Ta bëjmë Tiranën si Liqeni apo Liqenin si Tirana? … apo propozimi që presim prej Kryebashkiakut.

Më 28/02/2016 qytetarë të Tiranës, siç kishin paralajmëruar, kryen një aksion rekuperues të parkut natyror të Liqenit, duke mbjellë fidanë aty ku Bashkia e Tiranës, e yshtur nga oligarkët e betonit dhe asfaltit, po ndërton në mënyrë të paligjshme një kënd lojrash për fëmijë.

Në të njëjtën kohë, Kryebashkiaku Erion Veliaj, kishte organizuar një event për fëmijët e shkollave fillore të Tiranës (çuditërisht të djelën) vetëm 100 metra nga vendi ku u mblodhën qytetarët që po i rivinin edhe një herë cakun betonit dhe asfaltit duke mbjellë pemë. Muzika, siç i shkon për hir RILINDJES, ishte trullosëse dhe shastisëse mjaftueshëm për të penguar neuronet të prodhonin çfardolloj mendimi. Është një program nën të cilin RILINDJA nënshtron këdo përpara se të pranojë në gjirin e vet, duke filluar nga moshat më të njoma. Kënga që mbylli aktivitetin rilindas është perfekte për fëmijë … sidomos ajo pjesa poetike e këngës së DJ Antonio – GOODBYE që thotë: are you thinking of me when you fuck her?

Përveç këtyre vogëlsirave, Kryebashkiaku Veliaj, duke u munduar të sabotonte ndërhyrjen rikuperuese të shoqërisë civile, tregoi edhe një herë se nuk do t’ia dijë për fëmijët e Tiranës. Ai nxorri përpara fëmijë të pafajshëm, duke shpresuar që qytetarët e Tiranës do të ishin të dhunshëm po aq sa policia e tij dhe e oligarkëve javën e kaluar, ku u goditën e tërhoqën zvarrë dhjetra aktivistë e qytetarë që përfunduan në rajonet e policisë.

Por ky sabotim Kryebashkiakut iu kthye në një boomerang. I dyti i këtij lloji. I pari qe rasti i Mimoza Boçarit (qytetarja e dhunuar prej Policisë e shfaqur në të gjithë median), ku kjo qytetare e thjeshtë tregoi se angazhimi qytetar nuk njeh parti, qoftë 21 janari i 2011, qoftë ky shkurt i nxehtë i 2016. Qytetarët, sikur të ishte ende e nevojshme, treguan edhe një herë se janë shumë më të aftë të menaxhojnë në mënyrë paqësore krizat dhe qytetin e tyre sesa politikanët që nëpërmjet mashtrimeve elektorale iu vihen në krye.

Erion Veliaj kujtoi se duke sjellë fëmijët nga të gjitha anët e Tiranës do të provokonte e sabotonte ndëryrjen e qytetarëve. Por ra vetë brenda. Ra brenda sepse ai nuk di, ose bën sikur nuk e di, që një park apo kënd lojrash, fëmijët, sipas parametrave ndërkombëtarë dhe europianë, duhet ta kenë jo më larg se 15-20 minuta në këmbë nga vendbanimi. Lind pyetja: pse ky Kryebashkiak nuk u mundëson parqe apo kënde lojrash këtyre fëmijëve brenda rrezes maksimale të 20 minutave? Pse ky Kryebashkiak i hap rrugën betonit dhe asfaltit në të vetmin park natyror të Kryeqytetit?

Ideja e Parkut per Femije sipas Kryebashkiakut Erion Veliaj

Dje, duke u fshehur pas fëmijëve të manipuluar, Erion Veliaj propozoi që ndonjëri prej këtyre qytetarëve protestues të jetë mbikëqyrës i punimeve të betonit dhe asfaltit në parkun natyror të Liqenit, madje edhe i paguar prej Bashkisë. Në pak fjalë Erion Veliaj kujton se aspiratat e qytetarëve janë si ato të ish-kreut të MJAFT-it, kujton se duke hedhur karremin mund të korruptojë ndonjë prej krerëve të qytetarëve protestues. Erion Veliaj ashtu si e gjithë politika shqiptare janë të çorientuar sepse nuk kuptojnë se si ka mundësi që kjo protestë të mos ketë një individ në krye që të pranojë një rrogë qyl në xhep. Erion Veliaj dhe politika ka humbur pikën e referimit: liderin që udhëheq turmën e deleve nga pas, njësoj siç janë Rilindja e Edit, PD-ja e Luli (apo Salës?) apo LSI-ja e Like Metës.

