Parisi, Walter Benjamin, një pikturë e Paul Klee-së dhe “Onufri”. (Romeo Kodra)

Prej dy muajsh jam i ftuar si kërkues në Institut National d’Histoire de l’Art në Paris. Kërkimi im fokusohet mbi racionalizimin dhe kushtëzimin e hapësirave në shoqëritë tranzicionale, kur ato përshenjohen prej subjekteve faktorizues të artit dhe politikës. Gjendem në një zyrë e cila ndodhet mbi Galerinë Colbert. Cituar në veprën e Walter Benjamin, ajo është një prej ish-passage-eve, apo korridoreve të mbuluara dhe me harqe anësore, nën të cilat zhvilloheshin aktivitete tregtare. Nën këto hapësira tranzicionale, në mes të konsumizmit masiv dhe prodhimit industrial të objekteve të modës së kohës, intuitës së qelibartë të filozofit gjerman iu shpalosën të fragmentuara mikrobotët e universit borgjez.

Galerie Colbert

Për ata që nuk e dinë, pasazhet janë korridore të ngushta midis godinave që mbipopullojnë kryeqendrën urbane franceze. Ato, falë veprës së Walter Benjamin-it, shpesh herë mendohet të kenë ardhur në jetë si hapësira tipike të mendësisë së një borgjezie urbane. Në fakt shpërthejnë kudo nëpër Paris, që në fillim të shekullit të XIX, pas zhvendosjeve demografike masive, nga fshati në qytet. Galerie Colbert – një prej të parave në Paris – është e 1826.

Por gjeneza e këtyre hapësirave duhet kërkuar që pa filluar Revolucioni. Në fakt është Duka i Orleans-it që inauguron një të tillë, në Palais-Royal, në 1786. Ta ketë ditur vallë Walter Benjamin që këtë hapësirë, tipike të konsumizmit të përshpejtuar dhe sipërfaqësor borgjez, e racionalizoi aristokracia në epokën e dekadencës së vet? Nëse po, kjo, a do të ndryshonte ndonjë gjë në “magjepsjen e tij materialiste” pas këtyre hapësirave?

Gjithsesi, te këto hapësira dhe produktet që e mbushim, Benjamin tentoi, pa e realizuar për shkak të vetflijimit për të mos rënë në duart e nazi-fashistëve, të gjurmonte gjenealogjinë e vetë konceptit të modernes dhe estetikës së saj; të jepte përsëpaku çelësin e leximit të modernes, nëpërmjet mizërisë së pafundme të objekte të tregtueshme, modës, prostituimit, flâneur-izmit. Në pak fjalë kërkoi të shpjegonte modernen në këtë park lojrash për të rritur.

Kjo dëshirë e Benjamin për të zbuluar modernen nëpërmjet subjektifikimit dhe semantikës së objekteve në hapësirë, që ka shenjuar filozofinë dhe estetikën e shekullit të XX, natyrisht më ka influencuar dhe mua. Por parku i lojrave në Paris, për mua, është një tjetër. Quhet “Bibliothèque de l’Institut National d’Histoire de l’Art”.

Biblioteque de l'INHA

Kjo hapësirë, ky Disneyland për mua shqiptarin e mësuar me Bibliovdekjen Kombëtare, Bibliotëvdekurën e GKA-së apo atë të COD Center, gjendet në krahun tjetër të rrugës anësore (rue Vivienne) të Galerie Colbert. Fotogarfia e mësipërme besoj u jep idenë bibliofilëve të uritur shqiptarë. Natyrisht nuk jam humanist alla Petrarca që udhëtonte me bibliotekë me vete. Nuk jam për filozofi apo art të mbyllur nëpër kafazë. Por nuk kam ç’bëj: konteksti prej nga vij është një gërmadhë nga kjo pikëpamje.

Kështu që kësaj “parajse borgjeze”, edhe unë, antiborgjez deri në palcë, përpara nja dy ditësh po i shijoja frytet. Kisha nëpër duar një libër që fliste për ventrilokuizmin dhe artin. Jo kot, por me një qëllim. Thjeshtë për të kopsitur disa rreshta, në kuadër të kërkimit tim, për vjedhjen e Anri Salës dhe mejhanelëpirësve të tjerë kryeministrorë që përfaqësuan Shqipërinë në Bienalen e Venecias, duke prostituuar polifoninë shqiptare si një ekzotizëm eksitues për lëminë e matrapazëve në Venecia.

