Vegime dhe vëzhgime të bulevardit. (Romeo Kodra)

Pak ditë më parë hodha on line një shkrim me përshtypjet e mia për ekspozitën e Edi Hilës në COD-in e Kryeministrisë. Sot po shkruaj për të specifikuar paksa më mirë mendimin tim për këtë ekspozitë.

Edi Hila _ Vegime të Bulevardit _ COD

Edi Hila _ Vegime të Bulevardit _ COD

Në ekspozitën “Vegime të Bulevardit” Edi Hila sjell punët e vitit 2015. Mes këtyre punëve është trajtuar artistikisht edhe çështja e shatërvanit të sheshit “Nënë Tereza”. Këtë histori Hila, sipas fjalëve të tij, e sheh si një “moment interesant përgjithësimi”. Pra, ajo që piktori quan “ndërhyrje të dhunshme” të pushtetit në hapësirën publike, mund të merret si një momentum i qelibartë krijimi artistik.

Në vitin 2014, Kryeministri i vendit, me rastin e pritjes së Papës, “solli gjërat në vend” duke hequr shatërvanin, i cili qe ndërtuar andej nga fundi i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, pak para rrëzimit të dikaturës së Ramiz Alisë. Heqja e shatërvanit në pak fjalë është eleminimi i momentum-it krijues të Edi Hilës. “Momenti interesant i përgjithësimit” siç e quan Hila, në këtë rast është i munguar sepse i hequr. Edi Hila duke i bërë këto piktura në 2015, një vit pasi Edi Rama i kishte hequr shatërvanin, stimulin e tij shqetësues, duket sikur ka dalë huq, sikur është një hap mbrapa sensibilitetit gjenial të Kryeministrit tonë Artist.

Për disa mund të duket sikur Edi Hila, me këtë ekspozitë, ka dashur të rikonfirmojë apo vulosë aktin fshirës të Artistit të gjithëpushtetshëm, që më sensin e tij estetik i solli gjërat në vend. Dikush tjetër mund të thotë që Edi Hila po mban anën e Kryeministrit, sepse ka kuptuar, si shumë artistë të tjerë ose edhe më mirë, që, sidomos sot, nëse i krihet egoja Edi Ramës, në një mënyrë apo një tjetër, Perëndia-Kryeministër do ia shpërblejë. Edhe pse dyshimi mbetet, unë për këtë nuk jam i sigurtë. Madje, nuk më intereson.

Por për një gjë jam i sigurt: Edi Hila po përdoret nga Kryeministri, dhe që po përdoret e di edhe ai vetë. E di edhe ai vetë, sepse po të mos e dinte do të ishte një ofendim për inteligjencën e tij. Gjithashtu do të ishte një ofendim edhe për inteligjencën time si njeri që merrem me artin shqiptar dhe marrdhëniet e tij me pushtetin, sidomos politik. Në pak fjalë jam duke thënë që Edi Hila, apo edhe shumë artistë të tjerë që marrin pjesë hareshëm në eventet e konfeksionuara prej Kryeministrit Rama, përdoren duke qënë të vetëdijshëm për manipulimin që Edi Rama u bën atyre dhe punëve të tyre artistike.

Po jap një fakt. Edi Hila ka patur si momentum frymëzimi, në 2015, shqetësimin e shatërvanit, që pushteti i Ramiz Alisë ndërtoi në 1987(?) duke prishur sheshin “Nënë Tereza”. Kjo ndëryrje është bërë në një mënyrë, përsëpaku estetikisht, të diskutueshme. Dhe këtu mund të biem të gjithë dakort, sepse është një krim të prishësh këtë repert të historisë së arkitekturës dhe planifikimit urban, që është pasuri kulturore prej së cilës mund të mësojmë të shkuarën tonë. Por nga ana tjetër, këtë shesh estetikisht të harmonizuar, fashistët e kishin ndërtuar sipas ideologjisë së pushtetit tyre, të cilin Hila nuk e problematizon kurrë si të tillë, madje e sheh si burim frymëzimi estetik (shih videon e ekspozitës). Edhe kjo qasje e artistit Hila ndaj arkitekturës fashiste (racionalizmit arkitekturor italian), duke i parë vetëm anën estetike, pa problematizuar kurrë ngarkesën etike, dhunën e pushtetit, pra atë që e bën më të dallueshme prej stileve të tjera, është proporcionalisht e diskutueshme, as më pak e as më shumë, sa ç’është ndërhyrja e injorantëve të pushtetit të Ramiz Alisë në rastin e ndërtimit të shatërvanit.

Por nuk mbaron me kaq, sepse na ka mbetur edhe sqarimi i manipulimit të Hilës prej Edi Ramës, i cili deri në këtëpikë duket si udhëheqësi mendjendritur që madje ka ditur të paraprijë me sensin e tij artistik, duke prishur shatërvanin e shëmtuar komunist, atë shqetësim që piktori shkodran materializon në pikturë. Pra Edi Rama na del si kryeartist, Artist mbi artistët.

