Një propozim modest … për të shmangur që fëmijët e pastrehë t’u bëhen barrë prindërve dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe për t’i shndërruar në të dobishëm për buxhetin publik të shtetit. (Jonathan Swift – Romeo Kodra)

Është tejet e trishtueshme për ata që vizitojnë Shqipërinë të shohin nëpër rrugët e Kryeqytetit trotuare plot e për plot me gra që jetojnë rrugëve duke kërkuar lëmoshë, të cilat ndiqen nga tre, katër apo gjashtë çiliminj të veshur me rrecka që bezdisin kalimtarët. Këto nëna, në vend që të punojnë dhe të fitojnë ndershmërisht jetesën, janë të detyruara të kalojnë tërë kohën duke lypur për të siguruar mbijetesën e fëmijëve të tyre, të cilët, sapo rriten, shndërrohen në hajdutë, ose lënë vendlindjen për të luftuar nëpër Afganistan apo Irak, ose për të shitur drogë e trafikuar ku di unë se çfarë nëpër Europë.

Mendoj se të gjithë ne, Parti apo individë, jemi dakort mbi faktin që këta fëmijë, të shumtë në numër, që shohim në krah, në shpinë apo ngjeshur pas vitheve të nënave, dhe gjithmonë e më shpesh edhe të baballarëve, përbëjnë një problem parësor për vendin tonë të mbytur prej halleve. Prandaj, kushdo që do të gjente një mënyrë të ndershme, të thjeshtë dhe pa kosto, për t’i kthyer këta fëmijë në një pjesë të shëndetshme dhe të dobishme të komunitetit tonë, do t’i njiheshin meritat nga e gjithë shoqëria. Madje do të mund t’i ngrihej një monument si shpëtimtar i popullit.

Unë, gjithsesi, nuk kam ndërmend të merrem vetëm me fëmijët e lypsave profesionistë, por shkoj edhe më tej: dua të marr në konsideratë të gjithë fëmijët deri në një farë moshe, që kanë lindur prej prindërve po aq të paaftë për t’u kujdesur për ta sa edhe lypsat e rrugëve.

Përsa më takon, pasi kam reflektuar për vite me rradhë mbi këtë temë dhe pasi kam shqyrtuar me kujdes projekte të ndryshme që të tjerë politikanë përpara meje kanë prezantuar, kam parë që ato kishin gabime të pafalshme. Është e vërtetë, një fëmijë i porsalindur mund të ushqehet me qumështin e nënës dhe me pak ushqime shtesë për thuajse një vit, për një vlerë maksimale që nuk e kalon 50 mijëlekshin. Kjo shumë fare mirë mund të nxirret nga mbeturinat e ushqimeve që nëna mund të fitojë nga aktiviteti i lypses. Por, është pikërisht ky momenti, kur mbushin një vjeç, që unë propozoj të kujdesem për fëmijët në mënyrë që, në vend se të jenë peshë për prindërit apo për Ministrinë e Mirëqenies, apo të vuajnë për veshje dhe ushqim për kusurin e jetës, të kontribuonin për ushqimin dhe pjesërisht për veshmbathjen e mijërave njerëzve.

Një tjetër avantazh i projektit tim qëndron në faktin se ai do të mund të parandalojë abortin dhe zakonin e tmerrshëm që kanë gratë për të vrarë kopilat e tyre. Zakon ky që, për fat të keq, ndodh rëndom midis nesh. Dhe sakrifikohen këto krijesa të pafajshme, mendoj unë, më shumë për të shmangur shpenzimet dhe turpin. Dhe, më lejoni, kjo gjë, kur mendohet, të therr në zemër. Qoftë edhe zemra më mizore dhe vrastare në këtë sallë, jam i sigurtë, në këto raste ligështohet.

