Kur injoranca kulturore vjen në pushtet. (Romeo Kodra)

 

Mirela Kumbaro nuk rresht së degjeneruari kulturën e këtij vendi për interesa politike, që në rastin shqiptarë, siç demonstron rasti i ofrimit të bazës ligjore për trafikantët e plehrave, janë sinonim i interesave mafioze. Nga një artikull shoh se paska deklaruar në media ç’t’i shkrepte në mendje për të arritur përmbushjen e qëllimit të saj si ndrikull e mafias, që ka kapur dhe tredhur pushtetin qeverisës aktual, të udhëhequr nga Kryeministri Rama. http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/09/29/mirela-kumbaro-teatri-nje-godine-mediokre/

Në artikullin e mësipërm Ministrja e Kulturës, në ditën ndërkombëtare të trashëgimisë (!!!), paradoksalisht deklaron që Teatri Kombëtar, i ndërtuar prej ushtrisë italiane për vetëm 15 vjet, nuk ka asnjë vlerë, madje “është mëse mediokër”. Zonja mendjendritur që ka në dorë fatet e trashëgimisë sonë kulturore nuk e di që ajo “ndërtesë mediokre” është ndërtesa më e vjetër, ndërtuar me material parafabrikat, që na ka mbetur. Personalisht mendoj se Rilindja e ka si metodë këtë sjellje në dukje absurde: në ditën ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, të shkatërrojë trashëgiminë tonë kulturore; në ditën ndërkombëtare të kujdesit ndaj mjedisit, të importojë plehra duke shkatërruar edhe më shumë këtë vend plehrash në të cilin është kthyer Shqipëria. Dhe kjo është klasike për shoqërinë distopike shqiptare, dhe si në çdo shoqëri distopike, edhe te ne që jetojmë nën Rilindje, asgjë nuk duhet të jetë ç’ka thuhet se është; madje duhet të jetë ekzaktësisht e kundërta (shih kuptimin e termit në një fjalor … jo shqiptar, natyrisht).

Por le të kthehemi te mendjendritura, që na ka rënë për hise ta kemi Ministre të Kulturës, e cila, mesa duket, nuk ka dijeni për një trashëgimi të arkitekturës industriale, të cilës objekti i Teatrit Kombëtar i përket. Madje, edhe pse ajo e di mirë që në vendet e tjera, pushtuar e kolonizuar prej italianëve, ku Musolini pat ndërtuar kësi objektesh, nuk ka mbetur as edhe një në këmbë, në vend që ta ruaj si sytë e ballit, kërkon që ta shembë për interesat e betonizuesve që kanë tredhur Kryeministrin. Pra, ministres nuk i shkon në mend as që ky objekt ka vlerë si arkitekturë koloniale e periudhës fashiste, nëpërmjet të cilit mund të lexohet në hapësirën urbane edhe ideologjia perandorake, me të cilën fare lehtë mund të shpjegohet edhe rrjedha e trajtimit të hapësirës prej pushtetarëve që kemi patur këto 90 e kusur vite (përfshi Rilindjen).

Madje, kjo verbëri historike, shkencore, teorike dhe teknike e arkitekturës koloniale italiane në Shqipëri është edhe e studiuesve në përgjithësi (të paktën prej kërkimeve të mia deri më sot); pra nuk i përket vetëm Mirela Kumbaros, e cila nuk ka lënë rast këto vite si Ministre pa na shpallur injorancën e saj në çështjet e artit, kulturës dhe trashëgimisë. Kjo verbëri që ka zënë edhe studiuesit, qofshin shqiptarë apo të huaj, ka bërë të mundur që të lexojmë kolonizimin fashist të Shqipërisë si një aneksim të vullnetshëm të saj ndaj pushtuesit italian. Praktikisht sipas dëshirës dhe vullnetit të leximit të historisë prej vetë Musolinit. Duke qenë se studimet e mia aktuale kanë të bëjnë mbi të gjitha me këtë çështje po ndalem këtu, sepse në këtë shkrim nuk më intereson teoria, historia apo teknika e arkitekturës, por injoranca e pushtetit aktual në menaxhimin e kulturës dhe trashëgiminë e saj, të cilën nuk rreshtin së degjeneruari.

Më tej, tek i njëjti artikull, ministrja Kumbaro thotë që ndërtesës së TK “është e pamundur t’i bëhet restaurim”. Edhe këtu lindin disa pyetje. Kush janë ekspertët që e thonë këtë? Pse ministrja nuk na jep emrat e këtyre mëndjendriturve që t’u ngremë monumente, në të gjallë, për këtë apoteozë të injorancës? Mos vallë janë pyetur ata që trajtuan si latë drush ikonat sekuestruar Thimios? Ata që nuk shohin të rikuperueshëm mozaikun e MHK? Apo janë ekspertët e Atelier 4 që do fryhen sërish me para për këtë shkatërrim siç do bëjnë për idiotësirat e shitura për restaurim të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, kur fare lehtë, me 30% të shpenzimeve që po na vidhen nga taksat publike për këtë palo-restaurim, mund të rikthehej në origjinë thjeshtësisht duke hequr galerinë e shtuar prej pushtetarëve megalomanë të ish-regjimit, duke rikuperuar kështu edhe akustikën e shumëpërfolur?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s