TR030: plani urbanistik i Tiranës dhe “dëgjesa publike” sipas Bashkisë. (Romeo Kodra)

Para disa ditësh vura re një lajmërim në faqen e facebook-ut të Tirana030, faqja që Bashkia e Kryeqytetit ka hapur për të komunikuar publikisht rrugëtimin e planit urbanistik të Stefano Boeri-t. Aty thuhej: “Të premten tek Hotel Tirana, ora 9:00, arkitektë, urbanistë, ekonomistë, punonjës socialë, planifikues urban, studentë, profesorë dhe qytetarë do të mblidhen për të diskutuar dhe debatuar mbi Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës. Do të ketë prezantime dhe tryeza të rrumbullakëta diskutimi mbi çështjet e mëposhtme: Turizmi, Mjedisi, Bujqësia dhe Ushqimi, Rigjenerimi Urban, Infrastruktura, Mobiliteti, Zhvillimi Ekonomik dhe Kultura. Kjo është dëgjesa e konsultimi ynë i parë publik ndaj ftojmë të gjithë të na bashkohen për të hartuar sëbashku draftin e ri me ne.” (Evidentimi i imi) Fjalët kyçe, që më tërhoqën vëmendjen, ishin “dëgjesa” dhe “konsultimi publik”. Por ç’do të thotë kjo për Bashkinë? Çdo të thotë kjo për një Bashki që kujton se nëpërmjet facebook-ut po komunikon me romët e bregut të Lumit, më fshatarët e rrethinave, me ata që Kryeministri Rama quan “alpinët që janë bërë pronarë”? Për të ndihmuar lexuesin, po përshkruaj “aventurën” time të 8 prillit në Hotel Tirana.

Tirana 030 _ Tirana Calling

Salla ku zhvillohej kjo dëgjesë ishte plot që në 09.00 të mëngjesit, ora e fillimit. Përpara hyrjes disa zonjusha të sjellshme prisnin pjesëmarrësit me fletat e regjistrimit të të dhënave personale (emër, mbiemër, e mail) dhe regjistrimin e tryezës së interesit. (Më në fund pjesëmarrje publike, thashë me vete!) Tryezat ishin paracaktuar që do të zhvilloheshin në pjesën e dytë, ku do të merrnin pjesë ekspertë të ftuar paraprakisht prej Bashkisë dhe (teorikisht) të interesuar prej publikut.

Tirana030 _ Tirana Calling _ Shkreli

Pasi u regjistrova si duhej u futa dhe zura një vend. Teksa prisja fillimin (për afro 30 minuta) më afrohet një person që pa e pyetur më thotë “Me se mund t’ju ndihmoj?”. I habitur i them se nuk kasha kërkuar asgjë. Ky tipi duke më parë nga lart poshtë më thotë se nuk mund të hyja me çantë dhe se duhej ta shoqëroja jashtë që ta lija te recepsioni i Hotel Tiranës. Menjëherë nuhata idiotësinë institucionale shqiptare, policin e zellshëm që ha qyl rrogën në Bashki falë taksave të mia. I thashë me një ton të irrituar që pikësëpari duhej të identifikohej, së syti duhet të ma kishte thënë që para se të hyja që nuk ishte e lejuar hyrja me çanta, së treti duhej të ngrinte e të shoqëronte jashtë të gjitha gratë e burrat me çanta në sallë përpara se të ngrihesha unë. Duke skërmitur disi dhëmbët, ky miush i Bashkisë (peshonte sa gjysma ime ndër të tjera), më tha që ishte “menaxher i sallës” (ky kaqol nuk shihte që menaxherët e hotelit ishin me uniformë) dhe duke më vënë dorën në sup, duke u munduar të ma shtrëngonte në shenjë kërcënimi, më thotë që do shiheshim përsëri. I thashë “me gjithë qejf”, sapo kishte një pushim.

Më pas mora vesh se disa zagarë të infiltruar prej Bashkisë kishin tentuar të nxirrnin jashtë edhe një aktiviste (Alida Karakushin) që prej kohësh po proteston me shumë të tjerë (përfshi dhe mua) në mbrojtje të Parkut Artificial të Liqenit prej betonizimit të Erion Veliajt. Mesa duket qenkemi të skeduar të gjithë në Bashki dhe, prej frikës se mos bënim ndonjë skandal prej “vandalësh”, po përpiqeshin të na ndalonin. Gjej rastin edhe një herë tu them halldupëve në Bashki që nuk jemi njësoj! Dhuna, idiotësia, maskarallëku, pabesia – si gjatë gjithë këtyre muajve protestash – ka patur, ka dhe do të ketë vetëm një vektor, vetëm një drejtim, nga lart-poshtë, nga pushteti tek qytetari. Kështu që, pa merak: do jeni gjithmonë ju fituesit në garën e dhunës, idiotësisë, maskarallëkut dhe pabesisë.

