoi një ndërhyrje artistike në hapësirat publike të kryeqytetit, ku dolën tre fotografi të dokumentuara të papërfunduara në hapësirën ekspozitive. Ideja e përbashkët ishte ajo e një ndërhyrjeje në Bulevard, aty ku pushteti totalitar fashist dhe socialist, por, mbi të gjitha, edhe ai neoliberal, ka përzgjedhur hapësirën më të privilegjuar dhe më të ngarkuar semiotikisht për të shpalosur “teatrin” e promovimit të vetvetes nëpërmjet artit.

Georgia Kotretsos_Tirana Art Lab _ The Master of the State

Georgia Kotretsos_Tirana Art Lab _ The Master of the State

Në këtë inskenim gjithçka përsëritet në mediokritetin vetreferencial të pushtetit, i cilësdo koordinate gjeopolitike dhe idologjike qoftë ai. Për të mbajtur të njëjtën lojë dhe për ta çuar deri në absurditetin më banal vendosëm të bënim tre foto me tre fraza në një telajo, aspak artistike, madje të një narrative abetareske, të cilat do të mund të shkëmbeheshin njëlloj midis tre sfondeve që kishim përzgjedhur, duke dhënë po të njëjtin rezultat sa të thjeshtë aq edhe banal. Kështu në foton e parë dystuam apo zhurmuam edhe më shumë semiotikisht fasadën e Kryeministrisë, ku artisti bashkëkohor Parreno ka vënë një punë (Marquee) e cila sipas Kryekuratorit ironikisht mund të merret si një butafori e pushtetit që kërkon të vetpromovohet. Por harrohet që kjo butafori i ka rrënjët më të thella, i ka te basorelievi i Kristaq Ramës & Co., që imitojnë keqas, për të bërë edhe më të besueshëm nga pikëpamja socrealiste, një objekt fashist nëpërmjet një basorelievi të varur në fasadë, por që i ngjan basorelivit në fasadën fashiste të maternitetit të Tiranës. Praktikisht, butaforitë e fasadave ripërsëriten pa thënë asgjë më shumë; thjeshtë ripërsërisin vetveten.

Po ashtu u ironizua me Kërpudhën artistiko-parasitare të C. Holler-it, që pa e ditur nuk bën gjë tjetër veçse ripërsërit parasitizmin e vetvetes si pjesës e pushtetit të sotëm por dhe të shkuar. Dhe në fund pak rëndësi ka që i njëjti parasitizëm shihet në shtesën e epokës socialiste në ndërtesën e Bosio-s. Pra kemi një telajo artistiko-parasitare, që me narrativën/interpretimin e vet parasitues denoncon kërpudhat (bimë parasitare par exellance) bashkëkohore, në një sfond të një objekti arkitektonik fashist të cilit i është ngjitur një shtesë arkitektonike parasitare socialiste. Thënie e rithënie e së njëjtës gjë prej një pushteti autistik.

Dhe në fund kemi Renë (The Cloud) e S. Fujimoto-s, ku mbjellja artificiale e reve të shiut, që na solli në mendje tek e shihnim, përkthehet nga kapitalizmi konjitiv neoliberal bashkëkohor si bombardim artificial shqisor, që kërkon me çdo kusht, në mënyrë krejtësisht propagandistike, të tërheqë vëmendjen e publikut, qytetarëve, taksapaguesve nga e përditshmja. Por edhe këtu asgjë të re nga fronti i bulevardit: e dystuar në sfond qëndron ndërtesa banale e periudhës socialiste, Galeria Kombëtare e Arteve, qendra më e madhe kombëtare e propagandës së pushtetit socialist-totalitar nëpërmjet artit pamor. Histori që ripërsëritet; histori e një pushteti banal që nuk di tjetër veçse të kopjojë e riprodhojë vetveten.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s