Anri Sala polifonia dhe konflikti i interesit në Bienalen e Arkitekturës – Venecia 2016. (Romeo Kodra)

Si një nga pjesëmarrësit e konkursit të hapur prej Ministrisë së Kulturës për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016 mendoja se Mirela Kumbaro, të paktën për një herë në jetën e saj, do të më jepte të drejtë të publikoja dokumentet e prezantuara prej fituesve Simone Battisti, Leah Whitman-Salkin dhe kolektivi dizenjues Åbäke.

20160507_161404

“Të kam lënë malin” shpallet fitues si përfaqësues i Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016

Por, jo. E kotë. Justifikimi i përhershëm “nuk mundemi për shkak të të drejtave të autorit” (në një konkurs publik???), fshehu edhe një herë dallaveret e zakonshme alla shqiptarçe. Po ashtu Komisioneri për të Drejtën e Informimit, financuar me kushedi sa miliona nga Soros-i dhe qeveria shqiptare për të kontrolluar zbatimin e vetëm një ligji – të drejtën e publikut pët të aksesuar dokumente publike – e logjikoi të arsyeshme përgjigjen e Ministrisë.

Por, përveç se nuk kam kohë ta çoj çështjen në Gjykata, nuk do ta bëj sepse edhe po e mora të drejtën, që mendoj se kam, ky ligj fals për të cilin janë shpenzuar miliona për t’u hedhur hi syve taksapaguesve, nuk ndëshkon asnjë ministër, por ata të shkretë që venë firmat në dokumente. Praktikisht prej fitmit të të drejtës sime, maksimumi, mund të shkarkohet ndonjë protokollues i Minsitrisë së Kulturës. Kështu që janë të kota edhe panegjirizmat e vetvetes në faqet e qeverisë dhe të fondacionit Soros.

http://www.idp.al/index.php/sq/kreu-al/72-idp-sq/informacione/aktivitete/573-29-prill

http://www.osfa.al/ngjarje/konferencen-e-2-te-kombetare-per-te-drejten-e-informimit

Përveç dallavereve të Ministrisë së Kulturës, personalisht kisha edhe dyshime për plagjaturë. Kjo e fundit konsistonte te përdorimi i polifonisë që qëndronte në bazë të prezantimit të fituesve. Po jap më poshtë një frazë nga koncepti i metodologjisë së projektit “Pyramidal Disclosure” të prezantuar prej meje, njërit prej arkitektëve të “Piramidës” Pirro Vaso dhe Dritan Hyskës:

“Puna jonë hulumtuese frymëzohet prej iso-polifonisë shqiptare, cluster-toni [kështu e cilëson Vaso Tole] i së cilës materializohet edhe në hapësirën ekspozitive.”

Idenë fillestare mbi polifoninë për krijimin e eventeve kuratoriale, teatrore apo artistike e kam patur, përveçse nga ideja e krijimit në grup gjatë eksperiencës sime në Teatro Tascabile të Bergamos, bashkë me disa miq me të cilët organizuam (gjithsecili me interesat dhe fushat e veta të ekspertizës) një forum në vjeshtën e 2013 të titulluar “Polifoni pa fustanellë” (“pa fustanellë”, kuptohet, ishte për shmangien e folklorizmave, ekzoticizmave dhe ekstravagancave që “çmendin turistët e huaj”).

20160507_154132

Polifoni (pa fustanellë)

Ndërsa titulli dhe ideja e “disclosure” ishte hedhur si pjesë e një projekti të lënë përgjysëm me artistin Ergin Zaloshnja. Me të kishim menduar të bënim një espozitë me video-art te “Piramida”, ku do të trajtonim tranzicionin, dhe një titull me “disclosure” i vërtitej nëpër tru Erginit. Por, disa “shokë” të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, që kishin në dorë “fatet” e “Piramidës”, na thanë se duhet të aplikonim po tek ajo Ministri me një prej OJF-ve të tyre. Pasi u thamë që kishim mundësi ta gjenim vetë OJF-në “shokët” nuk u bënë më të gjallë.

Gjithsesi, përtej thashethemeve “eksituese”, koncepti i polifonisë tek i cili bazohesha për metodologjinë e projektit për Bienalen përbënte aparatin me të cilin përballohej “fronti” (koncepti i Aravena-s, kuratori i Bienales) i luftës për hapësirë midis artit dhe politikës. Si pikënisje kisha marrë arkitekturën dhe punën artistike të Dritan Hyskës mbi të (me të cilin kisha punuar në 2014) si dhe hapësirën e bulevardit të Tiranës dhe influencën e politikës që shpaloset e përfaqësuar në ndërtesat arkitekturore përgjatë tij. Aty kemi influencën indirekte të fashistëve, që me arkitekturën e tyre “moderne” shfrytëzuan kompleksin e “inferioritetit oriental” të shqiptarëve, të cilët dëshironin me gjithë shpirt modernizimin e vendit të tyre pas pushtimit otoman. Më pas kjo influencë indirekte e pushtetit fashist shndërrohet në direkte me pushtimin e Shqipërisë, dhe evidentohet njëkohësisht dhe përpikmërisht në hapësirë me theksimin e racionalizmit në arkitekturën e bulevardit. Çuditërisht, por jo edhe aq shumë, edhe Enver Hoxha përdor dhe ushtron këtë influencë direkte. Madje Ai bën një hap më tej: artin e mirë dhe të dobishëm e di Partia dhe çdo dukuri që devijon prej linjës së hequr prej saj dënohet dhe ndëshkohet …edhe fizikisht. Jemi në apoteozën e mendësisë totalitare që ecën paralelisht me dukuritë fenomenologjike të të konceptuarit arkitekturën dhe planifikimin urban të hapësirave publike.

