“Tre motrat” dhe “teatri si pjeshkë” i Hervin Çulit. (Romeo Kodra)

Të enjten mbrëma e kalova duke parë pjesën e Anton Çehovit, “Tre motrat”, të vënë në skenë në Teatrin Kombëtar nga Hervin Çuli, njëkohësisht drejtor i institucionit. Gjithmonë përpara se të shkruaj për ndonjë event artistik filloj e bëj kërkime mbi të. Kështu, edhe sot, duke qenë se doja të shkruaja mbi pjesën teatrore, fillova të shoh on line çfarë ishte shkruar prej të tjerëve mbi “Tre motrat” në versionin e Çulit.

Natyrisht dhe zakonisht, prej gazetave shqiptare nuk pres shkrime përtej versioneve panegjiriko-informative apo, në të kundërt, përbaltosëse-inatçore. Por, sot, m’u duk vetja me fat kur gjeta një video on line me versionin integral të emisionit “Top Show” të Alban Dudushit ku flitej për teatrin, të titulluar “Teatri – quo vadis?” (këto shenja pikësimi në latinisht nuk ekzistojnë… thjeshtë për kulturën e autorëve!).

Të ftuar në studio ishin drejtori i TK Hrvin Çuli, Ema Andrea, Stefan Çapaliku, Altin Basha dhe Kastriot Çipi. Padyshim emra nga më të njohurit të skenës teatrore kombëtare. Në fillim m’u duk vetja me fat sepse do të dëgjoja gjëra mbi teatrin që zakonisht në faqet kulturore të gazetave tona nuk i gjej. Por iluzioni u shua shpejt.

Emisioni filloi në mënyre tendencioze duke folur për një teatër në krizë pa thënë se cila ishte ajo. Truk i zakonshëm për të ushqyer makinën e spektaklit dhe për të alienuar thelbin e diskutimit duke e futur menjëherë në binarët e thashethemnajës gazeatreske (klasike për Top Show). Më tej vazhdoi me Çulin që me nonchalance tregonte shitjen e biletave për të demostruar suksesin e shfaqjes së tij “Tre motrat”. Këtu askush nuk mundi ta kundërshtonte. Dhe natyrisht, si mund të kundërshtohet një gjë e tillë në televizion, në tempullin e sheshimit të vlerave artistike dhe asgjesimit të inteligjencës, si mund të kundërshtohet në tempullin e Portokallisë, në tempullin e makinerisë së prodhimit të një publiku idiot që maksimumin e arsyes e ka të kufizuar tek aritmetika e klasës së parë fillore? Në fund emisioni u mbyll me leksione të pakërkuara të Altin Bashës për të bërë të mësojë Hervin Çulin prej eksperiencës së të tjerëve. Pra e gjitha përfundoi si zakonisht, në humbje kohe, në një asgjë, në një kotësi klasike çehoviane (shih më poshtë).

Duhet thënë se gjërat më me kuptim, për çudinë time (për shkak të eksperiencave personale me ta) i thanë Ema Andrea (paska 2-3 minuta kthjelltësie!?) dhe Kastriot Çipi (duket që detyrat për administrator i paska kryer, për fat të keq pas pilafit, pas pushimit nga puna si drejtor i Teatrit të Komedisë). E para, Ema kombëtare, evidentoi faktin e pamohueshëm se “jemi ne, të pranishmit, që kemi qënë aktivë gjatë këtyre 25 viteve, që duhet të mbajmë përgjegjësi për gjendjen e teatrit”. I dyti, më shumë se një herë, vuri gishtin mbi plagën e ligjit (“janë bërë tre ligje deri më sot për teatrin që nga ’93”) dhe mospërfshirjen e artistëve në momentin e duhur. Dhe me të vërtetë, nëse flitet për reformë, ajo nuk mund të mos fillojë nga ligji për artin (shih në AKSREVISTA projekt-platformën për Teatrin Kombëtar).

Gjithsesi, si gjithmonë në emisionet e spektaklit televiziv, publiku u shushat, topit dhe trullos prej kompetencës së çakërdisur të të pranishmëve, të kompetencës së tyre me hope, me vrima të zeza studimore dhe eksperienciale që shpesh herë i përthithin në dërdëllitje logorroike dhe egoistike këta llomotitës të përhershëm të lëmës teatrore.

Kur them këto fjalë i mbroj me një platformë menaxheriale, të vetmen të publikuar on line për TK, dhe një libër teorik për formimin e aktorit të përkthyer (Kanoa prej letre), i vetmi në qarkullim, të cilin nuk denjojnë ta promovojnë gazetarët e emisionit të cilëve u interesoka teatri apo ta fusin në qarqet e tyre universitare dhe intelektuale profesorët e nderuar të pranishëm. Por, edhe për këtë fakt, nuk ka asnjë arsye të pakuptueshme, gjithçka është e qartë: këta dërdëllitës kanë frikë nga dija, janë të tmerruar prej saj, sepse ajo u nxjerr lakuriqësinë profesionale në shesh.

