“Rravgime” – Double Feature # 3 – Tirana Art Lab

vegla ben ustainAtristi i tretë në residencë, për 2015-n, në Tirana Art Lab është italiani Fabrizio Bellomo. Si të gjithë artistët e tjerë që kanë kaluar në këtë rezidencë edhe Fabrizio ka një shtresëzim domethënës të kërkimit dhe procesit pas punës artistike, që pasuron në këtë mënyrë me kuptime të reja edhe vetë laboratorin e TAL.

Nëpërmjet procesit dhe kërkimit artistik, që në rastin e rezidencës në kryeqytet prodhuan një vepër arti publike (në Sheshin “Shqiponja” – rrethrrotullimi i “Doganës”) dhe një video art, Bellomo – siç bën shpesh në punët e tij – heq një vizë, të hollë e të sigurtë, në mes të problematikave shoqërore, transformimeve antropologjike dhe interpretimeve artistike.

Dhe është mbi këtë vizë të hollë dhe të qëndrueshme që ndihen të gjitha lëkundjet etike dhe estetike të një artisti që nuk rresht së kërkuari duke avancuar si një ekuilibrist mbi këtë fill, të cilit i njeh fillimin, por asnjëhërë fundin. Madje mund të themi se te Bellomo ndihet edhe një lloj kërkimi që shkon përtej rezultatit kuptimor, një ecje symbyllazi në mes të vorbullës së problematikave shoqërore, transformimeve antropologjike dhe interpretimeve artistike, të cilat gërshetojnë apo thurin vetë fillin mbi të cilin artisti ecën.

Paradoksale ecja mbi këtë fill, ku nga një krah e shohim të lidhur te vullneti dhe angazhimi shoqëror i artistit, tek etika e tij, dhe nga tjetra tek interpretimi artistik, tek estetika, që fokusohet vetëm në aktualitetin real të gjërave.

Pra, Bellomo përshkon këtë fill ekuilibristi të lidhur vetëm në njërin skaj.

Lidhja në skajin tjetër, sidomos për ne si spektatorë, është gjithmonë e mbetur pezull. E sigurtë për artistin, e mbështetur në estetikën e tij, por ende për t’u gjetur për publikun, ende e hapur. Dhe kjo hapje është një pyetje. Kjo hapje është një sfidë: a mundemi vallë të gjejmë një estetikë që të na kompensojë edhe nga pikëpamja etike në shoqëritë tona tranzicionale (ish-Lindore) apo të krizave kronike (ish-Perëndimore)?

Edhe në rastin e “Vegla bën ustain” shohim të njëjtën pyetje, të njëjtën sfidë, të Fabrizio Bellomo-s. Sa art ka, apo mund të ketë, në rrethrrotullimin tranzicional dhe të patranzitueshëm (për një klasë ish-punëtorë, sot klasë e papunë) të kryeqytetit mikëpritës shqiptar? Sa herë e kthejmë kokën kur kalojmë “Doganën” (emri me të cilin njohim Sheshin “Shqiponja”) e Tiranës shumëngjyrëshe dhe plot “art” për të parë këto qenie njerëzore, që mundohen të kapen fort pas veglave të tyre, për të peshkuar ndonjë makinë, ndonjë klient, për të nxjerrë bukën e përditshme apo një vend pune që do t’i nxjerrë nga vorbulla rrethrrotulluese tranzicionale? Sa art ka në këtë rravgim njerëzor të përditshëm dhe periferik me të cilin duhet të zhdoganohemi për të shijuar ngjyrat dhe artin tonë bashkëkohor në qendër të Tiranës?

fotograme nga video e Elton BaxhakutNëse për Bellomo-n njerëzit në rravgim janë ish-punëtorët tashmë të papunë, shqiptarë apo italianë qofshin, njerëzit e alienuar prej marrdhënies tejet të afërt me veglat makinike, për Elton Baxhakun, artistin e dytë të “Double Feature #3”, janë romët. Artisti me ata zhytet më tej në labirintet e thella e të mjerueshme të periferisë së shoqërisë shqiptare, aty ku veglat janë ende gjysmë primitive ose mekanike, por jo më pak të ndikuara dhe ndikuese karshi njeriut.

Për Eltonin video arti duket si një mënyrë për të rigjetur kuptimin e humbur të dokumentarëve të tij, ose më mirë të themi se është një gradë e zero e kuptimit që rimon me menefregizmin e përgjithshëm përkundrejt tematikave dhe plagëve shoqërore që dokumentarët prekin. Me video artin Baxhaku – duke përdorur një ripërsëritje imazhesh dhe tingujsh thuajse autistike – duket sikur rimbush bateritë e energjive të tij psiko-fizike, rimbledh forcat prej zbrazëtisë së angazhimit shoqëror shqiptar. I rimbledh prej këtij tranzitimi që nuk tranziton, duke u rrotulluar në vetvete, duke u ripërsëritur (në tinguj dhe imazhe). Këtu, në këtë periferi, ai rigjen energjitë kreative. Për një iniciativë, për një aksion, për një rezistencë shoqërore të re.

Ripërsëritja është një gjetje shumë e thjeshtë për të justifikuar veprën artistike. Por kur ajo shihet në sfondin e gjithë veprës së Baxhakut, atëherë merr një dimension tjetër, solid nga pikëpamja estetike dhe etike, e njëjtë me atë të Bellomo-s, me të cilin bashkëndan edhe pasionin dhe kultivimin e kinemasë dokumentare.

Duke i bërë bashkë këta artistë kemi dashur, edhe një herë, të krijojmë ndërthurjen që karakterizon formatin “Double Feature” të Tirana Art Lab. Kemi dashur të evidentojmë edhe një herë se gjeneza e artit fillon gjithmonë nga poshtë, nga periferitë dhe nga territoret më të ulta e të përbuzura të shoqërisë, por edhe nga brenda, nga kontaminimi i artistëve të huaj, që, në të njëjtën kohë, kontaminojnë kontekstin me melhelmin e artit, duke e kultivuar atë përgjatë rezidencave të tyre në TAL. Falë këtij melhelmi, falë kuptimeve të reja që prodhon në kontakt me korpusin shoqëror shqiptar, në TAL dhe me këtë “Double Feature #3”, po mundohemi të përmbushim edhe një herë misionin tonë si operatorë kulturorë: riformulimin dhe rikodifikimin e kompetencave të artit dhe kulturës në kontestin tonë shoqëror.

P.S. Ekspozita e Tirana Art Lab, që u çel më 29 shtator, do të mbetet e hapur, nga e mërkura në të shtunë (16.00 – 20.00), deri më 31 tetor 2015.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s