“Politika” dhe lidhja rivirgjëruese me realitetin qytetar. (Romeo Kodra)

Mbi kuptimin kryeministror te fjales betonizimNjë çështje si ajo e mbrojtjes së Parkut Artificial të Liqenit prej betonizimit, që qeveria e Edi Ramës nëpërmjet Kryebashkiakut Erion Veliaj kërkon të implementojë, mund “të përvetësohet” nga një individ apo grupim, dhe mund “të vidhet”. [Është idiotësi të mos pranosh vjedhjen e kauzave qytetare, sidomos prej partive apo shoqatave para+politike në Shqipërinë e 25 viteve të fundit].

Thonjëzat nuk janë për të shenjuar kuptimin metaforik. Thonjëzat janë për të shenjuar rëndësinë e përdorimit të vetë fjalëve, për t’i theksuar më shumë. Po mundohem ta shpjegoj më poshtë.

Të gjithë “aktorët” ekonomikë, socialë, mediatik dhe politikë, vendas dhe të huaj, propagandojnë përparësinë e stabiliteti politik për Shqipërinë. Në pak fjalë kjo propagandë thotë se, për ne si shqiptarë, është mirë që të lëmë rehat qeverinë që fiton zgjedhjet në qeverisjen e saj 4 vjeçare.

Por ç’thotë qytetari që nuk përfaqësohet apo nuk do të përfaqësohet nga këta “aktorë” që predikojnë stabilitetin? A e dëgjon njeri qytetarin që nuk kërkon të luaj “teatrin e aktorëve” ekonomikë, socialë dhe politikë? A e dëgjon njeri këtë qytetar që nuk duron dot më palaçollëkun e propagandësa elektorale që shfaq surratin e vet më të ndyrë në më pak se 6 muaj si në rastin e Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj që ndynte gojën me “zero beton e ndërtime” në fushatën e qershorit të shkuar? A e dëgjon njeri këtë qytetar që ka kuptuar se politika nuk ka më asnjë skrupull në vjedhje dhe për këtë nuk mund të tolerohet, jo më për 4 vjet, por asnjë minut?

Ky është një problem goxha i madh, por akoma më i madh bëhet kur konstatohet që numri i këtyre qytetarëve që nuk duan të luajnë “teatrin” ekonomik, shoqëror, mediatik dhe politik të “aktorëve”/marioneta që janë bërë zëdhënës të pjesës dërmuese të shqiptarëve, është reduktuar në, pak a shumë, 50 vetë. Pra problemi më i madh është tek asgjesimi, agresiviteti dhe trysnia e vazhdueshme dhe menefregiste ndaj qytetarëve protestues te Parku që “aktorët e qelbur të teatrit të ndyrë të politikës së përfaqësimit indirekt” po ushtrojnë dita ditës.

Në pak fjalë ka fare pak qytetarë që në mënyrë direkte kanë këllqe dhe duan të ushtrojnë të drejtën e tyre pa u përfaqësuar politikisht në mënyrë indirekte prej një partie, shoqate apo fondacioni. Pra duan të angazhohen direkt për t’i dhënë kuptim, përtej metaforave, qytetarisë. Dhe kjo nuk është pak, sidomos pas masakrës së 21 janarit ku 4 qytetarë humbën jetën dhe asnjë politikan nuk pagoi jo më me kokë, por as politikisht (Ilir Meta – shkaktari i protestës – madje shkoi në zgjedhje nga 6% në 19%, mos harroni!!!). Madje pas masakrës z. Arvizu, ambasador i vëllezërve tanë amerikanë, quante “burrë shteti” Sali Berishën, kryeministër i epokës në fjalë dhe president vizionar i ’97. Pra nuk është e paktë që ka ende qytetarë që protestojnë direkt, në vetë të parë, pas mësimit që u dha pushteti më 21 janar 2011.

Por, me gjithë kafshërinë e historisë të ushtruar ndaj qytetarisë, në Shqipërinë e ditëve të sotme, këta protestues të Parkut janë më të urryerit nga pushteti qeveritar sepse prej mëse një muaji me argumenta dhe ligj në dorë po denoncojnë korrupsionin dhe po nxjerrin lakuriqësinë e fashizmit të një Kryeministri dhe një Kryebashkiaku që kanë firmosur një leje ndërtimore duke kapërcyer të gjitha procedurat institucionale që duhet tu kishin paraprirë. Janë të urryer nga opozita sepse nuk e kanë pranuar bashkëpunimin me të, duke qenë se kjo opozitë po kërkon të rivirgjërohet politikisht nëpërmjet mbështetjes së protestave pa kërkuar paraprakisht ndjesë për kafshërinë e qeverisjes së saj përpara 6 muajve ku ekspozohen sot e kësaj dite emblema si gropa poshtë Digës së Liqenit dhe 13 katëshi te Filologjiku. Janë të urryer nga media sepse këta qytetarë përdorin fakte ligjore, administrative dhe procedura të cilët media, pavarësisht se duhet ta ketë deontologjikisht në profesion, nuk është mësuar të përdorë për faktin e thjeshtë se njeh vetëm papagallizimin e propagandës të njërës apo tjetrës parti politike që e mban me bukë, apo injoron atë që në gjuhën e popullit quhet “cipë”. Është e urryer edhe prej disa figurave intelektualistike, tip opinion-makers, që kujtojnë se intelektuali është një status dhe jo një praktikë e përditshme. [Ata që prej kësaj kategorie kam më shumë qejf personalisht, për kapacitetin intelektual prej caracash, janë ata që pretendojnë copyright-in e antikonformizmit duke harruar që pikërisht falë këtij shpirti garues (“ku ishit ju kur unë …” e tërci e vërci) janë pre e makinerisë antagoniste dhe egoistike të kapitalit.]