Rastësia, disi e shpeshtë kohët e fundit në kërkimet e mia, më solli sërish te Benjamin dhe te një pikturë e Paul Klee-së: “Ventrilok dhe Tellall në Kënetë”.

Ventriloquist and Crier in the Moor

Kjo pikturë tregon një ventrilok, por që është pa gojë. Ai duket se ka mbushur barkun me kafshë, shpendë apo peshq, duke i tëhequr ato nëpërmjet një grepi që i del nga barku. Sfondi mbrapa tij, këneta, është shumëngjyrësh, por vija e horizontit në të cilin ky Tellall-Ventrilok dystohet është krejtësisht e zezë. Ai dalëngadalë po thith jo vetëm të gjitha gjallesat, por edhe ngjyrat e habitatit natyror ku edhe vetë gjallon.

E si të mos më vinte ndërmend Edi Rama!? Si të mos më vinte ndërmend ky “Artist” që, ndryshe nga ne të vdekshmit, të huajve – në anglisht – u thotë që vetëm ai ka “the big picture”, por që, me “bold strokes”, horizontin e të ardhmes, në shqip, troç fare, po na e bën gjithmonë e më të zi (pyesni romët, egjiptianët, ata që mblidhnin deri dje kanaçe, ata që po shohin t’u shkatërrohen shtëpitë për pallate oligarkësh te ish-stacioni i trenit, studentët, punëtorët pa sindikata, ata që nuk kanë të paguajnë dritat etj.). Si të mos më vinte ndërmend shfarosësi i ngjyrave të një kulture si ajo shqiptare, e cila po përpihet prej këtij ventriloku-tellall, që shqiptarët i mban peng prej barku dhe të huajt me ngjyrat që u shet si Karabush, si pallua shumëngjyrësh në mes të një kënete gjithmonë e më të zezë!? Si të mos më vinte ndërmend lidhja e stomakut që kanë pabuksat e artit dhe kulturës shqiptare!?

Dhe sikur rastësia të mos kish të nginjur me shastisjen time, u argëtua, dje, duke më vënë përpara syve një artikull on line të gazetës “SOT”, ku Andi Tepelena kishte dhënë një intervistë për “Onufrin” e GKA-së, ose më mirë, për reliken që ka mbetur prej tij. http://sot.com.al/kultura/ndryshimet-n%C3%AB-statut-%C3%A7akordojn%C3%AB-%E2%80%9Conufrin%E2%80%9D-vet%C3%ABm-nj%C3%AB-artist-i-interesuar-p%C3%ABr-gar%C3%ABn . Thjeshtë një dështim i konkursit për kurator. Gjithsej: një aplikim.

Nuk e di kur u zgjodh dhe si u zgjodh Andi Tepelena për të presidiuar “Onufrin”. Por fundja nuk më intereson edhe aq shumë. Maksimumi dikush e ka zgjedhur për ta mbajtur afër, sepse është mirë që ata pak artistë dhe/apo operatorë kulturorë të pavarur të mbahen afër. Nuk i dihet asnjëherë. Në rast protestash mund të ngrenë zërin kundër dhe të grupohen me njëri tjetrin për të bërë masë. Dhe hajde duroji pastaj. Më intereson më shumë të di se çfarë Ministria e Kulturës dhe Mirela Kumbaro nxorrën prej “reflektimit” të para një viti e gjysëm. Më duket sikur folën diçka, diku, për rregullore për t’u modifikuar apo statut për t’u ndryshuar. Janë shkruar gjëkundi? Cilët artistë dhe operatorë kulturorë “të pavarur” u konsultuan për çështjen “Onufri”? Kush janë emrat e tyre? Kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë relike apo kërmë të jetës artistiko-kulturore që vazhdon e po tërhiqet zvarrë me 1 milionë lekë që GKA i dedikon? Shpresoj të ndihen ata operatorë kulturorë e artistë dhjaksa apo ato artiste shurraqe që lëkundeshin përpara se të kërkonin haptas dorëheqjen e drejtorit të GKA-së apo Ministres së Kulturës para një viti e gjysëm. Shpresoj të ndihen, t’u flasë së paku barku (ventre+loquus), nëse nuk janë ngopur me kockat (tip çmime, rezidenca, emërime jurishë, poste në administratë) që u ka hedhur Ventriloku i Madh, me kockat që i kanë tepruar prej festave sa shumëngjyrëshe aq dhe shumëmilonëshe (shih eventet e COD Center, Festivalin e Dritave, Festivalin Rilindas të Gjirokastrës, etj.).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s