Gjithsesi duhet falënderuar Kryebashkiaku për këtë hapje. Por askush prej qytetarëve nuk do të rëndojë në buxhetin e Bashkisë. Ekspertët që Bashkia ka nën rrogë me taksa publike janë të mjaftueshëm. Duhet vetëm që këta të bëjnë siç duhet punën e tyre. Qytetarët nuk po ngrihen për të gjetur vende pune në administratë.

Më tej duhet thënë se, siç shihet nga fotot e bashkangjitura në krye të këtij shkrimi, qytetarët kanë një koncept dhe filozofi ndryshe prej asaj që ky Kryebashkiak po mundohet të zbatojë me ndihmën e asfaltuesve dhe betonizuesve të Tiranës. Qytetarët nuk duan t’i çojmë fëmijët e Tiranës tek parku natyror i Liqenit, siç bëri Erion Veliaj dje. Qytetarët duan që parkun natyror të Liqenit tua çojnë fëmijëve të Tiranës afër shtëpive. Ky është koncepti ndryshe. Nuk e duan Liqenin të betonizuar dhe asfaltuar si Tiranën, por duan Tiranën të gjelbërt dhe të jetueshme si Liqeni.

Për të demonstruar edhe një herë që qytetarët janë shumë më përpara se politikanët e nënshtruar oligarkisë së betonit dhe asfaltit, që nuk janë idiotë që bien pre e retorikës dhe rrogave qyl, që nuk janë vetëm për bllokim, por proaktivë e propozitivë, që nuk flasin për utopi, por vetëm për mirëkuptim dhe qytetari të vërtetë, me një kolegen time menduam të jepnim një propozim.

Ne si qytet dhe banues të tij nuk mund të ndalemi vetëm në qendër të Tiranës për të investuar në një MONOPARK, ndërkohë që kemi plot hapësira boshe të degraduara mes blloqeve të banimit që mund të rivitalizohen. Këto mund të realizohen me skema shumë të lira dhe interesante të konceptimit, investimit, implementimit dhe menaxhimit, ku ndërtohen marrëdhënie partneriteti me komunitetin, duke krijuar skema bashkëfinancimi, me qëllim delegimin e ruajtjes, përgjegjësisë dhe mirëmbajtjes së këtyre hapësirave të përbashkëta prej vetë komunitetit. Kjo, gjithashtu, nxjerr jashtë loje monopolizimin në duart e vetëm pak firmave-FABRIKA të arkitekturës, nxjerr jashtë loje oligarkinë e betonit dhe asfaltit. Nëpërmjet kësaj mënyre veprimi duhen nxitur nisma start-up për të rinjtë, përmes konkurseve të hapura, duke përfshirë ide sa me inovatore, GREEN.

Nëse 40.000 m2, si në rastin e ndërhyrjes që kërkon të bëjë abuzivisht Bashkia brenda parkut natyror të Liqenit, i shpërndajmë në këto “xhepa të vegjël” të Tiranës, do të arrinim të ndërhynim në minimumi 50 të tillë, secili me një sipërfaqe prej 500 – 800m² dhe me një kosto prej 1 400 000 lek/ hapësirë. Madje kostot do të mund të jenë edhe më të ulëta, pasi do përfshiheshin kontributet e komunitetit dhe do të ndërhyhej me materiale të riciklueshe përmes IDEVE KREATIVE dhe NDËRVEPRIMIT.

Materiale të riciklueshme do të mund të ishin: paleta druri, kashtë, pemë të krasitura dhe jo fidanë të blerë, rërë, street art, litarë, rulota druri që shërbejnë për tela… dhe ç’ka që mbizotëron është gjelbërimi, si shmanget në mënyrë kategorike asfalti, betoni apo çdo lloj materiali jo-bio-i-degradueshëm.