Zakonisht thuhet se popullsia e Kryeqytetit shkon diku te 1 milionë banorë. Unë llogaris që, te kjo shifër, të jenë 150 mijë çifte, ku gruaja të jetë në gjendje të lindë fëmijë. Prej këtyre heq 20 mijë që janë në gjendje të mbajnë fëmijë, megjithëse kam frikë se jam duke e ekzagjeruar, duke patur parasysh kushtet e krizës që po kalojmë. Sidoqoftë, edhe duke mbajtur këtë shifër, mbeten 130 mijë gra pjellore. I heq edhe 30 mijë të tjera, duke qenë se ka gra që dështojnë apo humbasin fëmijën për sëmundje brenda vitit të parë të jetës. Mbeten, të lindur çdo vit prej prindërve të varfër, plot 100 mijë fëmijë. Dha ia ku lind pyetja: si është e mundur të mbahet kjo turmë fëmijësh, duke u kujdesur për ta? Siç e pamë, në situatën aktuale kjo është absolutisht e pamundur, nëse do të përdornim metodat e derimësotme. Në fakt nuk mund t’i mbajmë as si muratorë dhe as si agrikultorë, sepse ne nuk ndërtojmë shtëpi (e kam fjalën për fshatin) dhe as punojmë tokën. Kështu pra, fëmijët, në këto kushte, shumë rrallë mund të nxjerrin bukën e gojës pa mbushur moshën gjashtë-vjeçare, përveç se kur kanë aftësi të jashtëzakonshme “profesionale” [bën me dorë gjestin e vjedhjes] … edhe pse duhet ta pranojmë që këta i mësojnë teknikat e “zanatit” shumë më përpara kësaj moshe. Por, në këtë fazë, ata mund të konsiderohen në një farë mënyre ende çirakë, siç më shpjegoi një miku im i Policisë sekrete, i cili më pohoi gjithashtu se nuk kishte parë, përveçse nja dy a tre rasteve, zanatçinj nën këtë moshë, pavarësisht se vendi ynë njihet për shkathtësi të parakohëshme në këtë lloj arti.

Nga takimet me përfaqësues të biznesit, ata më siguruan se djemtë dhe vajzat nën moshën 12 vjeçare nuk mund të futen as në xhiron e biznesit të vogël sepse, edhe kur futen, nuk xhirojnë më shumë se 30 mijë lekë të vjetra. Kështu që nuk i sjellin të ardhura as prindërve e as shtetit, sidomos kur vërejmë nga statistikat tona se shpenzimet e tyre për veshmbathje dhe  ushqim kalojnë përsëpaku katër herë këtë shifër.

Unë, sot, do t’ju prezantoj, në mënyrën më modeste të mundshme, propozimet e mia që, shpresoj, nuk do të ngrenë kurrëfarë kundërshtimi.

Një amerikan, mik i imi nga New Yorku, njeri shumë i ditur dhe ngaheras i angazhuar me Shoqëritë Civile, më siguroi që një fëmijë i shëndetshëm dhe i mirëushqyer me qumështin e nënës është ushqimi më i shijshëm, i shëndetshëm dhe ushqyes që mund të gjendet, qoftë i gatuar me lëng, rosto, në furrë apo i zierë; madje unë personalisht nuk kam as dyshimin më të vogël që mund të jetë edhe më i mirë në tavë dheu apo i grirë.

Kështu pra, parashtroj përpara publikut që, prej 100 mijë fëmijëve të llogaritur më sipër, 10 mijë t’i rezervojmë për mbarshtimin e species, prej të cilëve vetëm një të pestën meshkuj, që është më shumë sesa i lejohet një dashi, kau apo derri. Si rrjedhojë një mashkull mund të mjaftojë për katër femra. Kusuri prej 90 mijë krerësh, në moshën një vjeçare mund t’u shitet njerëzve me klas të këtij vendi, duke mos harruar që të këshillohen nënat që t’u japin bollshëm qumësht muajin e fundit, në mënyrë që t’i bëjnë sa më topolakë dhe buçko, gati për tavolinë. Kështu një topolak i vockël do të mund të garantonte dy vakte për festat me miqtë. Ndërsa kur familja drekon vetëm, një çerek i parmë apo prapmë besoj se do të mjaftonte për t’i nginjur të gjithë dhe, nëse kriposet dhe piperoset buçkoja siç duhet, mund të shtyhen deri në katër ditë me paçe dhe lëng mishi, sidomos gjatë dimrit.

Kam përllogaritur që, mesatarisht, një fëmijë i porsalindur peshon 3 kile dhe në një vit, nëse i ushqyer mjaftueshëm, arrin deri në 9.

E pranoj që ky ushqim do të ishte disi i kushtueshëm dhe do t’u përshtatej më shumë pronarëve, jo vetëm për çmimin por edhe sepse ata qartazi kanë përparësi mbi ushtrimin e të drejtave ligjore mbi fëmijëve, duke qenë se pjesës më të madhe u kanë shfarosur prindërit, dhe natyrisht nuk mund t’i lënë fëmijët rrugëve.