Pasi u dëgjuan disa prezantime aspak interesante, plot gjëra të ditura e stërditura, për të mos thënë banale, dolëm në një pushim 15 minutësh. Tipi i mëparshëm ishte zhdukur. Iu drejtova një të ngjashmi të tij. Mos t’i duket çudi askujt se si dhe nga e kuptova ngjashmërinë. Është, e përsëris, çështje nuhatjeje.

Në atë moment afrohet dhe miku im S., që pati fatin të ishte i pranishëm në skeç.

Halldupi tjetër, pasi më dëgjoi që po kërkoja një “trim” që më kishte premtuar se do të shiheshim, na u prezantua si punonjës i Bashkisë dhe na kërkoi se kush ishim, nga vinim. I thamë se ishim jo si përfaqësues, por si persona të thjeshtë që vinin nga Tirana. Pyetja “inteligjente” prej gojës së halldupit ngulmoi: “si persona? Por, nga çfarë shoqate?” Iu përgjigjëm sërish, “jemi këtu si qytetarë të thjeshtë”. Duke u fryrë disi, sepse kushedi u ndje i provokuar apo kujtoi se kishte ndonjë tendencë ironike te përgjigjia jonë, na tha “unë u prezantova (siç duket e merrte si prezantim të qënurit “punonjës i Bashkisë”) dhe mos flisnim me ironi”. Në pak fjalë, të jesh qytetar i thjeshtë në një thirrje për pjesëmarrje publike të hapur, të mos kesh përkatësi institucionale, të mos jesh i institucionalizuar, halldupëve të Bashkisë u duket ironi apo provokim!

Gjithsesi në pushim pata rastin të flas 5 minuta me Stefano Boeri-n, që në fund të fundit ishte një prej qëllimeve kryesore të pranisë sime në takim. E pyeta pa shumë filtra nëse e dinte se çfarë po bënte, me kë kishte të bënte (Ramën, Veliajn dhe shkatërrimet e paligjshme të tyre kundër qytetarëve për zgjatimin e bulevardit) dhe nëse nuk shihte edhe ai një kontradiktë tek ideja e policentrizmit dhe idiotësisë së bulevardit, dukuria urbane më centralizuese që mund të ekzistojë. U shpreha pikërisht kështu (kur them pa filtra, nuk nënkuptoj metaforikisht). Boeri, nga ana e tij, më tha se zgjatimi i bulevardit ishte diçka “megalomane”/megalomaniakale dhe se në planin e tij e dinte mësëmiri cilat do të ishin sfidat. Gjithsesi, duke më thënë që më kuptonte qartë dhe duke më ftuar t’i shkruaja, më sugjeroi që “kjo mundësi duhet kapur gjithsesi” dhe se “duhet të kapemi pas çdo sinjali positiv”. Pavarësisht sekpticizmit i thashë se duhet të flisnim më gjatë për këtë dhe i propozova një intervistë, të cilën e pranoi me gjithë qejf dukë më dhënë kartvizitën personale. (Jam në pritje të përgjigjes së tij që prej datës 10 prill.)

Pas pushimit pati disa prezantime të tjera aspak interesante dhe monotone dhe pas tyre një pushim dreke. Pas saj po përgatiteshim të rifuteshim në sallë dhe të merrnim pjesë në tryezat e Bashkisë. Por edhe një herë Bashkia nxorri fytyrën e vet. Këtë herë në mënyrë më flagrante. Në pak fjalë bllokoi njerëzit që nuk ishin të ftuar në tryeza, prej tyre dhe mua, me pretendimin se nuk kishte vende. Halldupët kishin marrë urdhër nga lart që të mos lejohej askush që nuk ishte i ftuar. Në pak fjalë publiku. Fati desh që pas meje, duke mbajtur rradhën për të hyrë ishte Stefano Boeri, të cilit i komunikova faktin idiot e aspak të papritur prej kësaj Bashkie, për të cilën e kisha vënë në dijeni edhe më parë. Duke kaluar përpara radhës Boeri i komunikoi halldupit që qëndronte te dera se tryezat i kishte menduar të hapura për publikun. Menjëherë u futën ata pak persona që nuk kishin ikur pas komunikimit të pamundësisë së pjesëmarrjes.

