ANRI SALA (dhe sinjalet e ekzoticizmit): ANSWER ME. (Romeo Kodra)

Anri Sala _ New York

Anri Sala, sot, është një nga artistët më të mëdhenj bashkëkohorë në botë. Do të doja ta besoja edhe unë, si çdo shqiptar, por a ka ndonjë njeri që di ta shpjegojë në shqip? Është goxha sfidë të gjesh në shqip ndonjë shkrim bindës për këtë … natyrisht po flas përtej panegjirizmave të tipit “fenomeni Sala”, ku me fenomen nënkuptohet analogjia e Salës me Ronaldon e futbollit dhe jo me filozofinë e Hegelit apo Husserlit. Gjithsesi, si i thonë një fjale, i duruari i fituari.

Por madhështia e Anri Salës, pavarësisht teksteve shkencore, na vjen gjithsesi … nëpërmjet artikujve “të thellë” të medias së përditshme. Para pak ditësh, në një të tillë, hasa on line këtë fragment:

“Ajo që mungon dukshëm dhe dëshpërueshëm është një skenë artistike ku dialogojnë dëshirat dhe vizionet dhe jo ku shfryhet kundër gjasave të munguara. Në momentin që do të ketë një qasje më pozitive dhe altruiste, me shumë gjasa do të marrë formë dhe frymë një skenë që do të sjellë dhe më shumë hapësirë, dialog, energji, pozitivitet, kritikë të mirëfilltë, dëshirë pjesëmarrjeje, që së fundi do të përmirësojë cilësinë e institucioneve lokale dhe do të zgjojë interesin e institucioneve dhe kuratorëve ndërkombëtarë, çka do të ishte sa inkurajuese dhe jetike për artistet e rinj. Por për këtë duhet ndryshuar qasja: të qenurit skeptik nuk është shenje zgjuarsie apo mungese naiviteti, por simptomë dorëzimi që dëshmon fundin e dëshirave.” – cit. Anri Sala. http://www.shekulli.com.al/p.php?id=395569

Shumë interesant si mendim, sidomos kur vjen prej njërit prej artistëve më të mëdhenj bashkëkohor. Lind pyetja: a ka vend ky pedagogjizëm? A ka kuptim? Përgjigjia duhet ndarë në disa pjesë, për të qenë më e kuptueshme.

1. Në Shqipëri nuk ka skenë artistike sepse është e zaptuar prej pushtetit politik dhe pseudo-artistëve që u jargaviten nga pas. Rast emblematik është masturbimi i ndërsjelltë që Anri Sala po praktikon me Edi Ramën prej vitesh. Nëse ky dialog “dëshirash dhe vizion” mund të quhet shembull për një skenë, ajo, për mendimin tim, nuk është artistike por një skenë prostituimi.

2. Për “pozitivitet dhe altruizëm” Anri Sala na dha shembullin më të mirë në përzgjedhjen e fundit për Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2016, ku prej pozicionit të Kryetarit të Jurisë së Ministrisë së Kulturës zgjodhi fitues projekt-propozimin e platformës ku vetë merrte pjesë. Natyrisht Anri Sala me këtë shembull i ka lënë më shumë sesa një vend vetes për të na predikuar nga maja e plehut të institucionit të quajtur Ministri e Kulturës “hapësirë, dialog, energji, pozitivitet, kritikë të mirëfilltë, dëshirë pjesëmarrjeje”. http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/02/27/anri-sala-perfaqeson-shqiperine-ne-bienalen-e-venecias/

3. Të bësh lidhjen e të përcaktosh “të qenurit skeptik” si “simptomë dorëzimi që dëshmon fundin e dëshirave” është injorancë e vetëdemonstrueshme prej kundërshtisë së përdorimit të termave. Pikësëpari, sepse duke përdorur një terminologji të lëmës së psikanalizës do të thotë t’i japësh diskurit një nivel paksa më shumë se profan. Në fakt “simptoma” apo “fundi i dëshirave” janë koncepte të tilla, psikanalitike. Së dyti, duke qenë të tillë ato bien ndesh me skepticizmin, që në vetvete është i cytur prej dëshirës, prej pulsionit të saj, që kërkon të dijë, të dyshojë, të shohë në mënyrë të hollësishme (ky është kuptimi në greqisht i fjalës – skeptikos). Madje vetë psikanaliza si shkencë nuk do të ekzistonte pa skepticizmin, pa dyshimin (P. Ricoeur, “De l’interprétation. Essai sur Freud”), aq më pak do të ekzistonte arti.

Në mbyllje doja të përfundoja me një skepticizëm. Për ta qartësuar po përdor edhe një herë pjesë nga artikulli i “Shekullit”.

“Që kur e pashë “Intervistën” në 1998 më ka bërë shumë përshtypje. Është një vepër me shikim të parë, shumë e thjeshtë, thuajse një ditar apo një rrëfim, por në të vërtetë shumë komplekse. Është një lloj detective story, ku zbulohet se fajtori dhe viktima janë i njëjti person-mamaja e Anri Salës, që në këtë vepër mishëron thuajse metaforën e një kombi të tërë. Dhe është një detective story në të cilën kërkohet të zbulohet e vërteta, duke rindërtuar një kolonë zanore, duke rizbuluar gjuhën dhe tingullin. Ky shqetësim që përcillet më tingullin, si mjet i së vërtetës “do të rikthehet” në të gjithë karrierën e Anri Salës. Është ura lidhëse për shumë vepra të tij, dhe për të gjitha veprat në ekspozitën e New Museum. Në të përgjithshmen, “Intervista” nënvizon edhe një karakteristikë tipike të të gjitha regjimeve totalitare dhe të gjitha ideologjive; pushtimi i gjuhës, dhuna delikate dhe e padukshme në të cilën gjuha-formohet, transformohet dhe zbrazet nga çdo kuptim.”

Tani, shpresoj të mos mendoj ndonjëri që unë do fokusohem tek “rënia e pikës” prej kuratorit Gioni tek sheh gjenezën e Salës si artist tek mamaja, tek roli i saj në shoqërinë e hapur dhe civile shqiptare. A jo, jo. Në këtë pikë nuk kam skepticizëm; kam bindje. Mua tjetërkund më rreh çekani. Tjetër skepticizëm kam. P.sh. si ka mundësi që Massimiliano Gioni, kuratori i Anri Salës, vë theksin e punës së Salës, që herët madje, që në 1998, pikërisht tek detektiv story? Pse ky fokusim tek metafora e detektivit, tek profesionisti i skepticizmit? Nga ana tjetër, si ka mundësi që një detektiv të mos jetë skeptik, siç na këshillon të jemi Anri Sala? Goxha kontradiktë. Madje midis kuratorit dhe vetë artistit, nëse do u përmbahemi fjalëve të këtij artikulli. Mos ndoshta të huajt shohin Salën me një dozë të madhe ekzoticizmi dhe i kopsisin koncepte që ai vetë nuk ua ka idenë? Apo, mos ndoshta, është Sala që nuk do të ndajë këtë “sekret të madh” me ne provincialët e Shqipërisë? Këto janë thjeshtë pyetje që më vijnë prej skepticizmit, të cilat mund të mos jenë automatikisht “shenja zgjuarsie”, por për një gjë jam i sigurt: nuk janë “fundi i dëshirave”. Përsëpaku, jo fundi i dëshirës sime për bërë pastrimin apo higjenizimin e kontekstit artistiko-kulturor shqiptar prej shitjes së ekzoticizmave për art të miërëfilltë autokton.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s