Në këtë emision dëgjohen (gjendet ende on line) të vërteta dhe ide të pjesshme që shiten si absolute. Problemi është që askush prej të përfshirëve në emision (gazetarë apo të ftuar) nuk e vë veten në diskutim për të vërtetat dhe idetë personale që ka. Të gjithë flasin nga maja e plehut sikur të ishin në majë të plepit. Por çfarë dinë këta njerëz? Si u maten njohuritë? Cili është metri, siç e kërkonte Hervin Çuli (dhe për çudi askush nuk i përgjigjej), me të cilin mund të maten?

Pyetja lind spontanisht: ku ta gjejmë metrin? Përgjigjia, po aq spontane, është: tek platforma menaxheriale. Ku është platforma që Çuli ka “ideuar” dhe po zbaton? Pse të pranishmit nuk ngulmojnë në këtë pikë, por e kalojnë sipërfaqësisht? Nëse Çuli kërkon që t’i vihet metri, pse nuk i hapet platforma që t’i matet vlera e lëkurës? Unë, që e kam parë, por që nuk më është mundësuar ta bëj publike prej Ministrisë së Kulturës, them se është një idiotizëm amatoresk. Por sa vlerë ka kjo që po them kur nuk më lejohet ta vërtetoj duke e demonstruar publikisht? Zero. Ka vlerë vetëm si thashethem, mjaftueshëm për emisione televizive, por jo për të zgjidhur problemin. Dhe po flas vetëm përsa i përket vlerës menaxheriale të Çulit.

Përsa i përket vlerës artistike të Çulit edhe kësaj i gjendet lehtësisht metri. Por se mos kujtoj ndonjëri se po flas për vlerën e Çulit si drejtor artistik! Ah, jo, jo. Këtu Çuli është totalisht injorant, në kuptimin më të pastër të fjalës, në kuptimin që injoron thelbin e ekzistencës së kësaj gjëje të quajtur “drejtim artistik” i një institucioni. Ai nuk e ka idenë se ç’do të thotë drejtim artistik. Emblematike për këtë ishte ndërhyrja e Stefan Çapalikut, i cili përsëpaku ka parë botë me sy dhe dy gjëra të qarta mesa duket i ka. Çapaliku pohonte se shfaqjet vjetore të vëna në skenë nga TK, pavarësisht krenarisë së Çulit “kemi vënë në skenë Çehov, Molier, Shakespeare”, nuk kanë lidhje ideore me njëra tjetrën. Teksa Çapaliku pohonte sa më sipër, drejtori i TK, me një tallje sipas tij ironike “Jo po të bëjmë instalacion … !!!”, konfirmonte qartazi dhe pa dashje, që nuk ia ka idenë se për çfarë bëhet fjalë. Praktikisht apoteoza e kristaltë e injorancës, që nga pozicioni i pushtetit, të cilin injorantë të tjerë ia kanë dhënë (lexo më shumë për argumentin në historikun e këtij blogu), dëfrehet duke shkatërruar fatet e Teatrit Kombëtar. Natyrisht në tempullin e injorancës, në tempullin e teletrumpiksjes dhe portokallizimit të halleve, shtrydhjes së harshme të taksave publike, askush s’pipëtin apo ta kapë metaforikisht me shqelma për ta nxjerrë nga studioja siç do të meritonte një injorancë e tillë dhe kaq ofenduese për ata që i paguajnë rrogën.

Gjithsesi, siç thashë më sipër, edhe vlerës artistike të Çulit si regjizor teatri i gjendet metri. Këtu Çuli kujton se është i mbrojtur. Natyrisht, kjo siguri, që mendon se ka, i vjen nga një lloj stepje e artistëve të pranishëm, e cila, këtyre të fundit, u vjen nga pasiguria e njohurive të veta specifike mbi lëmën teatrore. Dhe në fakt, si mundet ta kritikojë Altin Basha Çulin kur ky i fundit i tregon numrat, masën e spektatorëve duartrokitës, të çfardolloj idiotësie, që mezi presin t’u jepet urdhri për të kontribuar si fokat e dhjamosura në cirkun e spektaklit? Thjeshtë nuk mundet, sepse këta spektatorë tru(p)dhjamosur i japin bukën e gojës, dhjamosin edhe atë vetë, ashtu si gjithë adeptët e makinës spektakolare Top Channel.

Por fare thjeshtë Çuli mund të matet me metrin e “Tre motrave” të vëna në skenë, të kuruar filologjikisht, sipas tij, në kostume dhe jo vetëm. “Doja ta vija në skenë të plotë” pohonte Hervin Çuli përpara premierës. Bukur fort! Le të fillojmë të shohim se çfarë është kjo vënie në skenë, që të plotë kishte vetëm tekstin, kohëzgjatjen.