Fillimisht kisha vendosur të lëvizja nga një tryezë në tjetrën për të parë “kapacitetet intelektuale që Bashkia kishte shtrydhur dhe ftuar nga konteksti ynë mesjetar”; kisha vendosur të shkoja aty ku trajtoheshin “kultura”, “urban regeneration”, “smart city”, aty ku mendoja se kam dije mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë po bëhej. Por u ndala vetëm tek e para, te “Tirana Calling – Culture”.

Në “tryezën e hapur për publikun” me 12 karrige, prej Bashkisë ishin ftuar 12 persona. Dhe duke qenë se mua, të paftuarin donin të më linin jashtë, do të thotë, nëse aritmetika nuk është opinion, që publiku ishte i përjashtuar. Bashkia, si Rilindja në përgjithësi, u tregua edhe një herë autoreferenciale. Atyre u pëlqen të prostituojnë me fjalët, të inflacionojnë kuptimin e tyre dhe të masturbojnë “mes vedi”. Në AKSREVISTA kam shkruar mjaftueshëm për kuptimin që Rilindja u jep fjalëve si “transparencë”, “konkurs publik” apo çfarëdo sintagme tjetër ku mund të përdoren këto terma.

Sidoqoftë, prej 12 të ftuarve vetëm dy ishin jashtë institucioneve nën varësinë e Bashkisë apo bashkëpunëtorëve të Boerit. Besoj se ishin pak për të patur një feedback real prej gjendjes aktuale të kontekstit kulturor dhe mundësive më të mira që ofron, apo jo?

Dëgjesa e publikut

Për më shumë këta dy persona ishin Stefano Romano, i cili, duke parë kontributin e dhënë në tryezë, mendoj se Bashkia ndoshta e kishte ftuar më shumë si përkthyes sesa si një prej artistëve më aktiv në Shqipëri në dekadën e fundit; dhe Rubin Beqo, administrator i qendrës TULLA, mik i ngushtë i Kryebashkiakut Erion Veliaj. Stefano është një nga njohësit më të mirë të artit bashkëkohor shqiptar dhe Rubini një nga PR më të suksesshëm, por asnjëri prej tyre, në dijeninë timë, nuk njeh politikat kulturore apo strukturat e ndryshme menaxheriale të cilat mund të nevojiten bie fjala për një plan urban policentrik, siç është promovuar ky i fundit prej Boeri-t.

Në tryezë, Bashkia kishte hedhur një dosje të lidhur si mos më keq, ku flitej për asetet, mundësitë, kapacitetet hapësinore dhe intelektuale të artit dhe kulturës kryeqytetase. Në pak fjalë kishtë vënë në dispozicion të Boerit dhe bashkëpunëtorëve të tij të dhëna “të nevojshme” për fillimin e një drafti të projekt-platformës së Masterplanit Urbanistik. Këto të dhëna, përsa i përket hapësirave të artit bashkëkohor, dokumentonin qendrën Tulla dhe Tirana Ekspres, kjo e fundit prej kohësh e mbyllur. Kaq. Vetëm kaq. Dhe vetëm me këtë informacion mund të kuptohet sesa e njeh Bashkia territorin.

Gjithsesi, pavarësisht injorancës së qenësishme, këmbëngulëse për të qenë e tillë, dhe të qëllimshme të Bashkisë, është për t’u vënë re praktika e kërkuar prej Boerit dhe ekipit të tij. Nga kjo mbledhje e parë kërkonin informacion. Mapping. Të dhëna mbi të cilat të fillonin konstruktimin e planit urbanistik. Në pak fjalë duhet vlerësuar qëllimi për të njohur kontekstin mbi të cilin planifikojnë të ndërhyjnë. Por kanë pak shanse. Nga tryeza e parë nuk morën veçse informacion mbi të pranishmit dhe pak të dhëna të përgjithshme. Dhe kanë pak shpresa të kenë të tjera. Erion Veliaj, në fjalën mbyllëse, kërkoi që të bëheshin takime të mëtejshme dhe mundësisht më të ngushta, midis ekspertëve të Boerit dhe ekspertëve të pranishëm, pra vetë Bashkisë. Pra, ka pak shanse që Bashkia të heqë dorë nga autoreferencializmi dhe Boeri të marrë të dhëna nga konteksti.

Nuk mbetet veçse Boeri të zbulojë vetë territorin. Unë një ftesë për konferencë të hapur publike ia bëra.

… to be continued.

P.S. “Dëgjesa” e vetvetes prej Bashkisë ishte në anglisht dhe italisht, që sipas ligjit mund të quhet e pavlefshme.

Një mendim mbi “TR030: plani urbanistik i Tiranës dhe “dëgjesa publike” sipas Bashkisë. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s