Natyrisht në Bienale, me shembullin e “Piramidës” si casus perfekt (objekti i deklaruar si “apoteozë” përfaqësuese e pushtetit, por edhe më eksperimentali), do të demonstrohej edhe dalja, apo shkëputja e domosdoshme e artit prej pushtetit falë gjetjeve artistike, të cilat, me apo pa dashjen e subjektit/eve krijues/e, hapin “frontin” e “rezistencës” (Deleuze) përkundrejt pushtetit duke promovuar “diferencën e procesit krijues” (sërish Deleuze).

Por e gjithë kjo “filozofi” nuk i bëri përshtypje jurisë së nderuar ndërkombëtare të paguar me taksat tona prej Ministrisë së Kulturës. Natyrisht, si koncept nuk mendoj se është pa gjë, duke qenë se me të njëjtin u pranova për një kërkim PHD në Aalto University, një ftesë 3 mujore prej Institut National d’Histoire de l’Art në Paris dhe në një simpozium të OFF-Biennale-s në Budapest.

Gjithsesi fillimisht e mora me sportivitet. Prej Mirela Kumbaros e dija paraprakisht se nuk mund të pres asgjë, aq më shumë kur fus turinjtë te arkitektura dhe planifikimi urban për të cilin ka një djeshmëri të veçantë dhe ekstreme Kryetari i qeverisë, Edi Rama (për të kuptuar ndjeshmërinë e Edi Ramës mbi argumentin pyesni Maks Mitrojorgjin, tashmë ish-kryetarin e shoqatës së arkitektëve http://www.lapsi.al/lajme/2016/05/06/e-g%C3%ABnjeu-rama-dor%C3%ABhiqet-kryetari-i-arkitekt%C3%ABve#.Vy4-3lV97IU). Madje në Ministrinë e Kulturës po të njëjtin projekt nuk e financuan as me rastin e thirrjes për projekt-propozime të vitit 2016 … siç duket do akoma kohë Europa të kapë standartet jo vetëm të Ministres Kumbaro por edhe të ekspertëve të saj përzgjedhës, mëndjehollë e hundëhollë si pakkush, të cilët i nuhasin projektet e vlefshme tak-fak.

Megjithatë, kur pashë projektin e fituesve të konkursit për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës së Venecias 2016, vura re që midis tyre ishte si pjesëmarrës i ekspozuar edhe Artisti i artistëve, vetë Anri Sala. Çudia ime, por natyrisht jo ajo e gazetarëve shqiptarë, është se vetë Anri ynë kombëtar dhe internacional njëkohësisht, ishte, po aq njëkohësisht, edhe anëtar jurie tek i njëjti konkurs për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës së Venecias 2016.

20160507_161034

Anri Sala, përfaqësuesi i vetëzgjedhur i Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016

Pyetja është: në sa vende të Europës apo botës kjo çështje nuk do të përbënte skandal? Ose në sa vende të Europës apo botës pjesëmarrësit në këtë konkurs (dhe midis tyre ka kritikë të “jashtëzakonshëm”) nuk do e ngrinin zërin për të protestuar?

Por, ç’është me e keqja, skandali më i madh nuk qëndron te mundësia e të paturit ndonjë plagjaturë të rëndomtë në një konkurs ndërkombëtar, ku do të shiten majmunëritë me bisht alla shqiptarçe tek hipsterat e gjithë Europës (me pak raki të shërbyer prej hyzmeqarëve këngëtar me kësula e fustanella do të ishte perfekte), por te manipulimi që pushteti politik shqiptar i bën eventeve artistike lokale për të patur një impakt në imazhin e tij ndërkombëtar. Skandali më i madh është vazhdimi i manipulimit që dyshja Rama-Sala po u bëjnë tashmë prej 10 a 15 vjetësh të huajve (që shpesh herë për përfitime materiale mbyllin një sy, e me raste edhe dy) për të patur votat e shqiptarëve, të cilët me komplekset e tyre të inferioritetit oriental ende kujtojnë se çdo gjë e huaj, perëndimore, paçka se filtrohet nga pushteti politik, është “moderne”.

P.S. Me anë të e mail-it kam njoftuar drejtorin e Bienales së Venecias Paolo Baratta, përfaqësuesin ligjor të Bienales, kuratorin Alejandro Aravena si dhe do të kontaktoj të gjitha redaksitë mediatike të mundshme, në Itali, Francë a gjetkë.

P.P.S. Ky shkrim, gjithashtu, është edhe një lloj përgjigjeje për një e mail që mora para pak ditësh, të firmosur Anri Sala (të cilin nuk e njoh e as kam folur ndonjëherë), ku ftohesha për hapjen e “Resë” (The Cloud) të dizajnerit japonez Fujimoto pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, me pjesëmarrjen e të famshmit Hans Ulrich Obrist.

Advertisements

2 mendime mbi “Anri Sala polifonia dhe konflikti i interesit në Bienalen e Arkitekturës – Venecia 2016. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s