TR030: Fashizëm ad libitum.(Romeo Kodra)

Sot mora pjesë, pjesërisht, në të ashtuquajturën dëgjesë publike, që Bashkia e Tiranës organizoi për masterplanin e Kryeqytetit. Them pjesërisht sepse në mes të prezantimit të planit të Boerit u fut Kryebashkiaku Veliaj për trushplarjen e radhës, i cili me këtë ndërprerje m’u duk sikur nxitonte, ndoshta ngaqë ka gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë dhe nuk ka kohë për të humbur me kësi vogëlsirash. Natyrisht për të mos i shtuar spektatorë show-t të një vrasësi 17 vjeçarësh si Erion Veliaj, u largova për të mos ndotur mëtej dëgjimin, që, gjithsesi, Tirana nuk rresht pa ma përdhunuar çdo ditë, minutë apo sekondë.

Gjithsesi, shtysa e këtij shkrimi nuk më erdhi nga acarimi i dukshëm që më shkakton një vrasës në krye të Bashkisë, por nga prezantimi i pjesshëm i Boerit, të cilin e gjejmë të hedhur edhe në një video promovuese në YouTube.

Pikësëpari duhet thënë që Bashkia vazhdon e quan “dëgjesa publike” prezantimet e Boerit & Co. apo trushplarjet monologuese të Kryebashkiakut. Dhe thotë që ka arritur numrin 100 … ndoshta duke llogaritur edhe koktejet mes vedi tek Tulla apo kontaktet në “fejsbuk” … injoranca nuk njeh turp mesa duket … hapja e ligjit për të kuptuar minimalisht procedurën e “dëgjesave publike” do ndihmonte, kam përshtypjen.

Ajo ç’ka përbën një skandal të vërtetë, edhe në humbëtirën provinciale ku jetojmë, është përdorimi abuziv i termave për këtë masterplan, tip “specchietto per le allodole” (çark me pasqyra për laureshat), siç i thonë italianët. Kaleidoskopi p.sh., një prej termave metaforiko-poetik, tek i cili bazohet edhe “lo specchietto per le allodole”, tregon perfektësinë e arritjes së një lajke, që fut në kurth, e tredh duke marrë me shqelma, jo vetëm Zogun (Ahmetin/”allodola” anteliteram i arratisur nga sytë këmbët) por edhe zogjtë e tredhur të radhës (të cilët nuk dëbohen më si në kohën e fashizmit, por mbahen aty, në çarkun e perfeksionuar të neo-liberizmit):

Abuzimi me termat dhe mbi të gjitha me konceptin e policentrizmit të shumëtrumpetuar, për të tërhequr vëmendjen dhe aluduar nënkuptime të pafiltruara logjikisht, është bërë aq banal sa nuk i ha më askush, as analfabetët … përveç ushtrisë së rrogëtarëve të Bashkisë Rilindase; ushtrisë së pjellave të llastuara të oligarkisë vendase, diplomuar në diplomoret vendase apo europiane, aty ku i kanë dërguar baballarët trafikantë, ndërtues, deputetë, dallaverexhinj me paratë e tyre të fëlliqta.

Kështu pra, mesa kuptova nga prezantimi i Boerit dhe videoja e mësipërme, policentrizëm në radhë të parë do të thotë vazhdim i Bulevardit fashist të Tiranës, instrumentit kryesor të kolonizimit urban të Shqipërisë prej Italisë fashiste, projektuar thuajse 15 vite përpara pushtimit përfundimtar të 1939. Praktikisht, gjetje urbanistike më qendërzuese apo antipolicentrike se Bulevardi, sot e kësaj dite, në kryeqytet, nuk kemi. Bulevardi i Tiranës është emblema e kundërt e policentrizmit! Madje është po ky Bulevard që tregon koherencën e mentalitetit qeverisës (governmentality) të çdo pushteti që ka sunduar këto 100 vjet në Shqipëri. Sado ideologjikisht të kundërt mund të jenë dukur (fashist, komunist, malok-berishist, rilindas-çun-tirone-ramist) te Bulevardi, pushteteve u janë puqur gjithmonë mendimet: Bulevardi është fusha e përzgjedhur ku kanë shprehur arkitektonikisht vetveten! Gjëja që më bën përshtypje është ndryshimi i mendimit të Boerit, i cili, personalisht, disa muaj më parë, ma kishte cilësuar si “megalomani” fiksimin e zgjatimit të Bulevardit (https://aksrevista.wordpress.com/2016/04/13/tr030-plani-urbanistik-i-tiranes-dhe-degjesa-publike-sipas-bashkise-romeo-kodra/). [Tek shkruaj po shkëmbej e mail-e me ark. Boerin për një skype-intervistë të mundshme … le të shpresojmë, meqë direkt nuk mundëm të takoheshim!].

