Poshtë – Lart. Arbër Elezi, Igli Marion dhe Lori Lako në Tirana Art Lab. (Romeo Kodra)

Tirana Art Lab në këtë ekspozitë të dytë dedikuar artistëve emergjentë shqiptarë, për vitin 2016, përzgjodhi artistët Arbër Elezi, Igli Marion dhe Lori Lako. Përzgjedhja nuk ishte fryt i një gare midis pjesëmarrësve. Pikësëpari, ç’ka përcaktoi përzgjedhjen e artistëve ishte aftësia e përbashkët për të problematizuar çështjet aktuale dhe urgjencat e kontekstit ku jetojnë, apo kanë lindur, si dhe për t’i shprehur ato nëpërmjet gjuhëve të artit; së dyti, angazhimi artistik për t’i rezistuar trysnisë së problemeve; dhe, në fund, koherenca, jo vetëm për të rezistuar, por edhe për t’u frymëzuar prej realiteteve bashkëkohore.

Ura lidhëse midis artistëve dhe hapësirës së Tirana Art Lab është pikërisht kjo rezistencë individuale; një rezistencë e frymëzuar prej eventeve sa katastrofike aq edhe tragjike të realitetit bashkëkohor, prej nga merr hov arti, jo si antitezë, por si alternative e realitetit.

Problematikat prej të cilave marrin shkas punët e artistëve, që ekspozohen sot në TAL, janë të gjithëditura (21 Janari – Arbër Elezi; rrënojat urbane dhe sociale – Lori Lako; veset e “njeriut të ri” neo-liberist – Igli Marion). Por të papritura janë qasjet përkundrejt tyre. Arbëri, Igli, Lori nuk na informojnë mbi problematikat. Madje nuk na japin as ndonjë aspekt të tyre të panjohur, nuk na kundër-informojnë, siç bëhet me teoritë konspirative. Për ta çdo informim është deformim. Por, ku bazohet atëherë risia e papritur e artit të tyre?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje kemi dashur të japim shifrën deshifruese të veprave të përzgjedhura, duke organizuar hapësirën ekspozitive të bazar mbi njërën prej tyre. Të gjithë sëbashku – artistë dhe kurator – ramë dakort të përzgjidhnim si pikënisje veprën e Arbër Elezit “Vivere”, brenda së cilës gjenden filizat e një rrugëtimi artistik që ka gjeneruar, për vite tashmë, vepra artistike në media të ndryshme (video-art, fotografi, pikturë, instalacion dhe performancë).

"Vivere" - Arbër Elezi, video 2012.

“Vivere” – Arbër Elezi, video 2012.

21 Janari për Arbër Elezin nuk është event “politik/partiak” i interpretueshëm sipas një makro-kodi/narrative. Një event i tillë, prej nesh si dëshmitarë apo dëgjues/spektatorë, nuk mund të lexohet, kuptohet e interpretohet duke u bërë palë me kodin/narrativën e një pushteti të caktuar, duke bërë sikur kuptojmë fjalëkyçet, klishetë, e deri banalitetet e gjuhës së pushtetit të cilat i ngjiten sipër për interpretim këtij eventi social. Jo! Për Arbërin një event i tillë shoqëror ka potencial të mjaftueshëm për të çliruar fenomene origjinale (në rastin e tij, artistike) që zhvillohen sipas një kodi/narrative personal/e, sipas një variacioni mbi të njëjtën temë, që shmang të gjitha kanalizimet e paracaktuara të një pushteti kënetor, i cili përpiqet të na thithë si turmë/masë me makro-kodin e tij gjithnjë e më topitës (“gjuha na flet” thoshte Jacques Lacan). Pra, tek Elezi, shohim një dëshirë/pulsion për të mos u kodifikuar sipas narrativës mashtruese të pushtetit. Dëshira e Arbërit ka arritur të prodhojë një fugë artistike bach-iane (fenomenart e quan Elezi), që gjatë gjithë kohës ndërthuret me eventin social (21 Janari), pa iu ngjeshur sipër, pa e topitur, mbytur apo ezauruar, por duke e mbajtur gjallë, gjatë gjithë kohës dhe itinerarit, gati për linja të reja narrative ku etika sociale dhe estetika individuale janë të pandashme.