Tani, në këtë pikë, shumë artistë, si Edi Hila dhe të tjerë që vazhdojnë e bashkëpunojnë me Kryeministrin, mund të bëjnë sikur nuk ka asgjë të keqe, por unë e di që Edi Rama është një manipulues i artit për hir të profiteve të pushtetit politik. Dhe këta artistë, kur bashkëpunojnë me Kryeministrin, janë përsëpaku bashkëfajtorë nëse nuk problematizojnë të qenurit e Edi Ramës për atë që është: një ish-artist që ka zgjedhur pushtetin politik duke shfrytëzuar maksimalisht statusin e tij për të akumuluar gjithnjë e më shumë pushtet duke fundosur proporcionalisht në kah të kundërt artin dhe kulturën shqiptare për zhvillimin e të cilave ka marrë votat. Kjo shihet edhe më qartë në bulevard, sidomos nëse lëmë mënjanë “vegimet” e Edi Hilës apo “vellot e misterit” dhe vëzhgojmë konkretisht ç’ndodh aty. Po jap një shembull me anë të dy imazheve.

Punimet "restauruese" në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Punimet “restauruese” në Ministrinë e Punëve të Brendshme

 

Në foton e mësipërme shihet qartë një banner ku informohet publiku për punime restauruese të godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Fotoja e banner-it, të vendosur mbrapa MPB, është marrë nga fasada që përkon me pamjen nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Por shini pak foton e mëposhtëme, shihni se si interpretohet “restaurimi” i njërës prej godinave të aksit monumental të bulevardit, pra restaurimi i një monumenti kulture që duhet mbrojtur dhe ruajtur. Besoj se shihet qartë. Madje nuk ka nevojë të hyni në trans apo hipnozë. Vegimet nuk kanë ç’ju duhen.

Pas "restaurimit" qëndron surpriza e një shtese 2 milion euroshe.

Pas “restaurimit” qëndron surpriza e një shtese 2 milion euroshe.

 

Kryeministri Artist, 300 metra larg godinës së Kryeminstrisë, 300 metra larg COD-it që kodifikon artin shqiptar, aty ku Edi Hila hap një ekspozitë për “dhunën e pushtetit” që shpaloset në hapësirën publike, bën një ndërhyrje të tillë që e cilëson paturpësisht restauruese. Kryeministri Artist, në pak fjalë, shkatërron një repert historik fashist, që duhet ruajtur pa u tjetërsuar si sytë e ballit, sepse nëpërmjet tij kuptojmë marrdhënien dhe përdorimin abuziv të artit prej politikës. Kryeministri Artist në mënyrë fashiste shkatërron një objekt arkitektonik fashist. [Personalisht do të kisha dashur që Edi Hila të linte mënjanë “vegimet” shqetësuese të një pushteti të vdekur para 30 vjetësh dhe të vëzhgonte konkretësinë e betonit dhe “dhunën e pushtetit” të sotëm].

Në këtë pikë më lind një pyetje: Edi Rama është produkt i vetëdijshëm i marrdhënies fashiste art-politikë apo i pavetëdijshëm? Për mendimin tim është i vetëdijshëm, sepse ky fakt ja bën muuuuuuuu! Pyetja tjetër është: Edi Hila dhe artistë të tjerë bashkëpunëtorë të hareshëm të Kryeministrit Artist, janë të vetëdijshëm për kontributin e tyre apo jo? Edhe për sa kohë do të vazhdojnë ende të bëjnë sikur nuk e dinë se për çfarë po flas? Do vazhdojmë ende të flasin për “vello të mistershme”? Do të merren ende me manierizmat e grisë, zymtësisë dhe tonaliteteve të tjera të kotësisë kur ngjyrat e ndezura të pushtetit po na plasin sytë?

Në mbyllje doja të sinjalizoja një fakt që më bëri përshtypje për paturpësinë dhe fatkeqësinë tonë për ç’ka mbajmë në krye të qeverisë. Edi Rama në faqen e tij të Facebook-ut (marrë nga gazeta MAPO) për hapjen e ekspozitës së Hilës në COD foli kështu: “Përveçse një ekspozitë e denjë për çdo galeri e muze serioz të pikturës bashkëkohore në botë, edhe një atmosferë e jashtëzakonshme pasqyrash shpirtërore të bulevardit e godinave ikonike të tij, në vigjiljen e 21 janarit… “. Për mendimin tim Edi Rama e di shumë mirë që problemi i tij më i madh është pakontrollueshmëria e artit, sidomos kur ky i fundit trajton marrdhënien me pushtetin, dhe paraprin atë që mund t’i përplaset në fytyrë. Në pak fjalë, i del vetë të keqes përpara. Ai e di shumë mirë që bulevardi është grada zero e pushtetit, aty ku pushteti nuk ka çfarë të thotë më përveçse të ripërsërisë fshirjen, aktin e parë dhe të fundit njëkohësisht, sintezën e esencës së vetes si subjekt. Por, natyrisht, Kryeministri mund të flasë, sidmos kur rrethohet nga artistë që vazhdojnë e flasin për vello misteri edhe kur në shesh shohin Realen e vdekjes që mbyt në gjak apo konkretësinë mbytëse të betonit që lë pa frymë.

Një mendim mbi “Vegime dhe vëzhgime të bulevardit. (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s