Po ashtu masterplani urbanistik i Tiranës vazhdon me modelin e unazave. Praktikisht edhe një herë na ripërsëritet ideja e qendrës, që unaza qarkon. Dhe unazat e Boerit janë 5 tashmë, të gjitha rrethojnë gradualisht një qendër të vetme: qendrën përjetësisht fashiste të Tiranës; aty ku pushteti fashist na rrethrrotullon duke masturbuar prej 100 vjetësh.

Përsa i përket gjelbërimit edhe ky është rrethrrotullues, “pyll orbital”, për të mos shqetësuar shumë oligarkët pushtetmbajtës, sistemin e vërtetë diellor kryeqytetas, të cilët priten të investojnë mëtej te tulla dhe asfalti, në një Tiranë akoma më të dendur, por kësaj radhe, na siguron Boeri, vertikalisht, ashtu siç i pëlqen pushtetit tonë fallocentrik, që s’rresht së humburi vetveten dhe ne si dele të tij në këtë vrimë të zezë megalomaniakale.

Dhe të mos harrohen korridoret e gjelbërta, anës lumenjve (Erzeni, Lana, Lumi i Tiranës): thjeshtë mutpërcjellëse drejt Adriatikut të stolisura me pemët ekzistuese anash. Po ashtu edhe projektet e tjera me emra tërheqës sa më s’bëhet, ku e rëndësishme është konfirmimi i asaj që territori i përdhunuar dhe menaxhuar prej mafiozëve tashmë ofron, por që mësëfundmi kanë gjetur një Prijës, tek i cili do kanalizojnë për filtrim e riciklim përfitimet. Nëse do të shihen mirë në video ku janë të alokuar gjeografikisht këto projekte do të kuptohet që nuk përbëjnë asnjë risi, sepse janë ekzistent dhe nuk do bëhet ndonjë gjë e madhe; thjeshtë do i jepet një llustër, tipike e fasadës Rilindase. Praktikisht pseudo-anarkisë së përgjithshme të të fortëve dhe mafiozëve do u mbivendoset anarkia e pushtetit, siç e quante Pasolini (Lorenxeti thotë Boeri; Makiaveli dëgjojnë “zogjtë e rinj të Tiranës”).

Tani, kush do të heqë disa paralelizma midis Tiranës që ishte dhe Tiranës që do të jetë, nuk duhet veçse të përqëndrohet tek disa analogji që ulëret konteksti kryeqytetas, ulërimë të cilën nuk e dëgjojnë vetëm rrogëtarët dhe çunat e mamit dhe babit që prostituojnë profesionalisht në Qeverinë e Bashkinë Rilindase.