Kjo proçedurë plurale krijimi e Elezit jep shtysën e mëtejshme për mënyrën polifonike të organizimit të hapësirës qendrore të TAL. Kështu të ndërthurur me eventin e pandashëm të fugës së Elezit kemi shpërthimin figurativ dhe koloristik të veprave të një auto-didakti si Igli Marion, i cili nga perspektiva krejt të ndryshme, jashtë çdo (in)formimi apo (makro)kodifikimi akademik, prodhon, edhe ai, vepra/fuga artistike që paraqesin në forma fantastike marrdhënien kontrastuese mes dëshirave të individit dhe kontrollit të pushtetit. Lidhësja figurative e “Piramidës”, skenografi urbane e ngjarjes së 21 Janarit te “Vivere” e Elezit, përputhet me përrallat simbolike për fëmijë të rritur, apo mazhoren të papjekur të Iglit, ku personazhë përfaqësues dalin Enver Hoxha, një djall/gogol fëminor i pabesueshëm në maskimin e tij; një sfinks pa kurrëfarë shprehjeje, që tashmë nuk e ruan, por ka zënë vendin e Piramidës, duke aluduar metamorfozën tërësore të pushtetit; një i burgosur prej humnerës mpiksëse të masmedias; apo një i vetëtredhur i dorëzuar krejtësisht përfaqësimit politik (votimit).

"Enver Hoxha" - Igli Marion, Akuarel në karton, 2015.

“Enver Hoxha” – Igli Marion, teknikë mikse: akrilik dhe akuarel në karton, 2015.

"Sfinks" - Igli Marion, akuarel në karton, 2013.

“Sfinks” – Igli Marion, teknikë mikse: akrilik dhe akuarel në karton, 2013.

Ndërthurja e Marionit mbi variacionin tematik të kësaj ekspozite bëhet me anë të mungesës së qëllimshme të formës së bukur dhe seriozitetit, të cilat i rezistojnë kodifikimit të pushtetit, duke hapur një lojë pa fund e krye, pa rregulla, sa anarkike aq edhe plurale, por që janë art i mirëfilltë që transmeton freskinë karakterizuese të piktorit.

"too much white will kill you" - Lori Lako, video 2013.

“too much white will kill you” – Lori Lako, video 2013.

Me Lori Lakon hapësira eksplozive tkurret pas një “syri magjik” të krijuar prej një plumbi qorr (Plumb), ku fshihet një subjekt i traumatizuar. Anarkia fëminore e Marionit dhe kultivimi i guximshëm i eventeve kaotike sociale të Elezit duket sikur me Lori Lakon kristalizohen në analizimin e detajuar të kalimit midis planeve, dimensioneve, hapësirave të dyshimta të tranzicionit, që përsëritet në shumë punë të saj, ku delikatesa estetike rimon, njësoj si në dy artistët e mësipërm, me etikën. Kontrollit të pushtetit Lako i përgjigjet me kontrollin absolut të punëve të veta. Sipas artistes, nga ky kontroll dalin dy pozicione artistike, që na japin gjithashtu mundësinë e artikulimit të mëtejshëm të hapësirës së TAL: nga njëra anë kontrolli mund të përfundojë në një dhomë qorre, tërësisht të bardhë, ku luhet një lojë topitëse vetëreferenciale alla “White Cube”, si në “too much white will kill you”; ose në një sintezë filmike që riprodhon, si tek “oktapodi”, monstrat arkitekturore (dhe jo vetëm) të së shkuarës brenda një filtri pasqyrues natyror (uji), i cili përkthen duke reflektuar në të gjithë punën një kromatizën të gjelbërt, një sintezë të re klorofiliane, një parakusht të jetës e cila, gjithsesi, nuk mund të jetë tjetër veçse, që në gjenezë, bio(s)-politike.

img_5418

“oktapodi” – Lori Lako, video 2012.

ARBËR ELEZI – lindur në Berat më 1988, është diplomuar me notën maksimale në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences (Itali). Vepra e tij, ekspozuar midis Italisë dhe Shqipërisë, spikat për shumëllojshmëri në media si pikturë, video-art, instalacion, performancë e fotografi, ku dallohet prirja për të eksploruar dhe shteruar të gjitha trajtat e kërkimeve artistike.

IGLI MARION – lindur në Fier më 1988, është diplomuar për Financë dhe Tregje Ndërkombëtare në Universitetin e Ferrarës (Itali). I angazhuar në disa ekspozita në Italia, Shqipëri, Francë e Gjermani punon kryesisht me mediumin e pikturës. Si autodidakt, dallohet për punën e tij ekspresive, që shpesh herë organizohet në cikle të tëra mbi të njëjtën tematikë.

LORI LAKO – lindur në Pogradec më 1991, është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence (Itali). Punët e saj kryesore, të ekspozuara në Itali, Shqipëri e Gjermani, janë në media video, fotografi dhe pikturë, ku rol kryesorë zënë kërkimet artistike mbi çështjet historiko-sociale dhe hapësirat heterotopike e heterokronike të shoqërive në tranzicion.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s