Ky propozim ka dy indikatorë bazë: m²gjelbërim/capita dhe arritja apo aksesueshmëria e banorëve në këtë hapësirë. Sipas statistikave zyrtare, Tirana kishte vetëm 4,5m² gjelberim/capita (2008). Standarti i Organizates Botërore të Shëndetit (OBSH) është minimalisht 9m² (2010) dhe përveç kësaj kërkohet akesueshmëria – një banor duhet ta ketë vetëm 20 minuta larg hapësirën e gjelbër nga banesa e tij.

Kafshimi i Parkut Natyror të Liqenit prej Oligarkëve

Ndërkohë, këto 8 vjet, asnjë masë nuk është marrë për të ndërhyrë në Tiranë për të rivitalizuar hapësirat e gjelbra, por përkundrazi për t’i pushtuar ato dhe për të shtuar hapësirat e ndërtimit (shih në foto një shembull të kafshërisë oligarkike).

Prandaj do të ishte mirë të bëheshin këto investime në parqe, ‘xhepa të gjelbër’ në çdo skaj të Kryeqytetit. Pra MONOPARKU prej 40.000m² të shpërndahej nëpër parqe dhe kënde lojrash për fëmijë nëpër blloqe banimi: nga Blloku, në Kombinat, në Bathore, në Sauk, te spitalet e kudo. Nuk është gjë tjetër veçse ajo që para pak ditësh thoshte arkitekti dhe planifikuesi urban Stefano Boeri tek fliste për policentrizëm. Shpresojmë të mos jetë një fjalë boshe që fsheh nga pas vazhdimin e centralizimit nëpërmjet vazhdimit të bulevardit. Tirana është plot me fëmijë, të cilët jo të gjithë mund të vijnë çdo ditë te MONOPARKU, atëherë le të shkojmë ne drejt tyre, t’i përfshijmë në ndërtimin e së ardhmes së tyre duke filluar nga parqet natyrore që ua kemi lënë firmave të betonit dhe asfaltit, le të fillojmë duke u siguruar oksigjenin njëkohësisht edhe edukatën qytetarë për mbrojtjen e çdo hapësire të gjelbër prej asfaltit dhe betonit të oligarkëve.

Kështu mund t’i jepet një kundërpropozim Kryebashkiakut, ndryshe nga propozimi i rrogave qyl, duke e sfiduar të gjejë një hapësirë publike të ndonjë lagjeje, të zaptuar abuzivisht nga parkimet e ndonjë prej të fortëve të kryeqytetit, jo për ta kthyer në parkim të ligjshëm me pagesë, siç bëri Bashkia tek Stadiumi “Selman Stërmasi” apo “Qemal Stafa”, por për t’ia kthyer realisht fëmijëve. Nëse Kryebashkiaku nuk është i aftë ta gjejë, mund ta ndihmojmë në evidentimin e saj. Në momentin që evidentohet nga Bashkia, aty mund të ndërtohet një mini-park natyror afër shtëpive të fëmijëve, që do të mund të merret si projekt-pilot, paksa më ndryshe prej këtij që Bashkia po mundohet të bëjë te parku natyror i Liqenit.

Ky projekt-pilot, nëse bëhet transparent, ne jemi të sigurtë se mund të ndërtohen, duke u replikuar, edhe 50 të tjerë në çdo cep të Tiranës. Sigurojmë që nuk do të kushtojë më shumë sesa eko-monstra që Bashkia në mënyrë të paligjshme ka vendosur të ndërtojë brenda parkut natyror të Liqenit.

Në fund, nëse Kryebashkiaku nuk është i aftë ta zbatojë këtë lloj projekti, nëse në Bashki nuk ka ekspertë të alfabetizuar me policentrizmin urban, ka profesionistë midis qytetarëve protestues që janë gati, që nesër, të vënë firmën, ta marrin përsipër, me po ato para të eko-mostrës së parkut natyror të Liqenit, dhe të krijojnë 50 hapësira të gjelbërta dhe kënde lojrash nëpër Tiranë. Dhe nuk po flasim për beton, gomë, plastikë apo materiale të ricikluara me impakt ndotës për natyrën. Po flasim për 50 parqe eko-të-qëndrueshme, NATYRORE, nëse kjo fjalë në Shqipëri ka akoma kuptim, që do të japin oksigjen për fëmijët e Kryeqytetit për të cilët merakoset aq shumë edhe vetë Kryebashkiaku Erion Veliaj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s