Po Altin Basha përpara ca kohësh në një artikull e cilësonte Çulin si të “shkollës konservatore”. Kjo është thjeshtë, idiotësi. Ndoshta konservatorizëm i abetarizmit teatror, por jo i teatrit konservator. Çfarë konservon Çuli te “Tre motrat” p.sh.? Konservon ndërthurjen e muzikës 4/4 me tekstin që bën Çehov? Konservon përshënjimin hapësinor që kryjnë aktorët me trup dhe jo vetëm me fjalë? E di Çuli apo “kokat e teatrit shqiptar” të pranishëm se për çfarë po flas? Pse një aktor reciton në një vend të caktuar dhe jo në një tjetër? Merr ndonjëherë kuptim skena prej lëvizjes së aktorëve të Çulit? Meqë është kopjuar banalisht një skenografi natyraliste e ndarë në tre nivele e di Çuli që ka një mospërputhje numrash me ç’thashë më sipër përsa i përket muzikës 4/4? E di Çuli që regjisor i Teatrit të Artit të Moskës, ku u vu në skenë për herë të parë “Tre motrat”, qe një farë Stanislavskij dhe kjo mospërputhje nuk mund të ndodhte sepse gjithçka, në një teatër “konservator”, “kopsitej” në detajet më të imëta (“Çuli konservator” – Altin Basha dixit. Uauuu!!! Në mos për gjë tjetër këto “koka” të teatri autokton janë gjeni të inflacionit të fjalëve!).
Dhe, akoma: Çuli, ky artist i regjur i skenave tona, ka punuar mbi krijimin e personazhit të secilit aktor? Po mbi vetë aktorin? Ka punuar me Lermontovin që i rri pas personazhit të Baronit/Liçajt? Dhe po marr si shembull aktorin më të mirë. Nëse ka punuar, si shpjegohet që gjesti i Neritan Liçajt është ende i pavërtetë? Pse duket sikur Liçaj po luan rolin e Liçajt? Pra, pse duket sikur ky aktor nxjerr në skenë një personazh prej eksperiencës të vet të mëparshme dhe jo prej studimit dhe kërkimit FILOLOGJIK të rolit? [Një parantezë: kulmi i polemikës boshe arrihet kur Altin Basha i thoshte Çulit “pse ke punuar 4 muaj mbi këtë pjesë dhe jo 2 muaj si gjithë të tjerët?”. Zotërinj të dashur, kjo pjesë kërkon minimalisht një vit punë prej profesionistëve, ndërsa prej diletantëve si ju ndoshta edhe 3 vjet, nëse punohet fort, çdo ditë, për 12 orë rresh].

Dhe një gjë e fundit. Në këtë pjesë, qëllimisht, dramaturgu Çehov NUK DO!!! që të ndodhë asgjë. Në fakt pjesa e dramës/veprimit “të munguar” në origjinal duhej të mbushej nga aktrimi i aktorëve të Stanislavskij-t, shkencë mbi të cilën aktorët apo më mirë të themi recituesit tanë nuk kanë njohuri. Kjo “asgjë që ndodh” në skenë hap ’900 teatrore. Madje Beckett-i këtë “asgjë që ndodh” vetëm sa e formalizoi, sepse ajo në realitet mban atësinë e Çehovit. Pra, duku iu rikthyer aftësive regjisoriale, lind pyetja: pse ky gjeni i skenës shqiptare, pse artisti Çuli, ndryshe nga thelbi i veprimit të munguar të pjesës teatrore, na vendos të projektojë shpërthimin e zjarrit, djegien e qytetin ku jetojnë tre motrat Prozorov? Nuk mund të rrijë ky gjeni i abetarizmit teatror pa i dhënë racionin e butaforisë së përditshme teletrumpiksurve duartrokitës nëpërmjet “gjetjes bashkëkohore” të projektimit të imazheve?

Në mbyllje, besoj se me kaq metri që kërkonte Çuli është mëse i mjaftueshëm. Të paktën ky është metri që teknikisht mendoj se mund të matet koefiçenti artistik i drejtorit të TK. Por nuk e di nëse ishte ky metri që me të vërtetë kërkonte. Ndoshta drejtori kur kërkonte metër e kishte fjalën për metrin e matjes së teatrit “kumbull”, për metrin e matjes së teatrit “pjeshkë”, të cilin kënaqej së deklamuari prej majës së tempullit të spektaklit, prej Top Show-t. Ndoshta kërkonte vetëm të ushqente fantazinë e publikut me metrin që i duhet pjeshkës së Teatrit Kombëtar, që, pavarësisht metaforës eksituese, mua, të them të drejtën, më duket tejet e zgërlaqur për të stimuluar orekse epshore.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s