Mishi i fëmijëve do të jetë stinor gjatë gjithë vitit, por do të jetë më i bollshëm nga mesi deri në fund të dhjetorit. Në fakt, një autor i famshëm, mjek i dëgjuar francez, na thotë që, duke qenë ballokumja një dietë që favorizon mbarështimin, në vendet ku besohet ende tek festa e verës, si në Kryeqytetin tonë, do të ketë më shumë fëmijë nëntë muaj pas kësaj feste. Si rrjedhojë, tregu për festat e fundvitit do të jetë plot e përplot me fëmijët e pabuksave. Por mos u frikësoni, vetëm përkohësisht numri i tyre do të jenë në mazhorancë, tre kundër një, në qytet, sepse qëllimi i këtij projekti është i dyfishtë: zvoglimi i numrit të zhulsave në qytetin tonë dhe ngopja e barkut të pronarëve.

Kam llogaritur që kostoja e rritjes për një çilimi të zhulsave (në kategorinë e të cilëve fus të gjithë katunarët, malokët, hamejtë dhe mëditësit te “Dogana” dhe “Ushtari i panjohur”) është afërsisht 20 mijë lekë në vit, me gjithë rrecka. Unë mendoj se askush prej pronarëve tanë s’do të kundërshtoj për 100 mijë lekëshin që do t’i kushtojë një zhuls i vockël topolak që, siç thashë, mund të sigurojë deri katër vakte apo të sigurojë festën kur të ketë të ftuar ndonjë mik sqimtar. Në këtë mënyrë pronarët do të mësohen të jenë pronarë më të mirë dhe do të fitojnë popullaritet midis punëtorëve të tyre. Ndërsa nënat do të kenë 100 mijë lekë përfitim neto dhe do të jenë në gjendje të punojnë derisa të pjellin një fëmijë tjetër.

Më kursimtarët (dhe këtu të gjithë e dimë sa nevojë ka ky vend për kursime) mund t’u rrjepin trupin topolakëve, lëkura e të cilëve, e përpunuar artificialisht, jep rezultate të mrekullueshme si dorashka apo çizme kalorsiake për zonjat dhe zotërinjtë.

Përsa i përket vetë qytetit, në pjesët më me zhul, mund të ngrihen thertore. Dhe të jemi të sigurtë që nuk do të mungojnë kasapët. Madje, për ata, do të hapeshin më shumë vende pune dhe do të punësoheshin të tjerë. Megjithëse unë do t’ju këshilloja që t’i blini të gjallë buçkot dhe t’i përgatisni të freskët, sapo të keni fshirë thikën me gjak, siç bëhet me rostot e gicave.

Miku im amerikan, një person me integritet të lartë, që e do këtë qytet, virtytet e të cilit ia njohim të gjithë, pati mirësinë së fundmi, duke folur mbi këtë argument, të më sugjeronte disa përmirësime për projektin tim. Ai thoshte, “nga momenti që shumë zotërinj të Kryeqytetit tonë kanë asgjesuar kafshët e egra në pyje e male, kudo nëpër Shqipëri, do të qe e udhës, për t’i bërë ballë mungesës së gjahut, të gjendeshin të rinj e të reja – nga 12 deri 14 vjeç, meshkuj dhe femra – dhe të lëshoheshin në pyje dhe male, ku do të priteshin nga gjahtarët dhe qentë e tyre, për të vazhduar kultivimin e këtij sporti të traditës shqiptare”. Gjithsesi, me gjithë respektin që kam për këtë mik, unë nuk mund të jem plotësisht dakort. Sepse, përsa i përket meshkujve, mishi i tyre në atë moshë është përgjithësisht i thatë, për shkak të veprimtarisë fizike, dhe është e kotë ta dhjamosësh sepse shija mbetej e shpifur dhe nuk ia vlente më barra qeranë. Përsa i përket femrave unë, me modestinë time, jam i mendimit që, në këtë mënyrë, do i shkaktohej një dëm tërë komunitetit, sepse për fare pak kohë këto femra do të ishin në gjendje të pillnin, pra, mund të gjeneronin fitim për shoqërinë tonë civile. Nga ana tjetër, ka shumë mundësi që persona disi të ndjeshëm me të drejtë mund të revoltoheshin (edhe pse pa justifikim), dhe ta merrnin si diçka mizore. Dhe e pranoj që, edhe në rastin e projektit tim, kjo ka qenë kundërshtia më e fortë e hasur, pavarësisht se e paraqitur me qëllimet më të sinqerta.