  1. Dje, Fashizmi/Mussolini futi qëllimisht në borxhe Zogun, dhe rrjedhimisht qeverinë shqiptare, nëpërmjet investimeve urbane të papërballushme që ofroi (kërko online SVEA dhe Mussolini) dhe, siç pritej, falë mospagimit të borxheve, justifikoi pushtimin e 1939 (shih aktet e Parlamentit Italian pak para pushtimit, mbi të gjitha fjalimin e Mussolini-t. Gjithashtu, për të kuptuar kotësinë e atyre investimeve abuzive, le të konsultohet Qemal Butka në një shkrim te “Përpjekja” e shekullit të kaluar). Sot Rilindja në Qeveri e Bashki po fundos financat shqiptare në gropën e zezë të investimeve mafioze, të cilat kanë degjeneruar pakthyeshmërisht indet e politikës dhe thurrimës shoqërore shqiptare dhe në veçanti kryeqytetase, për të cilat nuk mund të luftohet një pushtues i dukshëm që vjen nga jashtë, por vetëm nga brenda ADN-së sonë të korruptuar.
  2. Dje Zogu, të cilin Italia fashiste qëllimisht toleronte, zgjeroi, duke përdorur personalisht arkitektët fashistë, edhe më shumë gropën financiare të investimeve arkitektoniko-urbane me vilat e tij “oksidentale”, në Tiranë, Durrës e gjetkë, duke shtuar luksin e shfrenuar që habiste edhe vetë italianët. Sot Rama dhe fotokopja e tij Veliaj përdorin “arkitektët e jashtëm” për përfitime vetjake si ato që prodhuan stilin surrelian, duke u fundosur e përlyer gjithnjë e më shumë në krim, duke u shndërruar në vegla ekskluzive të këtij të fundit.
  3. Dje Fashizmi zuri si element ngjizës në ADN-në shqiptare nacionalizmin, idenë idiote të kombit europian, ri-themeluar natyrisht prej Zogut (e kujt tjetër!!!) duke i thurrur lajka arkitekturore në fasadat e ministrive “moderne dhe perëndimore”, siç dallohet nga basorilievet e Gentit apo përkrenaret e Skënderbeut ngjitur pas ndërtesave ekletike me të cilat Zogu, si çdo derdimen autokton, masturbohej duke menduar se po hynte në Histori. Sot Boeri bën një hap përpara, nga epoka klasike e romakëve na sjell në prag të Rilindjes italiane dhe europiane njëkohësisht, tek citimi i Lorenxetit në hyrje të masterplanit, ku me një abetarizëm shkollor ngref egon e një masturbuesi provincial si Edi Rama të cilit ky citim artistik i dedikohet (shih në revistën e përmuajshme italiane Abitare, tetor 2016, fq. 63 “un divertito omaggio alla passione per la pittura del primo ministro albanese” të cilin e tradhëton së tepërmi makiavelizmi).
  4. Dhe të mos harrojmë efektin semiotik të pallateve të Bulevardit fashist në krahasim me shtëpitë përdhese të traditës tiranase. Të mos harrojmë kompleksin e inferioritetit që ende sot na bën të shohim moderne arkitekturën fashiste dhe të përbuzim një arkitekturë tonën, që vetë ne, delet që i shkojnë mbrapa pushtetit, zhdukëm hareshëm në emër të modernizimit (Tirana e Vjetër filloi të zhdukej me fashistët, thuajse humbi me Enver Hoxhën, dhe u asgjesua tërësisht me “demokracinë”). Dhe sikur të mos mjaftonte, e njëjta gjë po ndodh me vertikalitetin Boerian, që thurr lavde për kullat e Ramës dhe 51N4E (shih cit. Abitare), një katastrofë peizazhistike prej starkitektësh Dubai Style, që tejkalon drejt kafshërisë edhe atë pak ndjeshmëri që kishin fashistët dhe enveristët, për të cilët relievi i qytetit kishte një kufi ende njerëzor, siç duket nga ruajtja e lartësisë së objekteve arkitekturore në Bulevard. Këtu Boeri duket se do të kthehet në një enfant prodige të arkitekturës neo-fashiste, duke qenë se po shtyhet edhe më tej në abuzim dhe inflacion ndërtimor të Tiranës 2030, ku do të shtohet vertikalisht dendësia e kotë e tullës dhe asfaltit, në një kohë që në Tiranë prej vitesh (që nga koha e Kryetarit Rama) pallatet e drogës dhe prostitucionit janë mësëshumti bosh. Pritet pra, nën fasadën e një tjetër termi alienues dhe lajkatar, siç është ai i një masterplani “fleksibël” (që do ndryshojë sipas orekseve të pushtetit çdo vit), një tjetër valë investimesh të kota, në beton, tulla dhe asfalt, për të ricikluar dhe legjitimuar si ndërtues mafiozë shqiptarë dhe të huaj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s