Duke qënë kaq pak, këta qytetarë që protestojnë për Parkun, por jo vetëm (shumë prej tyre i kam parë të protestojnë për taksat e Universitetit, për romët dhe egjiptianët e shpërngulur prej Unazës së Madhe, për armët kimike, etj.), rrezikojnë që tu “vidhet dhe përvetësohet” kauza apo çështja. Kjo mund të ndodh jo sepse unë e perceptoj problemin si të ishte një pasuri objektive apo konkrete në duart e këtyre protestuesve, por sepse pas akteve që ata kanë kryer, pas rezistencës fizike, atyre u nevojitet edhe fjala. Vulosja e autoritetit të tyre. Duket si problem abstrakt në një shikim të parë apo sipërfaqësor, por është një praktikë ajo e uzurpimit apo mohimit të hapësirës së fjalës që në Shqipëri praktikohet prej kohësh prej pushtetit sundues nëpërmjet propagandës direkte apo mediatike në popullatë. Në Shqipëri qytetaria ka qenë gjithmonë parti e përfaqësuar prej atyre që kishin parë botë me sy (Stambollin, Parisin apo Nju Jorkun, pak rëndësi ka). Në Shqipëri çlirimtarët kanë qenë gjithmonë parti (komunistë, ballistë, zogistë). Në Shqipëri disidenca ka qenë gjithmonë anti-parti. Në Shqipëri revolucioni (shih ’90), nëse mund të quajmë kështu ndryshimin e sistemit diktatorial, ka qenë parti, ose kur nuk është perceptuar si i tillë, subjekti revolucionar/qytetarë është konceptuar si një masë amorfe e paqenë. Jo mëkot thuhet se në ’91 “ra busti i Enver Hoxhës” apo “ra diktatura” sikur të ishte penguar diku pa dashje, apo sikur njerëzit që dilnin në shesh të ishin dele që kishin dalë për të kullotur.

Meraku që më ha është se fjala është pushtet, dhe në këtë rast qytetari duhet të dijë të praktikojë këtë pushtet. Natyrisht, pa e instrumentalizuar, por duke e praktikuar përveçse fizikisht, duke bërë rezistence, edhe duke e artikuluar në hapësirën qytetare, cilado qoftë ajo reale, virtuale, mediatike, politike.

Në mbyllje duhet të qartësoj mendimin tim për lexuesin në lidhje me atë dilemë që mesa duket mundon më shumë këta pak qytetarë në orët e fundit, sidomos pas ndërhyrjes së PD-së në Park ditët e fundit.

Qytetarët protestues janë një faktor në realitet, në terren, por nuk janë të tillë mediatikisht e aq më pak politikisht. Dihet që grupime si PD-ja duan të përdorin mediatikisht dhe politikisht një çështje të tillë, dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe. Por si protestues i thjeshtë në mbrojtje të Parkut personalisht nuk mund ta shoh veten krah për krah PD-së fizikisht. Natyrisht mbështes të drejtën e tyre të denoncojnë shkeljen e ligjit që qeveria po kryen te Parku Artificial i Liqenit, por në asnjë mënyrë nuk lejoj që fjalën për aktin tim të rezistencës ta marrë një parti politike si PD-ja apo cilado parti tjetër që përfiton nga përfaqësimi indirekt i qytetarëve. Personalisht nuk do i bashkohesha protestave të asnjë lloj grupimi që nuk merr pjesë direkt, fizikisht dhe praktikisht në çështjet qytetare dhe nuk i artikulon në mënyrë koherente këto akte rezistence nëpërmjet fjalës.

Pra problemi është koherenca midis akteve dhe fjalëve.

Tani, siç e panë të gjithë, deputetë dhe aktivistë të PD-së morën pjesë në protestë, pra reaguan ndaj një situate reale, konkrete. Por kjo ndërhyrje bie ndesh me aktet e tyre të para 6 muajve. Bie ndesh me gropën poshtë Digës dhe 13 katëshin. Kjo i bën ata të mos jenë faktorë të besueshëm në terren, sepse faktet e këtyre faktorëve janë kontradiktorë apo skizofrenikë. Për të qenë faktorë ata duhet të purifikohen: me akte dhe me fjalë. Pikësëpari duke eleminuar skizofreninë që ende mbartin me të shkuarën e afërt, duke kërkuar ndjesë për aktet e tyre të mëparshme (gropën e Digës dhe 13 katëshin); së dyti duke përjashtuar figurat e akteve të mëparshme (dhe këtu Lul Basha rrezikon); së fundmi duke bërë emrat e oligarkëve me të cilët kanë patur të bëjnë deri dje në aferat korruptive të ndërtimeve me të cilat po ndeshen këto ditë. Ky do të ishte një purifikim/katharsis i PD-së pas së cilës do të mund të bashkoheshin me qytetarët që po protestojnë te Parku Artificial i Liqenit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s