Por, për të justifikuar paksa mikun tim, duhet të them që ai ka qenë këshilluar nga i ati, i cili pati zbuluar gjatë robërisë së tij se si në Bashkimin Sovietik – ku mbarëbotërisht dihet që komunistët hanin fëmijët – pas një ekzekutimi me vdekje të një vajze rebele, trupi i saj i qe dhënë i ndarë me feta Sekretarit të Parë të Partisë dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, gjasme si specialitet i dorës së parë. Gjithsesi çdokush mund ta kuptojë që komunistët nuk i kemi njohur ndonjëherë qoftë për shije të rafinuara kuzhine, qoftë për ekonomi. Këtë e ka treguar historia dhe se si ata përfunduan. Gjithsesi, pavarësisht shijes disi relative të mishit, unë nuk mund ta mohoj plotësisht si mundësi që, nëse do të bëhej e njëjta gjë me shumë prej vajzave topolake të Kryeqytetit, të cilat bredhin me veshje dhe makina luksoze nga “Blloku”, pa punuar asnjë ditë në jetën e tyre (dhe nuk është e vështirë të kuptohet ku i kanë gjetur paratë), ky qyteti ynë nuk është se do të ishte më keq sesa ç’është sot.

Por le t’i kthehemi argumentit tonë. Disa persona, të zhgënjyer prej politikës së deritanishme, merakosen shumë për numrin e madh të pabuksave në moshë të thyer, të sëmurë dhe çalamanë, që zvarriten, edhe këta, rrugëve të Kryeqytetit. Dhe shpesh më kërkojnë të fokusoj reflektimet e mia mbi metoda që do të shpëtonin kombin prej kësaj barre të rëndë. Por unë s’do të merakosesha shumë për ta, sidomos nëse kemi parasysh ritmet e arsyeshme të vdekshmësrisë së tyre, që gjithnjë e më shumë ndihmohen nga braktisja e të afërmve. Ndërsa përsa i përket hamejve dhe mëditësve të “Doganës” dhe “Ushtarit të Panjohur”, duhet thënë se gjendja e tyre nuk u ofron shpresa më të mëdha sesa pabuksave të thyer në moshë. Këta gjithnjë e më pak arrijnë të gjejnë punë dhe, prej trishtimit, shkojnë e hidhen në liqen apo prej vinçave të grataçelave madhështore të Kryeqytetit. Dhe kështu çlirojnë veten dhe buxhetin e shtetit nga halli për të ardhmen.

Pra, për t’iu rikthyer sërish argumentit, pas këtj devijimi, më duhet të them që benefitet e propozimit tim janë mëse të dukshme dhe të një rëndësie të jashtëzakonshme.

Pikësëpari: siç e patë, do të ulet jashtëzakonisht numri i zhulsave prej të cilëve po mbytemi, duke qenë se janë pikërisht ata që pjellin më shumë në këtë vend, përpos se janë edhe armiqtë tanë më të rrezikshëm. Shihni për shembyll dëmin që shkaktojnë në turizëm, ku sado që qeveria bojatis pallate apo ndërton bunkerë atraktivë, turistit të thjeshtë i vjen ndot nga këto qelbësira. Dhe mos harroni: historia e këtij vendi na mëson se është pikërisht numri i tyre që na solli komunizmin. Prandaj le të mësojmë nga gabimet e të parëve tanë për t’i shndërruar këta zhulsa në potencial ekonomik të dobishëm për këtë vend, duke i integruar fizikisht midis nesh, në kuptimin më të vërtetë të fjalës.

Së dyti: prej propozimit tim, kjo pjesë e llumit të Shoqërisë sonë Civile, do të ketë mundësi të mbushi shtëpitë e marra me qera me orendi shtëpiake, të cilat mund të sekuestrohen lehtësisht prej pronarëve nëse ata nuk do të mund të paguajnë qeranë. Për kafshët e tyre, si p.sh. qentë e macet, nuk po flas, sepse edhe ato do t’ia kemi sekuestruar që në fillim, duke qenë, edhe këto, ushqim mëse i shijshëm, siç na thonë kohët e fundit vëllezërit tanë të rigjetur kinezë.

Së treti: duke qenë se kostoja e mbajtjes së një zhulsi nga 10 vjeç e sipër nuk kushton më pak se 100 mijë lekë në vit, llogaritet që arka e shtetit të kursejë 10 milionë euro në vit. Nuk po llogaris këtu xhiron vjetore që zonjat dhe zotërinjtë e nderuar prej Shoqërisë sonë Civile do të qarkullojnë duke konsumuar këtë ushqim klasi, aq më shumë kur mendojmë se kemi të bëjmë më 100% prodhim vendi.

Së katërti: prodhuesit direkt, veç marrjes së 100 mijëlekshit, do të çlirohen nga barra e rëndë dhe e detyrueshme e mbajtjes së zhulsave të vegjël pas moshës 1 vjeçare.

Së pesti: ky produkt i ri do mbushë me më shumë frekuentues “Pedonalen”, ku kjoskat e Bashkisë do të sigurojnë një klientelë shtesë përveç “lacave” dhe qoftexhinjëve të zakonshëm. Aty do të mund të vijnë zotërinj të një rangu edhe më të lartë, që, sigurisht, do të ndihmojnë në rafinimin e shijeve të bashkëqytetarëve.

Së gjashti: do të rritej konsiderata e humbur për martesën, për të cilën, siç mund ta dini, pjesës së llumit të shoqërisë nuk është se i intereson shumë. Por ne e dimë që martesa është bërthama gjeneruese ku duhet të mbështetet Shoqëria jonë Civile. Po ashtu, do të shtohej përkujdesi i nënave për fëmijët, të cilat nuk do shqetësoheshin më, si tani, duke menduar se si do u vejë halli fëmijëve, por do ta dinin fundin e tyre të sigurtë. Dhe të mos harrojmë efektin imitues të këtij propozimi, prej të cilit shumë gra të martuara do të merrnin shembull, duke nxjerrë në treg fëmijën e tyre më të shëndoshë. Burrat, prej frikës së abortit, gjatë shtatzanisë nuk do i rrihnin më gratë siç bëjnë rëndom sot, por do i përkëthelnin më të njëjtën dashuri që përkëdhelin pelat apo buçet e gjahut kur janë gati duke lindur.

Mund të rendis avantazhe të tjera, pa fund. Si p.sh. shtimi i eksporteve të viçave, derrave dhe shtimi i sasisë së proshutës që vështirë se gjendet sot për shkak të mungesës së mishit të kafshëve të njoma, të cilat i konsumojmë mizorisht kur ende nuk u është ndërprerë gjiri i nënës. Dhe të mos harrojmë që produktin më të mirë e mbajmë për vete. Proshuta nuk ka të krahasuar me mishin e zhulsave topolakë, që ju lë vetëm të imagjinoni se ç’përshtypje mbresëlënëse do të kishte në tavolinat e festave të Kryeministrit apo të ndonjë pritjeje publike. Por, po i lë këto detajet për t’i rënë më shkurt.

Duke supozuar që 1000 familje të Kryeqytetit të blinin mishin e fëmijëve të llumit rregullisht, shtojmë këtu edhe ata që do ta blinin me raste gëzimesh familjare, si martesa, fejesa, pagëzime, synetllëqe, etj., unë parashikoj që Tirana do të konsumonte – sidomos me ndarjen e re territoriale ku futen brenda Kodra e Diellit, Surreli, Farka, Petrela etj. – të gjithë kontingjentin e pabuksave të vegjël.

Sa për mua, i lodhur siç isha me utopitë e kota dhe pa lidhje me realitetin politik, deri para pak kohësh gjendesha thuajse në pikën më dëshpëruese të jetës sime, kur, pa pritur e pa pandehur, më erdhi në mendje ky propozim, krejtësisht origjinal, i qëndrueshëm, konkret, dhe, ç’është më e rëndësishmja, pa shpenzime. Ky propozim është tërësisht i mundshëm dhe, mbi të gjitha, nuk është në asnjë mënyre në kundërshtim me politikat integruese europiane. Në fakt, është vetë natyra e këtij produkti që nuk e përballon dot eksportin, sepse mishi është tepër i butë dhe prishet shumë shpejtë, pavarësisht se unë e di që janë dy a tre shtete fqinje të cilët mezi presin ta shijojnë këtë prodhim mishi autokton.

Unë, për propozimin tim, nuk shoh kundërshtime të mundshme, vetëm nëqoftëse ndonjëri do të evidentonte rënien e përgjithshme të popullatës. Unë këtë evidentim e pranoj me kënaqësi. Madje ky ka qenë edhe qëllimi i vetë propozimit tim. Gjithashtu i lutem publikut që të mos harrojë se ky propozim edhe pse është i vlefshëm vetëm për Tiranën dhe, maksimumi, për Shqipërinë, nuk dua të keqkuptohet; po ashtu të keqkuptohem edhe unë sikur të isha maksimalist i politikave kombëtare duke thënë që të konsumojmë vetëm prodhim vendi. Unë nuk jam absolutisht kundër tregut të lirë mbarëbotëror, si në kohën e Enver Hoxhës, ku ai qen bir qeni na detyronte të hanim barë pa i shtirë dorën armikut, sikur armikun ta kishim jashtë. Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar që të keqen e kishin dhe e kanë nga brenda. Madje kanë kuptuar, falë demokracisë 25 vjeçare, që armiku nuk luftohet me armë, por atij i shtrihet dora e paqes, e bashkëpunimit dhe e integrimit. Një integrim total, fizik, si ai, që me anë të këtij propozimi, i bëhet zhulit, llumit, urinës dhe nevojës së Shoqërisë sonë Civile.

Prandaj, shpresoj që të mos më dalë përpara ndonjë që të më japë mend për çështje kombëtare apo globale pa patur ndonjë ide realisht praktike dhe të besueshme për një shtet social apo globalizim të qëndrueshëm.

Pas kësaj, nuk jam parimisht kundër çdo propozimi që mund të bëjnë njerëz me integritet të lartë si i këtupranishmi, mjafton që të bëhet në mirëbesim të plotë dhe pa qëllime përfituese, i lehtë për t’u praktikuar dhe me pak kosto. Por përpara se të bëhen këto propozime, që duan të konkurrojnë projektin tim, duke ofruar ndonjë më të mirë, dëshiroj që autori, apo autorët, të kenë mirësinë të bëjnë llogaritë mbi dy pika. E para: duke qenë situata kjo që është, si do të mund të gjejnë ushqim dhe veshje për 100 mijë frymë dhe krerë të kotë. E dyta: ekzistojnë në këtë vend 1 milionë gjallesa, me ngjashmëri njerëzore, të cilat edhe sikur të bëjnë bashkë gjithçka kanë për të mbijetuar, prapë se prapë do të kishin një borxh kompleksiv prej 20 milionë eurosh. Dhe të mos harrojmë janë po ata, të njëjtët, që po na fëlliqin çdo ditë e më shumë përpara Europës duke iu bashkuar refugjatëve sirianë. Prandaj unë ju them pretendentëve, bëjini bashkë të pastrehët, lypsat profesionistë, katunarët që shesin barishte apo qumësht të pakontrolluar nëpër cepa pallatesh; bashkojini me malokët që punojnë me tulla e llaç dhe ndërtojnë shtesat e shëmtuara të pallateve të kohës së Enverit; shtojini mëditësit e “Doganës” dhe “Ushtarit të panjohur”; mos harroni t’i bashkangjisni këtij llumi gratë dhe çerrat e tyre pafund dhe, kur t’i keni bërë bashkë, bëjuni një pyetje, sidomos atyre që janë prindër: po ta dinit paraprakisht fatin e jetës suaj, a do të kishit preferuar, ju, o zhulsa, të ishit shitur si ushqimi më cilësor në treg në moshën 1 vjeçare, duke shmangur në këtë mënyrë mallkimet e jetës suaj, duke shmangur poshtrimin e pronarëve, pamundësinë për të patur një banesë apo strehë, për të shmangur urinë, rreckat dhe zhulin që ju mbulon, për të shmangur erën e urinës dhe nevojës që ju karakterizon? Hë pra, a do të kishit dashur të ishit shitur si copa mishin që në moshën 1 vjeçare, sikur ta dinit që brez pas brezi, me Zogun, Enverin apo me demokracinë e Shoqërisë Civile, ju dhe pjellat tuaja do të kishin po të njëjtin fat?

Në mbyllje, deklaroj këtu përpara jush se nuk kam asnjë interes personal përtej këtij propozimi, që është për të mirën e vendit, për të mirën e ekonomisë sonë, për asistencën e të vegjëlve dhe shtresave në nevojë dhe për t’u mundësuar një kohë të lirë më cilësore të pasurve. Pra, edhe një herë, unë nuk kam asnjë konflikt interesi, sepse nuk kam dhe as mund të kem fëmijë për arsye shëndetësore dhe ime shoqe nuk mund të sakrifikojë rininë dhe bukurinë e saj për vogëlsira të tilla.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s